DERI NË FRYMËN E FUNDIT

Do të këndohen këngë për amerikanët, gjermanët, hollandezët dhe britanikët e mallkuar që u nisën në një mbrojtje të vendosur për ta thyer rezistencën heroike të qytetarëve maqedonas dhe udhëheqësve të tyre dhe përfundimisht të stabilizojnë shtetin.

DERI NË FRYMËN E FUNDIT

1Kjo që po na ndodh me siguri do të këndohet në ndonjë të ardhme. Do të këndohen këngë që lartësojnë rezistencën e qytetarëve të Maqedonisë për të bërë një shtet të mirëfilltë. Për njëzet e tetë vjet flasim se si duam të hyjmë në klubin e shteteve seriozë dhe pikërisht dy-tri muaj para hyrjes në NATO, ne vazhdojmë të luftojmë me fuqitë e fundit që të mos kemi një shtet. Këto ditë të fundit të rezistencës meritojnë të paktën një përmendore atje diku në lëndinat e Përzhinës. Apo një pllakë përkujtimore në ndërtesën e PSP në rrugën Ruzvelltova në Shkup me mbishkrimin “Në këtë shtet vdiq shpresa për drejtësinë” dhe një zjarr i përjetshëm para Parlamentit, atje nën kalin e Nikolla Karevit, i cili do të na kujtojë luftën heroike të VMRO-DPMNE-së për të shpëtuar Nikolla Gruevskin dhe hajdutët e tjerë nga burgu, gjë me të cilën do të vërtohet mosfunksionimi i drejtësisë në shtet.
Do të rezistojmë deri në frymën e fundit. Edhe shpresa për të pasur një shtet të drejtë do të zgjasë deri sa kryetari i nderuar i partisë më të pasur në Evropë uron festa në Facebook nga Budapesti. Pasi ne duam të na vjedhin, të na përgjojnë, të na hedhin në hendek, të na tërheqin për veshësh që të votojmë, të na vënë në fletoret e tyre të punësimeve, të na japin nja dy-tri shuplaka…Pasi për ne është më e rëndësishme të mos dënohet krimi, se sa të hymë në NATO dhe BE.
E gjëja më e thjeshtë është të shesim mend duke thënë se të gjithë janë njëlloj, që të mos rrezikojmë të na ndryshohet asgjë në jetë. Apo nëse ndryshohet, të na ndryshohet për mirë.
Do të këndohen këngë për amerikanët, gjermanët, hollandezët, britanikët, e me një sebep, nëse edhe Makronin tashmë do ta kenë bindur që të miratojë ndonjë datë për negocime me BE, do të këndohet edhe për francezët e mallkuar, që u nisën në një mbrojtje të vendosur për ta thyer rezistencën heroike të qytetarëve maqedonas dhe udhëheqësve të tyre dhe përfundimisht të stabilizojnë shtetin.

2Me të vërtetë nuk e di se me sa mend Zoran Zaevi rrinte shtatë orë duke negociuar me Hristijan Mickoskin për Ligjin për prokurori publike. Çfarë ka folur me njeriun të cilit ia dimë mirë qëllimin – të shpëtojë kryesinë e partisë së tij nga burgu për të gjitha krimet që kanë bërë gjatë kohës që kanë qenë në pushtet? Ç‘bisede mund të bëjë, vallë, me Antonio Milloshoskin, lidhja e vetme e të cilit me drejtësinë ishte kur kërkoi të lustrohej një gjykatës i cili e ka penguar babain e tij nga blerja e pronës në Kërçovë pa para? Apo Ilija Dimovski, lidhja e vetme e të cilit me drejtësinë është fakti që studioi për një dekadë në Fakultetin e drejtësisë. Ndërkohë si Antonio, ashtu dhe Ilija janë të akuzuar dhe të dyshuar mu për atë që u dëgjua te bombat.
Qytetarët, veçanërisht ata që nga një “lartësi moralë” shohin realitetin por nuk ndërmarrin asnjëherë asgjë, janë të zhgënjyer pasi negociatat nuk paskan pasur sukses. Imagjinoni të kishin pasur sukses. Sa do të zhgënjeheshin atëherë? Çfarë do të ndodhte nëse Zaevi dhe Mickoski do të ishin marrë vesh? E ç‘do të mund të ishin marrë vesh kur Mickoski kërkon që kriminelët e VMRO-DPMNE-së të mos përndiqen dhe kjo të ndalohet me ligj? A do të ishin marrë vesh, vallë, se bombat nuk do të vlejnë? Se atë që kemi dëgjuar në bombat nuk e kemi dëgjuar? Se krimi për të cilin nuk ka dëshmi nuk do të përndiqet?
Apo do të ishin marrë vesh se as bomba nuk ka pasur. Pasi në të vërtetë nuk ka pasur as përgjim të paligjshëm.

3Të huajt që thyejnë rezistencën e qytetarit të Maqedonisë për të pasur shtetin e tij vazhdimisht përsërisin se duhet të përfundojnë proceset gjyqësore të cilat dolën nga bombat. Tema e bisedës është nëse duhet apo jo të procesuohet krimi për të cilin kemi dëgjuar të flitet. Ata nuk i intereson nëse ky institucion do të quhet PSP apo PP apo Prokuroria për krim të organizuar apo për krim te lartë. Ata nuk i intereson nëse ai apo ajo që në të ardhmen do të përndjekë kriminelët e rangut më të lartë do të quhet Katica Janeva apo Ljubomir Joveski.

Të huajt pyesin: Ku janë zgjidhjet gjyqësore për krimet të cilat tashmë janë procesuar? Ku i keni gjykimet për hetimet tashmë të filluara? Ku e keni betejën kundër krimit dhe korrupsionit të funksionarëve të lartë? Ku është beteja kundër mosdënimit të të gjithëve, e sidomos të zyrtarëve shtetërorë dhe funksionarëve të përzgjedhur? Kjo është esenca e problemit, e jo mbledhitë e vona shtatëorëshe.
Është me të vërtetë për t’u zhgënjyer fakti se përgjigjen për të gjitha këto pyetje nuk po e kërkojmë ne, ata që jetojmë këtu. Pasi Amerikanëve u nevojitet drejtësi në Maqedoni. Na duhet neve. Hollandezët kërkuakan të dënohen politikanët që i vjedhin qytetarët maqedonas. Kurse qytetarëve maqedonas nuk u bëhet aspak vonë. Pasi ata vetë i votojnë qytetarët e tyre që ata t’i vjedhin. E që të kenë muhabet në kafe mbi temën se “si të gjithë qenkan njëlloj”.

4Kur Zaevi dilte nëpër konferenca shtypi që të nxirrte bisedat e përgjuara mbi të cilat thoshte se janë siguruar nga një fishkëllyes i DSK, kishte dosje të tëra të përgatitura për t’ia shpërndarë publikut. Pse Hrisitjan Mickoski nuk bëri të njëjtën gjë me materialet për të cilat thotë se ia ka dhënë një fishkëllyes nga Prokuroria publike? Çfarë do të thoshte ajo që do t’i japë kur nevojiten? Kur do të nevojiten? Kur do të vendosë që të vriten lëndët kundër kryesisë së partisë së tij? Jo mër, MIcko. Ne duam të dimë përmbajtjen edhe të ato dosjeve tua. Përse i ruan? Për të shantazhuar LSDM?
I gjithë ai material duke përfshirë dhe bombat kaloi nga PSP drejt Prokurorisë publike. Në institucionin për të cilin Mickoski lëvdohet se ka një fishkëllyes që punon për VMRO-DPMNE. Dhe në institucionin nga ku dolën dëshmitë në një gazetë italiane dhe nëpër portalet propagadnuese të shtetit.

Që prokuroria paralajmëroi se transferimi i materialeve hetimore është vepër penale është gjë e mirë. Por, nuk pamë se e zunë atë që kishte kryer një vepër penale. Çfarë mund të presim nga fishkëllyesi i Prokurorisë tani? Që të lëshojë edhe përgjime nga Gruevski dhe Mijallkovi?

Po pse të flasim për fishkëllyesin nga Prokuroria kur ata akoma nuk mund ta kapin atë. As në MPB akoma nuk mund ta gjejnë atë funksionar që është futur te dosja e shkeljeve të komunikacionit të ministres Nina Angellovska dhe e ka publikuar në Internet. Kjo është shumë e çudishme. Si ka mundësi që te redaksia jonë mund të shihet shumë thjeshtë se kush ka hyrë për herë të fundit në sistem, e kjo nuk u bëka dot në Ministri!?

Nëse punët janë kështu, atëherë s’mbetet veçse të dalim në konkluzionin se ne me të vërtetë po refuzojmë së pasuri shtet. Prandaj edhe rezistenca është diçka që thyhet me vështirësi edhe nga ana e Amerikanëve edhe nga ana e BE-së me forca të bashkuara.
5Në realitet, e gjithë kjo është vetëm një nga shumë lojërat e VMRO-DPMNE-së për t’i blerë vetes kohë që të shtyjë sa më shumë burgimin e kryesisë. Kjo lojë po vazhdon nga shkurti i vitit 2015.
Përse kishin atë debatin për të hequr Prokuroren speciale publike Katica Janeva në seancën plenare të Parlamentit, një ditë para mbarimit të mandatit të saj? Në mbrëmje do ta heqin, kurse në mëngjes me siguri nuk do të jetë shefe.
A doni të dini se si do të duket seanca?

Vllatko Gjorçev do të lajmërohet së paku dy herë, të flasë për numrin e zvogëluar të nxënësve të klasës së parë në Maqedoninë lindore. Dimitar Stevananxhija do të flasë për blerjen e vjetshme të duhanit. Vesna Pemova do të flasë për vreshtat. Pavlinçe Çestojnova do të fjalë për subvencionet e vreshtës. Liljana Zaturoska do të flasë për deponinë e Strugës. Ilija Dimovski do ta mësojë Talat Xhaferin se si drejtohet një seancë. Kurse Talat Xhaferi do t’u thojë t’i përmbahen temës së diskutimit.
Nëse nuk kemi punë më të mençur për këto ditë të fundit të verës, ndiqini. Forconi rezistencën.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира