1 Sa energji mendore duhet të harxhohet që në të njëjtën kohë edhe ta dënosh, edhe ta arsyetosh përdhosjen shtetërore të Maqedonisë gjatë kohës së festimit të Ditës së flamurit shqiptar? BDI opozitare e gjykoi incidentin por tha se ka qenë i nxitur nga një reagim jo i duhur nga policia. Kurse qeveritarja “Vlen” shpjegoi se “pas festimit të paparë ndonjëherë deri më sot të 28 Nëntorit, ndërsa jehonin valle dhe këngë shqiptare në gjithë shtetin, në fund të ditës u shfaqën grupe që duan ta destabilizojnë shtetin”.
Del se brenda BDI-së janë nervozuar shumë se qeveria ka organizuar “festë të paparë deri më sot” dhe kanë vendosur t’ua shkatërrojnë me destabilizimin që e lajmëron Mickoski që nga dita e parë që ka qenë kryeministër. Mirë ama, nëse emri “festë e paparë” qëndron për bllokim rrugësh, dëmtim të automjeteve, garim me makinat, vozitje e haubës me të shtëna, edhe nëse nuk do ta kishin ndezur flamurin shtetëror si kulminim i euforisë, nuk e di sipas çfarë standardi të “Vlen”-it do të ishte “festë e parë”.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se bëhet fjalë për incident të izoluar, e sido që të jetë, nuk do të më befasonte nëse midis shpikjes së arsyetimeve se përse është shkelur dhe është ndezur flamuri shtetëror, partnerët e koalicionit të “Vlen” të thonë se incidenti është tejfryrë nga mediat maqedonase.
Me të vërtetë jam lodhur nga narrativa e partive politike të shqiptarëve të tipit: “Më ka inat mësuesja”. Aman, si mund të shfaqen gjithmonë si viktima? Për më tepër kur janë në pushtet. Historitë e tyre të bashkëjetesës vlejnë vetëm para të huajve. Flasin për vlera evropiane në Bruksel, kurse në shtëpi promovojnë fshatarësinë.
Le ta ndezin flamurin grek në Athinë, të shohin intervenim të duhur të policisë. Edhe atje jetojnë shumë shqiptarë. Apo në Zvicër, Norvegji, Suedi, Danimarkë…Për dallim nga këtu, ku i pengon dielli, atje nuk u pengojnë kryqet nëpër flamuj.
Shkelja e flamurit, nxitja e urrejtjes racore, kombëtare dhe fetare dënohet me burg. Po qoftë edhe me dënim të kushtëzuar. Që të mos i kujtohet dikujt tjetër të egërsohet kur t’i vijë. Të mos përsëritet. E jo të relativizohet. Por, te ne vlen rregulli “ti nuk mund të më bësh asgjë”. Ne vuajmë nga mosdënimi dhe drejtësia selektive. Çfarë nëse policia i ka kapur ata që kanë përdhosur flamurin? Nesër gjykata do t’i lirojë. Nëse nuk i liron, partitë do t’i organizojnë protesta për çlirim. Ku sërish do ta ndezin flamurin shtetëror.
Nuk e di se si e kanë festuar shqiptarët Ditën e flamurit shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë. Besoj se bashkëqytetarët tanë shqiptarë do të kishin dashur një festim më dinjitoz se ajo që pamë në rrugët e Shkupit. Shumë dua të besoj se u pengon dhuna kundër shtetit ku kanë lindur dhe ku jetojnë.
Por është problem që disa prej tyre çdo gjykim për egërsi do ta kuptojnë si sulm. Ose thjesht kur bëhet fjalë për “të tyrët” – do të mbyllin gojën.
2 Me çfarë e ka detyruar drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, kryeministrin Hristijan Mickoski, që ai ta mbrojë kaq shumë? A nuk kanë në VMRO-DPMNE ndonjë tjetër kuadër për shef të shërbimit sekret, për të cilin nuk mund të kontestohet as përvoja e punës, as diploma, as certifikata e gjuhës angleze? Pse Mickoski mbron një person që ka certifikatën TOEFL nga një studio gjuhësore në Bullgari, e cila lëshon diploma të falsifikuara? Në vend tashmë ka disa vendime gjyqësore për mashtrim me certifikatat nga po e njëjta studio. A nuk ia ka thënë këtë Hristovski, dhe tani kryeministri pret që Komisioni kundër korrupsionit t’ia verifikojë certifikatën? Dhe tani do të presë edhe një raport nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit për të kontrolluar edhe diplomën universitare.
O Zot, funksioni i drejtorit të ASK-së është aq sensitiv sa nuk duhet të ketë as edhe një grimë dyshimi për kuadrin që është në atë post. Më e thjeshta do të ishte që Mickoski të thoshte se Hristovski nuk ishte zgjedhja më e mirë, të gjente një tjetër person dhe – ta harrojmë këtë punë. Kështu, do t’ia shpëtonte reputacionin Hristovskit sepse do të ndalej ndërhyrja në biografinë e tij profesionale, ndërkohë që nuk do të vinte në dyshim as kredibilitetin e ASK-së, të MPB-së, të Komisionit Kundër Korrupsionit, dhe as të Inspektoratit të Arsimit. Të gjitha institucionet shtetërore janë angazhuar për të mbrojtur zgjedhjen kadrovike të kryeministrit. Në fund të fundit, Mickoski është profesor universitar. Nëse jo për asgjë tjetër, së paku atij personalisht do t’i duhej të ishte me rëndësi se çfarë do të thotë profesionalizëm, provim dhe njohuri.
Por, jo. Këmbëngulja është argumenti më i fortë. Kjo është sjellje tipike e asaj VMRO-DPMNE-je nga viti 2006 deri në 2017. Duhet të tregohet forcë. Të shkohet deri në fund. Të zezën do ta bëjmë të bardhë, vetëm që të bëhet e jona.
3 Para disa ditësh, gjatë seancës për pyetje të deputetëve në Kuvend, kryeministri Mickoski iu drejtua deputetëve të LSDM-së me fjalët:
“Ju kujtohet ai projekt ‘E vërteta për Maqedoninë’? Shumë shpejt do ta shihni pavërtetësinë e atyre që kanë vepruar rreth përgjimeve dhe do të turpëroheni, do të dilni të kërkoni falje, sepse edhe në regjime fashiste nuk janë ndjekur dhe përgjuar njerëz që udhëheqin parti opozitare.”
Ndonjëherë më duket sikur Mickoski është i ri në politikë. Madje, jo vetëm në politikë. Si të ishte i saposhpërngulur këtë shtet. Si të ishte zbuluar tani përgjimi në partinë e tij VMRO-DPMNE dhe shumë shpejt do të shihnim çfarë kanë bërë shërbimet sekrete.
Alo, kryeministër, partia jote kur ishte në pushtet ka përgjuar 25,000 njerëz. Në atë kohë ti kishe një funksion të lartë. Edhe mua më keni përgjuar për dy vjet e gjysmë. Keni vazhduar të më përgjoni edhe tre muaj pasi Zaevi filloi të publikonte bombat. Kam lexuar transkriptet e bisedave private dhe të bisedave me njerëz nga partia jote. Kurrë nuk keni kërkuar falje dhe as nuk jeni turpëruar.
Prandaj, mos u nxitoni me fjalë të mëdha si “fashizëm” dhe “regjim fashist”. Të paktën, fillimisht duhet të kërkoni falje në emër të partisë, pastaj, eventualisht, të vazhdojmë të flasim për temën e përgjimeve.