1Duhet me të vërtetë të jetë kalbur diçka në shtet që vetëm brenda një nate të jetë angazhuar përforcim i kontrollit policor, duke mbyllur 13 kafene dhe klube të natës, vetëm në Shkup. Çfarë tregon kjo për sistemin e kontrollit në zbatimin e ligjit, kur inspektorëve u duhet të shkojnë në inspeksion nën shoqërimin e policisë nga frika? Dhe atë jo me polici çfarëdo. Por me njësi speciale për shpërndarje të shpejtë nga MPB. Ku do të shkojnë të paguajnë tatim me njësi speciale? Në kartelet e drogës në Meksikë dhe Kolumbi? Vallë, të jetë kaq i ndryshkur sistemi, sa që shtetit i duhet të angazhojë policë veçanërisht të trajnuar për të kontrolluar respektimin e ligjit gjatë kohës së punës, për dhënien e llogarive fiskale, ndalimin e pirjes së duhanit apo për shpërndarjen e alkoolit të miturve?
Nëse do të ishte aq e shthurur komanda, ndoshta do të duhet të dërgonin edhe ushtri. Por, jeta nuk ka për të ardhur nëse çdo fundjave shteti do të duhet të angazhojë profesionistë veçanërisht të trajnuar për kryerjen e funksionit të inspeksionit. Më në fund, ligji për ndalimin e pirjes së duhanit dhe disiplinës fiskale dhe të gjitha ligjet e tjera nuk zbatohen me njësi speciale. Zbatohen me dënim joselektiv të të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin. Dhe me anë të dënimit të zyrtarëve të korruptuar shtetërorë. E jo me dënimin e “tuajve”, e jo “tanëve”. Me “piskama dhe britma”, vetëm për “tuajt”. E me zëvendësim të agjencive “tuaja” të sigurisë me ato “tonat”.
Nuk jam kundër aksioneve policore. Por jam kundër dramave politike siç i kemi parë të ndodhin në të kaluarën, të cilat nuk dua të përsëriten më. Dhe nuk ka nevojë të luani majtap me “nëse s’bëhet kështu, atëherë do ta kthejmë VMRO-në”. Pasi, nëse vazhdon ndarja selektive e së drejtës dhe korrupsionit të aparatit shtetëror, VMRO-ja zëre se nuk është larguar nga pushteti. Vetëm sa ka ndryshuar emrin.
2Ndërkohë, deputetët e VMRO-DPMNE-së luajnë majtap me ta. Dhe thonë: “Qeveria në programin parazgjedhor premtoi se do t’i zvogëlojë shpenzimet e udhëtimit, prandaj le të gjejë zgjidhje.”
Deputetët në dhjetë vjetët e fundit kanë ndryshuar ligjin për ndërtim gjithsej plot 34 herë, e tani nuk mundkan ta ndryshojnë ligjin për shpenzime të udhëtimit. Ndryshuan ligjin e filmit që të mundet seritë televizive të marrin 4.5 milionë euro para nga populli nga Agjencia për film, ndërsa tani nuk e nuk mund ta ndryshojnë një ligj të këtillë. Kush e di se sa ligje kanë ndryshuar që të mund të vjedhin legalisht nga buxheti.
E, nëse kanë mundur të ndryshojnë ligje për të vjedhur, mbase nuk është aq e vështirë të ndryshojnë një ligj edhe për kursim.
3E ashtu, duke kursyer, deputetët do të mund të lëvdohen se kanë dhuruar ndonjë gjë. Siç do të lëvdohet kryeministri Zoran Zaev se Qeveria ka dhuruar inkubatorë për gjinekologjinë shtetërore. Si ashtu, paska dhuruar Qeveria? Mos vallë ministrat paskan hequr dorë nga rrogat e tyre? Apo kanë nxjerrë para nga kursimet personale?
Qeveria nuk dhuron. Jemi ne që i bëjmë dhurime Qeverisë ditë për ditë. Me pagimin e tatimeve, qe të mundet ajo me paratë tona të blejë inkubatorë. Dhe gjërat të tjera që na nevojiten. I kemi votuar pasi na premtuan se do t’i shpenzojnë paratë për gjëra që me të vërtetë na duhen. Paratë tona.
4“Donacioni” i Qeverisë u bë i famshëm, ndonëse jo aq i famshëm sa rasti kur Mile Janakieski dhe Zoran Stavreski voziteshin me autobusët e ri të qytetit nëpër Shkup, pasi Gruevskit iu tek ashtu.
Në atë kohë, mund të ndodhte që Nikolla Gruevski të rrijë në Parlament me orë të tëra me zinxhirin e pantallonave të hapur. Por, askush nuk guxonte t’i thotë “ore, kryeministër, dyqanin e ke çelë”.
Në fotografitë e ligjërimit ceremonial për inkubatorët pamë se kryeministri Zoran Zaev kishte veshur në mënyrë të gabuar mbulesën sterile. Por, si duket edhe atij askush nuk ka guxuar t’i thotë gjë. E ashtu josteril siç ishte, vazhdonte të kontaminojë shtetin”.
Askush nuk ka marrë guximin që t’i thotë kryeministrit se ka gabuar. Zëdhënësit filluan të kërkojnë që pyetjet të parashtrohen me drejtshkrim. Zaevi filloi të vonohet në ngjarje nga 40 minuta (edhe pse fakti se kryeministri vonohet nuk do të thotë se është arsye që ngjarja të mos fillojë në kohë. Pasi, ngjarja nuk është për kryeministrin, por për publikun). MPB filloi të mbajë konferenca shtypi për aksione spektakolare me njësi speciale të dielave…
Ndoshta jam paranoik. Por megjithatë, them, më mirë t’i shpalos qëndrimet e mia me kohë. Të mos jetë e nevojshme të m’i përgjojnë telefonatat.
5Ja, ku e kemi Gruevskin duke u kërcënuar përsëri se do të kthehet. Në një megaintervistë me shumë vazhdime. Duke thënë: “Nëse dikush është i aftë dhe punon për shtetin e vet, ose do t’i shpikin se gjoja nuk i respektuaka ligjet dhe me veprat e tij ka bërë krim, ose do t’i shpikin ndonjë aferë seksuale apo diçka të ngjashme.”
Eee, sa ka punuar Gruevski për shtetin e vet. Përgjonte mijëra qytetarë, porosiste shpulla për kundërshtarët e vet politikë “nga ato më të fortat”, ua shkatërronte ndërtesat me dinamit që “mos ta zgjasim shumë”, bënte para me përqindje me “të verdhat” – “se mos është shumë”, blinte mercedes nga 600.000 euro me paratë tona me “ekrane për fëmijë”, bënte pazar me parcela në Vodno “për hiçgjë”…
Nuk është e nevojshme që t’i shpikë dikush as ndonjë krim, as ndonjë aferë seksuale. Gruevski është pjesëtar në aferën më të madhe seksuale në Maqedoni që nga pavarësimi i saj e deri më sot. Të gjithëve na ka kajt nanën.
Përktheu: Fjolla Zllatku