1 E tani, çfarë? Mos duhet, vallë, të gëzohemi se kryetarja e Komisionit evropian Ursula Fon Der Llajen disa herë i shqiptoi fjalët “maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” në fjalimin para deputetëve, duke i inkurajuar që të pranojnë propozimin francez për për fillim të negocimeve me BE-në? Ç’ka këtu për t’u gëzuar, po akoma edhe për t’u duartrokitur? Çfarë nderi të bën burokracia evropiane kur vërteton se ekziston populli maqedonas dhe gjuha maqedonase në mes të Kuvendit maqedonas?
Fon Der Lajenit vetëm i ra detyra që të vijë në Shkup për t’i justifikuar vlerat e reja evropiane që Bashkimi Evropian i pranoi nga Bullgaria, që në shekullin 21 ta refuzojë të drejtën për vetëpërcaktim.
Ai dhjetori i largët i 2005 kur morën statusin kadidat për BE binte borë, e në sheshin Maqedonia në Shkup u zhvillua një aheng i madh. Pas 17 vjetëve zvarritje, “jo këtë qeshor, jo dhjetorin tjetër”, “jo këtë presidencë, tjetrën”, “jo këtë raport, tjetrin”, fillimi i negociatave na duhej të ishte një festë e të gjithëve nëpër rrugët e qytetit. Në vend të kësaj, kjo datë historike, njëra nga të shumtat që kemi në jetën tonë, po pritet me rrugë të bllokuara, zhurmë vuvuzele në Kuvend dhe helikopterët policorë dhe veturat luftarake para demonstruesve.
Le t’i lemë politikanët tanë, të paaftë, të korruptuar, analfabetë, të liq, naivë, të këtillë e të atillë…I njohim, jemi vetë ne fajtorë që i votojmë ata. Po përse, vallë, ju atje në BE e pranuat hapjen e bisedimeve për ekzistencën tonë dhe ekzistencën e gjuhës sonë maqedonase?
Çfarë arritët duke i ndihmuar Bullgarisë që t’ua ndryshojë rregullat për hyrje në BE? Ia hapët derën edhe më shumë Rusisë duke e përfocuar Levicën. E fuqizuam edhe më tepër krahun nacionalist të VMRO-DPMNE-së. E destabilizuat koalicionin mes LSDM-së dhe BDI-së që tashmë vetë ishte i brishtë. I gjallëruat fuqitë që dëshirojnë konflikt ndëretnik. Dhe thellësisht i zhgënjyet rrathët qytetaro-liberalë të cilët sinqerisht ju besonin se gjithçka që thotë BE, është ok.
2 Po edhe vetë Ursula Fon Der Lajen kur ishte ministreshë e mbrojtjes në Gjermani, në shtator 2018, dhjetë ditë që kur shefja e saj e atëhershme Angela Merkel na inkurajonte që të dilnim në referendumin për ndryshimin e emrit, që do ta çonte Maqedoninë në BE dhe NATO, thoshte: “Gjithçka do të jetë siç duhet”. Epo, u dashka që Maqedonia t’i pranojë kërkesat nacionaliste bullgare vetëm që t’i fillojë negociatat me BE. Kjo është e shkruar në letër, kjo ngelet. Në letrën, në atë dokument evropian, qëndron deklarata e Bullgarisë se “asgjë në procesin e aderimit nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase”. Ndërsa 26 shtete këtë gjë e kanë parë si “shqetësim për Bullgarinë”. Dhe kanë vënë vulën evropiane.
E si të mos hidhërohesh? Si të mos jesh tërë inat, kur vetë BE-ja arriti që jo vetëm të forcojë argumentet për euroskeptikët, por edhe të shkaktojë një disponim antiperëndimor te maqedonasit më perëndimor? Për shkak se i uli standardet për respektimin e vlerave bazore të qytetërimit në nivelin e anëtares më problematike, një Bullgarie të korruptuar, e cila nuk mund të përballet me të kaluarën e saj të errët të kohës së fashizmit dhe e përdor fuqinë e 26 shteteve të tjera të BE-së, që në shekullin 21 t’i realizojë ëndrrat imperialiste të shekullit 19 dhe 20. Një Bullgari e tillë e cila iu imponoi vlera primitive i tronditi komplet – ka tre ditë që shpjegohen me njëri-tjetrin, kërkojnë falje e iu rikthehen gjërave qindra herë.
3 Sa i madh është zhgënjimi nga BE, aq edhe më i madh është zhgënjimi nga sjellja e elitave tona politike, nga shpallja e pavarësisë e deri më tani. Aq të paaftë janë, sa që paratë nga fondet evropiane që do të kishin vijuar pas fillimit eventual të negociatave nuk do të dinë se si t’i shfrytëzojnë për të mirën e prëgjithshm, ashtu siç nuk dinë t’i përdorin as deri më tani.
Mbajtja e bluzave “Unë jam maqedonas” në mes të Parlamentit të shtetit, grisja patetija e fletave dhe ndezjet e shkrepseve në foltoren e Kuvendit, vuvuzelat kundrejt kryeministrit Dimitar Kovaçevski e nëdrkohë heshtje përballë Ursula Fond Dre Lajenit dhe nxjerrje e gishtit të mesëm në Kuvend si kulmincacion i luftës heroike kundër “bullgarizimit”, në thelb është një përleshje se firmat e cilës parti do të dalin nga fondet evropiane.
Kaq për temën e BE-së, Bullgarinë dhe propozimin francez. Kur nuk mund të debatojmë për sundimin e së drejtës, reformat gjyqësore, luftën e korrupsionit…pasi, këto gjëra nuk i interesojnë BE-së.
Kurse unë, nuk jam në disponim që të bie në kurthin e patetikës që të duhet të vërtetoj nëse jam maqedonas dhe që kur.
Përktheu: Fjolla Zllatku