FOTO PËR PASAPORTË

Pyes veten, kur i bëjnë punësimet sipas meritave partiake nëpër institucionet shtetërore, a u thonë ndonjëherë, vallë, se duhet të aktivizojnë edhe trurin?

1 Tre prej nëntë të dyshuarve që MPB kapi për nxjerrje të pasaportave të falsifikuara, gjykata, si masë parandaluese, iu ka ka marrë pasaportat. Ata kanë bërë pasaporta të falsifikuara për 214 njerëz nëpër botë, por për veten e tyre nuk paskan arritur të bëjnë.
Për ne, si qytetarë, nuk është aspak e rëndësishme se kush për herë të parë ka marrë vesh për këtë gjë, kush e si e pse e ka publikuar, apo nëse hetimi është zbuluar parakohe, siç akuzon LSDM, apo nëse MPB ka dashur ta fshehë, siç akuzon VMRO-DPMNE-ja. Partitë mund të zihen deri në përjetësi nëse duan, e të akuzojnë në bazë të asaj se kush kur u punësua, në cilin pozicion, me çfarë arsimi dhe sa stazh, në ç’listë partiake ka qenë i propozuar për punësim etj…Me të gjitha këto gjëra vetëm sa zbehet thelbësorja. E gjëja thelbësore është se në MPB për vite të tëra ka pasur bandë kriminele dhe se kjo bandë kriminele për vite të tëra është përndjekur jo vetëm nga organet përndjekëse të shtetit tonë, por edhe nga shërbimet e sigurisë amerikane dhe të Interpolit.

Tani, do të ishte logjike pyetja se pse Hristijan Mickoskit do t’i konvenonte që ta zbulojë hetimin, i cili është udhëhequr edhe me zyrën rajonale për hetim dhe siguri të SHBA-së? Edhe pse, kur është në pyetje Mickoski, me të është gjithmonë e vështirë të gjendet logjika. Nuk besoj se e ka minuar një aksion të këtillë ndërkombëtarë vetëm që të dalë në konferencë për shtyp e të flasë kundër Zaevit. Kush e di se edhe sa hajdutë me pasaporta maqedonase mbetën të pazbuluar.

Për më tepër që, nëse VMRO-DPMNE-ja ka dashur të lëvdohet, ja ku e kanë Naqe Çulevin. Ai e trashëgoi hetimin e madh kur ishte ministër teknik për punë të brendshme në qeverinë teknike para zgjedhjeve, e që atëherë ka mundur t’i kapë peshqit e imët, nëse e ka pasur qëllim që t’i kapin mu ata. Ç’rëndësi ka për Amerikën punonjësi në zyrën e pasaportave në Shkup?

Nga ana tjetër, është logjike dhe pyetja se pse Oliver Spasovski, i cili as më shumë e as më pak, por 5 vjet është ministër i punëve të brendshme, nuk arriti ta shkatërronte këtë strofull hajdutësh në zemrën e shtetit? Epo, para vetëm dhjetë ditë ia zbuluan aksionin për kapjen e shefafe të narkotikës. Kishin kapur vetëm një grup të vogël e të parëndësishëm dilerësh. Madje edhe drogën kanë arritur ta fshehin. Para kësaj i kapën lejet e falsifikuara. Para asaj diplomat e falsifikuara. Para asaj, nënshtetësitë dhe numrat amë që kishin disa karta identitetit dhe votues fantomë. Duke votuar për dore, ashtu?

Si punësohen në MPB? Në shtete të tjera që të punësohet dikush në polici, duhet të shkundet mirë e mirë, kurse te ne, dikush del nga burgu ku ka qenë i dënuar për drogë dhe menjëherë vendoset në departamentin për tregëti të palejuar me drogë. I zbritën nga mali, i çuan për rehabilitim dhe risocializim dhe drejt në MPB. Si e do? E do sipas marrëveshjes kornizë, sipas listës partiake, sipas lokalpatriotizmit, sipas lidhjeve familjare…E thua me vete, nëse në polici mund të gjej punë me diplomë të falsifikuar, atëherë përse të mos falsifikoj edhe pasaporta dhe stazh të beneficuar. Kështu-ashtu, do të më mbrojë partia. Nëse nuk më mbron partia do të bazohemi te parimi i përfaqësimit të drejtë etnik.

Ndërsa ne, kaq naivë, habitemi se pse ka ikur Nikolla Gruevski.

2 A nuk e vini re se si te ne edhe një aktivitet klasik kriminel duhet të lidhet patjetër me gjykimet mes partive. Ata nuk flasin për kriminelë. Ata flasin nëse kriminelët i takojnë LSDM-së, VMRO-DPMNE-së apo BDI-së.

Epo, pikërisht për këtë arsye, te ne, madje edhe kriminelët duhet të jenë partiakë dhe gjithçka bëhet që t’i sjellë qar politik partisë, pa mbajtur llogari për interesin e shtetit. Kam frikë se edhe ky skandal ndërkombëtar do të përfundojë me tregëti politike. Do të fotografohen bashkë në ndonjë takim liderësh se mos kanë nevojë për njëri-tjetrin në ndonjë koalicion të ardhëm.

Andaj, nuk më bëhet fare vonë se çfarë kanë për të thënë punonjësit e zyrës së pasaportave pas kësaj pyetje LSDM dhe VMRO-DPMNE. E BDI-ja – aspak. Nëse MPB dhe prokuroria mbeten te peshqit e imët që arrestuan, nëse kjo gjë nuk mbaron me zgjidhje gjyqësore, atëherë kjo do të jetë edhe një marrëveshje tjetër politike në dëm të shtetit. Pa pastruar MPB -në – shteti është kot.

3 Çdo çudi zgjat tre ditë, jo më shumë. A mendoni se dikush mban mend historinë tragjike të rajonit të Kratovës, të cilin një mjek i Ndihmës së Shpejtë e ka transportuar nëpër borë me një mjet të imporovuzar dhe terren të paqasshëm? Po kush është ai? Thjesht një njeri pa merita partiake, andaj as nuk e njohim. Ka rënë në borë e ka ngrirë. E nga ana tjetër, ndonjë mjek i ri është entuziazmuar që ta shpëtojë, e i ka shqetësuar autoritetet me telefonatat e tij. Ka marrë në telefon kryetarin e komunës, policinë, zjarrfikësin, Qendrën për menaxhimin me kriza…Ka kërkuar që të dërgohet një traktor apo një automjet terreni, por ata nuk kanë pasur. Mjeku nuk ka kërkuar helikopter…Mirë që nuk e akuzuan se ky është një gabim mjekësor. Mos vallë mendoni se dikush tjetër i përcaktuar nga partia mund të ndodhë që ta bëjë një gabim.
Kush e di se sa raste të tilla ka nëpër shërbimet shtetërore. Ne nuk do të kishim zbuluar këtë rast, nëse mjeku nuk do të kishte bërë publike në Fejsbuk. Të gjithë që është dashur të marrin informacionin e kanë marrë, por askush nuk e ka procesuar. Pyes veten, kur i bëjnë punësimet sipas meritave partiake nëpër institucionet shtetërore, a u thonë ndonjëherë, vallë, se duhet të aktivizojnë edhe trurin?

A e dini se sa e përparuar është inteligjenca artificiale? Por, nga inteligjenca partiake, jo vetëm që nuk kërkohet as aktivizimi i trurit, por nuk kërkohet as që procedurat e punës të lexohen. Nuk iu bëhet vonë as për bariun e as për mjekun. Ata për vete kanë gjetur punë shteti, e kanë zgjidhur hallin e tyre.

4 Qeveria refuzon të publikojë emrat e 58 këshilltarëve të cilëve u paguan honorare muaj për muaj. Thonë se nëse ua publikojnë emrat e atyre që paguhen për të shkruar kumtesat nga konferencat e shtypit, shkruesit e studimeve të ndryshme, monatzherët, këshilltarë për gjeodezi, përkthyersit, këshilltarët për eurointegrim…do t’u cënohet privatësia.
E tani, meqenëse Qeveria është shumë transparente, nuk i tregon emrat, por tregon detyrat për të cilat i paguajmë. Mes këtyre shkruesve të kumtesave nga konferencat e shtypit, ka dhe këshilltare për luftën kundër kovid-19. Nëse për këshilltarët e tjerë nuk ka arsyetim se pse Qeveria ua fsheh emrat, atëherë për këshitllarin e kovidit ka logjikë për fshehtësinë e emrit të tij. Kanë frikë se mos na e marrin demokracitë më të zhvilluara që duan ta zbatojnë modelin tonë të luftës kundër kovid-19. Ndërkohë ushtria e NATO-s po vaksinohet me vaksina ruse, dhuratë të Serbisë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира