FLI DHE HARRO

Jeta na është paralizuar brenda një procesi mes dy shumicash dhe dy fatkeqësish.

1 Drejtori i Inspektoratit shtetëror të transportit Rufi Huseini, së pari ankohej se nuk ka pasur mjaftueshëm inspektorë që të mund të kryejë inspeksionet për të gjitha firmat transportuese që kanë autobusë. Më pas, që kur Qeveria e detyroi të kryejë inspektion të jashtëzakonshëm të firmës “Besa trans” në autobusin e së cilës ndërruan jetë 45 persona në një autostradë të Bullgarisë, inspektorët shkuan në zyrat e tyre në Shkup dhe në Tetovë, ku dera ka qenë e mbyllur dhe askush nuk u është përgjigjur në telefon. E tani do t’u dërgojnë letër shoferëve të “Besa Trans” që të caktojnë termin se kur inspektorët mund të shkojnë që të kryejnë mbikqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Sigurisht, nëse mundet…Nëse “Besa trans” e lejon. Pas fatkeqësisë më të madhe në Evropë në 10 vitet e fundit. Kur është konfirmuar se autobusi ku u dogjën 45 pasagjerë, 135 herë ka kaluar kufirin shtetëror me dokumente të rreme. Në një kompani, së cilës licenca për transport të pasagjerëve iu hoq në mënyrë direkte.
Ndërkohë ne, budallenjtë, kërkojmë dorëheqje. Nga kush? Nga një zyrtar shtetëror i cili nuk i përgjigjet askush, përveçse liderit të partisë që e ka vendosur aty. Ai as që e ka pasur ndërmend të bëj punën e tij si fillim, e le më të japë dorëheqje.

2 Mirë, fatkeqësitë mund të ndodhin. Por është shokuese që ne nuk mësojmë prej tyre. Vetë fatkeqësia është një shok. Numri i 45 të vdekurve është një shok. Por është shok edhe të shohësh se si sillen institucionet e shtetit, sa ngadalë funksionon gjyqësia që prej kohësh është bërë normale. Për ne u bë diçka e zakonshme që edhe institucionet më të paafta dhe të korruptuara t’i paguajmë edhe me gjak.
E më e keqja në gjithë këtë është që e gjithë kjo tashmë nuk na pegon. Përveç shkarkimeve të rralla të inatit dhe trishtimit, ne nuk ndërmarrim asgjë. Pajtohemi me jetën e tillë në këtë letargji depresive. Mbijetesë deri në fatkeqësinë e radhës.

3 Nuk është ngushëllim fakti se autobusi ka pasur dokument të rremë udhëtimi si brenda shtetit, ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Demek, ja, ata janë BE, dhe është e njëjta si te ne. Atje të paktën hapin debate për gardhe të mbrojtura, cilësi të asfalteve dhe sinjalizime të të gjitha formave. Te ne të bëjnë horrë nëse pyet se pse nuk është kositur bari rreth rrugës dhe pse degët i mbulojnë shenjat. Ç’pyet për këto budallallëqe?! Udhëshkrimet paskan qenë të shlyera?! Boja paska qenë e zbehur?! Te ne nëpër autostratë vrapojnë lopë e kuaj, kurse ti je kapur për udhëshkrimet. Nëse ajo ndarje e autostratës në Pernik paska qenë aq e pasigurt për shkak të sinjalizimit të keq, si pasojë e çkaje përnjëherë kanë vdekur 45 persona, atëherë te ne u dashka ta ndalojmë nga fillimi komunikacionin nga Kërçova për Ohër përmes Debarcës.
Rrugët dhe autobusët teknikë janë vetëm një pjesë e mënyrës sonë të rrezikshme të mbijetimit. Po ne nuk kemi jetë të sigurt, as në shtëpi, e as në punë. Tubat e vjedhur të hidrantëve, liftat e pakontrolluar, popullimi i ndërtesave pa kontroll teknik, shkallët e bllokuara të zjarrfikësve, qasja e bllokuar nga veturat e parkuara për automjetet e zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë e deri te bodrumet dhe garazhet e mbushura me mbeturina dhe kush e di se çfarë tjetër vdekjeprurëse…Të gjitha institucionet shtetërore na janë shpërngulur nëpër ndërtesa administative ku nuk ekziston kontroll teknik.

Por për këtë kemi qindra ligje, rregulativa, direksione të përshtatura me rregulativat e BE-së dhe pak më pak inspektorate shtetërore, drejtori, agjenci dhe komisione, me një ushtri të njerëzve që ua bëjnë qejfin të tjerëve, të futur nëpër kuadro e zyra, ku detyra e tyre kryesore është që të mos jenë autorizuar për atë për të cilën janë.

Do të futet edhe fatkeqësia e “Besa trans” si ajo e “Durmo turs” në 100 afate gjyqësore me eksportiza, kundërekspertiza dhe superekspertiza e do të vazhdojmë të mbijetojmë deri në fatkeqësinë e ardhshme. Mirë që kemi të paktën Fejsbukun dhe Tuiterin. Duhet kështu, duhet ashtu, duhet ashtu…Çfarë është ajo që duhet? Duhet – vetëm të vdesim. Hidhërohu, komento, fli dhe – harro.

4 Mirëpo, si të gjitha mrekullitë, fati i zi për 45 jetët e humbura zgjat tre ditë. Dhe menjëherë kalojmë në temat e rëndësishme – dorëheqja e Zaevit, zgjidhjet e shpejta të Mickoskit, shumica e re parlamentare dhe Alterantiva e re, Aleanca, Besa dhe BDI-ja, sigurisht.
Këto çështje esenciale të tipit se sa vende drejtorie dhe për çfarë partie do t’i shpëtojnë eurointegruesit, nuk mund t’i mbulojnë as problemet e mëdha botërore – mutacioni i ri i koronavirusit, rryma e shtrenjtë, gazi i shtrenjtë, mungesa e çipave, mungesa e letrës, shtrenjtim i ushqimit, rritja e inflacionit…

Por për këto as nuk mendojmë. Jeta jonë nuk varet nga ato tema botërore. Neve jeta na është paralizuar në procesin mes dy shumicave dhe dy fatkeqësive.

5 Qeveria lajmëroi se në mënyrë që t’i motivojë të punësuarit në administratën publike që të mos vdesin nga kovidi, do ta shohë mundësinë për stimulim ekonomik për ata që do të zgjedhin të vaksinohen.
Nuk ka nevojë që Qeveria të bëjë kushedi se çfarë analizash me kush e di se çfarë stimujsh për antivakserët që të vaksinohen. Stimulimi më efikas do të ishte që antivakserët vetë ta paguajnë mjekimin nëse do të sëmuren nga kovid-19 dhe të përfundojnë në spital.

Përndryshe do të dalë se ato 40 përqind që tashmë janë vaksinuar ( disa prej tyre vrapuan të vaksinoheshin edhe jashtë, duke e kursyer shtetin edhe më shumë) janë budallenjtë që do t’i paguajnë ata që bëheshin të mençur e deri më tani prisnin nëse të vaksinuarit do të vdesin. Për më tepër që e ekspozojnë veten në rrezikun e infektimit, bllokojnë spitalet dhe na e marrin të drejtën e të gjithëve që të mjekohemi nga sëmundje të tjera gjithashtu të rrezikshme. Sikur edhe Qeveria të sillte vendim, siç e kërkuan sindikatet që punëdhënësit t’u paguajnë PCR atyre që nuk duhet të vaksinohen, atëherë do të  mundemi lirisht t’u shpallim fitore antivakserëve.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира