EPITETI KRIMINELË

Çfarë do të ndodhë me të gjithë ne që i kemi dëgjuar bombat dhe ja që disi, nuk duam t’i harrojmë? Të gjithë, vallë, në hendek do të përfundojmë? Nëse vetëm edhe luftë nuk arrijnë të bëjnë.

EPITETI KRIMINELË

1 Super janë deputetët e përbërjes së re parlamentare. I tërë shteti punon, ata pushojnë ende pa filluar festa. E sidomos, super janë ata të shumicës parlamentare, të cilët e kanë me nxitim votimin për qeveri të re. Deputeti Trajko Veljanoski u dha pesë ditë pushim dhe ata i pranuan përnjëherë. Sapo kolegu Trajko dha komandën për pushim – të gjithë në pushim shkuan.

Pse të nxitojmë? A nuk është qeveria në largim e sipër? Dhe jeta e re në Maqedoni, që e lajmëron Zaevi tashmë prej gjysmë viti, sa s’ka ardhur. Kurse për deputetët tashmë ka ardhur. Ne rrogën ua japim rregullisht. Ditë të lira për t’ia mbathur për festa nuk iu dhamë.
Trajkon e dëgjuan ata. Tash edhe të LSDM-së të çlodhur siç do jenë, ndoshta do të shkruajnë lajmërime akoma më të mprehta në mëngjes.  

2 Ndërkohë që Trajko jepte pushime, kumbari i tij, Jovan Vangellovski, punonte. Punën e parë që mori të bënte ishkryetari i ri i Gjyqit suprem ishte të ziheshin gjykatësit supremë për iniciativën e avokatit të ish kryeministrit Gruevski, që bombat të shpalleshin të pavlefshme në procedurat gjyqësore.  

Gjë normale. E përse mu Vangellovski u zgjodh që të kthehej për kryetar të Gjyqit suprem? U kthye dhe përnjëherë e nisi punën, për të cilën e përcaktuan. Nxitoi që ta kryente detyrën para festës.
Çfarë mendon Jovo? Vallë, edhe ai si qeveria mendon se nëse i shpall bombat të pavlefshme para festës, pas festës do të harrojmë se çfarë kemi dëgjuar tek ato? Se do ta harrojmë muhabetin mes atij dhe Mile Janakieskit, ku ai, si kryetari i Gjyqit suprem, i porositi dokumente si dëshmi, ministrit që është rekorder në PSP, me numër të hetimeve të ngritura?

Përveç nëse Vangellovski nuk ka qëllim që, me gjykimin e ardhshëm të Gjyqit suprem të na fshihet kujtesa. E kështu, do të zhduket edhe kriminaliteti për të cilin kemi dëgjuar tek bombat. Dhe gjithçka do të jetë ashtu siç ka qenë gjatë kohës së mandatit të tij të parë, për të cilin, poashtu dëgjuam në bombat, se si e ka praktikuar.

Ja, të themi se Gjyqi suprem do t’i ndalojë bombat pas kërkesës së avokatit të ish kryeministrit. Çfarë do të ndodhë me hetimet e PSP-së? Çfarë do të ndodhë me të gjitha dokumentet që ekzistojnë? Duke përfshirë edhe dokumentet që Vangellovski ia ka kërkuar Janakieskit? Çfarë do të ndodhë me dëshmitarët e PSP-së? Çfarë do të ndodhë me të gjithë ne që i kemi dëgjuar bombat dhe ja, disi nuk duam t’i harrojmë? Të gjithë, vallë, do të përfundojmë në hendek? Nëse vetëm edhe luftë nuk arrijnë të bëjnë.

3 Të gjithë kanë nga ndonjë koment për nëpunësin bankar që ka vjedhur 3 milionë euro nga banka. Ndërsa, për këta që kanë vjedhur 5 bilionë euro nga shteti, të gjithë heshtin. Madje edhe i mbrojnë. Për dyzet ditë dalin nëpër rrugë dhe duartrokasin: “Pak na morët. Duam ende të na vidhni!”
Këtë që vodhi 3 milionë, e zunë menjëherë dhe e burgosën. Kurse, për këta që vodhën pesë bilionë, u ngrit e gjithë bota që të na ndihmojë t’i zëmë apashët. Dhe jo vetëm për faktin që janë të lirë, por edhe për atë se janë të fuqishëm. Kjo do të thotë se askujt nuk i pengon fakti që VMRO-DPMNE dhe BDI vazhdojnë të qeverisin, sikur të mos ketë pasur zgjedhje të nxitura pikërisht për shkak të dyshimeve për vjedhjet e tyre.

4 Deputeti Trajko Veljanoski ia ka numëruar kolegut Pavle Bogoevski se në pultin e parlamentit, gjashtë herë i ka përmendur fjalët kriminalitet dhe kriminelë dhe tha që nuk duhet përdorur aq lehtë “ky epitet”.

Sikur Pavle po i jep komplimente Trajkos.

Fjala “kriminalitet” në vetvete nuk është epitet. Sepse fjalët “kriminalitet” dhe “kriminelë” janë emra. Ndërsa epitetet zakonisht janë mbiemra. Dhe epiteti përdoret që të ilustrohet sa më mirë ndonjë tipar i emrit. Për shembull – emrit qeveri mund t’ia shtosh mbiemrin që ta përshkruash se çfarë qeverie është.

Për më tepër, edhe gjuhëtari amerikan Viktor Fridman bëri një analizë shkencore të gjuhës së përdorur në bombat. Një nga gjuhëtarët më të rëndësishëm sllavë të botës dhe studiues i gjuhës maqedonase ka numëruar se në përgjimet e publikuara, fjala më shumë  e përdorur është “para” – 110 herë. Ndërsa fjala “arrestim” përdoret 13 herë. Mes fjalëve më të përdorura është dhe “gllup”, e cila është thënë 50 herë.

Në prezantimin e hulumtimit të tij në vjeshtën e vitit të kaluar, Fridman tha që gjuha e bombave është “një korpus që mund të japë numër të madh konkluzionesh për gjuhën e elitës bashkëkohore të Maqedonisë, gjë shumë e rëndësishme për gjuhëtarët”.

Epo, kur ju vjen ndër mend se Trajko Veljanoski përfaqëson elitën bashkëkohore të Maqedonisë, nuk është për t’u habitur se nuk e di se çfarë është mbiemër, e çfarë është emër. Por, edhe më pak për t’u habitur është nëse ai mendon që shteti nuk e meriton t’i vihet epiteti “kriminel”. Sepse, nuk e dimë se, sipas standardeve të Trajkos dhe njerëzve të tij, edhe sa biseda të përgjuara duhet të dëgjojmë dhe edhe sa para duhet të vjedhë qeveria, që Maqedonia ta meritojë epitetin “kriminele”.

5 Ndërkohë që Nikolla Gruevski ishte mandatar, partneri i tij shumëvjeçar dhe aktual, Ali Ahmeti, pas njërës prej shumë seancave analizuese në Reçicë të vogël, deklaroi: “Nuk e di në cilin drejtim po shkojmë”.  

Tani, kur prej votuesve ka presion që të heqë dorë nga dashuria për Gruevskin, Ahmeti, kundër vullnetit të tij, është nisur drejt Zoran Zaevit, por ka ngecur. E kështu thotë: “Nuk shoh dritë në fund të tunelit”.
Nuk shihet drita në fund të tunelit, sepse mu aty është ndalur Ahmeti. Si një shkëmb, në mbrojtje të Gruevskit. Kështu, edhe ndërton nacionalizëm me ca platforma për të drejtat e shqiptarëve, po edhe fuqizon patriotizmin e Gruevskit, i cili demek, po mbrohet nga platformat e Ahmetit. Edhe qeverisin bashkë, edhe Gruevski nuk hidhërohet me të.

Ahmeti vazhdimisht bën sikur nuk është i këtyre anëve. Sikur nuk është pikërisht ai, njeriu që e mban çelësin e dritës të fikur. Si të mos varet nga ai se a do të shohë dritën, jo vetëm ai, por edhe të gjithë ne. Dhe jo vetëm dritën në fund të tunelit. Por edhe dritën e tunelit nëpër të cilin me vite po na  zvarritin BDI-ja e tij me VMRO-DPMNE-në.

Dhe akoma po e bëjnë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира