FANTAZMA PO SHËTIT

Gruevski ia doli të realizonte arratisjen e tij në përputhje me rregullоret ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

FANTAZMA PO SHËTIT

1Ç’nuk përjetoi ky Gruevski! Sa i zhdërvjellët, sa i rezistueshëm. Si kandërr. Nëse në Budapest nesër bie një bombë atomike, do të mund të shpëtojë edhe nga ajo. Ndërkohë po ikën edhe viti i tretë pas publikimit të bombave dhe ne prapë nuk mund të çlirohemi nga ai. Trupin e ka në Budapest, por fantazma e tij po shëtit në Maqedoni. Aty, si në një fushatë parazgjedhore përqesh pllakatet e opozitës hungareze, e këtu fantazma e tij përqesh të gjithë duke na shkruar mesazhe në Fejsbuk.
Madje edhe na përshëndet nga Budapesti duke thënë se ai tashmë ka hyrë në BE dhe NATO. Heroi i madh nga Hungaria do të bëka luftë dedikuar kauzës maqedonase. Viktor Orbani i dha azil politik pasi në Maqedoni nuk bëka gjyqësia dhe nuk paska kushte të mira në burgje. Kështu që le ta presim që të kthehet, që të na çojë ai në BE dhe NATO. Ta rregullojë gjyqësinë. T’i nxjerrë nga ndonjë sirtar defterët e Gocës dhe ta pyesë sekretaren se cilat emra i kishte diktuar kryetarja e Këshillit gjyqësor, siç e dëgjuam te bombat të diktonte gjykatësja Aleksandra Zafirovska. Ai e dinte shumë mirë se sa vite do të qëndronte Ljube Boshkovski kur e arrestuan. Kurse Fiat Canoskit ia shkatërruan ndërtesën “pa e zgjatur – me dinamit”, pasi e braktisi koalicionin. E tani, Gruevski mori azil, pasi ai paska qenë i përndjekuri politikisht.

Kur duka do të kthehet nga Hungaria, do t’i rinovojë edhe burgjet, dhe atë sipas standardeve evropiane dhe udhëzimeve precize të kushëririt Sasho Mijallkov, i cili tani është angazhuar nga një projekt binjakëzues dhe rrjetëzim në kushte reale në Shtukë. Ndoshta edhe ministri hungarez i drejtësisë, Llazllo Troshani i ka dëgjuar bombat e andaj tha: “Të jemi të sinqertë, nëse një ish kryeministër shkon në burg me siguri nuk do t’ia kalojë lehtë”. Epo, e dëgjuam Mijallkovin se si i lëvdohet Llatasit te bombat: “T’i lëshoj dikë më të talentuar”. Edhe kushëriri iu ankua Orbanit se edhe atë e pritka burgu.

Tani mbetet vetëm edhe Hungaria të na bllokojë në NATO dhe BE sepse paskemi shumë korrupsion. Mos është shumë? Epo Orbani na e ruan Gruevskin në Budapest, që ta mësojë se si luftohet kundër korrupsionit. Ndërsa njërëzit e vet, të cilët i ka detyruar të nënshkruajnë në vendin e tij, le të rrinë në burg, sepse ata nuk kanë qenë kryeministra, e kështu edhe burgun do ta kalojnë më lehtë. Gruevski nuk ka nënshkruar asgjë, ndërsa ata ia kanë realizuar dëshirat. Dikush i ka blerë mercedesin, dikush tjetër i ka dhënë shpullat, dikush ka mbushur fletëpagesa për partinë. Ai i përkushtuar ndaj kauzës. Kurse ata nënshkruajnë.
2Mirë që na përqesh nga Hungaria, një shtet i BE dhe NATO-s, por edhe arratisjen e tij e ka realizuar duke kaluar nëpër dy shtete-anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Mali i Zi. Tani mund të shohim se, ashtu siç ka punuar pa u ndalur që të mund të qëndrojë në pushtet, me po të njëjtin përkushtim ka punuar edhe për arratisjen e tij. Për fat të keq, aq sa ka qenë i organizuar ai që të realizojë arratisjen dhe të fitojë azil me anë të një operacioni pothuajse të përkryer, po aq edhe policia dhe shërbimet e fshehura treguan paaftësinë për të qenë të përkryer.
Gruevski iku nga shteti me ndihmën e të gjithë infrastrukturës që ai e ndërtoi për dekada të tëra që t’ia plotësonte nevojat. Duke nisur nga kryetari i shtetit, e deri te Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. Nga MPB, me gjithë profesionistët të cilët e mbrojtën deri në fund, e deri te ata që nuk kanë pasur asnjë dyshim kur përnjëherësh zbrazi llogaritë e tij. Gruevski ia doli të realizonte arratisjen e tij në përputhje me rregullоret ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Gjithçka sipas ligjit, shef.

3 Se a është Gruevski burracak apo hero, tani është krejtësisht e parëndësishme. A as të mos futim hundët, se a e paska mashtruar apo jo Sasho Mijallkovin, që ndërsa ai shëtit në Budapest, kushëriri i tij, që ishte mbështetja e tij më e fortë logjistike është burgosur në Shutkë. Kjo është një çështje e tyre familjare. Neve na intereson se si arriti të ikë nga shteti krimineli më i kërkuar dhe kush është përgjegjës për arratisjen e tij. Me siguri që nuk është korrieri gjyqësor që nuk i ka rënë mjaftueshëm herë ziles së banesës së Gruevskit. Apo Borkica, që i ka thënë policisë se për momentin burri i saj nuk ndodhet në shtëpi.
Gruevski fitoi azili, mes tjerash duke iu referuar abolicionit që e dha e më pas e tërhoqi vetë Ivanovi. Pas spiunëve Goran Gruhevski dhe Nikolla Boshkoski që u arratisën nga Greqia, Gruevski është personi që e përdor abolicionin e Ivanovit për t’ua arratisur nga drejtësia. Vallë, ky nuk është një sinjal i mjaftueshëm që Prokuroria të filloi më në fund të merret edhe me të?
Ky operacion nuk është shpikur brenda natës. Nëse me të vërtetë duam të zbulojmë se si ia ka dalë të arratiset Gruevski, duhet të kthehemi të paktën dy vjet pas. Të paktën deri në 12 prill 2016, kur Gjorge Ivanovi e fali Greuvskin dhe pesëdhjetë politikanë të tjerë bashkë me bashkëpunëtorët e tyre për krimet që filluan të zbuloheshin nga bombat. Që aty fillon edhe plani i arratisjes.
4Kryeministri Zoran Zaev pas çdo bombe, thoshte: “Kjo ligësi nuk do të përsëritet asnjëherë”. Sinqerisht, nuk e prisja që kjo “asnjëherë” të vinte aq shpejt. Se, çfarë, nëse jo përsëritje, e “kësaj ligësie”, mund të jetë i gjithë ky marifet rreth zhdukjes së Gruevskit, i kombinuar me përrallat e amnistisë, pajtimit dhe njëfarë komisioni parlamentar, i cili do të vendosë rreth fajësimeve për 27 prillin 2017, në vend të gjyqit? Duke marrë parasysh se nuk ka asnjë hetim për arratisjen e Gruevskit, si duket ajo “asnjëherë”, jo vetëm që po na kthehet, por edhe do të zgjasë.
5E besa, siç duket, do të zgjasë edhe me këto kuadrot analfabete të BDI-së dhe me shantazhet e Ali Ahmetit. Përveç Hazbi Likës, që e paguajmë si zëvendësi kryeministër, e nuk vjen në punë, më në fund e pamë edhe ministrin e ekologjisë, Sadulla Duraki. Koamandani i famshëm Ventili,i cili në vitin 2001 e mbante Kumanovën pa ujë sepse i mbylli ventilet e liqenit të Likovës, më në fund foli rreth ndotjes dhe tha se ai nuk ka punë me qytetarët. Mirë de, ndoshta ashtu ka menduar, sepse u bë e qartë se o nuk e kishte kuptuar pyetjen, ose nuk dinte të shprehej mirë. Më mirë do të kishte qenë të heshtte dhe të mendonim të gjithë se është i mençur, se sa kur foli në këtë mënyrë, duke na i shembur të gjitha dyshimet.

Si do të mund të dallohej ministri me punësim kornizë në Qeveri nga pylltari me punësim kornizë në Pyjet e Maqedonisë? Në bazë të rrugës, makinës zyrtare dhe sekretareshës. Të paktën nga ministrat që propozon BDI-ja presim të jenë pak më të arsimuar se sa ata që pranohen me lista partiake në Pyjet e Maqedonisë. Prapë se prapë bëhet fjalë për njerëz që janë ministra të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Jo vetëm të 25 përqind të tyre.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари