EDHE NËN RREZATIM EDHE TË BALANCUAR

Çfarë dobie kemi nga përparimet që bëjmë në aspektin global, kur në aspektin lokal i shërojmë fëmijët me sms?

EDHE NËN RREZATIM EDHE TË BALANCUAR

1Në po të njëjtën ditë, dy funksionarë të lartë të shtetit dalin me lajme tmerruese. Drejtori i Fondit të shëndetësisë, Den Donçev, në intervistën me revistën javore Fokus thotë se ka indicie për krim me importin paralel dhe se ekziston mundësia që ne konsumojmë ilaçe jocilësore. Lajmi tjetër tmerrues erdhi nga kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. Në intervistën për TV 24 Vesti ai tha se ekzistojnë indicie që dëshmojnë se në deponinë e qytetit, Drislla, ndizen mbeturina radioaktive. Për më tepër, të dy i thanë këto informata në mënyrë shumë të qetë, në një intervistë, mes një morie pyetjesh dhe përgjigjesh.
Nuk i bie dot në fije se çfarë është këtu më e tmerrshme. Fakti se jemi nën rrezatim radioaktiv apo se pimë ilaçe pirate? Apo fakti se të dy funksionarët parashtrojnë hipoteza, por nuk tregojnë nëse kanë lajmëruar për këto çështje institucionet e tjera dhe prokurorinë, që të mund të hetohet mbi ato indicie. Çfarë dobie kemi nga indiciet e tilla, nëse nuk vijon një hetim që t’i vërtetojë apo t’i hedhë poshtë, sidomos në rastin kur nuk dënohet askush kur ato vërtetohen se janë të sakta. Në këtë mënyrë, atë që thonë Den Donçev  dhe Petre Shilegov mbeten thjesht muhabete kafesh.

Ka ardhur koha që qeverisë t’i bijë ndërmend se nuk është më opozitë. Dhe se ka kaluar koha e indicieve. Kur je në pushtet, sidomos në rastin kur e mban veten për një qeveri të përgjegjshme, në momentin kur ke indicie, menjëherë merren masa. Dhe çohet puna deri në fund. Të dy gjërat që  thanë Donçev dhe Shilegov janë çështje jetë a vdekje, tema tepër serioze për të mbetur vetëm te indiciet.

2Ç’na duhen raportet e mira me fqinjët, nëse kjo nuk na e përmirëson realisht jetën tonë? Dhe si do ta përmirësojë atë kur as politikanët, as ne qytetarët nuk jemi të gatshëm për të plotësuar parakushtin e parë dhe bazor për një jetë më të mirë dhe evropiane. Të respektohet ligji.

Duam të mos kemi ndotje të ajrit, por nuk heqim dorë nga dizeli dhe nuk e paraqesim komshiun që ndez helme. Duam shëndetësi dhe arsim më të mirë, por të mos duhet të paguajmë tatime. Duam trotuare të lira, por të na mbeten edhe tarracat me najlon që të pimë duhan. Të kemi rrugë të gjera, por edhe të mund ta parkojmë veturën në një vend ku mund ta shohim ndërkohë që jemi duke pirë kafe. Duam të zvogëlohet trafiku në Shkup, por të mos shtrenjtohet parkingu. Duam t’i kemi hyrjen e ndërtesës dhe ashensorët në rregull, por nuk paguajmë këshillin e banesave. Duam t’i publikojmë në Fejsbuk aplikacionet për ndotjen e ajrit dhe të kërkojmë rreptësisht që të autorizuarit të ndërmarrin masa urgjente, ndërsa ne pimë cigare nëpër zyra. E sidomos në Parlament, në Qeveri, në ministri, në institucionet shtetërore…Edhe në spitale. Jo vetëm në kafene. Kurse për hedhjen e mbeturinave nëpër rrugë, më mirë të mos flasim. Edhe ashtu ambasadorët e huaj me familjet dhe të punësuarit e tyre na i mbledhin falas.

Evropa do të vijë në Maqedoni atëherë kur secili do të fillojë t’i respektojë vetë ligjet. E pastaj, Zaevi mund të nënshkruajë marrëveshje bilaterale sa të dojë, të kërkojë mëshirë e të përqafohet me priftërinjtë në takimet shtetërore me një shtet laik.

3Nikolla Gruevski ishte në marrje në pyetje në PSP për ndonjë rast të ri, që vinte nga bombat për të cilat nuk kemi dëgjuar. Kush e di se çfarë i kanë treguar, sepse kur doli e kishte harruar dhe pallton. Por, palltoja nuk është detali më interesant. Më interesante se kjo është se Gruevski në deklaratën që dha pasi doli nga PSP, nuk tha se ishte i pafajshëm dhe se më kot po e merrnin në pyetje, e se nuk kanë asnjë lloj dëshmie…Por tha se dëshmitë që i kanë nuk mund t’i përdorin. Dhe shpjegonte diçka mbi rrogat e mjekëve, mbi marrëveshjen me Bullgarinë, për ligjet dhe gjuhët dhe për emrin që Zaevi do ta shitka.
Është interesante se si vmrovcat justifikohen se pse akoma e durojnë Gruevskin. “Mirë, duket se me të vërtetë paskan vjedhur, por tani me shtetin çfarë do të bëjmë? Na shkoi shteti!”

Shteti nuk na qenka rrezikuar atëherë kur qeveria bënte krime me qindra miliona euro, kur përgjonte mijëra qytetarë, kur mashtronte në zgjedhje dhe kur i fshihte krimet e veta. Ndërsa u rrezikuaka tani. Si nuk e pyetën veten patriotët e shqetësuar të shtetit, atëherë kur krerët e partisë së tyre vidhnin me të madhe. “Çfarë po bëjmë me shtetin?” Me siguri u kanë dhënë një pjesë edhe atyre.

4Kryetari i mëparshëm i Parlamentit, Trajko Veljanoski ka dërguar letër të hapur drejt kryetarit aktual, Talat Xhaferi. Nuk ishte e nevojshme të bënte diçka të tillë, ka mundur thjesht ta thotë në foltore, por mediat ia publikuan letrën. Vetë gazetarët ia publikuan letrën atij që i përzuri ata me shqelma.
Letra ka qenë mbi shkelen e rregullores së Parlamentit. E shkruar nga kush? Trajko Veljanoski, për shkak të shkeljes së rregullores së të cilit, të gjithë ne duhet t’u paguajmë gazetarëve dëmshpërblim prej 5.000 euro, sepse ai urdhëroi të përjashtoheshin nga salla e Parlamentit më 24 dhjetor 2012. Pasi Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg gjykoi se Trajko e ka thyer jo vetëm rregulloren, por edhe të drejtat e njeriut.

Kolegët e mi bëjnë sikur mbajnë balancë me informimet e tyre. Kanë publikuar që Trajko Veljanoski ka shkruar diçka mbi shkeljen e rregullores, pa thënë se kush është Trajko Veljanoski. Dhe pa theksuar se ekzistojnë dy momente kur rregullorja e parlamentit ka pësuar shkelje serioze: më 24 dhjetor 2012 dhe 27 prill 2017.

Le të më falin kolegët, por kjo nuk është gazetari e balancuar. Ashtu siç nuk janë as ato “debate” ku vazhdimisht përpiqen t’i rehabilitojnë liderët që pësuar nga sulmi në Parlament duke i ftuar në emision si bashkëbisedues relevantë. E madje prezantohen edhe si viktima që ne të ndjejmë keqardhje për ta. Kjo është gazetari e papërgjegjshme, e cila vepron në bazë të perceptimit që VMRO-DPMNE dëshiron ta imponojë, se “ të gjithë janë të njëjtë”.

Këtu ekzistojnë njerëz që marrin vëmendje nga mediat vetëm kur gjenden në gjykim. Po të kishte pasur sukses sulmi i organizuar i Parlamentit më 27 prill, deri tani do të na kishin vrarë nëpër rrugë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира