1Uh, çfarë jave e stuhishme. Rusia dhe Amerika janë para luftës me Sirinë. Mark Zakerbergu dëshmoi para Kongresit të SHBA-së mbi vjedhjen e të dhënave personale të milionë shfrytëzuesve të Fejsbukut. Kurse, VMRO, u kthyer nga Marsi. Dhe ateroi direkt në Parlamentin e Maqedonisë. Nga diskutimet e VMRO-vcave gjatë kohës së debatit për interpelancë të Qeverisë, dukej sikur ata nuk kanë jetuar këtu më parë. Se ajo parti nuk ka ekzistuar. Ore, ata asnjëherë nuk e kanë pasur pushtetin. Edhe tani, përnjëherë, të zbritur nga Marsi, kuptojnë se situata në Maqedoni nuk bën. Imagjinoni, vdisnin bebe. Dhe administrata publike ishte e partizuar. Mjekët janë shpërngulur. Gjykatësit zgjidheshin nga defterët partiakë. Medet, o Zot, në çfarë shteti katastrofik i paskan zbritur. Vallë, kush ka pasur zemrën gur, kaq shumë ta shkatërronte.
Erdhëm në derexhe ta dëgjojmë Daniella Rangellovën se si thotë se paska qenë katastrofike. Po atë Daniellë e cila është akuzuar për shuplakat dhe dhunën në Komunën Qendër. Ilija Dimovski na thotë se LSDM së shpejti do të bjerë nga qeveria në zgjedhje. Po ai Ilijë të cilin e gjykojnë për një mori parregullsish dhe mashtrimesh. Nikolla Gruevski nga thotë se kjo qeveri është qeveria më e keqe në historinë e Maqedonisë së pavarur. Po ai Nikollë që ishte kryeministër i qeverisë më të mirë në historinë e Maqedonisë. Ai Nikollë që, as vetë më nuk e di se për çfarë po akuzohet – për shuplaka, për ndreqje të zgjedhjeve, për përgjimet e të gjithëve ne, për atë që fillon me shkronjën “M”, për rrjedhjen nëpër këmbë apo për atë se ka pasur dilemë “se mos është shumë”.
Kush na flet për demokraci dhe për jetë më të mirë? Kush ankohet për shtet të shkatërruar? Deputetët që përqafoheshin me sulmuesit e Parlamentit më 27 prill? Disa prej tyre tashmë janë akuzuar si organizatorë të sulmit. Gjenden në paraburgim shtëpiak, presin gjykimin.
Në pragun e mbushjes së një viti nga sulmi i organizuar i Parlamentit, atë parti po e lusin që të kthehet në vendin e krimit. Që t’i votojnë ligjet reformuese. Po ata njerëz që në 27 prill deshën ta vrisnin Maqedoninë, tani do të punuakan për të mirën e Maqedonisë. Sikur të ishim edhe ne të zbritur nga Marsi, e të mos e dinim se me kë kemi të bëjmë.
2Kryeministri Zoran Zaev u kërcënua se disa punonjësve të administratës, që nuk kanë bërë asnjë punë por megjithatë kanë marrë rrogën e tyre, t’u falënderohet dhe t’i pushojë nga puna.
Sa herë do t’u falënderohet? Një herë? Dy? Tre? Pasi, punonjësit e administratës që janë pranuar nga Marrëveshja kornizë dhe për 10 vjet marrin rrogë, por nuk prekin asnjë gjë me dorë, nuk kënaqen vetëm nga një falënderim.
Njëqind të punësuar nga ata 900 vetë të cilëve Qeveria u ka ofruar vend pune pas 10 vjetëve ku kanë marrë rrogë shtetërore, kanë refuzuar t’i nënshkruajnë marrëveshjet e punës. E tani do t’u japin edhe një shans tjetër. E pse vetëm një? Le t’u japin edhe shansin e tretë, të katërt…Le të prishet pajtimi me BDI vetëm për dy shanse.
Neve, budallenjve, që për 10 vjetët e fundit u mbytëm së punuari që t’ua sigurojmë atyre të ardhurat e pensionit dhe sigurimet shëndetësore, Qeveria nuk na jep shans të dytë. Madje edhe tatimet do të na i rrisin. Shumë më intereson se sa edhe nga këta që kanë nënshkruar marrëveshje, tani do të marrin pushime shëndetësore dhe do të kërkojnë pushime të papaguara. T’ia çojnë me rehati deri në pension.
Pyetje logjike është pse dikujt që nuk do të punojë do t’i jepnin shans të dytë? Edhe pse, edhe më logjike për mua është pyetja se pse i pranojmë në punë, kur shteti paska funksionuar pa ata punonjës administrate për plot 10 vjet?
3Zaevi do t’u falënderohet punonjësve, por do t’i shpërblejë këshilltarët. Pasi, ata janë këshilltarët më të aftë të historisë së këshilltarëve të kryeministrit. Kaq të aftë janë, se nuk kanë pasur asnjë lloj konkurrence në konkurset ku janë paraqitur. Për këtë shkak dhe quhen këshilltarë të veçantë.
Ljube Boshkovski do të jetë këshilltar i veçantë për investime të huaja në Kabinetin e kryeministrit. Por kjo nuk është e gjitha. Kabineti i Zaevit do të ketë edhe këshilltar të veçantë për transport. Një për shoqëri multikulturore, interkulturalizëm dhe komunikime interkulturore. Një për zbatim të Marrëveshjes kornizë. Dhe një për rininë dhe sportin.
Të gjithë këta këshilltarë të veçantë kanë qenë ose “të parët në listën e kandidatëve të paraqitur që i përmbushin kushtet e konkursit të shpallur” ose “të vetmit që i kanë përmbushur kushtet e konkursit të shpallur”.
Që do të thotë se, me të vërtetë janë zgjedhur më të mirët.
Përndryshe cila do të ketë qenë përparësia e Ljube Boshkovskit që ka arritur që në një konkurrencë aq të fortë të dalë “i pari në listën e kandidatëve të paraqitur që përmbushin kushtet”? A ka qenë kushti që kandidatët të kenë restorant në Kroaci? Apo që kur kanë qenë ministra të kenë plagosur një gazetare gjatë një ushtrimi policor? Kandidat më të aftë se shoku Ljube, nuk gjejnë dot kurrë. Ndoshta dhe ka, por ata nuk janë paraqitur në konkurs.
4Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov e tërhoqi vendimin për ndalim të qarkullimit të makinave në Vodno.
Arsyetimi për këtë vendim ishte ankesa e disa qytetarëve që nuk kanë mundur të ngjiten në këmbë si dhe ankesa e pronarëve të kafeneve që thoshin se kanë pësuar ulje të theksuar të të ardhurave. Tani do të paguhet parkingu, kurse ata që parkohen përgjatë rrugës, do t’i ngrejë karrotreci. Shumë mirë. A ka qenë ndonjëherë Petre në Vodno të mesme kur ka një mori makinash të parkuara? Sepse, në gjithë atë zallamahi, vetëm karrotreci mungon. Me gjithë autobusët.
Nejse, Petre është me mendje në Vjenë, Paris, Zagreb, ku shkoi të shikonte se si menaxhohen gjërat në qytete të mëdha. Çfarë mësoi atje? Se pushtetet e qytetit u shërbejnë një grupi të vogël të qytetarëve, të cilët nuk janë të kënaqur nga vendimi që kaq zhurmshëm e përshëndeti shumicën e qytetarëve. Dhe se interesi komercial është më i rëndësishëm se interesi publik.
Qyteti i Shkupit lajmëroi se do të shënojë me vijë të verdhë trotuaret për të përcaktuar se deri ku do të mund t’i vendosnin tavolinat dhe karriget kafexhinjtë. Dhe ky është një super vendim. Kështu bëhet gjithandej nëpër botë. Pasi trotuaret janë për lëvizje të këmbësorëve. Dhe në shtete normale ky është përkufizimi i trotuarit. Por çfarë bëjmë kur disa qytetarë prapë do të ngrenë zë?
T’i japim Petres një shans të dytë, siç u japim atyre të Marrëveshjes kornizë. Me siguri nuk do ta tërheqë këtë vendim kur kafexhinjtë e varfër do t’i ankohen se u vuan xhepi.
5Sipas analizës së Shoqatës për analitikë dhe hulumtues të rinj, e cila ka mbledhur të dhëna nga 799 shkolla fillore, në 440 shkolla nuk ka biblioteka, kurse në 30 nuk ka as sistem sanitar.
Në shekullin 21, në Maqedoninë e sapozbuluar nga marsianët, mirë që nxënësit në më shumë se gjysmën e shkollave nuk kanë as çfarë e as ku të lexojnë, por në 30 shkolla nuk kanë as ku të shkojnë për të kryer nevojën.
Ndërtimi i sistemit sanitar në të gjitha shkollat kushton gjithsej 378.000 euro. Përafërsisht sa ç’kanë kushtuar dy karuselët e marsianëve që zbritën në qendrën e Shkupit. Pa llogaritur këtu rrogat e punonjësve të administratës që i vënë karuselët në prizë dhe i shqyejnë biletat.
6Deputeti Nikolla Gruevski kërkon përjashtim të gjykatësve që e gjykojnë, pasi nuk e di nëse kanë qenë edhe ata të përgjuar apo jo. Ankohet se me qëllim i caktojnë gjykime çdo ditë që të mos mund të shkojë në Parlament e të kryejë punën si deputet. Ndërsa gjykimet për “Titanik”-un, ku është akuzuar për mashtrime zgjedhore, ia caktojnë në ditët kur ka negociata për emrin, që publiku të defokusohet.
U kthye VMRO-DPMNE nga Marsi. U kthyen edhe furgonat e verdhë të Gruevskit.
Përktheu: Fjolla Zllatku