FËMIJËT E ASKUJT

Kë të thërrasim që ta ndryshojë sistemin për të cilin kryeministri ka kuptuar se nuk bën? Ambasadoren e re, vallë?

1 A i keni të njohur këta emra? A i njihni këta që kanë kaluar testin për kontrollorë të fluturimit? Po këta janë të askujt, bre.”
Kjo është edhe një mësim për atë se si duket jeta në Maqedoni për ata që janë të askujt. Tetë fëmijë ishin më të mirët në testimin në Eurokontroll, të cilin e ka kryer firma e pavarur e licencuar nga Danimarka. Kanë treguar se sa të mirë janë pa ndihmën e balancuesve dhe bandeterëve, por drejtorët e Navicagionit të Maqedonisë M-NAV nuk kanë dashur t’i lëshojnë në shkollim në Danimarkë, ngaqë në testim nuk kanë kaluar fëmijët e tyre dhe fëmijët e funksionarëve partiakë.

Jo se u befasuam, se kështu është në të gjitha institucionet dhe firmat shtetërore dhe komunale. Vetëm se, këtë herë bëhet fjalë për Kontroll të fluturimeve, gjë e cila e bën këtë edhe më brutale. Thjesht, të gjithë ata që nuk duam të jemi të dikujt, që krijojmë, përpiqemi të sigurojmë disa të ardhura dinjitoze për veten tonë dhe për familjet, që rregullisht paguajmë tatime, kontribute për pension, për sigurim shëndetësore, paguajmë parking, dënime komunikacioni, por që nuk duam të jemi në parti, jemi të përjashtuar. Jemi të askujt.
Dhe kur do të na duhet shtet që e paguajmë, ai nuk është këtu për ne, por ndonjëherë edhe na malltreton dhe na injoron që t’i kënaqë fëmijët e tij. Ndërsa këta 8 fëmijë që janë të shkëlqyer si kontrollorë të fluturimit madje edhe i ka shtypur sepse kanë qenë më të mirët.

Partitë na e robëruan shtetin. Aq shumë kanë marrë fuqi, saqë nuk janë të vetëdijshme se punojnë kundër interesit publik. E pamë se janë të gatshëm madje edhe ta rrezikojnë sigurinë e komunikacionit ajror vetëm që t’i punësojnë të vetët. Aq shumë kanë marrë fuqi dhe kanë humbur kontakt me të gjithë që janë jashtë rrethit të tyre partiak, saqë drejtorët e M-NAV madje kanë kërkuar llogaridhënie nga shkolla daneze për kontroll të fluturimeve, që t’i kthejë përgjigje për atë se si ka guxuar t’i pranojë tetë fëmijët më të mirë kur ata nuk kanë qenë në listën e askujt. Kanë kërkuar llogaridhënie sepse nuk janë pranuar fëmijët e tyre. Çfarë u kanë thënë danezve, vallë? Jo, jo, ju nuk kuptoni, fëmijët tanë kanë super test. Jo, jo, jo, ju nuk kuptoni, a e dini se të kujt janë këta fëmijë? Jo, jo, ju nuk kuptoni se kush qëndron pas kësaj liste. Hej, kanë kërkuar llogaridhënie nga danezët, njësoj sikurse ata janë mësuar t’u japin llogari shefave të partisë.

Ministri i transportit Bllagoj Boçvarski nuk ka pasur qëndrim ndaj asaj se a është rrezikuar apo jo siguria e komunikacionit ajror. Zëvendës ministrja për vetëqeverisje të mirë Sllavica Gërkovska në Facebook shkroi se duhen respektuar ligjet. Imagjino! Ndërsa Qeveria thotë se M-NAV na qenka firmë e pavarur shtetërore. Kur u duhet që t’i pranojnë fëmijët, janë të pavarur. E kur për ta bëjnë pazar partitë, atëherë janë të varura.

Një nga kontrollorët më të pavarur ka komentuar: “Ky nuk është Durmo turs ose zjarri i spitalit të Tetovës që t’i përziejnë punët nëpër gjyqe”.

Me anëtarësimin në Eurokontroll shteti faktikisht i praktikon standardet e rrepta evropiane për siguri të komunkacionit. Ne nuk jemi në BE në tokë, por praktikisht e kemi BE-në në qiell. Por pse të mos e humbim edhe këtë standard në qiell?! Gojën e kanë plot me BE-në, ama standardet e BE-së nuk duan që të vlejnë për fëmijët e tyre. Ashtu siç kanë nisur, nëse nesër na përjashtojnë nga Eurokontrolli, për këtë do t’i akuzojnë këta fëmijët e askujt, se nuk paskan qenë të aftë.

2 Prokurori i ri i zgjedhur për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit Islam Abazi thotë se BDI nuk qëndron pas tij, ndonëse vjen nga fshati i njëjtë me Ali Ahmetin. E menjëherë pas zgjedhjes së tij u shfaqën fotografitë e tij private me funksionarët partiakë. Nejse. Maqedonia është e vogël, Zajazi edhe më i vogël dhe secili njeh secilin. Ndoshta për këtë arsye edhe kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë Antonio Jolevski pas zgjedhjes së Islam Abazit deklaroi: “T’i japin hapësirë, të shohim si do ta tregojë veten”. Thua se prokurori është një futbollist i ri në ligën e tretë të Maqedonisë, e ne duhet ta shohim se si do ta tregojë veten në pjesën e parë. Përderisa Abazi duhet të jetë i pari në ligën e parë.

Fakti se e kanë zgjedhur kolegët e tij prokurorë publikë dhe ka marrë numrin më të madh të votave duhet të jetë një garancë e fortë se ky është njeriu i duhur për luftën kundër krimit të organizuar. Thua se jemi nga Danimarka, e nuk e dimë se si janë zgjedhur edhe ata prokurorë që kanë zgjedhur këtë. Ore, këta janë të njëjtët prokurorë, për shkak të paaftësisë të të cilëve duhej formuar Prokuroria speciale. E pastaj edhe ajo prokurori ra në mënyrë skandaloze. Edhe Katica Janevës i jepnim hapësirë për të treguar veten.

Kaluan vetëm gjjashtë vjet që kur dëgjuam në bomba se si kryetarja e Këshillit gjyqësor dhe sekretaresha e kryeministrit bënin lista për gjykatës. Çfarë ndryshoi përgjatë këtyre gjashtë vjetëve? Ata që duheshin të përndiqnin korrupsionin e lartë përfunduan në burg. E ata që ishin të përndjekur zgjidhnin se në cilin burg duan ta vuajnë dënimin.

Ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski për turizmin e burgut thoshte se kanë “vërtetuar disa të meta në sistem”. Tani, pas zgjedhjes së Abazit, Tupançevski tha se kanë “vërtetuar dobësi në modelin e zgjedhjes së prokurorit”.

Po mirë bre, a ka ndonjë dobësi që mund ta vërtetojnë para kohe? A nuk mund të parashikohen disa dobësi, vallë? Jemi lodhur nga dhënia e shanseve.

3 Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka vërtetuar të meta në sistem. Gjatë vizitës në spitalin “8 Shtatori” tha se nga eksperienca persnale e di se kemi doktorë profesionale dhe pajisje optimale, por sistemi nuk bën.
Shkon kryeministri në spital dhe na e thotë atë që tashmë e dimë. Thua se sistemi është i rënë nga Marsi që na i vjedh paratë nga Fondi i shëndetësisë të cilin e plotësojmë të gjithë. Thua se vetë kryeministri, ministri i shëndetësisë dhe drejtorët që fotografohen me ta në spitalet shtetërore nuk e bëjnë sistemin.

Njerëz të sëmurë nga kanceri tashmë tre muaj me radhë nuk kanë terapi. Ilaçet që i marrin të sëmurët nga sëmundjet e rralla vonohen me muaj të tërë dhe nuk dihet nëse do të vijnë fare. Ç’ngushëlllimi mund të kenë ata njerëz dhe të afërmit e tyre nëse vetë kryeministri ka kuptuar se sitemi nuk bën?

Para dhjetë ditësh, në zonën ndërtimore të hekurudhës së Bullgarisë Kovaçevski tha se “sistem të tillë kemi edhe në shumë vende në shtetin tonë. Ose gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit nuk kemi pasur të gjithë dijeni ose nuk ka pasur mjaftueshëm përkushtim, apo ka pasur tepërsisht korrupsion, apo të treja bashkë”.

Ashtu është. Sistemin e kemi të tillë, dhe atë në të gjitha vendet. Sepse, thelbi i sistemit si fillim është me takime të liderëve për ndarjen e vendeve të ministrave, e pastaj vendosje të drejtorëve në bazë partiake, pastaj punësim i “fëmijëve tanë”, e pastaj prokurorime publike nga “njerëzit tanë”…

Kë të thërrasim që të na ndryshojë sistemin? Ambasadoren e re amerikane?

Ndërsa Kovaçevski le të vazhdojë të blejë toste me mortadella pas tubimeve partiake. Në këtë mënyrë e zbulon realitetin e sistemit. Demek, tregon mirëkuptim për “fëmijët e dikujt”.

4 Ligji me anë të të cilit ndalohet që fondacioneve dhe shoqatave të qytetarëve t’u vihen emra të fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre u votua njëzëri në Kuvend. Nuk e mbaj mend se kur VMRO-DPMNE-ja ka propozuar diçka, e LSDM-ja ka pranuar e kanë vendosur bashkërisht.
Mirë ama, Bujar Osmani dhe Nikolla Tupançevski lajmëruarn se do ta japin ligjin për shoqata të qytetarëve në shqyrtim te Komisioni venecian.

Ore, po shkoni kundër vetë Kuvendit tuan. Kundër deputetëve që ju votojnë që të bëheni ministra.

Mirë, a do të ndalojë ndonjëherë kjo marrëdhënie servilizmi i Qeverisë kundër Bullgarisë?

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира