I PARI – GOMARI

Brenda BDI-së dolën shumë familje të pakënaqura, kurse rendi për ndarjen e tenderave akoma nuk ka ardhur.

I PARI – GOMARI

1Në Maqedoni, koha është gjithçka që kemi. E kështu, edhe historia, të cilën do ta shkruajë qeveria reformuese e Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit, e përbërë prej kuadrove të ndershme dhe të afta, do të mund të presë edhe pak. Moj Evropë! Na prit! Po vijmë me një shpejtësi marramendëse. Vetëm le t’i pastrojnë punët mes vete dega e Çairit dhe e Sarajit të BDI-së. Madje thonë se edhe dega e Gostivarit nuk qenka shumë e kënaqur dhe se as Likova nuk paska ministër.
Shteti po përballet me krizë ekonomike, numrat e të infektuarve me kovid-19 nuk po tregojnë asnjë rënie, fëmijët do të humbasin edhe një vit tjetër shkollor, afatet gjyqësore për krim të lartë po shtyhen deri në pafundësi, kurse ne presim që degët komunale të BDI-së të lajnë hesapet mes tyre. Nuk do të më habiste fakti nëse, ndërkohë që ministrat e ndershëm dhe të aftë ulen në qeverinë e re dhe ndajnë vendet e drejtorëve, të shkrepë ndonjë kallashnikov në dasëm. Dolën shumë familje të pakënaqura, kurse radha për ndarjen e tenderave akoma nuk ka ardhur.

2Deri atëherë ndoshta do të ketë sukses edhe tenderi i tretë i Komunës së Çairit për rrënimin e ndërtimit të paligjshëm në Mavrovkë. Kush e di sa i fortë është tipi që po ndërton atje. Mund të vë bast se është ndonjë fytyrë e degëve më reformuese të BDI-së, që kur të gjithë ia kanë frikën. Kush e di, ndoshta edhe këshilltari i BDI-së Nefi Huseini dhe vëllai i tij do të shkojnë në paraburgim. E pastaj do të dalin.
E ç’të pres nga qeveria e re, ku këta të BDI-së, akoma pa u ulur mirë në funksion as nuk kanë turpin që të fshehin se po zhvillojnë një luftë për para brenda partisë. Do ta rrënojnë ndërtimin e paligjshëm në Mavrovkë? Do t’i ndalin ndërtimet e paligjshme në Saraj dhe në Strugë? Kuadrot e BDI-së nuk do ta pengojnë drejtësinë? Do të funksionojë shteti me efikasitetin e Postës së Maqedonisë dhe Hekurudhës së Maqedonisë, ku për vite të tëra udhëheqin drejtorë të vënë nga BDI-ja? Mos ndoshta prisni se do të rriten tatimet në rajonin e Tetovës? Me të vërtetë mendoni se këta të kornizës, të cilëve u japim rroga pa punuar, pas gjashtë muajve do të fillojnë të vijnë në punë? Demek, Zaevi dhe Ahmeti paskan bërë marrëveshje që t’u japin afat, në mënyrë që të mos u vijë si shok i menjëhershëm informacioni se për rrogë duhet punuar. E pastaj, që kur na u bë afati një gjë e rëndësishme për administratën?

Tani nuk pres më asgjë. Vetëm edhe një zgjidhe unike të retarduar për demokracinë maqedonase, kur 100 ditë para zgjedhjeve, në vend të një kryeministri teknik, do të kemi kryeministër kornizë, ndërsa zgjedhjet do të na i organizojë BDI-ja. E ç’është më e rëndësishmja – Artan Grubi do të jetë zv. kryeministri i parë. Nuk është kryeministër, por ama është zëvendës. Një nga të katërt, por jo si të tjerët. Që të ndjehet mirë, i shpikën një emër pompoz. E kështu pra, nuk na qenka zv. kryeministër, por zv.kryeministër i parë. Si ajo vjersha e shpejtë për fëmijë që këndonim në kopsht: I pari – gomari, i dyti – fyti, i treti – baleti.

3Sidoqoftë, teatri i replikave: “ti atej demek kërkon, e unë këtej demek të jap” ka përfunduar. Do t’i harrojmë edhe lëvdatat e tipit “virtyt” dhe “trimëri”, ashtu siç harruam se Zaevi thoshte se “votat e BDI-së nuk bëjnë as pesë pare”, e Ahmeti ia kthente: “Zaevi flet budallallëqe sa herë që kthen ndonjë gotë”.
Është e lehtë të jesh gjeneral pas betejës, por pa të shohim njëherë se ç’kemi në terren!
Fillimisht, Zaevi premtonte qeveri pas BDI, pasi me kuadrot e BDI-së nuk ka as progres, as luftë kundër korrupsionit. Nuk ia doli që të realizonte premtimin e tij. Ahmeti premtonte kryeministër shqiptar. As ai nuk ia doli që ta realizonte premtimin e tij. Kështu, të dy janë fitues, po aq sa janë dhe humbës.

Së dyti, thonë që Zaevi mundeshka ta negociojë bukur mirë pozicionin në qeverinë e re. Me se? Me 46 deputetë? Do të ishte shumë mirë nëse LSDM dhe koalicioni me Besën të kishin fituar të paktën edhe dy-tre deputetë më shumë, e BDI po aq deputetë më pak. Por, ja që nuk doli kështu. Numrat janë ashtu siç janë votuar nga qytetarët më 15 korrik. Të paktën Zaevi në mandatin e kaluar, kur u nis me 49 deputatë, arriti të bënte kthesë historike me hyrjen në NATO, por duke bërë të qartë se është një gjest praktik dhe se qëllimi justifikon mjetet. Kështu, edhe kësaj here vendosi të luajë me aq sa ka në dorë, e jo të ankohet për atë që nuk e ka.
Së treti, kritikuesit e qeverisë së re pyesin: Me sa mend i jep ministri BDI-së? Si me sa mend? Epo, me mendjen, të cilën e diktojnë rezultatet zgjedhore. Me mendjen e qytetarëve që i votuan dhe me mendjen e atyre që nuk votuan në zgjedhje.
Së katërti, nëse Zaevi nuk arrin të krijojë qeverinë me BDI-në, atëherë atë do ta bëjë Hristijan Mickoski. Sigurisht edhe atë – me BDI-në.
Së pesti, nëse as LSDM dhe as VMRO-DPMNE-ja nuk arrijnë të merren vesh me BDI-në, do të duhej të shkohej në zgjedhje të reja.
Me pak fjalë kemi fituar qeverinë në përputhje me situatën e terrenit dhe pasqyruese të vullnetit të popullit. Kemi fituar qeverinë e atyre që votuan gjatë pandemisë si dhe të atyre që nuk votuan sepse përtuan të ktheheshin nga Ohri dhe Mavrova në 15 korrik, se nuk paska qenë e sigurt për shëndetin e tyre. Kemi fituar qeverinë e atyre që thonë “të gjithë janë të njëjtë” dhe për të cilët gjithçka është njësoj.
Po vjen vjeshta. Koha e duhur për të bërë ajvar. Ata që për inat thoshin: “Nuk votoj për ju” dhe “Nuk kam për kë të votoj” tani le të qërojnë speca në vend që të flasin për qeverinë e re dhe BDI-në në të, se për ta më i rëndësishëm është ajvari se 15 korriku.

Përktheu: Fjolla Zllatku

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира