KOVID APO GRIP

Nëse nuk ka liri, nuk do të ketë as drejtësi.

KOVID APO GRIP

1Këto kolumna mbajnë mend të gjitha zgjedhjet e Maqedonisë së pavarur. Gjithashtu mbajnë mend edhe të gjitha momentet historike gjatë historisë më të freskët të shtetit. Rrallëherë zgjedh të ndaj historitë e mia personale të lidhura me ngjarjet ku kam qenë dëshmitar apo te disa edhe bashkëpunëtor. Por këtë javë ishte 20 vjetori i themelimit të “Vest”-it, ku punova si kryeredaktor nga fillimi i korrikut 2000 deri në dhjetor 2015 dhe ku kjo kolumnë publikohej në vazhdimësi dhe më gjatë se kurdo.

“Vest”-i ishte gazetë e mirënjohur, e cila respektohej edhe nga ata që nuk na donin. Ajo tashmë nuk ekziston. U shkatërrua shumë shpejt pasi më detyruan edhe mua të largohesha. Preferoj të kujtoj vetëm momentet e bukura të gazetës, rritjen e saj, tirazhet që thyenin rekorde, të gjitha çmimet dhe arritjet e saj deri në vitin 2012. Megjithatë, nuk mund t’i harroj 4 vitet më të tmerrshme pas 2012, kur kjo gazetë ra në duart e VMRO-DPMNE-së.

E vërteta është se LSDM-së dhe Zoran Zaevit mund t’u gjej një mori të metash si dhe mungesë profesionalizmi. Por për mua një fakt i paçmueshëm është fakti se kemi liri. Për dallim nga ato ditë të nemura për gazetarinë e shtetit, sot të lejohet të pyesësh, të publikosh dhe të shprehesh me zë të lartë, madje edhe duke kundërshtuar qeverinë për gjërat që nuk të pëlqejnë. Sot nuk mund të ta mbyllin gojën me metodat mafioze që praktikoheshin aso kohe. Pa mendoni njëherë…sa studentë janë rrahur? Sa gazetarë janë pushuar nga puna? Sa organizata joqeveritare janë sulmuar nga inspeksionet? Sa media janë mbyllur? Kur ndonjëherë, gjatë 12 viteve të fundit, ka pasur kaq shumë debate sa ka sot e që janë të hapura për të gjithë?

Vazhdoj të jem tejet i zhgënjyer se pse LSDM-ja nuk e solli drejtësinë për të cilën luftonim. Por prapë se prapë shpresoj se drejtësi do të ketë dhe për një gjë jam i bindur: nëse nuk ka liri, nuk do të ketë as drejtësi.

2Kurse liri, para tre vjetësh, nuk kemi pasur.

Në “Vest” përgjatë katër vjetëve, çdo ditë të lume (dhe këtë e them me plot sinqeritet) e kalonim me lloj-lloj presionesh, të cilat para kohës së VMRO-DPMNE-së do të kishin qenë të paimagjinueshme. Kjo na bëri të shndërrohemi në mjeshtra të vetëcensurimit. Fshehurazi kalonim nga njëri-tjetri lajme që nuk na lejohej t’i publikonim. Doza më e madhe e energjisë sonë shkonte te kërkimi i mënyrave se si të “vishnim” ndonjë lajm, por prapë se prapë të mund të kuptohej. Gjëja më e tmerrshme ishte kur duhej të luftonim në mënyrë që të mos publikonim diçka që urdhëronin të publikohej.

Luftonim që të ruanim vendin e punës, por ndërkohë pa e humbur integritetin e gazetës dhe integritetin personal. Çdo ditë, e kjo ndodhte më së shumti të premteve, na vinin urdhra – përjashto filanin, pse keni kontaktuar këtë apo atë ministër, pse keni nxjerrë këtë lajm, mos raportoni për këtë protestë, mos e vini këtë në ballinë, vini këtë fotografi, jo atë tjetrën…”Yjet” për të cilat shkruanin ishin më të rëndësishme për ta se sa gazetarët. Të gjithë stafin e zvarritën nëpër gjykata ndërkohë që ata bënin sehir dhe i nxisnin që të na padisin.

Karrierën time e kam filluar në kohën e komunizmit, ndërsa për herë të parë u përballa me censurë në vitin 2015. Ma tërhoqën mbrapsht një ballinë që tashmë ishte shtypur. Sa e sa herë, që të shpëtonim në moment të fundit, ndryshonim titujt e ballinës që spiunët e shtypshkronjës të mos kishin kohë të nxirnin ndonjë fjalë për ne. Vinim baste mbi atë se sa kohë do të duhej deri sa të  na vinte telefonata e famshme që të na urdhëronte të ndërprisnim një punë që kishim nisur. Telefononim në qeveri për të parashtruar pyetje mbi tema që nuk kishim farë qëllim të shkruanim dhe prisnim përgjigjen e tyre. Rekordi ishte 20 min. Kaq duhej që pyetja jonë e dërguar drejt qeverisë të bënte xhiron dhe të kthehej te ne me urdhërin që të mos vazhdojmë të shkruajmë për temën në fjalë.

Po kjo parti sot ofron rinovim. Çfarë rinovimi? Vallë, flasin për rinovimin e asaj kohe kur edhe mua më kanë përgjuar për dy vjet e gjysmë? E asaj kohe kur përgjatë një muaji e gjysmë gjatë periudhës parazgjedhore, pranverën e vitit 2013, një makinë priste para shtëpisë sime e unë shihja njeriun e njëjtë çdo mëngjes kur çoja fëmijët në shkollë, të parkuar aty për t’u kërcënuar. Ishte ajo kohë kur kisha frikë ta paraqisja këtë njeri në polici dhe e bëja këtë gjë përmes ambasadave të huaja. Ishte po kjo kohë kur ndodhi edhe aksidenti i gazetarit Nikolla Mlladenov, për të cilin mbase VMRO-DPMNE nuk ishte fajtore, por ama e krijoi atmosferën që të gjithë të fillonim të pyesnim veten: “Kush është i ardhmi në listë?” E pamë se si përfundoi gazetari Tomisllav Kezharovski.

Meqënëse ky presion nuk u mjaftoi, pronarët e gazetës filluan të porosisin ballina konkrete kundër meje nëpër gazetat konkurruese. Kërcënoheshin nga foltorja e parlamentit. Më shanin nëpër ato televizione, të cilat sot bëjnë sikur janë të balancuara. Publikonin gënjeshtra të paskrupullta. Porosisnin shpifje nëpër media të ndryshme, në mënyrë që disa të gjysmëshkolluar të debatojnë mbi rrogën dhe jetën time familjare.

Po këta që ofrojnë rinovim, gjithashtu edhe kërcënohen – “Keni për të parë me datë 16!”. Kaq shumë e duan hakmarrjen dhe gjakderdhjen, saqë, që ditën e nesërme do të kishin larë hesapet me ata që kundrështojnë mendimin e tyre. S’do të prisnin as ato 30 ditë që të fitojnë mandat për qeverinë. As Mickoski dhe aq më pak ekipi i tij nuk na treguan, qoftë edhe për një moment, se janë të aftë të na i garantojnë liritë bazore. Çfarë rinovimi pret, vallë, nga ata që përpiqeshin të na bindin se atë që shohim me sytë tanë, në realitet nuk e shihim siç duhet, se dorashkat janë një reflektim drite? Nga ata që bënë që e gjithë policia e qytetit t’i fshehë inçizimet e kamerave të një lokali, vetëm që të mos zbulohej krimi i liderit? Ky është kapaciteti demokratik që presim të na vijë në pushtet?! Për çfarë rinovimi flasim?

3Është fakt, nuk kemi pasur asnjëherë një zgjedhje ideale. Këtë nuk e ke as në Suedi. Teorikisht, Qeveria do të jetë aty, edhe nëse dalin qoftë edhe 6 votues nga i gjithë shteti. Shumica e këtyre të gjashtëve do të përzgjedhë parlamentin e ri. Si nëse votuat si nëse jo, Parlamenti do të përzgjedhë qeverinë. Ata të cilët nuk votojnë janë vetë-mohues të së drejtës për të zgjedhur se kush do të shpenzojë paratë në emër të tyre dhe kush do t’i kontrollojë. Thonë “si dola, si s’dola, është njësoj”.

E, jo. Për mua nuk është njësoj. Unë asnjëherë nuk kam hequr dorë nga e drejta e votës. Votoj për ata që mendoj se e kanë më të rëndësishëm përparimin dhe që shkaktojnë më pak dëm. Shkurt, kemi të zgjedhim mes gripit sezonal dhe kovidit.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира