EJUP GONSALES

Po tani, si të mos jetë dikush i mllefosur kur i kujtohet se si dhe për ç’arsye na kaluan 27 vjet të jetës?

EJUP GONSALES

 1Po tani, çfarë do të bëjmë? Ç’do të bëjnë, vallë, me urrejtjen e nacionalistëve ballkanas që kur Marrëveshja e Prespës kaloi në Parlamentin e Greqisë? Ore…Në Athinë ka qindra huliganë të paraburgosur, policë të plagosur, flamuj të djegur, gazra lotsjellës…dhe për ç’arsye? Sepse ne po ndryshojmë emrin e shtetit tonë. Imagjinoni sikur grekëve t’u ishte dashur të ndryshonin emrin. Çfarë do të bënin ata? Do të digjnin veten? Vetëm kjo tregon se me kë kemi pasur të bëjmë.

Mjaftojnë incizimet e egërsisë në sheshin Sintagma të Athinës për të dëshmuar se çfarë arritjeje paraqet Marrëveshja e Prespës, me anë të së cilës zgjidhet një çështje krejtësisht e paarsyeshme në esencën e së cilës ndodhet një nacionalizëm absurd. Ndonëse, incizime të tilla kemi parë mjaftueshëm nga 1991 deri më tani. Shumë të tilla. Nga Davosi i kaluar, ku Zaevi dhe Ciprasi u takuan për herë të parë, deri te Davos i sivjetshëm, edhe Maqedonia edhe Greqia kanë përjetuar shpërthime më të mëdha të nacionalizmit. Që është rezultat i 27 vjetëve të humbura dhe të prapa mbetjes, madje ndonjëherë deri në nivelin e primitivizmit. Deri në atë gjendje kur nuk mund të mendosh as për të mirën tënde, e le më për të mirën e komshiut.

Kush e di se çfarë shoku paraqet operacioni i suksesshëm për pajtimin e Greqisë dhe Maqedonisë për nacionalistët e të dy shteteve. Kush e di se çfarë frike ndjejnë kur përballen me pakuptimësinë e ekzistencës së tyre.

Cila, vallë, do të jetë tema e zgjedhjeve të ardhshme? Te ne – A e shitët emrin për të hyrë në NATO? Tek ata – A e tradhtuat Maqedoninë që Greqia të bëhet fuqia kryesore e Ballkanit?

Po tani, si të mos jetë dikush i mllefosur kur i kujtohet se si dhe për ç’arsye na kaluan 27 vjet të jetës?

2Unë mund veçse të shpresoj se kjo dallgë zgjuarsie dhe pragmaciteti do t’i japë fund nacionalizmit dhe primitivizmit me të cilin akoma ushqehet BDI-ja, edhe pse tashmë po bëhet viti i tetëmbëdhjetë që ata kanë pushtetin. Vallë, do t’u duhet edhe atyre 27 vjet që të ngopen?

Koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së Ejup Alimi, bëri thirrje për konferencë shtypi në Parlament, që të flitej vetëm shqip. Demek, tani që ka pushtet mbi Ligjin, do të flasë siç do vetë. Mirë ore. Fol. Por kur dikush niset me respektimin e rregullave, ai do të duhej të siguronte përkthim, pasi përfaqëson institucionin e parlamentit. Nëse nuk ia ka siguruar vetes këtë – nuk ia vlen as të publikohet.

Le të flasim drejt. Nuk janë për t’u justifikuar as nacionalistët maqedonas se me të folurit e tyre në shqip, “shqiptarët do të na mbisundojnë”. Mirëpo, sjellja e funksionarëve të lartë të BDI-së vetëm sa po e ushqen këtë frikë. Një nacionalizëm ushqen një tjetër.

Nuk mund ta kuptoj këtë rezistencë për të folur gjuhën e bashkësisë që përbën një shumicë te shteti ku ke lindur dhe jeton. Thjesht, për komunikim të përditshëm. Për vetëshërbim, për një nevojë në qendrën e urgjencës, në pompë benzine, për aplikim në punë apo kompani private, për në farmaci, për në pazar, apo që të mund të shkosh në dasëm të komshiu maqedonas, e të urosh ndonjë festë apo të shprehësh ngushëllime… Do ta mirëkuptoja këtë sjellje nëse dikush do t’ua kishte ndaluar përdorimin e gjuhës së tyre, që të mos kenë mundur ta mësojnë apo të punojnë në institucionet shtetërore pa u lejuar ta përdorin…Por, në këtë rast, çfarë kërkojnë? Nuk është e mundur të dish anglisht më mirë se sa maqedonisht, e të jetosh në Maqedoni. Raul Gonzales erdhi në Spanjë dhe mësoi maqedonisht, kurse Ejup Alimi nga Tanushevci kërkon nga gazetarët të sjellin përkthyes në parlament nëse duan të kuptojnë se çfarë ka dashur të thotë.

Ç’primitivizëm është ky si funksionar partiak në pushtet. Ironikja është që te vetë emri i partisë qëndron fjala “integrim”. Nëpër botë shesin integrim, ndërsa në shtëpi punojnë për getoizim.

3Ju përshëndeti kryetari i ndonjë farë krahu të Besës, Bilal Kasami. Ai i pengonte ndryshimet e Kushtetutës pasi kërkonte që përkatësia etnike shqiptare të qëndronte te letërnjoftimet. Epo, në praktikë e tregoi shumë shpejt këndvështrimin e tij real. Një shtetas i Republikës së Maqedonisë me origjinë shqiptare etnike e kishte therur gruan e tij përpara një supermarket diku në Austri. Kur disa media publikuan se një “shqiptar i Maqedonisë e ther gruan e tij në Austri”, mediat në gjuhën shqipe, panë se nuk është dhe aq ide e mirë të theksohej nacionaliteti i vrasësit.

E pra, donit që Kasami t’ju shenjonte. Ja ku po e bën. Ky është suksesi i tij i madh për kauzën shqipe. Pasi nëse edhe  në pasaportë edhe në letrën e njoftimit shkruan kombësia, në lajmet e Austrisë do të shkruante se një shqiptar shtetas i Maqedonisë së Veriut e ka therur gruan e tij. Për këtë arsye vetmbrojtjeje në lajmet e ardhshme nëpër media, lajmi thoshte vetëm “qytetar i Maqedonisë”.

4A ka Maqedonia, vallë, ministër të ekologjisë? Në një peruidhë kur pesë qytetet të shtetit tonë ndodhen në listën e qyteteve më të ndotura të botës, kur të gjithë sugjerojnë masa, bëjnë protesta, kanë diçka më të mençur për të thënë, ministri Sadulla Duraki, i njohur si komandant Ventili, është sikur të mos ekzistonte. Është e sigurt se diku mbi retë, lart mbi retë, mes dy fluturimeve rrugës për në ndonjë vend tjetër ai ekziston. Sepse zakonisht konferencat për mbrojtjen e mjedisit zhvillohen në ndonjë vend si Bali, Puket, Goa.

Të paktën të gjente një arsye për të mbajtur një fjalim si ministër mbi këtë çështje. Të thoshte diçka për ndotjen. Le të flasë në shqip, nëse nuk ka mësuar maqedonisht deri më tani. Pasi ajri është i ndotur si në shqip si në maqedonisht.

5Nuk janë vetëm kafenetë në Shkup që nuk kanë paguar tatimin për teracat e dimrit. Në Ohër nuk kanë paguar taksa as për tarracat e verës. Prej gjithsej 38 kafeneve, 25 nuk kanë bërë pagesat për përdorimin e hapësirës publike për vendosjen e tavolinave dhe i kanë borxh Komunës mbi 30 mijë euro.

Më kujtohet se si kryetari i ndjerë i Ohrit vjet donte t’ua rriste çmimin për përdorimin e trotuareve dhe shëtitores, por ata i ankoheshin se kjo do t’i bënte dëm biznesit, ai u dorëzua. Ore ata po përdorin hapësirën publike të mbrojtur nga UNESKO. Kanë vendosur tavolina me pamje panoramike të Maqedonisë, një prej simboleve turistike ballkanike. Atyre u paska ardhur shtrenjtë. Kurse shteti ia lejon vetes që ata të ngelen pa i paguar borxhet e tyre. Në realitet, për kafexhinjtë nuk ka bërë ndonjë dallim fakti nëse taksa është ngritur ose jo, kur ata gjthsesi e paguajnë atë.

Dhe tani, qeveria lokale u bën thirrje që të paguajnë. Apelojnë. Pasi nuk do t’i japin leje që të hapin tarraca këtë verë. Bre, bre…Çfarë barcoletë e fortë. Duket sa janë trembur kafexhinjtë. U drodhën tavolinat që i mori liqeni.

Po të kishim pasur ministër të ekologjisë, do të mund të merrte ingerencat e Komunës për menaxhimin e bregut të liqenit. Ashtu si ministresha për punë dhe politikë sociale Milla Carovski ua mori ingerencat Kumanovës dhe Strugës për t’i menaxhuar kopshtet.

Epo, problemi nga Bali, vështirë se shihet. E nga Shkupi akoma më pak. Pasi, kjo qeveri, në mënyrën më të përkushtuar dhe më efikase të mundshme po mbron interesin e kafexhinjve. Këtë e tregoi që nga dita e parë, kur u kapën për pyetjen më pikante të shtetit në lidhje me çështjen e emrit- legalizimin e najlonave për pirje duhani dhe uzurpimit të hapësirës publike. Pasi, kafeneja është institucion i interesit më të lartë nacional edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përktheu : Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари