EVROPEIZIM ME BULLGARIZIM

Putini thotë ashtu, por Putini nuk është Radevi.

1 Si kujtonte qeveria maqedonase ta fshehë propozimin e presidencëz franceze për thërritjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në? Sidomos, si mund të fshihte propozim që as nuk do të thotë fillim të negocimeve pa ndryshuar këtu edhe një herë tjetër Kushtetutën sipas kërkesës së një shteti anëtar të BE-së? Nëse në Qeveri nuk janë të sigurtë se janë marrë vesh mirë me Francën për një propozim të pranueshëm, përse e fshehën? Apo prisnin që Radevi ta refuzojë propozimin, e të shpëtonim me edhe një veto deri në dhjetor.
Në Bullgari propozimi shkoi në shqyrtim në Kuvend. Te ne, do të analizohet nëpër shtëpi. Dhe, siç është rendi, nëpër tubime partiake.

Tani qeveria do të na bindë se kështu është kur negociohet – se të gjithë duhet të humbasin nga diçka. Ç’humbet Bullgaria? Asgjë. Përkundrazi, fiton mundësinë që në të ardhmen të na bllokojë kur të dëshirojë. Bashkimi Evropian humbi kredibilitetin sepse lejoi që çështja e ekzistencës së një populli dhe një gjuhe të bëhej pjesë e procesit negociues.

Çfarë mund të shpresojmë nga Bashkimi Evropian në të ardhmen, nëse gjatë procesit negociues në Bullgari do të vazhdojë të na bjerë në qafë? E do ta bëjë. Në kornizën negociuese vendosën matjen e urrejtjes!? Në fund të fundit, nuk është aq e tmerrshme që edhe për një herë tjetër do ta ndryshojmë Kushtetutën. Është e tmerrshme, që herët a vonë, do të vijë dita kur edhe gjuha maqedonase në Bashkimin Evropian do të shënohet me yll, pasi Bullgaria thotë se nuk ekziston. Ngaqë, ata janë brenda, kurse ne jemi jashtë – apo jo?

Ky nuk është evropeizim i Maqedonisë. Ky është bullgarizim. Kthim në 1941. Pa marrë parasysh nëse quhet administratë bullgare apo okupim fashist.

2 E prandaj, kryeministri Dimitar Kovaçevski duhej ta pranonte ftesën e kryeministrit malazez Dritan Abazoviq së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Tama që të shkojë në Kiev, në vend që t’u lajmërohet me hologram nga oazi i paqes. Kur nga kabineti i tij komunikuan se nuk do të shkojë në Ukrainë për shkak të axhendës së ngjeshur, as nuk më ra ndër mend se hapja e lojërave ballkanike të shkollave të mesme është më e rëndësishme se agresioni rus dhe lufta në Evropë. Mirë që Kovaçevski humbi shansin për të qenë lajm botëror. Por humbi edhe shansin që në mes të Kievit të thoshte se Rusia përmes Bullgarisë po i vë veto Maqedonisë që të vazhdojë ta destabilizojë Evropën, si dhe shansin për të shpjeguar se këtë gjë Bullgaria e bën me argumentet e njëjta me të cilat Putini e justifikon agresionin mbi Ukrainën. Ai thotë se populli ukrainas është popull i shpikur, se gjuha ukrainase është gjuhë e shpikur. Në rastin e Ukrainës, Bashkimi Evropian nuk e pranon këtë gjë. Në rastin e Maqedonisë, e vë atë në kornizën negociuese. Dhe gjuhën e shenjon me yll.

Nëse do të kishte shkuar Dimitar Kovaçevski në Kiev, kjo do të ishte vetëm një ditë para vizitës së liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë – Emanuel Makron, Olaf Sholc dhe Mario Dragi. Do të mund t’ia transmetonte Volodimir Zelenskit eksperiencat evropiane maqedonse. T’i thoshte: “Dëgjo këtu, këtyre të treve që vijnë nesër, mos ua merr të mirëqëna premtimet. Ata kanë partnerë, shtete anëtare që një ditë do të forcohen, do të thonë, prit, ne jemi brenda e ata janë jashtë, kemi lejen që ti maltretojmë. Ne emrin e ndryshuam, na premtuan se do t’i fillojmë negociatat, e tani edhe na tallin. Ju ndoshta nuk do ta ndryshoni emrin, por do të duhet të na jepni ndonjë territor. Me siguri askush nga BE nuk do t’ju thotë se nuk jeni ukrainas dhe se nuk flisni gjuhën ukrainase, siç na e thotë neve Bullgaria. Putini thotë ashtu, por Putini nuk është Radev.

“Ndërsa fakti se Ursula for der Lajen në Bruksel deklaroi se Bashkimi Evropian ka rekomanduar që t’u jepet statusi i kandidatit, gjithashtu nuk do të thotë gjë”, do t’i kishte thënë Kovaçevski Zelenskit, nëse do të kishte lëshuar hapjen e lojërave të shkollave në Ohër. Dhe do të shtonte: “E, sa gëzoheshim ne për rekomandimin që në dhjetor 2005. Organizuam koncert në shesh për të festuar. Mos u gëzoni kaq shumë për statusin e kandidatit. Politika evropiane e sigurisë për momentin po kryhet nga Sofja. Gjeni lidhje te Sllavi Trifonovi”.

3 Ditën kur kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se ka kërkuar ndihmë nga Gjermania që të dërgojë doganierë gjemranë në kalimin kufitar “Kapitan Andreevo”, kufiri i fundit i BE-së me Turqinë, sepse doganierët bullgarë vidhkan shumë, lideri i partnerit të koalicionit “Ima takov narod” Sllavi Trifonov i tërhoqi ministrat e tij nga Qeveria që të parandalojë heqjen e vetos për Maqedoninë.
Në atë kalim kufitar në vit janë vjedhur më shumë se biliona euro. Firma që ka kryer kontrollet në fillim ka qenë e afërt me partinë e Bojko Borisovit, e tani me partinë e Sllavi Trifonovit. Në kohën e qeverisjes së Borisovit janë fikur kamerat e sigurisë.

Ashtu është sigurisht sipas kritereve të Kopenhagës. Ne nuk dimë. E dinë ata sepse janë brenda, ndërsa ne jemi jashtë.

E tani – çfarë mund të bëjmë ne për negociatat e papjekura me BE-në kur në kornizën negociuese janë vendosur kërkesat e një Bullgarie të këtillë evropiane? Atyre nuk u bëhet vonë nëse do të shkojnë në zgjedhje të katërta vitin e ardhshëm, nëse do të hidherohen amerikanë, gjermanë apo shtete të tjera evropiane me ta për faktin se rrezikojnë sigurinë e Evropës. Moska dhe Rusia do t’i shfrytëzojë së brendshmi, njerëzit do të kenë probleme me mbijetesën ditore, do t’i kaplojë inflacioni, por më e rëndësishmja për ta do të jetë që të mos hiqet asesi vetoja për Maqedoninë.

Atje me të vërtetë “ka popull të tillë” që i do liderët që do ta shpërqëndrojnë me anë të Maqedonisë, për ta fshehur vjedhjen.

Popull të atillë ka edhe këtu. E besa, ka edhe liderë të atillë.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира