JETA ËSHTË KËNGË

Amerikanët vendosën të na i rinovojnë edhe përmendoret nga Lufta e dytë botërore. Mesa duket ata kanë më tepër vetëdije për kuptimin që ka antifashizmi për shtetin tonë sesa gjithë qeveritë tona të bëra bashkë.

1 Festimi qendror i 11 tetorit, Ditës së kryengritjes kombëtare kundër fashizmit, shënohet në një mënyrë unike. Tashmë disa vite me radhë, delegacionet nuk vendosin lule para përmendores Makedonka në Kumanovë, ku prehen eshtrat e mbi 300 luftëtarëve, por – pas përmendores. Presidentë, kryeministra, ministra vijnë çdo ditë që t’u përkulen luftëtarëve të cilët në luftën antifashiste dhanë jetën për Maqedoninë e lirë, e ndërkohë nuk vënë re se i gjithë kompleksi është duke u shkatërruar. Qeverisë i është kujtuar se si ta fshehë faktin se është vjedhur një pjesë e relievit prej bakri, se mungon një pllakë me emrat e dëshmorëve të rënë dhe se rrugicat dhe sipërfaqet me lule dhe bar që çojnë deri te përmendorja janë prishur krejtësisht. Andaj, në mënyrë aq jologjike, siç edhe u ankuan nga Unioni i luftëtatëve, delegacionet vijnë nga ana e pasme, si dhe i gjithë manifestimi me folësit dhe muzikën zhvillohen pas shpinës së Makedonkës. Nga ajo anë pllaka është deri diku në gjendje të mirë, e sidomos kur i vë përsipër një qilim të kuq, turpi fshihet për bukuri.
Ministresha e kulturës Bidera Kostadinovska-Stojçevska lajmëroi se Ministria për vitin 2023 po përgatit “një lloj strategjie nacionale për restaurim, freskim dhe çdo lloj korrigjimi të përmendoreve të Luftës nacionalçlirimtare dhe Luftës kundër fashizmit”.

O Zot i madh, vallë, duhet strategji për mirëmbajtje të përmendoreve? Përse, thjesht, komunat nuk kujdesen për përmendoret që ndodhen në territorin e tyre? Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski nuk e sheh se në çfarë gjendje është edhe përmendorja edhe rrethina e kompleksit. Vallë, të duhet një strategji nacionale për kositjen e barit, ngjitjen e pllakave, mbjelljen e luleve dhe shërbimin e rojeve? A nuk janë Prilepi dhe Kumanova në konkurrencë për atë se ku ka krisur pushka e parë? Mesa duket në Prilep ka qenë, sepse atje Tuma e të pamposhturve është e mirërregulluar. Kryetarja e Shkupit Danella Arskovska nga dritarja e kabinetit të saj mund të shohë se piedestalet nga të cilat janë vjedhur bustet e Nikolla Vapcarovit dhe Kole Nedellkovskit tashmë dy javë qëndrojnë të rënuara në Parkun e qytetit. Edhe ajo mesa duket po e pret strategjinë e Biserës.

Është rrënuar edhe shtëpia në fshatin Podvis të Kërçovës, ku në territorin e parë të çliruar partizanët kanë organizuar mësim për fëmijët në gjuhë maqedonase. Kjo ka ndodhur në 23 shtator të vitit 1943, pothuajse një vit të tërë para ASNOM-it. Ka mbetur vetëm pllaka përkujtimore e dëmtuar nga plumbat, që dikush e kishte lënë në bodrum. Shtëpia është regjistuar si trashëgimi kulturore në vitin 1978.

Unë nuk di shtet i cili sillet me kaq neglizhencë ndaj përmendoreve të tij. Është shumë më e tmerrshme që edhe pushtetet qendrore dhe lokale lejuan me moskokçarjen e tyre që të rrënohen përmendoret e luftës antifashiste, të cilat jo vetëm që janë vepra të rralla arkitekturore, por edhe simbole përkujtuese të esencës së shtetësisë maqedonase të fituar nga luftëtarët antifashistë.

Ndërkohë që e presim strategjinë dhe koordinimin e katër institucioneve në 2023, Përmendorja e lirisë në Koçanë në shenjë të kujtimit të luftrave historike të popullit maqedonas nga Kryengritja e Ilindenit deri te lufta nacionalçlirimtare, do të restaurohen me grant prej 254.300 dollarëve nga Fondi ambasadorial i SHBA-ve. Që kur me Fondin ambasadorial na i rinovuan të gjitha përmendoret antike dhe të shekullit të mesëm, tani amerikanët vendosën të na i rinovojnë edhe përmendoret e Luftës së dytë botërore. Mesa duket ata kanë më tepër vetëdije për kuptimin që ka antifashizmi për shtetin tonë sesa gjithë qeveritë tona bërë bashkë.

2 Çfarë kohe na erdhi me veton evropaine bullgare! Ndërkohë që me shkëlqim në sy ecnim drejt BE-së, tani për çdo festë duhet të frikësohemi se cila këngë do të këndohet, nëse të gjitha vargjet do të këndohen apo jo dhe cili është versioni i duhur. Të paktën deri në vitin 2030 kur, siç thotë kryeministri, do ta mirëpresim perspektivën e ndritshme evropiane. Atëherë nuk do të duhet të këndojmë, sepse jeta për ne do të jetë këngë.

3 Vizioni evropian po humb shkëlqimin dhe në vend të tij sërish u shfaq nacionalizmi, tha kryeministri i mëparshëm grek Jorgo Papandreu, raportin e të cilit për perspektivat e BE-së në Ballkanin perëndimor e miratoi Kuvendi parlamentar i Kuvendit të Evropës në Strasburg. Në këtë raport thuhet se: “gjithnjë më tepër njerëz, sidomos të rinj, mendojnë se perspektiva evropiane nuk do të materializohet asnjëherë”.
Bashkëkombësja e tij, ministresha e punëve të jashtme Dora Bakojani ishte edhe më direkte. “Koha e Ballkanit perëndimor po ecën. BE-ja duhet të veprojë menjëherë”, tha Bakojani dhe mori duartrokitje në Kuvendin e Evropës.

Do të kishte qenë e ndershme që Papandreu dhe Bakojani të kishin folur edhe për përgjegjësinë e tyre se pse Ballkani për 30 vjet mbahet në bunker. Vetë ata, si politikanë kanë faj që 30 vjet Maqedonisë ia vrisnin shpresën për europerspektivën me kontestin e palogjikshëm rreth emrit. E hapën derën evropiane të Bullgarisë për një kontest edhe më të palogjikshëm rreth gjuhës dhe identitetit kombëtar.

E tani, Papandreu ankohet që “aspektet evropiane po dobësohen, gjithnjë e më tepër po vihet re një gjeopolitizim i ri në rajon me palë të treta që luftojnë për ndikim dhe thellim të problemeve ekzistuese”.

Epo Greqia e hapi problemin. Bullgaria vetëm sa po e thellon.

Për më tepër që thonë: BE-ja duhet të veprojë menjëherë. Ndërkohë që BE-ja sillet në atë mënyrë që kërkon për herë të dytë ta ndryshosh Kushtetutën, të pranosh se një shtet fqinj mund të të thotë si quhesh, cilën gjuhë flet, a ekziston apo jo. Sepse ti je jashtë, e ata janë brenda.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира