GLAMUR GJYQËSOR

Ambasadorja amerikane do t'i vijë më së shumti interesant të shohë se si institucionet e korruptuara do ta përndjekin vetë atë që i ka korruptuar.

1 Amerikanët e zgjidhën problemin e tyre me Orce Kamçevin. E vunë në listën e zezë, ia ngrinë pronat dhe llogaritë në SHBA e për ta ai është një histori e mbaruar. Ua ndaluan kompanive amerikane të punojnë për të, ndërsa atij që të hyjë në SHBA. Tani na thonë – edhe ju keni problem me Orce Kamçevin. Zgjidheni.
Është naïve të besojmë se lista e zezë amerikane do të na e zgjidhë edhe problemin tonë. Në atë listë të të padëshiruarve në SHBA janë Menduh Thaçi, Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Ramis Merko. Të padshiruar në SHBA , e aq të dëshiruar këtu. Amerikanët mendojnë se fakti se dikush është etiketuar si kriminel prej tyre, në Maqedoni, do të turpërohej. Kush do të turpërohet? Te ne turp nuk kanë prokurorët dhe gjykatësit që ua zvarrisin procedurat me vite dhe i lirojnë, nga turpi janë operuar edhe figurat politika të qeverisë dhe opozitës që ndryshonin edhe ligjet, në mënyrë që këtyre “të etiketuarve” t’u ecë biznesi,e jo më të akuzuarit të cilëve, sipas veprave që kanë kryer këcënohen me burg.

“Keqpërdorimi i ligjit, pozitës, shpërlarja e parave, ryshfeti dhe shkeljet të tjera ku ka marrë pjesë Orce Kamçevi, jo vetëm që e dëmtojnë besimin e opinionit publik në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, por paraqet gjithashtu një tradhti të qytetarëve të këtij shteti”, tha ambasadorja amerikane Anxhela.
Por, ajo tha gjithashtu se ata nuk do të vijnë te ne që të bëjnë arrestime dhe të nisin procese të reja kundër tyre, por se “do të jetë interesante të shihet se çfarë masash do të merren pas emërimeve”.

Sepse, dëshmitë janë këtu, jo në Uashington, apo jo?

Po kush do t’i ndërmarrë këto “masa”? Gjykatësit dhe prokurorët që i caktonin Gruevskin dhe Mijallkovin me defterët e partisë? Mu ata me të ciët, pastaj Kamçevi merrej vesh për ta liruar. Nga grykësia e pangopësia e madhe nuk mund të ndalonin, ai në fillim i ushqente e pastaj ua ngushtonte lukthet në spitalin e tij. Vallë, ambasadorja me të vërtetë beson se këtu, institucionet e këtilla shtetërore do të fillojnë ndonjëherë që ta bëjnë me të vërtetë punën e tyre?

Ambasadores amerikane ndoshta do t’i vijë interesant se si shteti do të menaxhojë situatën me të etiketuarin Orce Kamçev. Për ne, nuk jam aq i sigurtë. Përveç se, ndoshta për argëtim do mund të shihnim se shteti do të menaxhojë situatën, se si institucionet e korruptuara do ta përndjekin atë njeri që i ka korruptuar.

2 Si do të menaxhojnë këtë gjë institucionet? Ja, si do ta bëjnë. Së pari. Me mënyrën se si përzgjidhet një anëtar i Këshillit gjyqësor, si kandidat i vetëm i Gjykatës supreme vetëm me gjashtë vota, prej të cilave një vote e tija. Pastaj, duke bërë hapin e parë – me pëzgjedhjen e birit për gjykatës atëherë kur do ta mbarojë shkollimin në Akademinë për prokurorë dhe gjykatës.
Le t’i japim një shans edhe birit. Të paktën ai, që të hyjë në Akademinë për gjykatës është dashur të kalojë nëpër disa kritete më të rrepta se babai i tij që të jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor. Edhe kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë Antonio Jolevski, para disa muajsh pas zgjedhjes së prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion Islam Abazi, i cili ishte i fotografuar me Ali Ahmeti, deklaroi se “duhet t’i jepet shans”.

Përse nuk merret një ligj me të cilin do të legalizohen firmat privat gjyqësoro-prokuroriale. Të mund të zgjedhësh se cili gjyq dëshiron që të të gjykojë. Me çmimore, me listë shërbimesh, me emra ekspretësh, në mënyrën më transparente, gjithçka sipas ligjit, po nëse nevojitet edhe të kalojë shpejt e shpejt me flamur evropian në Kuvend. E shteti t’u japë edhe subvencione atyre që janë prokurorë dhe gjykatës shumë profesionalë, sepse një ekpertizë të tillë nuk mund të të ofrohet nga gjyqësia shtetërore. Diçka e ngjashme si atëherë kur kërkon mjek nëpër spitalet shtetërore. Në vend që t’i japësh ryshfet mjekut në spitalin shtetëror, do të paguash sipas çmimores në privat, e nëse është shumë i mirë, shteti do t’ia japë paratë tua përmes subvencioneve shefit të spitalit.

Kur ato firma gjyqësore-prokuroriale do të jenë në tregun e lirë të krimit, do të mund t’u matet dhe rejtingu. Do ta kenë sfidë garimin mes vete. Kriminelët e xhet-setit do të lëvdohen: A e di ti se kë kam angazhuar që të më akuzojë dhe gjykojë?”. Janë top! Të shtrenjtë por cilësorë. Kanë shumë punë me mua, nuk e di nëse mund të të procesuojnë edhe ty, por nëse dëshiron mund të të sugjeroj.

Në mënyrë që fotografia të jetë e plotë dhe të mos errësohet shkëlqimi i jetëve glamuroze të kremit shoqëror maqedonas, në një shtet ku romantizohet krimi dhe kriminelët, nuk do të mungojnë edhe historitë glamuroze të afateve të cilat do t’i postojnë mediat. Ore, do të jetë prestigj të thotë dikush se cilin kriminel të firmës gjyqësore-prokuroriale ka angazhuar. Se kësaj elite nuk i ngjan të akuzohet e të gjykohet nga çfarëdo lloj gjykatësi, apo jo?

Më të respektuarat do të jenë firmat gjyqësore-prokuroriale të cilat kriminelëve do t’u sigurojnë akuza të atij niveli që gjykata do ta ketë të vështirë t’i mohojë. Në bazë të kësaj ata do të jenë më të paguarit. Edhe e ndershme, edhe gjithçka sipas ligjit.

3 Ndërkohë, beteja kundër krimit dhe korrupsionit duhet të presë që të qetësohen Prokuroria dhe Komisioni për antikorrupsion. Prokuroria lajmëroi se i ngrin marrëdhëniet me Komisionin për antikorrupsion sepse kanë shkelur disa nene të memorandumit për bashkëpunim.

Dy institucione shtetërore të fushës së njëjtë, të paguara nga paratë e po atyre tatimpaguesve në të njëjtin shtet ndërprejnë bashkëpunimin. Ndërkohë që para një kohe nënshkruan memorandum për bashkëpunim. A thua se pa memorandum, s’punojnë dot.

Megjithatë, përgatitjet për luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin vazhdojnë përkrah memorandumit të ngrirë. Prokurori publik Ljubomir Jovevski kishte një aktivitet intensiv diplomatik në shtet. Me drejtorin e Drejtorisë për polici financiare Goran Ivanov biseduan për “një bashkëpunim më të ngushtë dhe koordinim të veprimeve mes Prokurorisë dhe Policisë financiare në drejtim të sigurimit të përndjekjes efikase penale”. Ndërkohë një ditë para me MPB është marrë vesh për “intensifikimin e bashkëpunimit dhe përshpejtim të veprimit në lëndë”.

E pastaj ambsadori holandez dhe ambasadorja amerikane janë çuditur se pse nuk dalin rezultatet e pritura në përputhje me investimin e tatimpaguesve holandezë dhe amerikanë në gjyqësinë maqedonase. Ja ku janë, duke punuar me njerëzit, duke realizuar takime, duke u marrë vesh për diçka që nuk mund të imagjnohet – prokuroria të bashkëpunojë me policinë.

Këto janë vetëm biseda preliminare. Diçka në nivel të skriningut para fillimit të negociatave të vërteta për marrëveshje. E kur të nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim, tek atëherë do të shihet fundit i korrupsionit dhe krimit.

Vetëm më shqetëson se cila do të jetë procedura ligjore nëse përsëritet rasti me Komisionin për antikorrupsion, e MPB-ja apo policia financiare shkelin ndonjë ligj të Memorandumit për bashkëpunim me Prokurorinë? Kush do ta zgjidhë kontestin? Gjykata arbitrare në Paris?

4 Funksionari i lartë shtetëror i vënë nga BDI-ja Ismet Guri, u arrestua nën dyshimin se, si zëvendës drejtor i DA-it ka krijuar një shoqatë dashakeqe me skemë për kthim fiktiv të TVSH-së. Disa ditë para kësaj në gjykim të sërishëm, meqë Apeli e ktheu procesin në fillim, po ai ishte i gjykuar ilegalisht me tre vjet e gjysëm burg për mashtrime dhe shkatërrim të materialit zgjedhor.
Ismet Guri është një prej grupit të “të zjarrtëve” që vepronte si fraksion në parti, kurse këto ditë ishte publikuar se do të bëhet parti politike.

Jo se Guri është viktimë e përndjekjes politike. Ai ka qenë i gjykuar për herë të parë në vitin 2020. Por partisë kjo gjë nuk i pengonte që ta mbajë në pozitë të lartë në DAP. Në DAP! Aty ku mblidhen paratë e qytetarëve dhe të bizneseve.

Domethënë, faji i tij nuk është për shkak se ka falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe ka vjedhur nga tatimpaguesit, por sepse e ka cënuar bashkimin në parti.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира