97 PERQIND

Mickoski me të vërtetë nuk e ka të lehtë. Të punosh për bojkot, dhe njëkohësisht të jesh për BE dhe NATO

97 PERQIND

1 Hajdeee… Kaluam nga mushkonjat në pluhurin radioaktiv. Një zot e din deri më 30 shtator se çfarë do të shpifin nxitësit rus, dhe qytetarët tanë të informuar të gatshëm për t’i pranuar ato, dhe mediat për t’i përcjellë tërësisht pa verifikuar. Dhe këtë do ta përhapin në mënyrë aktive në rrjetet sociale për të shijuar histerinë e vet.

Përveç kësaj, vetëm 3% e qytetarëve kanë thënë se kishin lexuar marrëveshjen rreth emrit me Greqinë. Ndërsa pjesa tjetër informohen nga debatet në Facebook dhe Twitter që i nisin ata që nuk e kanë lexuar marrëveshjen. Por ata kanë qëndrim edhe për emrin edhe për kushtetutën për BE-në dhe NATO dhe identitetin dhe historinë dhe gjeografinë.

Dhe qeveria mund vazhdojë pushimet. Së bashku me deputetët. Pra, ka tri pushime të tjera – Bajrami, Festa e Shën Mërisë, dhe 8 Shtatori. Është budallallëk që t’i prish pushimet vetëm sepse para nesh është ngjarja më e rëndësishme në historinë bashkëkohore të Maqedonisë, pas referendumit të pavarësisë në vitin 1991. Ata mendojnë se puna e tyre ka marrë fund pasi dy herë kanë votuar për marrëveshjen me Greqinë në Parlament dhe kanë vendosur pyetjen e referendumit. Sikur puna në terren të jetë super. Sikur nuk ka nevojë për sqarime të mëtejshme. Sikur të mos ketë qytetarë të hutuar, të frikësuar dhe të painformuar. Sikur s’ka ndarje përgjatë linjave partiake. Sikur s’ka asnjë të pavendosur.

Fundja, sikur nuk ka armiq që punojnë seriozisht dhe me zell që referendumi të dështojë.

2 Fushata nuk është nisur zyrtarisht. Qeveria as nuk e di se sa para do të shpenzojë. Megjithëse, do të ishte logjike që Qeveria këtë gjë ta dinte që me 17 qershor, kur Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias nënshkruan marrëveshjen në Prespë.

Por ajo që në rrjetet sociale shpërndahet si paralajmërim i një fushate nga profilet zyrtare të Kryeministrit Zaev dhe ministrat, me fraza bajate dhe parulla propagandistike, duket se nuk mund t’i bind as ata që nuk kanë nevojë për t’i bindur të votojnë “për”, e mos të flasim për ata që kanë nevojë të binden ose për shpjegime për ndonjë gjë që është e paqartë për ta. Toni i kësaj gjysmë fushate është kështu: Do të jemi më mirë duke u bashkuar me BE dhe NATO. Dhe është turp nëse nuk na besoni.

Më lejoni të përsëris. Vetëm tre për qind e popullsisë dinë se çfarë thotë marrëveshja. Dhe 97 përqind  nuk e dinë, por ata i besojnë Facebook-ut. Dhe asaj që televizionet dhe portalet e internetit do të citojnë nga Facebook-u pa verifikuar.

3 Ndërsa qeveria pushon, VMRO-DPMNE punon. Dhe atë me mençuri. Ata thonë se qëndrimin rreth referendumit do ta thonë më 10 shtator kur të kalojnë pushimet. Megjithëse shihet se ata punojnë në terren për bojkotimin e referendumit. Ndërsa 25 vitet e kaluara na kanë çarë trapin me referendumin. Sepse ata sigurisht e kanë ditur se kurrë nuk do të kishin arritur një marrëveshje me Greqinë. Sepse edhe nuk kanë punuar shumë për të arritur një marrëveshje.

Sigurisht vmrovcat janë hutuar që në vetëm dhjetë ditë, në kulmin e pushimeve verore, kur lideri Hristijan Mickoski nuk arrin të formoj një qëndrim mbi referendumin, njeriu i tretë në Departamentin e Shtetit tri ditë qëndron në Maqedoni, feston Ilindenin me ne, madje ngjitet në Meçkin Kamen për të dëgjuar Komandantin Suprem të Ushtrisë, e cila duhet të hyjë në NATO, Gjorge Ivanov. Pas tij arriti Komandanti i Forcave Amerikane në Evropë dhe Komanda Supreme e NATO-s për Evropën, për të dhënë ndonjë deklaratë për NATO-në dhe Maqedoni-në. Ndërsa zëvendësi i tij politik qëndroi disa ditë më shumë për të takuar mbështetësit e deridjeshëm të Gruevskit dhe familjes dhe për t dhënë intervista për televizionin. Si përfundim, sollën edhe pjesëtarë të ushtrisë amerikane nga Kosova për t’u stërvitur në Krivollak.

Pra, amerikanët nuk janë duke pritur të kalojnë pushimet verore që Mickoski të deklarojë nëse do të mbështesë marrëveshjen me Greqinë e cila garanton hyrjen e Maqedonisë në NATO. Dhe, në qoftë se nuk e mbështet, ata do ta presin që ai të fitojë famë dhe të negociojë një marrëveshje më të mirë me Greqinë që do ta fuste Maqedoninë në NATO. Sepse ata besojnë se ai do të jetë më i mirë se paraardhësi i tij, Gruevski, i cili 11 vite me radhë nuk arriti ta çonte vendin në NATO.

Dhe në të njëjtën kohë, përtej kufirit, lideri i opozitës Micotakis thotë se nëse vjen në pushtet do të respektojë marrëveshjen që qeveria e Ciprasit ka nënshkruar me Maqedoninë.

Mickoski me të vërtetë nuk e ka të lehtë. Të punosh për bojkot dhe të jesh për BE dhe NATO.

4 Histeria masive në rrjetet sociale e shkaktuar nga mushkonjat, e përforcuar me heqjen e dy ose tre fluturimeve të transportuesit privat hungarez i cili për vite me radhë merr subvencione nga shteti ynë, u rrit edhe më tepër me storien e një parukiere të pretenduar, aktiviste e LSDM-së që e kanë punësuar si pastruese në MEPSO.

Mirëpo gjatë gjithë kësaj drame rreth punësimit, nuk u qëllua thelbi. Nuk ka rëndësi nëse ajo është pastruese, parukiere, inxhiniere, ose mjeke. Dhe nuk ka rëndësi nëse ajo është aktiviste e LSDM-së ose e VMRO-DPMNE-së, apo një ‘ramkovnë” e BDI-së. Thelbi është se punësimi në kompanitë shtetërore vazhdon të jetë partiak. Dhe tragjedia është se kjo ende shihet dhe pritet si gjë normale. Dhe se kjo iu pengon njerëzve deri në momentin kur ndonjë i afërt i tyre hyn në një kompani me një pagë të garantuar shtetërore. Më pas, e përgëzojnë atë. Sepse e meritonte.

Aktivistja e LSDM-së që e kanë punësuar në MEPSO është endur rrugëve gjatë protestave. Ashtu si i punësonin në të kaluarën aktivistet e VMRO-DPMNE-së në ELEM si shoqëruese të të ftuarve nga ashensori deri te zyra e drejtorit, sepse rregullisht kishin vallëzuar në mbrëmjet e Komitave.

5 Tani, ato që ishin endur rrugëve për të rrëzuar regjimin, dhe ato që për të ruajtur regjimi kishin vallëzuar në darkat e Komitave, nesër do fusin hundët në llogaritë tona në DAP. Drejtoresha Sanja Llukarevska thotë se të dhënat personale të qytetarëve janë të sigurta, të garantuara dhe të mbrojtura dhe deri më tani nuk kanë ndodhur shpërdorime. Epo kjo nuk është e vërtetë.

Në kuadër të desorosoizimit që e urdhëroi Nikolla Gruevski në vitin 2016, DAP-i përmes mediave i nxori brenda natës të gjitha kontratat e autorit dhe të ardhurat të njëzet OJQ-ve. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë proces gjyqësore për cilindo prej punonjësve të DAP-it që i zbuluan këto të dhëna. Dhe nuk do të ketë. Sepse kur je nëpunës shtetëror, të mbron partia.

Vallë si do të garantojë Llukarevska që nesër partia e saj nuk do të abuzojë me të dhënat e qytetarëve që nuk i pëlqejnë qeverisë? Është mirë që qeveria tregon përralla se do të ketë një protokoll sipas të cilit do të dihet se kush do mund të ketë qasje në këto të dhëna. Por nuk është problemi te protokolli. Problemi është te përgjegjësia e ushtarëve partiakë të punësuar në administratën shtetërore. Dhe jo vetëm në DAP.

Në Maqedoni ekziston një mosbesim i jashtëzakonshëm ndaj çdo institucioni shtetëror. Dhe ky mosbesim bazohet në fakte. Ka qindra raste ku institucionet kanë punuar kundër interesit publik. Pa asnjë sanksion. Kush është dënuar? Kush është shkarkuar? Kush është zëvendësuar?

Unë respektoj përpjekjen e Qeverisë të vendosë standarde norvegjeze në standardin maqedonas. Por edhe për ACMIS-in, në gjykatë ekzistonte një protokoll. Dhe hetimi i shpërdorimeve gjatë shpërndarjes së rasteve gjyqësore ende nuk ka filluar. E harruam këtë.

6 Ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski është në pritje të përfundimit të pushimeve për të pasur qëndrim rreth referendumit, kritikon Qeverinë e Zaevit se edhe sivjet asnjë universitet nuk është renditur midis 1000 të parët në Listën e Shangait. Ndryshe nga 30 vitet e kaluara, kur në listën e Shangait gjithashtu nuk ka pasur universitet të Maqedonisë.

Cilësinë e arsimit të lartë e kritikon profesor Mickoski, i cili në fillim të karrierës së tij akademike ka qenë asistent i babait të tij.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира