GJARPËR NË MATKË

Pas datës në Kinë.

GJARPËR NË MATKË

1 Isha për disa ditë në një mbledhje gazetarësh në Sarajevë. Ndërkohë i ndjekja nga pak lajmet lokale. Ja se me çfarë merret Bosnja dhe Hercegovina, ai shtet, qytetarët e të cilit nuk jetojnë me stresin e pritjes së negociatave për hyrje në BE.
Në shtratin e lumit Milajcka që rrjedh nëpër qytet si dhe në rrugët përrethuese janë paraqitur gjarpërinj të mëdhenj. Gazetarët kanë nisur në hetim të atij që është kompetent për t’i menaxhuar gjarpërinjtë. Por, ashtu siç deklaruan pushtetet, “për shkak të strukturës më të komplikuar kushtetuese, është e vështirë që njerëzve t’u shpjegohen përputhjet e kompetencave”. Gjegjësisht, për vetë lumin Miljacka është kompetente Qeveria e Kantonit të Sarajevës, por gjarpërinjtë janë paraqitur në tokë. E nga Kantoni, gazetarët i kanë drejtuar që të kërkojnë përgjigje nga pushtetet e Qytetit të Sarajevës. Por, këto pushtete u janë përgjigjur duke thënë se ata kanë përgjegjësi vetëm për pjesën e rregulluar të shtratit të lumit, jo për atë të çrregulltën. E sa u përket gjarpërinjve, ato nuk e dinë se çfarë është Kanton apo se çfarë është Qytet, kështu që lëvizin ngado. Ndonëse të dyja palët do të donin të zgjidhin problemin, ata thjesht nuk munden. Sepse nuk kanë kompetencë.

Në Maqedoni, komplikimi mbi kompetencën nuk është çështje e Kushtetutës. Por është çështje ligjore. Dhe çështje koalicioni. Për shembull, që nga shkurti kemi zbuluar se në Matkë, në një zonë të mbrojtur, ndërtohen platforma të paligjshme të kafeve. Një muaj dhe tridhjetë tekste me vonë, vërtetuam se organi kompetent për shkatërrimin e platformave është Komuna e Sarajit. Gjatë atij muaji si jokompentë u proklamuan Qyteti i Shkupit, Inspektorati shtetëror për ndërtim, Ministria për transport dhe lidhje, Ministria për mjedisin jetësor, Fakti se e vërtetuam se kush ishte kompetent nuk do të thotë se platformat janë hequr. Përkundrazi. Aty vazhdon të ketë tavolina dhe karrige, kurse shefat e këtyre platformave të paligjshme organizojnë madje edhe shëtitje me anije nëpër liqen.

Për platformën e paligjshme kompetente është Komuna. Por, kush është kompetent për ta kontrolluar punën e kafenesë? A ka kafeneja leje për punë? A është e regjistruar si vend për shërbim të pijeve dhe ushqimit? A ka ajo kafene leje për punë nga pushtetet sanitare? A u japin mysafirëve fatura fiskale? A janë regjistruar anijet ku voziten turistët si objekte lundruese? Po lundruesit a kalojnë provimin e caktuar? A jepen karta me TVSH për shërbimet gjatë shëtitjes me anije? Po pasagjerët, a janë të siguruar?
Jam i vetëdijshëm për komplikimet si ligjore, ashtu dhe të koalicionit, të miqësisë, të partisë dhe të biznesit për të vërtetuar kompetencat në Maqedoni. Por, të gjitha këto pyetje po i parashtroj pasi më mundon vetëm një. TVSH-ja ime. Pas 1 korrikut, do të shkoj me anije në Matkë dhe kur të jem atje madje, do të shfrytëzoj rastin që të pi dhe një birrë te platforma. A do të mi kthejë ministri i financave Dragan Tevdovski 15 përqind nga TVSH-ja që do të paguaj në Matkë? Ky është i vetmi shqetësim i imi.

2 Për çfarë komplikimi të kompetencave kushtetuese në Maqedoni flasim, kur në një rrugë të Shkupit, që është në kufi mes dy komunave, njëra anë e trotuarit është e pastër, kurse tjetra nuk është fshirë ndonjëherë? Vallë, kaq e komplikuar është të kthehen përsëri korsitë “MK” në kalimet kufitare, që të paktën kur të kthehemi në shtëpi të ndjehemi më me dinjitet se qytetarët e tjerë? Aq e komplikuar të jetë vallë, të pritet bari rreth bankinave rrugore dhe të shkurtohen degët rreth shenjave të komunikacionit? Se me të vërtetë nuk jemi kaq mendjelehtë sa të besojmë kur kompetentët na thonë se ka pasur vegjetacion të madh për shkak të shirave pranverorë. E kështu, çdo vit. Zjarret që ndodhnin para zgjedhjeve presidenciale i harruam. Ishte shumë e ndërlikuar të kapet ai që i digjte pyjet. UNESKO-ja nuk e kishte të vështirë të na paralajmërojë se çfarë do t’i ndodhë Ohrit, po për ne ishte e vështirë t’i ndalonim ndërtimet e paligjshme pasi kompetencat lokale ndërlikohen. Për unazën në Manastir, të mos flasim fare. Ky është një problem kaq i komplikuar sa që nuk ia vlen të fillojmë ta zgjidhim.

Për ndotjen e Shkupit dhe Tetovës do të kthehemi më së vonti në tetor. Tani është verë dhe flasim vetëm për atë që është shumë e dukshme.

3 Komuna e Çairit vendosi që të vejë rregull me tarracat verore në Çarshinë e vjetër të Shkupit. Dhe doli se kafexhinjtë me vite të tëra nuk kanë pasur leje për tarracë verore. Ekzistojnë pesë-gjashtë disko në parkun e vjetër të lojërave në Shkup që çdo verë e shqetësojnë gjithë qytetin me zhurmë dhe komunikacion nëpër parkun e qytetit, kurse ne tani e zbulojmë se ato nuk kanë pasur marrëveshje për punë me pushtetet e qytetit. Në Sarajevë gjarpërinjtë e shfrytëzuan përputhjen e kompetencave. Në Maqedoni kafexhinjtë e shfrytëzojnë këtë situate duke u bërë të gjithë jokompetentë.

Te ne është shumë e natyrshme dikush të shtrojë pllaka ku të dojë. Të radhisë dërrasa në trotuar. Të thyejë një shtyllë që të mund të parkohet në një zonë për këmbësorë. Të lëshojë platforma mbi liqen. Të parkohet në park. Të lëshojë muzikë të lartë. Kurse shteti, jo vetëm që nuk të mbron, por edhe i ndihmon dhunuesve ta vjedhin hapësirën e jetesës. Si do të dukej nëse më kujtohet që të organizoj një drekë në mes të rrugës? Dhe të thërras mysafirë që të parkohen aty ku duan. E të lëshoj muzikë. E për të tjerët të mos më bëhet fare vonë.
Kur as shteti nuk mund të të mbrojë, me sa duket ka ardhur koha që, ashtu siç bënte Irena Ristiq me ekipin e saj me aksione guerile, qytetarët të lirojnë hapësirën publike. Nëse dikush të vjedh zonën e shtruar me pllaka dhe e mbush me tavolina, karrige dhe xham, ti duhet ta kthesh mbrapsht. Nëse dikush të merr parkun dhe bën kafene, ti duhet t’ia mbjellësh aty lulet dhe drunjtë.
Do të vijë policia dhe do të dënojë? Pse? Se nuk ke lajmëruar se do të bësh diçka në hapësirë publike? Kështu edhe kafexhinjtë kanë nxjerrë tavolinat, karriget, kanë ngritur çadrat, xhamat dhe kanë bërë një sallon të tërë në hapësirë publike dhe askujt nuk i kanë thënë se çfarë do të bëjnë. Për më tepër, a nuk ishte pikërisht Oliver Spasovski që ankohej se nuk ka mjaftueshëm policë për të dënuar. Ku i paska gjetur mu këta që kanë ardhur te ne të dënojnë? Të mos vijë ndonjë inspektor komunal që të na dënojë neve guerilëve civilë? Menjëherë i parashtron pyetje kompetence. Më falni, nga cila komunë vini ju? Aaaa. jo…kjo hapësirë është nën kompetencat e Qytetit. A ke ti leje për çlirim të trotuarit? Kam. Të njëjtën leje që ka ai që e ka vjedhur trotuarin. A ke paguar për përdorimin e trotuarit? Po. Kam paguar. Kam paguar edhe tatim për prone, TVSH dhe parking. Po ky që ma ka vjedhur trotuarin, ka paguar?
Ajo hapësirë është e jona dhe na është vjedhur. Shteti i ndihmon vjedhësit, e madje ndonjëherë përfaqësuesit e shtetit janë në biznes të përbashkët me ta. Atëherë, çfarë na pengon së mbrojturi hapësirën tonë? Bëhet fjalë për jetën. Për cilësinë e jetës.

4 Po me datën, ç’po bjmë? Dhe -deri me atë datë çfarë do të bëjmë?
Ligji për PSP mbetet ashtu, i pavotuar. Dhe, kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, me njërin nga nënkryetarët, me gjithë koordinatorët e grupeve të deputetëve dhe me gjithë sekretarin gjeneral, shkuan për të kërkuar datën për BE. I shtruan deri në Kinë. Që të mësojnë se si të bëjnë ligjin për planifikim urbanistik. Në Shanghaj me 24 milionë banorë.
Çfarë të bëjnë, kur Parlamenti i Maqedonisë nuk është kompetent për datën, atëherë do të jetë Budestagu gjerman.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира