1Vallë, akoma mendoni se mund të mbështeteni te ndërgjegjja dhe arsyetimi demokratik i deputetëve të VMRO-DPMNE-së në Parlament për votimin e amendamenteve të Kushtetutës, të cilat do të hapin perspektivën e shtetit ndaj BE-së dhe NATO-s? Edhe miqtë e BE dhe NATO, që vdiqën duke na ndihmuar që të na futin disi në shoqërinë e tyre, akoma i mban entuziazmi dhe shpresa se VMRO-DPMNE do të ngrihet mbi interesin partiak dhe do të mbledhin shumicën e nevojshme për miratimin e amendamenteve.
Duhet të jeni me të vërtetë shumë optimist nëse mbështeteni te ndërgjegjja e tyre. Ç’ndërgjegjje është ajo, çfarë demokracie mund të ketë në një parti ku morali ka kohë që ka ikur? Ata nuk janë vendosur deputetë që të mendojnë me kokën e tyre. E dinë shumë mirë ata se pse janë vendosur në listat e deputetëve. Dhe se si janë vendosur.
Çfarë ndërgjegjje dhe sedre kërkoni nga njerëz që kanë nënshkruar fatura këmbimi për të vërtetuar besnikërinë ndaj partisë? Kur partia e tyre nuk ka pasur besim te ta, pse duhet ta kemi ne?
2Për çfarë demokracie po flasim, për çfarë debati, për çfarë logjike, kur për disa prej tyre vrasjet dhe kërcënimet janë edukatë familjare? Deputeti Antonio Milloshoski na tregon barcaleta se si gjyshja e tij i kërcënohej se do t’ia shqyente kokën. Shumë i mprehtë ky Antonio. Para dy javësh në gjyq u lëshuan incizimet, ku u pa se çfarë plani monstruoz kishte shpikur që të çonte në burg një kundërshtar politik duke bërë të duket sikur ky i dyti paska falsifikuar letra njoftimi. Para kësaj, të gjithë dëgjuam se si porosiste lustrime të një gjykatësi.
E ne tani, të qeshim me barcaletat që thotë?
Deputeti Ilija Dimovski në shekullin 21 na shpjegon se e majta dhe e djathta do të hynë në luftë vëllavrasëse si para 100 vjetësh. Menjëherë të fluturojnë kokët.
Besa, të themi të vërtetën, kjo shoqëri e ligë po keqpërdor emrin e VMRO-së dhe në 24 dhjetor dhe në 27 prill vërtetoi se është e gatshme edhe të vrasë. Edhe në shekullin 21.
3Edhe ai Hristijan Mickoski, që nuk pati guximin të kërkojë publikisht që të votohet “kundër” në referendumin për emrin, tani thotë turli budallallëqesh se 1.200.000 janë deklaruar se janë “kundër”. Jo more. Vetëm 37.700 kanë qenë “kundër”. Dhe këta njerëz, për dallim nga ai nuk kanë qenë burracakë. Kanë mbajtur qëndrim. Nuk kanë qenë burracakë as ata 19.221 vetë që kanë bërë fleta të pavlefshme. “Pro” kanë votuar 609.813 qytetarë.
Mickoski nuk është budalla që të mos e dijë se në demokraci vlejnë vetëm votat e atyre që kanë dalë për të votuar dhe që mund të numërohen. Kur tashmë VMRO-ja ka filluar të na etiketojë si patriotë apo tradhtarë dhe kërcënohen me luftë vëllavrasëse, atëherë le t’i llogarisin me matematikën e tyre lozonjare edhe burracakët si lideri i tyre.
Me Maqedoninë dhe Greqinë, NATO dhe Rusia luajnë si në kohën e Luftës së ftohtë. Nga opozita, shokët nga Perëndimi presin që të tregohet përgjegjshmëri historike. Mickoskin e mendojnë si ndonjë faktor nga i cili varet siguria rajonale. Ndërkohë që atë e intereson vetëm të shtyhet vajtja e Gruevskit në burg.
4Kur veçmë po thoni barcaleta, thoni dhe ndonjë për atë shoqëri që mund të ngrihet mbi intereset partiake. Demek, thonë se do ta dallojnë momentin e duhur dhe do të mbajnë llogari për intereset shtetërore. Do të treguakan përgjegjshmëri historike.
Po si! Kur kanë mbajtur ata llogari për interesin shtetëror? Flasim për ndërgjegjshmëri dhe ndershmëri në një parti ku lidershipi për 11 vjet me radhë e ka plaçkitur shtetin. Ne akoma nuk i kemi parë të gjitha. Akoma nuk është zbuluar se çfarë kanë bërë me të vërtetë. Sa sa familje janë katranosur, sa biznese janë shkatërruar. Këtë gjë nuk kanë mundur ta bëjnë vetë.
Ata vazhdojnë të qeverisin me paratë që i vodhën nga ne. Si? Me njëqind mijë klientë të futur nëpër të gjitha institucionet, nga niveli i shtetit e deri në ndërmarrjen e fundit komunale shtetërore apo agjencinë për luhatjen e dyerve. Mos mendoni se i ka mbajtur bashkë ideologjia? Se bëjnë ndonjë dallim se çfarë është e djathta, e çfarë e majta? Se i ka bashkuar religjioni? Vlerat familjare? Apo integrimet euroatlantike? I kanë bashkuar paratë. Dikë kanë punësuar, dikujt tjetër i kanë dhënë karrigen e drejtorit, dikë kanë bërë sekretareshë, dike tjetër arkivues, kopjues, dikujt i kanë dhënë tender, dikujt shërbim diplomatik jashtë shtetit, dikujt udhëtime zyrtare, dikujt pushim të pafundmë pa ardhur asnjëherë në punë…
Gruevski qe dy vjet nuk është më në pushtet, ndërsa ata akoma e kanë frikë. Eh, normalisht. E dinë ata se kujt i kanë borxh. Se mos i nxori Gruevski paratë nga xhepi i tij që t’i lumturonte nga dashuria e madhe që ndjen për ta. Dëgjuam ne, e tani po del dhe në gjyq se prej ku burojnë ato para. Dhe se si është krijuar e gjithë ajo ushtri.
Nuk u besoj kur thonë se janë trembur nga kërcënimi se do t’i fotografuakan e se do t’i etiketojnë si tradhtarë nëse do të dalin në referendum. Pasi, nëse kanë qenë aq frikacakë, do të kishin frikë edhe nga mosetiketimi se nuk kanë dalë për votim. Jo more. Atyre thjesht u erdhi koha për të kthyer borxhin. Partia u tha ta bojkotojnë referendumin për marrëveshjen me Greqinë dhe ata iu bindën menjëherë. I shpërlanin borxhet ndaj partisë. Se Gruevski dhe banda e tij krimineli mund të shpresojnë se do të jenë faktor në Maqedoni vetëm në rast krize.
5Ata klientë tani na tregojnë përralla patriotike se e mbruakan identitetin dhe për këtë arsye nuk e pranojnë marrëveshjen me Greqinë. Po ata, identitetin e tyre nuk kanë mundur ta ruajnë, e le më identitetin e shtetit. Ata identitetin e tyre e dhanë që të figurojnë si pronarë dhe drejtorë të qindra kompanive me të cilat familja mafioze e plaçkiste shtetin. Sa herë e kanë vënë nënshkrimin e tyre për ta fshehur pronarin e vërtetë? Komisionet për blerje publike ishin dëshirtorja e Gruevskit dhe e banditëve që e rrethonin.
Kjo infrastrukture klientësh që VMRO-DPMNE-ja e ndërtonte për 11 vjet, e vazhdon edhe gjatë dy vjetëve të fundit ta mbajë me paratë tona, është kërcënimi më i madh për identitetin. E jo emri Maqedonia Veriore.
6Për më tepër, cila është diferenca mes klientëve të VMRO-SPMNE-së që nuk kanë dalë për votim për referendumin sepse ashtu u ka thënë partia nga anëtarët e LSDM-së që gjithashtu nuk kanë dalë sepse partia nuk i ka punësuar? Asnjë diferencë. Asnjërës palë nuk i ka interesuar për shtetin. Kush për qëllim, kush për inat.
Kështu pra, le të mos llastohet shumë Zoran Zaevi se koalicioni “Për Maqedoninë Evropiane” do të fitojë shumicën në zgjedhjet e parakohshme. Sidomos jo tani, kur edhe zëvendës kryeministri i eurointegrimeve Bujar Osmani nga BDI është nën hetimin e PSP-së.
Nuk fitohen zgjedhjet me lëshimin e bagerave në Vodno gjatë festive dhe me mashtrim. Nuk fitohen zgjedhjet me kuadro të tipit të shvercerëve, si kryetari i Novo Sellës, për të cilin ndonëse e kanë ditur se është i kushtimisht i gjykuar, e kanë kandiduar. Ashtu siç nuk fitohet zgjedhjet me gjendjen e vazhdueshme të justifikimeve se asgjë nuk mund të bëhet sepse VMRO- ja ka shkatërruar tepër. Ose, kur ishin në opozitë i mbështesnin referendumet në juglindje kundër hapjes së minierave, ndërsa tani kur janë në pushtet deputetët e LSDM-së thonë se me punën e minierave nuk rrezikohet mjedisi jetësor dhe se respektohen standardet ekologjike dhe se nuk duhet të ketë kuorum për votim të Ligjit për minerale të papërpunuara. Apo me kuadro si kryetari i Aerodromit Zllatko Marin, i cili fitoi në zgjedhjet duke premtuar se do ta pengojë uzurpimin e gjelbërimit, ndërsa tani arsyetohet se nuk ka mundur ta rregullojë atë që ka bërë Ivica Koneski. Madje edhe mbështetësit e tij tallen duke thënë se LSDM më parë do të ndryshojë Kushtetutën, se sa kryetarët e tyre të komunave.
Kjo pra është arrogance tipike e LSDM-së e kombinuar me dembelizëm dhe improvizim ashtu siç e mbajmë mend që nga koha e Brankos. Pas të gjitha atyre ngjarjeve të rëndësishme historike falë aktivizmit qytetar, sidomos në nivel lokal, ata akoma mendojnë se do të mund t’i mashtrojnë qytetarët, vetëm sepse zullumet e VMRO-së janë akoma aktuale. Harruan shumë shpejtë se regjimi nuk bëhet vetëm me klientë partiakë. Dihet se në dorën e kujt ishte lapsi, sidomos gjatë zgjedhjeve lokale. Lapsin e mbanin qytetarët të cilët në atë moment pranuan LSDM-në si opsionin me të cilin do të shpëtonin nga regjimi i Gruevskit.
E nëse të njëjtët qytetarë një herë janë çaktivizuar e pastaj janë kthyer, ata prapë do të guxojnë. Nuk fitohen zgjedhjet me sarkazmën e llojit: “E po, atëherë, ta kthejmë VMRO-në”. Sepse, nëse LSDM- ja vazhdon të sillet kështu, me të vërtetë do ta kthejnë VMRO-në.
Përktheu: Fjolla Zllatku