1Në agjendën e ngjeshur të ngjarjeve historike në Maqedoni, më 22 gusht ndodhi edhe një ngjarje tjetër historike. Filloi gjykimi i sulmit të organizuar të Parlamentit më 27 prill 2017, në një proces ku 33 persona janë akuzuar për akt terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë. Mes tyre gjenden pesë deputetë, dhjetë zyrtarë të lartë të MPB dhe personalitete publike të njohura. Gjykim më historik dhe të një profili aq të lartë nuk kemi pasur ndonjëherë në historinë demokratike të Maqedonisë.
Dhe ja ku kemi shansin që të zbulojmë me të vërtetë se çfarë ka ndodhur më 27 prill 2017, e më pas të shohim se sa është e gatshme gjyqësia e Maqedonisë që të gjykojë me drejtësi. Ja ku e kanë shansin gjykatësit, prokurorët dhe avokatët. Secili me barrën e tij të detyrës, dijes dhe përgjegjësisë profesionale. Ja një shans i mrekullueshëm për reformë praktike në gjyqësi. Sepse, nëse nuk pastrohet ndodhia e 27 prillit, gjithmonë do të mbetemi të robëruar në shprehjen e poetizuar “e enjtja e përgjakshme”. Secili me historinë e vet, të cilën e pamë të përfundonte me kokët e përgjakura. E kush e di se di do të mbaronte nëse sulmi do të kishte sukses. Atëherë me siguri nuk do të kishte as gjykim.
2Nuk kam asgjë kundër poezisë. Por kundër poetizimit, po. Atij poetizimi që çon drejt vetëharresës. Çfarë domethënie ka shprehja “e enjtja e përgjakur në Parlament”? Apo, siç përmendi një kolege e imja: “Mos ndoshta atë të enjte të gjitha deputetet i paskan pasur menstruacionet?”
Është e njëjta gjë si me punën e anketave televizive ku e pyesin popullin nëse dinë se çfarë ka ndodhur më 11 tetor, 1941. E ata do të përgjigjen “Shkrepi pushka e parë”. Rrinte pushka aty, edhe vetë ia shkrepi. Të gjithë e mbajnë mend një shprehje të poetizuar. Kurse thelbi i gjithë çështjes është harruar. Fakti se më 11 tetor 1941, ky popull u ngrit kundër fashistëve dhe qëndroi në krahun e botës progresive.
Nesër, kur t’i pyesni njerëzit se çfarë ka ndodhur më 27 prill 2017, do të përgjigjen se ka pasur një të enjte të përgjakshme në Parlament. Ndërkohë, mënyra e duhur për ta kujtuar atë ndodhi është si sulmi i organizuar i Parlamentit. Dhe përpjekje për grusht shteti. Nëse prokuroria e vërteton atë gjë në gjyq.
3Njëkohësisht, le t’i rikthehemi temës “referendum” dhe debatit rreth çështjes së referendumit: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Maqedonasit nga Maqedonia e Egjeut dhe Maqedonasit nga Maqedonia e Pirenejeve veçmë janë në BE dhe NATO. Por, as në Greqi, e as në Bullgari ku ata jetojnë, ata nuk pranohen si maqedonas. Nuk u pranohet as gjuha që mund ta flasin vetëm në shpi.
Gjithçka që ka mbetur nga Maqedonia jemi ne, si në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, si në Republikën e tashme të Maqedonisë, si në Republikën e përkohshme të Maqedonisë në Jugosllavi, e nëse referendumi ka sukses, do të mbetemi edhe në Republikën Veriore të Maqedonisë. Gjithçka maqedonase që ekziston jemi ne, e jo bashkatdhetarët tanë të cilëve do ua mbrojmë sedrën maqedonase nga këtu, nëse e refuzojmë Marrëveshjen me Greqinë, nëse nuk hymë në BE apo në NATO.
Ne maqedonasit kemi vetëm një shtet. Ky këtu. Në këtë shtet jemi ne ata që kemi një gjuhë maqedonase të pranuar. Kemi krijimtarinë maqedonase. Ne, në këtë shtet, kemi kulturë maqedonase. Kemi filma, teatër, fakultete, institucione shkencore, klube sportive…Ne, këtu, në këtë shtet kultivojmë trashëgiminë kulturore dhe historike të Maqedonisë. Dhe vetëm në këtë shtet, në asnjë tjetër, ato janë – maqedonase. Dhe do të mbeten – maqedonase. Pasi me Marrrëveshjen për emrin, këtë gjë do ta garantojnë edhe NATO dhe BE. Edhe kombet e bashkuara, nën mbështetjen e së cilave udhëhiqeshin negociatat me Greqinë dhe u arrit një marrëveshje.
Shko bojkoto tani, ose voto kundër hyrjes në BE dhe NATO. Voto kundër atyre që ta pranojnë të drejtën për vetëpërcaktim. Pse? Që të zhduket ajo që ke. Që të zhdukesh. Bojkoto, lirisht bojkoto.
4Kur veçmë jemi te kjo temë, në BE dhe NATO kanë hyrë edhe maqedonasit me pasaporta të Bullgarisë. Dhe jo vetëm ata, por edhe familjarët e tyre. Pasi, në bazë të asaj pasaporte që kanë marrë duke deklaruar veten e tyre si bullgarë, pasaporta bullgare mund të marrin të gjithë familjarët e tyre. Unë vetë njoh personalisht të tillë që për një pasaportë janë bërë bullgarë, ndërsa në Fejsbuk e mbrojnë identitetin maqedonas me postimin e flamujve me diell nga Kutelshi dhe me luenj thërrasin për bojkotimin e referendumit për emrin. Shumica e bëjnë këtë gjë nga ndonjë shtet i BE, ku kanë shkuar për punë me pasaportë bullgare. Vetë lëvdohen se janë bërë bullgarë. Bojkotoni në Bullgari, kur t’ju pyesin për diçka.
Ata janë të parët që tani na ndajnë mes patriotësh dhe tradhtarësh. Ata patriotët që nuk e japin emrin e shtetit, e emrin e tyre e dhanë. Mos më shisni sedër maqedonase me pasaportë bullgare. Ju jeni bullgarë. Nuk kuptoni se jeni bullgarë që nga momenti kur jeni nisur për Sofje dhe keni thënë se ndjeheni si bullgarë, e deri atëherë kur keni vërtetuar origjinën tuaj me anë të ndonjë gjyshe, gjyshi apo kushëriri….E keni nënshkruar dokument në gjuhën bullgare. Nuk e keni nënshkruar në gjuhën maqedonase. Ne këtu i kërkojmë pasaportat në gjuhën tonë. Në atë gjuhë që pranohet në marrëveshjen me Greqinë. Ku pranohet se jemi maqedonas. E jo bullgarë si ju.
Ore ju vetë jeni bërë bullgarë, o vëllezër. Nuk ju bëri as Bullgaria, as Greqia, as NATO, as AMERIKANËT…Madje as rusët nuk ju bënë bullgarë.
E si bullgarë që u bëtë, bojkotojeni lirisht referendumin e emrit të shtetit tonë. Dhe na lini që të hymë në BE dhe NATO pa u dashur të bëhemi dhe ne bullgarë si ju.
Përktheu: Fjolla Zllatku