KAMXHIKUESI IA FUT KOT

Le të ngarkojmë ç’mund të ngarkohet.

1 Bujar Osmani nuk mund ta fshihte dot gëzimin, kur ministri i punëve të jashtme i Austrisë Aleksandar Shalenberg i tha se, nëse miratohen ndryshimet e kushtetutës, Maqedonia rrezikon të jetë në gjendje izolimi. Demek, ja, nëse nuk më besoni, dëgjoni se çfarë kanë për t’ju thënë kolegët e mi, nga Austria, Çekia dhe Sllovakia, të dërguar në emër të BE-së për t’i inkurajuar politikanët maqedonas që të merren vesh për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, si kusht për fillimin e negocimeve me BE-në.
Austria, Çekia dhe Sllivakia asnjëherë nuk kanë bërë problem për eurointegrimin maqedonas. Çekia dhe Sllovakia madje, edhe zyrtarisht i janë kundërvënë futjes së çështjeve identitare dhe historike në proces, që prej vetos së parë bullgare në vitin 2020.
Edhe tani do të duhej ta falenderonit ministrin çek Jan Lipavski. Ai tha sinqerisht se askush nuk mund të garantojë se pas ndryshimit të Kushtetutës në proces nuk do të ketë kërkesa të reja bilaterale.

Dhe çfarë duhet të themi ne për këtë deklaratë të sinqertë? Mirë, de. Le ta ndërrojmë ne edhe njëherë emrin, për çdo rast, e pastaj bullgarët le të kërkojnë diçka tjetër.

Puna është – ne nga BE e lamë në baltë Maqedoninë dhe e mashtruam duke i lejuar Bullgarisë dhe Radevit si një dorë e zgjatur e Putinit, të imponojë një kornizë negociuese e cila nuk do të ketë asnjë lidhje me të ashtuquajturat vlera evropiane, por le ta rregullojmë tani me inat belanë që e bëmë. Kujt do t’i bjerë shkopi? Sigurisht, më të dobtit.

A thua se paska qenë problem ndryshimi i Kushtetutës. Ne ndryshuam emrin e shtetit, e nuk do t’i vendosim bullgarët në Preambulë!?

Mirë, ama, të paktën pas vizitës së treshes evropiane të miqve, janë pastruar dy çështje.

E para – a do të ketë ndryshim të Kushtetutës? Do të ketë.

E dyta – pas ndryshimit të Kushtetutës, a do të ketë Bullgaria kërkesa të reja? Do të ketë.

2 Ministri austriak Shalenberg, i cili tani na u kërcënua me izolim, para më pak se dy muajsh, nga fundi i majit, në një konferencë në Bratisllavë për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor tha se “duhet të jemi të çmendur t’iu lejojmë shteteve tjera të hyjnë aty”.
Duke folur se si historia i ka mësuar se jostabiliteti i Evropës juglindore do të thotë dhe jostabilitet i Evropës Qendrore, ai tha: “Ose do të arrijmë ta heqim dhe betonojmë përgjithmonë modelin tonë të jetesës, ose do të përballemi me mënyra të reja të jetesës, kineze, turke, ruse, çfarëdo, po kjo nuk do të na pëlqejë”.

A e dini se çfarë ka në gjithë këtë budallallëk që Bullgaria ia imponoi gjithë BE-së, e qeveria jonë e përbuzur e pranoi të paketuar si propozim francez? Fakti se erdhëm deri në një gjendje të tillë, që kërcënimet të na vijnë nga miqtë dhe bashkëpunëtorët. Nuk na kërcënuan ata që nuk i kemi bashkëpunëtorë dhe ata për të cilët miqtë na thonë se i kemi armiq.

3A thua se deri tani kemi qenë të integruar, e tani e tutje do të jemi të izoluar. Nuk mund të ekzistojë kërcënim për izolim, kur ne edhe ashtu jemi izoluar 20 vjet mu për shkak të sjelljes së këtillë të BE-së. Ne me asgjë nuk kemi merituar të ndëshkohemi.
Nëse nuk do të na vinte Franca veton për zgjerim në 2020, dhe atë me arsyet më vetjake, se Makronit i afroheshin zgjedhjet lokale, atëherë do ta zinim rrugën e marrëveshjes së Prespës dhe to t’i fillonim negociatat me BE-në pa hapësirë për kushte të reja.

Nejse. Vetë negociatat nuk janë kaq të rëndësishme. Është më me rëndësi se qeveria e atëhershme maqedonse ndoshta do ta kishte përdorur shansin për ndryshime esenciale për një qeverisje edhe më të mirë edhe më të ndershme. Mirë ama, në fillim vetoja franceze, e pastaj tre vetot e Bullgarisë i dhanë qeverisë alibinë të mos punojë mirë në shtëpi, kurse justifikim për gjithçka të jetë edhe një ndryshim i Kushtetutës.

Të paktën Zaevi ishte i sinqertë. Thoshte: “Neve na duhet një kamxhikues”.

Epo kamxhikuesi ia futi kot.

LSDM-ja kishte shans historik, pas 11 vjetëve të qeverisjes keqbërëse të VMRO-DPMNE-së, me dashmirësinë e kaq shumë njerëzve, të cilët as nuk ishin votues të tyre, që nga Maqedonia të bëjë një shtet normal. Pa i marrë parasysh bullgarët, krizën e kovidit, BE-në me pritjet e zhgënjyera dhe vlera e humbura, duhej të paktën të qeverisnin mirë. E jo ndaj çdo kritike të përgjigjen: “Doni t’ua kthejmë Gruevskin?”. Tani, kur qeveria është në fund të mandatit, as nuk e fshehin se çfarë kanë prioritet. Le të ngarkojmë ç’mund të ngarkohet.

Ky është dëmi i madh historik për Maqedoninë pas 30 vjetësh në rrugën e BE-së.

4 Kur i dëgjoj të punësuarit në administratën gjyqësore që kërkojnë rroga më të larta se si kërcënohen se “nuk do të mund të nxirrni asnjë vërtetim, do të shihni”, pyes veten: Kujt po i kërcënohen se nuk do të mund t’i japin vërtetim për mosgjykim? Neve? Ashtu sikurse na kërcënojen doganierët se do të na i mbylllin kufijtë dhe të punësuarit e DAP se jo të gjithë do të marrim rroga?
Harrojnë se janë shërbim publik. Harrojnë se janë në shërbim të qytetarëve. Kërcënime të tilla dërgoni në partinë ku keni ngjitur postera që të fitoni punë shteti.

Qeveria e ktheu në procedurë Ligjin për tatim solidar, për kompanitë të cilat në krizën e kovidit kanë bërë profit prej 10 milionë eurosh. Në po atë seancë, mori vendim që administratës publike nga shtatori t’ia rristë rrogën për 10 përqind dhe t’i paguajë K-15 prej 10.000 denarë deri në fund të vitit. Kurse ministri i financave Fatmir Besimi thotë se paratë nga tatimi solidar do t’i harxhojë për zhvillim. Ky ligji nuk do të jetë pjesë e sistemit tatimor, por do të vlejë vetëm kërë vit dhe do të shtyhet me flamurin evropian që të mund të vijnë paratë më shpejt. Puna është – ajde të mos ju dërgojmë inspeksione në firma, na pagoni aq sa na duhet deri në fund të vitit, sepse kjo administratë e llastuar publike na hidhërohet se na i rritën rrogat për 78 përqind, e nuk kemi para që atyre t’u japim të paktën 10 përqind. Për më tepër që, po afrohen zgjedhjet.

Shumë i shkon emri – tatim solidar. Solidar për kë? Për ata që na kërcënohen edhe neve si qytetarëve si individë por edhe biznesit privat se nuk do të na japin shërbime. Në këtë shtet mbajnë greva vetëm ata që i harxhojnë paratë, e jo ata që i bëjnë paratë. Lehtë e kanë ata që janë me rrogë të siguruar shtetërore që të kërcënohen: “Nuk do të japim vërtetime, e do të shihni”. Po sikur ne të kërcënonim dikë ndonjëherë: “Nuk do të paguajmë tatime, e do të shihni kur të mbeteni edhe pa ato rroga që keni”.

5 Komuna e Strugës ndaloi shëtitjen me bikini dhe larjen në Dri dhe nëpër çarshi, madje edhe sajoi disa shenja të reja për këtë. Për amoralitetin e ndërtimeve të paligjshme, plazheve të uzurpuara, ndezjen e kallameve, platformave në liqen, shqetësohet shteti maqedonas. Për amoralitetin e kryetarit u shqetësua shteti amerikan. Dhe, çfarë i mbeti komunës? Ta mbrojë Strugën nga amoraliteti i turistëve. Me siguri do të vërtitet ndonjë para nga shenjat e reja.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира