CAR BORISI DHE BE-JA

Qetësisht dhe me dinjitet t'i barazojmë fashizmin me antifashizmin.

1 A ka dikush në qeveri, vallë, që përfundimisht do t’i thotë Bullgarisë “Mjaft më!”. Besa edhe Bashkimit Evropian, i cili po mundohet ta qytetërojë mohimin e paqytetëruar të së drejtës për vetëpërcaktim, që ia futi si politikë të përbashkët një nga shtetet-anëtare, duke e paraqitur atë si një çështje bilaterale.

Ministri bullgar i punëve të jashtme Nikollaj Millkov tha se “nëse emri i klubit Car Boris Treti është problem, atëherë gjimnazi në Shkup që mban emrin e Josip Broz Tito-s është problem shumë më i madh”.

Tashmë është bërë i mërzitshëm ky shpjegim: Tito ka qenë antifshist, e ka pranuar veçantinë e popullit maqedonas dhe gjuhës maqedonase dhe nga ky antifashizën ka lindur shteti i Maqedonisë, i cili pas viteve të pasluftës ka përjetuar zhvillimin më të madh dhe më të shpejtë. Cari bullgar Boris Treti ka bashkëpunuar me Hitlerin, gjermanët i kanë lejuar ushtrisë së carit ta pushtojnë Maqedoninë, pushteti bullgar ka bërë bullgarizim të dhunshëm dhe ka dërguar 7.144 hebrenj maqedonas në llogoret naciste të vdekjes.

Sinqerisht, nuk di më të them se cili është ofendim më i madh.

Provokimi brutal me hapjen e klubit bullgar në Ohër me emrin e carit Boris Treti, bashkëpunëtor i Hitlerit që i është bashkangjitur Bullgarisë në Paktin e trefishtë fashist? E për më tepër në afërsi të shtëpisë ku gjykata e okupuesit fashist bullgar në vitin 1941 ka gjykuar për vdekje pesë komunistë maqedonas – antifashistë. Njëlloj siç hapën dhe klubin “Ivan Mihajllov” në Manastri në lagjen e vjetër hebreje.

Për mua, ofendimi më i madh është ajo që shteti ynë po sillet si ndonjë budalla. Mirë BDI-ja, shef punën e vet, si të mos ishte nga këtu. Ama, si mendojnë në LSDM dikush t’i marrë seriozisht dhe t’i respektojnë nëse ata vazhdojnë me injorimin e provokimeve të Bullgarisë dhe me heshtjen përpara BE-së? Vallë, nuk kanë mësuar në shkollë se kush ka qenë cari Boris gjatë periudhës së okupimit, apo kanë ikur nga orët e historisë? Për më tepër që MPJ dha dhe komunikatë që të sillemi “qetë dhe me dinjitet”.

Me dinjitet ta barazojmë fashizmin me antifashizmin.

Apo, një ofendim edhe më i madh është dyftyrësia e BE-së me atë politikë të çthurur nëpër të 26-ta anët, gjë që duket në deklaratat e disa zyrtarëve, si “tani veç edhe Kushtetutën ta ndryshoni” dhe më pas gjithçka do të varet prej jush. Si more, gjithçka varet prej nesh, kur një shtet-anëtar i BE-së nuk na pranon as se ekzistojmë si maqedonas që flasin maqedonisht, ndërsa ju këtë e pranuar me dokument të shkruar, të vërtetuar në Bruksel? Ndryshimi i Kushtetutës është kusht vetëm për fillimin e negociatave. Por nuk dhatë asnjë garancë se Bullgaria nuk do ta bllokojë pranimin tonë në BE duke iu referuar mu asaj deklarate, se nuk ekziston gjuha maqedonase. Po edhe këto provokime po i bëjnë vetëm që të komplikohet hyrja jonë në BE, ndryshimi i Kushtetutës të jetë edhe më i rëndë për t’u kapërdirë. Ja deri ku na solli ai tolerim evropian i mohimit bullgar të gjuhës dhe populllit maqedonas – ai shtet tani po barazon fashizmin me antifashizmin në terren, ndërsa 26 shtetet e tjera i lajnë duart – nuk dimë ne gjë për këtë punë, zgjidheni ju çështjen bilaterale vetë.

Në fund të fundit është irrelevante nëse ndonjë bullgar ka pasur diçka kundër Titos. Bullgaria në luftën e dytë botërore ka qenë në anën e fashistëve, kurse Maqedonia në anën e antifashistëve. BE-ja tani na bën që ta harrojmë këtë gjë, e që të hyjmë në BE duhet madje edhe t’u përkulemi fashistëve bullgarë. Ndërkohë qeveria jonë na thotë që të vazhdojmë me dinjitet me një lloj harrese kolektive dhe operimi në tru. Përndryshe menjëherë do të na etiketojnë si antievropianë.

2 Në mënyrë që t’i parandalojë provokimet e ardhshme, Qeveria lajmëroi se do të krijojë Këshill për emra të drejtë të shoqatave qytetare. Dër,dër,dër…A thua se, deri më tani nuk mundej t’i ndalte provokimet. Sikur shteti të sillej ndaj regjistrimi të këtyre shoqatave bullgare ashtu siç sillet me ne si qytetarë kur na duhet të nxjerrim ndonjë dokument, nuk do të kishte ardhur puna deri këtu. Si mundet që ata t’i regjistrojnë ekspres, e neve të na i gabojnë emrat, të mos na përshteten adresat, të mos kemi mjaft dokumente, të na kthejnë 100 herë, të sëmuren punonjësit, të shkojnë në pushim lindjeje…

S’është mirë, apo jo? Sigurisht që jo, jam absolutisht dakord. Por nga ana tjetër, nuk është mirë as për ne si qytetarë sa herë që përballemi me administratën e institucioneve shtetërore. A do të ankohen qytetarët që bëjnë provokime të qëllimshme? Po le të ankohen. Edhe ne do të ankohemi, por s’do të ketë se kush të na dëgjojë. Do të paditin? Le të paditin? Do të paditin në Strasburg. Le ta bëjnë. Në fillim këto gjyqet qe ta kryejnë ciklin prej 4-5 vjetësh, e pastaj le të paditin edhe në Strasburg. Kemi frikë se në Strasburg do ta gjykojnë shtetin? Po Bullgaria ka 13 verdikte nga Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg për mosregjistrim të shoqatave maqdonase dhe aspak nuk i bëhet vonë – ja ku është, këtu, duke e diktuar politikën për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

Nëse për Bullgarët është kaq i rëndësishën cari që ka qenë bashkëpunëtor i Hitlerit, le ta festojnë atë atje e le të hapin klube në emrin  tij. Në Maqedoni emri i tij lidhet me krim dhe antimaqedonizëm. Në shtetin tonë jemi ne që i krijojmë ligjet dhe janë rregullat tona ato që vlejnë. Veç sikur edhe të kishim një qeveri që nuk do të përtonte që këtë gjë ta zbatojë dhe që nuk do të ishte kaq servile ndaj Bullgarisë dhe e frikësuar nga ajo se çfarë do të thonë zyrtarët e BE-së.

3 Kjo puna me Këshillin për emra të drejtë të shoqatave është njëlloj si puna me Këshillin për arsim më të mirë. Nuk ka Qeveria punë tjetër, i zgjodhi të gjitha krizat para dimrit, dhe formoi Këshill për përparim të arsimit, ku do të kryesojë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa do të këshillojnë pesë ministra.

E ministria e arsimit për çfarë ekziston? Po Byroja për zhvillim të arsimit pse ekziston? Ata, a nuk janë vallë për përmirësimin e arsimit? Po ministri i arsimit përse nuk jep dorëheqje. A nuk mban ai përgjegjësi për përparimin e arsimit? Përse është ministër? Që të fotografohet? Apo vetëm që të punësojë kuadro partiake? Po as për një zbatim të tenderit nuk bën punë – as libra, as dëftesa nuk morën fëmijët në kohë.

Ky është vetëm një kalim i përgjegjësisë. Nëse nuk dëshiron ta zgjidhësh problemin, krijo një Këshill. Nuk ka faj ministri, Këshilli do të vendosë, Këshilli do t’i ketë fajet. E njëjta mund të ndodhë edhe me të gjitha ministritë e tjera. Ministrat le të fotografohen e le të punësojnë, e nëse nuk iu shkohet në sektor, Qeveria le të krijojë Këshill për përparim. Le t’i mbyllin të gjitha ministritë. Të paktën do të kursejmë për shoferë dhe sekretaresha.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира