1E gjithë bota po na lutet: Ejani me ne, t’ju marrim, të bëheni pjesë e botës. Çfarë doni më tepër se kaq? Ja, do t’ju japim edhe para. Vetëm ju dilni, votoni në referendum për ndryshimin e emrit që të bëhet Maqedonia Veriore. Vetëm kjo gjë do t’ju mundësojë një të ardhme më të sigurt dhe të pasur në BE dhe NATO. Bashkë me botën e zhvilluar.
Populli i Maqedonisë gjendet para vendimit më të madh historik pas shpalljes së pavarësisë më 8 shtator 1991. Por, shumë veta kanë vendosur të mos marrin pjesë në këtë vendimmarrje për historinë e shtetit. Disa duke parë televizion e duke thënë se nuk ka zgjidhje e të tjerë duke qëruar speca për ajvar, pasi sipas tyre “tashmë gjithçka ishte vendosur dhe nuk varet prej nesh”. Klasike maqedonase.
Partizanët maqedonas në Luftën e dytë botërore ishin në anën e botës progresive dhe për herë të parë në histori kanë arritur të luftojnë për shtetin e tyre. Më 29 nëntor 1943, delegacioni maqedonas nuk ka arritur në Jajce, pasi atë ditë binte borë. Po më 30 shtator të vitit 2018, çfarë do të na ndalojë që të dalim e ta forcojmë shtetësinë që na takon dhe që na është trashëguar nga paraardhësit? Më 1943, bora ka qenë problem i madh. Tani – ajvari. Eventualisht edhe plazhet greke – nëse bëhet që koha të jetë e mirë për banjo.
2Le të themi se referendumi, me tërë atë presion të investuar nga të gjitha anët, nga Amerika, Gjermania, Britania e Madhe dhe të gjitha shtetet e BE-së, madje edhe Greqia, e besa edhe Rusia, do të kalojë. Dhe sot një vit, me kismet, do të fillojmë negociatat për BE. E kështu për një vit e gjysmë do të hymë edhe në NATO. Por, çfarë do të ndodhë pas referendumit?
E tha kryeministri Zoran Zaev para disa ditësh, në takim me biznesmenët. Kamzhik. “Do të duhet t’i ndreqim politikanët, t’i kalitim, BE dhe NATO janë kamxhikues që do të na kalitin sipas rregullave evropiane, që të mund të hymë në kapuç…”
Që do të thotë se tani ne me referendumin po i krijojmë vetes një kamxhik. Pasi kryeministri nuk guxon të kamxhikojë vetë.
Duket sikur në këto momente dramatike e ka më të lehtë të shkelë nëpër rrugicat që ia hapi VMRO-DPMNE. Me kompani të regjistruara prej para dy ditësh, kushërinj, komshinj nga Strumica, donatorë për partinë të cilëve duhet t’u kthehen paratë…Plus, një mori njerëzish të cilëve u ka dhënë besimin e tij, ashtu siç i njohim nga koha e LSDM-së. Dembelë, improvizues, mjeshtër të ndërlikimit.. Gjithmonë me justifikime për mossuksesin dhe mosveprimin e tyre. Kësaj here – vetëm të kalojë referendumi.
Mirë, le të kalojë. Vetëm se unë nuk po pyes nëse pas 30 shtatorit Zaevi do ta kapë kamxhikun apo jo. Por pyes veten nëse do të duhet një kamxhikosje edhe për të.
3Çfarë bëjmë pas referendumit me censurën që dëshiron të na e integrojë ministri i kulturës Asaf Ademi? Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev me shumë dëshirë do ta kishte pranuar edhe në ligj. Si fillim, ministri i kulturës Ademi dhe drejtori i Agjencisë për film Gorjan Tozija na thanë se nuk e kanë parë filmin “Tallja e Krishtit”, por e gjykojnë si ofendim ndaj ndjenjave të qytetarëve dhe rrezikim të bashkëjetesës. Ministri dhe drejtori e kanë parë vetëm trejlerin dhe kanë ardhur në konkluzion se shqiptarët do të ofendohen.
Më pas, ministri lajmëroi se me ndryshimet e Ligjit për kulturë shteti do të vendosë se cilat tema janë më të mira, cili artist është më i mirë dhe cila vepër është më e mirë për ‘u financuar me paratë e shtetit.
Kush do të shpallë temat e mira, arstistët edhe veprat e mira? Komisionet shtetërore. Kush e kërkon atë gjë? Ministri i kulturës i shqetësuar për bashkëjetesën e para Ministrisë së kulturës, një ngjarje e financuar nga paratë e shtetit u fotografua me flamurin e një shteti të huaj- flamurin shqiptar, ndërkohë që flamuri i shtetit të tij – flamuri maqedonas – nuk ishte aty.
T’ju rikujtoj. Me ndryshimet e lajmëruara për ndryshimin e Ligjit për kulturë shkelet Kushtetuta. Në nenin 16 të Kushtetutës thuhet se censura është e ndaluar. Në kohën e ministrit të kaluar, Robert Allagjozovski, artistët u hëngrën midis vete mbi çështjen se sa para ka marrë secili nëpër konkurset shtetërore. Ndërsa për këtë ministër, të cilit i ka vajtur mendja t’ua censurojë veprat, shoqatat artistike heshtin, ndërsa MANU-n nuk po e përmend fare. Ata kanë nevojë për një distance kohore deri sa t’u kujtohet të bëjnë diçka .
Sot për dobishmërinë e temave do të fshihesh pas bashkëjetesës, e nesër pas një interesi të presupozuar publik. Sot është film, e nesër do të jetë libër. Ose pikturë. Sot nuk u pëlqen shqiptarëve, nesër nuk do t’u pëlqejë maqedonasve. Sot do të ofendohen gratë, nesër burrat. Sot do të mbrohen pronarë të qenve, nesër ata që frikësohen nga qentë. Sot të rrezikuar nga skulptura pa brekë, nesër të rrezikuar nga një pikturë me kryq apo gjysmëhënë…Me sa duket gjithmonë do të gjendet ndonjë bashkësi që do të ndjehet e ofenduar nga ndonjë vepër artistike.
Të themi të drejtën, nuk është se në Maqedoni nuk ka artistë që do të pajtoheshin të pranonin që t’i vlerësojnë si të mirë. Ashtu siç pranuan t’i vishnin brekë Prometeut.
Bashkëjetesë nuk është të heshtësh. Politikanët bëjnë politikë dhe ndonjëherë u duhet edhe të heshtin. Por, ama, artisti nuk guxon të heshtë. Madje edhe kur politikani dëshiron t’ia mbyllë gojën.
Në fund të fundit, nëse një film mund ta rrezikojë bashkëjetesën, atëherë ne nuk kemi bashkëjetesë.
Arti nuk e rrezikon bashkëjetesën. Censura e rrezikon jetën.
4Në vitin kur në marrëveshjen historike me Greqinë pranohet gjuha maqedonase, në të gjitha universitetet në Maqedoni, për studim të gjuhës dhe letërsisë maqedonase janë paraqitur vetëm 31 maturantë.
Përshëndetje, hashtag bojkotoj. Për hajr.
Përktheu: Fjolla Zllatku