KALI ËSHTË I SHËNDOSHË

Kjo është ajo duhanpirje presidenciale.

KALI ËSHTË I SHËNDOSHË

1 Nuk është se nuk e dinim që Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, që të mund të mbajnë vendin e tyre në qeveri janë marrë vesh për punë të ndryshme të fëlliqura. Mes tjerash, edhe që të ndërprisnin regjistrimin e popullatës në vitin 2011. Megjithatë, kur këto dyshime do t’i konfirmojë PSP me anë të hetimit, bëhet i qartë dimensioni i vërtetë i marrëveshjeve brutale mes partnerëve besnikë shumëvjeçarë.

Është shumë e rëndësishme të zbulojmë se çfarë lloj marrëveshjesh i kanë lidhur Gruevskin dhe Ahmetin për pushtet. Dhe e rëndësishme është të zbulojmë nëse kanë rënë dakord që të mos ketë regjistrim popullate. Që ata të sundojnë të lumtur dhe të gëzuar. E t’ia ushqejnë nacionalizmat njëri-tjerit. Megjithatë, akoma më e rëndësishme është se çfarë bën tani Ali Ahmeti. Vallë, akoma do të na mbajnë peng të gjithëve me nacionalizëm që të mos bjerë koalicioni? E të na kthehet VMRO-DPMNE. E Ahmeti ta ketë më të lehtë të sundojë.

Në zgjedhjet e fundit, LSDM i fitoi votat e shqiptarëve në dëm të BDI-së, e cila i humbi ato. Zaevi nuk i fitoi ato vota për ta ushqyer nacionalizmin e Ahmetit, pas të cilit, në fakt, fshihet banditizmi i BDI-së.

2 Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në mbrojtje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, tha: “Nuk mund të keni qytetarë besnikë përderisa ata nuk e kuptojnë shtetin”. Por nuk mund të keni as shtet, në qoftë se shteti bën gjithçka që qytetarët e tij të mos e kuptojnë. Dhe jo vetëm kaq. Por shteti bën gjithçka që qytetarët të mos kuptohen mes vete.

Problemi nuk qëndron te fakti se secili e flet gjuhën e vet. Problemi është se a do të kuptohemi kur flasim. Dhe përfundimisht – a do të kemi jetë më të mirë në shtetin tonë duke folur në gjuhët me të cilat nuk kuptohemi.
Cili është interesi i përbashkët i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë?

Interesi i përbashkët është të mund të jetojmë mirë, të punojmë dhe në mënyrë të ndershme të përfitojmë rrogën tonë dhe të gjithë në mënyrë të barabartë t’i paguajmë tatimet, por edhe dënimet në rastet kur na zë karrotreci. Interesi i përbashkët është të mos ketë individë apo bashkësi të privilegjuara.

Në përpjekjet për shtetit ashtu siç e duan qytetarët, BDI nuk e tregoi interesin e njëjtë. Nuk tregoi se lufton kundër individëve dhe bashkësive të privilegjuara. Sidomos jo kundër individëve të privilegjuar.

Për çfarë integrimi flasim kur mbajmë këtë lloj koncepti për shtetin dhe për kushtet për besnikërinë ndaj tij? Për disa vjet, në Maqedoni as shqiptarët nuk do të dinë maqedonisht, as maqedonasit nuk do të dinë shqip. Dhe nuk e kuptoj se ku duket fryma evropiane në këtë mes. Dhe çfarë do të thotë evropian në mënyrën e këtillë të të kuptuarit të shtetit. Përveç punës kur shqiptarët, kur do të shkojnë për të punuar në Evropë, do të mësojnë suedisht, gjermanisht dhe holandisht. Por ndërkohë që mbajnë pasaportën maqedonase, nuk do ta dinë gjuhën maqedonase. Sepse, është e qartë se nuk u duhet.

3 Kjo është ajo duhanpirje presdienciale. Presidenti i mëparshëm i Amerikës, Bill Klinton u bë i famshëm me deklaratën: Pija duhan, por nuk e thithja brenda. Kurse kryeministri Zoran Zaev me gatishmëri ia ktheu: Pija duhan, por në një restorant të hapur nga të treja anët. Ndonëse, në foto shihet qartësisht se në restorant ka të paktën dy anë të mbyllura. Po, nejse. Kush do të merret me numërimin e mureve tani.

Shumë më interesante nga ajo se si duket një restorant pa tre mure është mënyra se si kryeministri bëri thirrje që të respektohen ligjet, madje edhe ai për ndalim të pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura. Zaevi tha: “Apeloj që të gjithë ta respektojmë ligjin, tani ai është përshtatur në përputhje me kushtet e tarracave të objekteve”.

Me anë të këtij apeli, kryeministri dha një definicion të saktë të prioriteteve të Qeverisë. Nëse dikush shkel ligjin – ndryshoni ligjin. Dhe bëjeni shkeljen legale.

Me anë të kësaj deklarate, kryeministri tha se Qeveria nuk e ka përshtatur ligjin në mënyrë që të ruajë shëndetin e qytetarëve, por që të ruajë kafexhinjtë që kanë uzurpuar hapësirën publike dhe që prej tarracave kanë krijuar ndërtime të forta, në mënyrë që të mund ta legalizojnë shkeljen e mëparshme të ligjit për ndalim të pirjes së duhanit.

Eeee… Kjo histori tragjike e kafexhinjve të Maqedonisë. Pa shikoi ato në Ohër. Janë për të ardhur keq. Në fillim u rebeluan kundër kryeministrit, pasi ai kishte dashur t’ua rrisë çmimet për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në trotuaret dhe bregun e Liqenit. Ndërsa tani, kryeministri do t’u paguajë dëmshpërblim sepse Liqeni ua përmbyti ndërtimet e paligjshme. Kompanitë e sigurimit nuk sigurojnë ndërtime të paligjshme. Por për këtë arsye, Komuna do t’u paguajë nga paratë e përbashkëta të qytetarëve.

Për më tepër që aq shpejt sa dolën komisionet për vërtetim të dëmit në terren, nuk do të habitesha nëse paratë tashmë kanë mbërritur në faturë. Për përmbytjen në Stajkovci me muaj bënin hesape me të prekurit nga fatkeqësia. Kurse, për kafexhinjtë nuk pritën as sa të qetësohej Liqeni, por menjëherë formuan shtab për kriza.

4 Ministri grek për punë të jashtme Nikos Koxijas, nuk arriti ta heqë përmendoren e Luftëtarit mbi kalë. Që nuk do të thotë se beteja për mbajtjen e tij në sheshin kryesor, Maqedonia, në Shkup do të ndalojë.

Në fillim një grup qytetarësh me performansë artistike mbronte përmendoren e një luftëtari të panjohur të hipur mbi një kalë të panjohur. Më pas, një grup tuiterxhinjsh tallej me mbrojtësit e kalorësit duke thënë se kishte ardhur një vinç nga Bullgaria për ta hequr përmendoren. Mbrojtësit u mobilizuan në mbrojtje të përmendores. E gjetën vinçin dhe e fotografuan. Me dimensione precize dhe me shënim të fotografisë i zbuluan pikat e dobëta të vinçit. Te frigoriferi dhe gomat. Më pas, lajmin për heqjen e lajmëruar e transmetuan disa media. Me tituj katastrofalë, se si kishte ardhur vinçi për ekzekutimin e Aleksandrit. Cilit Aleksandër? A nuk do ta hiqnin luftëtarin? Kanal 5- a u paraqit drejtpërsëdrejti me një raportues para kalit. Kur vinçi nuk u duk në shesh, mbrojtësit shpallën fitore. Kurse Qeveria, që të mos mbetej mbrapa, duhej t’i bashkangjitej histerisë. Kështu zyrtarisht lajmëruan se kali nuk do të shkojë gjëkundi. Por, kjo nuk është e gjitha. Disa media thanë se një pjesë e qytetarëve nuk i besojnë Qeverisë dhe, pavarësisht motit të ftohtë dhe borës, mbeten të vendosur te qëllimi për ta mbrojtur kalorësin. Gjë pas së cilës tuiterxhinjtë lajmëruan se kishin informacion të gabuar. Vinçi i Bullgarisë nuk kishte qenë për heqjen e kalorësit por për të atin e kalorësit nga ana tjetër e Vardarit.

Në momente të këtilla argëtuese, pyes veten: Si më shkoi jeta në këtë shtet jonormal?
Kjo nuk është Monti Pajton. Kjo është Monti Pajton me steroide nga më të fuqishmet të kombinuara me aluminin me të cilin na spërkasin amerikanët në mënyrë që të mos e duam Putinin.

5 Dhe ndërkohë që debatonim sa sa lehtë do të hiqet Luftëtari mbi kalë, askush nuk vuri re se për 10 ditë me radhë nuk po gjendjen mënyrë për ta hequr shkëmbin në rajonin e Velesit, që ka bllokuar rrugën rajonale drejt Qendrës.

Të marrim steroidet apo të presim që shkëmbi të largohet në mënyrë të natyrshme? Të shkatërrohet vetë. Pasi Maqedonia është e përjetshme. Ka kohë të presë.

6 Mbrëmë shkova në një shoqëri tuitap. Ime shoqe më pyet: Për çfarë është tuitapi? I them: Për Prespën. Ajo insiston: Çfarë për Prespën? Them: Nga ta di, si duket UNDP dhe Zvicra po e shpëtojnë Prespën, e tani kanë vendosur t’u bashkangjiten edhe holandezët.

Nga kush ta shpëtojnë? Nga ne?

E, kjo është Maqedonia. Të gjithë përpiqen të na shpëtojnë. Të na shpëtojnë nga vetja jonë. Na, do t’u dorëzohemi ne atyre.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира