KEMI FOLUR ME HATIXHEN

Gjykatësit tanë, avokatët, njerëzit e arsimuar, nektari i inteligjencës në çdo vend, ngritën Gjykatën Kushtetuese vetëm për të vërtetuar se nuk duhet të jenë solidarë.

KEMI FOLUR ME HATIXHEN

1Ishte shumë në modë të ndanim urtësitë e Hatixhes: “Gjysma për mua, gjysma për bletët”, apo jo? Epo sa selfie që na panë sytë me heronjtë e filmit të kandiduar për Oskar “Tokë e mjaltit.” Qilima të kuq, duartrokitje, emocione, fshirje lotësh…postime të thella në Facebook, ambientalistë të vetëdijshëm, elitistë, vetëdijësime jetësore se natyra është dhënëse, ajo na kthen dhe hakmerret…

Mirë ama, ajo ishte për natyrën. E kur bëhet fjalë për shoqërinë, papritmas dikush tjetër duhet të jetë Hatixhe. Pse, të gjitha unë do t’i bëj!?

2Gjykatësit, të cilët para Gjykatës Kushtetuese paraqitën një iniciativë për shfuqizimin e dekretit të Qeverisë sipas të cilit edhe ata së bashku me deputetë, ministra, drejtorë të ndërmarrjeve publike duhet të merrnin pagë të ulur – minimale për dy muaj, për të mbushur hendekun e buxhetit në luftën kundër pandemisë KOVID-19, janë edhe më të këqij se fqinjët e Hatixhes. Ata ishin injorantë dhe tejet të varfër, e të nxitur nga lakmia e blerësit të mjaltit e shkelën rregullin e gjysmës për mua, gjysma për bletët. Por gjykatësit nuk janë të varfër. Ata i nxit vetëm lakmia. Gjithçka për mua, asgjë për të tjerët.

Jo se shpresonim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese do të vendoste ndonjë gjë në favor të shtetit. Por, thosha me vete, qytetarët presin me vite që gjykatësit kushtetues të vendosin për iniciativat e tyre, kështu që edhe në gjendje të jashtëzakonshme, në kushte krize botërore, ata nuk do të mund të takohen kaq urgjentisht. Por pagat e tyre janë në rrezik. Le që do kishin për të ngelë të uritur për të paktën dy muaj me një pagë minimale, por gjithashtu nuk besonin se ku do të përfundonin paratë e tyre. Hej! Gjykatës kushtetues!  Si institucioni më i lartë në vend, ata nuk u besojnë institucioneve të tjera se si do t’i shpenzojnë paratë e tyre. Dhe ne, kujt duhet t’i besojmë?

Po edhe Komisioni kundër korrupsionit, i cili arriti të gjente një konflikt interesi për të gjithë në vend dhe nepotizëm deri në gjeneratën e tretë, këtë herë nuk pa ndonjë konflikt interesi midis gjykatësve kushtetues sepse vendosnin për pagat e tyre.

Njerëzit vdesin nga një sëmundje e panjohur. Punëtorët humbasin punën e tyre. Ata do të mbeten edhe pa pagën minimale. Mjekët dhe infermierët po sëmuren. Kopshtet nuk funksionojnë, shkollat nuk funksionojnë. Studentët rrinë në shtëpi. Nuk ka udhëtime. Nuk ka socializim.  Nuk ka koncerte. Pensionistët janë robëruar në shtëpi. Nuk ka ekzaminime mjekësore, operacionet e planifikuara në spitale po anulohen…Është një pandemi.  Krizë botërore.  Dhe të gjitha këto kufizime janë kushtetuese dhe ligjore. Vetëm shkurtimi i pagave të gjykatësve nuk është i ligjshëm.

3Në periudha të vështira, duke edhe karakteri i njerëzve. Po edhe karakteri i gjithë shoqërisë.  Kur, përveç ligjeve të shkruara në letër, vlejnë edhe disa ligje të tjera. Për shembull ligji i faqes së pastër. Ligji për moral.  Ligji për empati.  Ligji për dhembshuri.  Ligji për ndihmë.  Për njerëzillëk…

E pastaj pyesim veten pse ishim të fundit në Ballkan që krijuam një shtet… Sepse nuk kemi asnjë sens bashkësie. Sepse ne e shohim të kemi vetëm të mirë personale e jo të mirë kolektive.  Sepse me rëndësi shtëpia jonë është e pastër e mbeturinat i hedhim para derës. Shpenzojmë mijëra euro për vetura të shtrenjta dhe i parkojmë në bar, në mënyrë që të mos paguajmë 50 denarë për parkim. Mburremi te komshiu për kuzhinën e shtrenjtë, por do të ankohemi se 400 denarë është tepër shtrenjtë për të mirëmbajtur hyrjes së ndërtesës.   Pastrojmë oborrin në fshat, e me mbeturinat dhe degët do t’i bllokojmë kanalet e do ta shajmë shtetin, kur të na vërshojë shiu i verës.

Pas tërmetit katastrofik në 1963 në Shkup, të gjithë punonjësit në tërë Jugosllavinë linin mënjanë një ndihmë ditore për të ndërtuar një qytet të fortë solidariteti. Nëse do të ishte atëherë Gjykata kushtetuese e shtetit të përbashkët me të njëjtën mendje si kjo e tanishmja, do të vazhdonim të jetonim në rrënojat e tërmetit.

Ja, shikoni nivelin e ndërgjegjësimit tonë për shtetin. Gjykatësit tanë, avokatët, njerëzit e arsimuar, nektari i inteligjencës në çdo vend, ngritën Gjykatën Kushtetuese vetëm për të vërtetuar se nuk duhet të jenë solidarë.

4Prandaj, nuk është për t’u habitur kur qytetarët, ndaj thirrjeve të shtetit për dhurime, për shembull përmes “TVSH time”, përgjigjen:  Për kë duhet të dhuroj? Për gjyqtarët e korruptuar? Për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve? Për fistikët dhe lajthitë e zyrtarëve? Për kryetarët e komunave që sillen si sherifë lokalë? Për zyrtarët shtetërorë që nuk mund të gjesh kur të duhen? Për mijëra punët fiktive për të marrë një pagë shteti?

Mirë që nuk ua prekën rrogat, por edhe vazhduan të qëndrojnë në shtëpi.  I mbrojti sindikata e zyrtarëve publikë.  Përkufizimi i një sindikate përfshin fjalën “solidaritet reciprok”. Ata mund të linin mënjanë të paktën një solidaritet çdo ditë për të krijuar një fond për punonjësit e sektorit privat që do të humbnin punën e tyre. Sepse nëse nuk ka për sektorin privat, nesër nuk do të ketë pagë as për shtetin.

Jeta është marrje dhe dhënie.  Ky është thelbi i sistemit të qëndrueshëm të Hatixhes.  Nuk është e mundur që vazhdimisht të marrësh.  Nganjëherë duhet edhe të japësh.  Pasi nëse vetëm merr, e nuk jep, në fund nuk do të kesh nga ku të marrësh.

Kur ekrani “Skanoni dhe dhuroni” shfaqet në ekranin tuaj të celularit, përpiquni të mos lejoni që ato personazhe të dalin para syve tuaj, megjithëse fatkeqësisht ne i perceptojmë ato si fytyra e institucioneve shtetërore. Le t’ju dalë imazhi i mjekut ose infermierit me gjurmë të lëkurës nga pajisjet mbrojtëse. Tani ata janë fytyra e vërtetë e këtij vendi. Dhe jo parazitët e shtetit që kanë ngecur në administratën publike, sepse kanë ngjitur disa postera apo kanë luajtur në mbrëmjet e komitave.

5Shënimi i  “Të enjtes së përgjakshme” këtë vit ra të hënën. Dhe sërish, për kush e di se të satën herë, ua tërhoqa vëmendjen kolegëve të mi gazetarë që vazhdojnë të përdorin termin idiot “e enjtja e përgjakshme” për sulmin e organizuar të parlamentit që ndodhi në 27 prill të vitit 2017.

Ne kishim një sulm në parlament për të cilin tashmë ka 33 të gjykuar për organizim terrorist dhe disa të amnistuar, si dhe fillim të procesit të gjykimit për organizatorët e sulmit.  Njëri nga të akuzuarit është arratisur në Budapest.  Shteti ishte para një lufte civile.  Nuk dua as të imagjinoj se çfarë do të ndodhte tani nëse do të kishte pasur sukses ai tentim për grusht shtet.

A e dini se çfarë ndodh kur me poezi përpiqeni ta ndryshoni prozën e 27 prillit?  Shërbimi publik vazhdon të lajmërojë për “ngjarjet e pakëndshme”.  Dhe VMRO-ДПМНЕ ende vlerëson “mbrojtësit e kushtetutës”. Dhe, pas vetëm 3 vjetësh, të gjithë harruan që i arratisuri në Budapest Nikolla Gruevski, i akuzuar si organizatori kryesor i sulmit në Parlament më 27 Prill 2017, atëherë deklaroi: “Nëse dikush do të donte ta vriste Zaevin, do ta kishte vrarë.”

Përktheu: Fjolla Zllatku

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира