1Rastësia deshi që gjatë festimit të 70 vjetorit të NATO-s të gjendem në Uashington. Mu në ditën kur flamuri maqedonas valoi para pallatit të Bakingamit në Londër, duke lajmëruar shtetin e ardhshëm të 30-të të NATO-s, diplomatët amerikanë me të cilën kisha rastin të takohesha shprehnin gëzimin e tyre për suksesin tonë. E ndërkohë, unë, larg shtëpisë, me një dallim të mirë kohor, mezi prisja që të lidhem me internet e të shoh – se ç’ka të re.
Ç’të re? Si gazetar, 30 vjet me radhë jam në pritje të lajmit se Maqedonia është e sigurtë, se të gjitha pyetjet lidhur me ekzistencën tonë kanë marrë fund, se nuk ka më shqetësime rreth asaj se dikush ta pranon apo jo gjuhën, emrin apo shtetin, apo se do të ketë luftë…Qe 30 vjet jetojmë të frustruar duke dëgjuar gjëra si “nuk është fer kjo puna e Greqisë”, “çështja e emrit është diçka irracionale”, “ju e meritoni, ju keni të drejtë…”, por…E dini? Ata janë brenda, kurse ju jashtë. E tani edhe ne jemi brenda. Nuk qëndrojmë më te korridori, para derës, në pritje për të na thënë se çfarë kanë vendosur
Historia jonë po zhvillohet përpara syve tanë, kurse unë jam në kërkim të rrjetit për të parë nëse i gjykuari i tretë me radhë. Kërçovari, ka marrë apo jo tre vjet burg nga pranimi se ka reketuar shokun Orce Kamçev, të dyshuar për krim rëndë. E të shoh në ka diçka të re në “Reket” dhe se çfarë kanë thënë për këtë Orce dhe Boki 13.
2E prapë, çuditem. Si, ç’ka të re? Epo…po hymë na NATO. Kjo është kurora e gjithë betejës sonë. Është një punë e mbaruar. Pa kthim pas. Nënshkrimi i ratifikimit nga kjo qeveri apo nga qeveria e ardhme, tashmë ka pak rëndësi. Më e rëndësishmja nga të gjitha është se ne nuk jemi vetëm. Tashmë kemi 29 bashkëpunëtorë, të cilët na e garantojnë ekzistencën. Kjo është një shkarkesë goxha e mirë psikologjike.
Për herë të parë populli maqedonas ka krijuar shtetin e vet duke luftuar në anën e antifashistëve të Luftës së dytë botërore. Kësaj here, populli maqedonas i mundëson siguri shtetit të vet. Nga Jajce 1943 deri te Londra 2019. Me të vetmin dallim që në Jajce më 29 nëntor, delegacioni maqedonas nuk ia doli të ishte i pranishëm. Ndërsa në Londër mbërriti madje dhe parakohe. Atëkohë Tito bashkë me pesë republika të tjera të pavarura garantuan sigurinë tone. Kurse tani atë e garantojnë 29 Titoistë.
3E – ç’të re paskemi? Si mendoni? Epo…VMRO-DPMNE kërkon ratifikim të menjëhershëm të protokollit për anëtarësi në NATO. Që kur panë flamurin maqedonas të valonte mes atij amerikanit dhe të Britanisë para pallatit të Bakingamit dhe që kur u vërtetuan se fotografia grupore e tridhjetë shtetasve me mbretëreshën Elizabeta nuk është “e prerë, e ngjitur dhe e montuar”, përnjëherë u shqetësuan se mbase ratifikimi i NATO-s nuk do të kalojë në Parlamentin maqedonas.
Hristijan Mickoski i lëshoi kthetrat vetëm e vetëm që të mos kalonte marrëveshja e Prespës. Ato fushata që zhvillonte, ata tradhtarë që shpiku, ç’nuk bëri që referendumi për ndryshim të emrit që garantonte hyrjen në NATO, të dështonte. I shtynte deputetët e VMRO-DPMNE-së Parlament të ngjitur për muri në kur votohej ndryshimi i Kushtetutës për garantim të anëtarësisë në NATO. E ato shtypjet që i shkaktonte deputetëve për të votuar, duke u dërguar njerëz që t’u protestojnë para shtëpive se kanë votuar për NATO-n. Vetë e quajnë veten “severgjanë” edhe pse si NATO edhe e gjithë bota e pranon ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase. Për më tepër, ata do të vazhdojnë së kërkuari tradhtarë e së kërcënuari dhe në zgjedhjet e radhës do të premtojnë se do të ndryshojnë marrëveshjen e Prespës që na mundësoi NATO-n.
Tani ata thonë se do të shkojnë aty ku Zaevin nuk e kanë pranuar. Se do ta shpëtojnë Maqedoninë. Ç’do shpëtojnë, more? Nga kush do ta shpëtojnë? Hymë në NATO. Koka e krisur e Zaevit me portierët e amnistuar të 27 prillit 2017, me kriminelin e gjykuar e të arratisur Gruevski, me gjykatësit e defterëve, me bojkotin e referendumit, me prokuroren speciale të akuzuar për reketimin e atyre që ka hetuar, me të arratisurit e akuzuar për përgjimin illegal, me gjithë ekzibicionizmin e Boki 13, me gjithë rekordin e ndotjes së ajrit, me gjithë mbeturinat dhe këta kontejnerë të rinj, me gjithë administratën tone të partizuar e dembele, me gjithë klientelistët që presin mëshirë nga partia për t’i punësuar “në punë të shtetit”, me gjithë ato ndërtime të paligjshme dhe të gjitha ndërtimet kaotike, me baltën para shtëpisë së Persës dhe nëpër gjithë shtetin, me gjithë Aleksandrin dhe koqet e Bukefalit, me barokun prej gipsi, neoklasicizmin dhe anijet që presim t’i marrë lumi…
Është tepër vonë, zonja dhe zotërinj të rretheve të Mickoskit dhe mbrojtës të veprave të Gruevskit. Ne jemi NATO. Kurse juve ju ka shkelur realiteti.
4Është gjë normale që opozita të jetë kundër qeverisë. Kuptohet edhe fakti se kanë urrejtje ndaj Zaevit, po edhe se e mbrojnë Gruevskin. Por pavarësisht të gjitha këtyre, Mickoski dhe kryesia aktuale e VMRO-DPMNE-së e kishte për detyrë që të mbështesë shtetin në rrugën e tij drejt NATO-s. Të gjtihë, si jashtë dhe brenda, i nxitën që të shfrytëzojnë mundësinë që të kenë edhe ata kontribut në këtë sukses. Kurse ata bënë të pamundurën që ta pengojnë rrugën drejt NATO-s, pa ofruar paraprakisht një alternative, përveç britmave se “të gjithë janë të njëjtë”. Në mesin e kësaj histerie nuk arritëm të gëzohemi, për këtë sukses historik që na erdhi.
Qeveria ndryshon. Ashtu si dhe deputetët dhe kryeministrat. Mirëpo për kthesa të tilla historike siç është hyrja në NATO ajo që mbetet është kujtimi se kush ishte “pro” dhe kush “kundër”.
Është e sigurt se shteti ekziston. Nëse do të jetë ky një shtet ku do të duam të jetojmë apo një shtet ng ai cili do të duam të ikim, kjo do të varet nga ne dhe nga ajo që presim nga ata që do të përzgjedhim në zgjedhje.
Përktheu: Fjolla Zllatku