KUPA E SHENJTË

Le të hapim numra për sms për shpërblesë të personit të rrëmbyer. Le të nxjerrë Dragan Tevdovski eurobond. Gruevski është i shtrenjtë dhe i nderuar.

KUPA E SHENJTË

1A e keni parë “Monti Pajton dhe Kupa e shenjtë”? Kur Xhon Klizit dhe shokëve të tij u duhet të kalojnë mbi Urën e vdekjes, ndërkohë që një shtrigan i shtyn drejt humnerës? Ta dini se, po të ishte Xhon Kliz në Maqedoni gjatë këtyre ditëve, nuk do t’u përgjigjej pyetjeve të shtriganit, por do të hidhej vetë nga ura.
Ne kemi depërtuar nëpër murin e realitetit dhe kemi kapërcyer nga ana tjetër e urës. Ashtu siç zhvillohet drama rreth rrugëtimit të ish kryeministrit Gruevski nëpër Evropën perëndimore, atij që u gjykua për krim, ashtu vdiq dhe Monti Pajton në Maqedoni.

Gjykata dhe policia e kërkonin Gruevskin te e shoqja, e ëma, nëpër garazhe, ndërkohë që ai nuk ka qenë as duke mësuar e as duke shkruar libër, por duke bërë roudshou nëpër rajon. Të dielën, diplomatët hungarez tashmë ia kishin bërë dorëzimin në ndonjë motel në Serbi, e të hënën policia jonë po vazhdonte kërkimin e tij në bagazhin e sekretarit gjeneral të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushevit në Shkup. Të nesërmen, na thërriti me Fejsbuk nga Budapesti. Ndërkohë që kushëriri i tij Sasho Mijallkov po i shkruante letra Hristijan Mickoskit, Gruevski tashmë kishte plotësuar kërkesën për azil.

Tani VMRO-DPMNE po kërkon mbrapsht kryetarin e nderuar dhe kërkon dorëheqjen e Qeverisë së Zoran Zaevit, e cila lejoi arratisjen e tij.

Sapo thua me vete se këtu përfunduaka përndjekja e Kupës së shenjtë, vjen një lajm nga Budapesti. Viktor Orbani, nikoqiri i kriminelit tonë na dërgon 30 policë hungarezë që të mbrojnë kufirin nga azilkërkuesit. Nuk ka se si të mos të të shkojë mendja se ata të dy, duhet të jenë diku të ulur pranë njëri-tjetrit, të vendosur që të tallen me ne, të na trajtojnë si budallenj.
Ishte Orbani ai që ndërtoi rrethoja kufitare, që u dhuronte tela me gjemba të gjitha shteteve ballkanike si donacion dhe në vendin e vet fitonte duke i trembur votuesit me idenë e emigrantëve që kërkojnë azil. Po. Ky është Orbani, që e nxori mikun e tij nëpër 4 pika kufitare nëpërmjet sokakut të refugjatëve. Siç duket, do të dalë se i ka testuar kufijtë me Gruevskin.

Mu atëherë kur prapë, i thua vetes se gjithçka ka mbaruar, se nuk mund të bëhet më qesharake se kaq dhe se duhet të kalojmë te tema më serioze, na bëhet e ditur se dikush në Shkup paska vjedhur një furgon për mbledhjen e mbeturinave, gjatë kohës që ka qenë për rregullim në servis. Mos ndoshta e kanë vjedhur hungarezët, të maskuar si mbledhës mbeturinash për ta transportuar Gruevskin?

Ajo që mbetet tani është të shohim edhe Filip Petrovskin dhe Janko Baçev që i bashkëngjiten kësaj historie. Se si takohen me Gruevskin në ndonjë kafe të Budapestit, i dorëzojnë ndonjë letër dhe i këndojnë nën dritare: “Na thuaj, na thuaj, pse na le, pse na mbulove me trishtim” dhe se si apelojnë për rikthimin e tij në Parlament, pasi tani kanë një votë më pak kundër ndryshimeve të Kushtetutës.

Por, pritni! Se vdekja e Monti Pajtonit nuk vjen përnjëherë. Në këtë histori shfaqet edhe kryeministri Zoran Zaev e thotë se ndoshta deputeti Gruevski është rrëmbyer. Nëse nuk e kanë marrë me furgonin e mbeturinave të Petre Shilegovit, me siguri do ta kenë bërë me furgonin e verdhë. Gjithsesi bëhet fjalë për shërbime të huaja, gjë që do të thotë se tani duhet të mbledhim para për shpërblesë të personit të rrëmbyer. Le të hapim numra për sms për shpërblesë të personit të rrëmbyer. Le të nxjerrë Dragan Tevdovski eurobond. Gruevski është i shtrenjtë dhe i nderuar.

Në qoftë se as kjo nuk funksionon, atëherë do të na duhet ta shpëtojmë me fuqi speciale dhe me krizën e rrëmbimit do të duhet të merret komandanti i lartë Gjorge Ivanov. Ndoshta për dikë është qesharake se VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Qeverisë së Zaevit ngaqë i nderuari i tyre ia mbathi. Por kur të hyjë në valle edhe Gjorge Ivanovi…Eh, atëherë me të vërtetë do t’ia plasim së qeshurës.

2Edhe pse…nuk është dhe aq qesharak fakti se Gruevski ndërtoi barokun e rremë me paratë tona, ndërkohë që për vete jeton në barok të vërtetë- edhe këtë me paratë tona.

Nëse e kanë lejuar të ikë – kjo nuk është mirë. Nëse ia ka dalë vetë që të ikë – as kjo nuk është mirë. Por, nëse e kanë rrëmbyer – kjo nuk është fare mirë. Si mundet, vallë, që Oliver Spasovskit t’i rrëmbejnë një person që ruhet nga gjashtë truproje profesionale, të punësuar të MPB?

Ore, po flasim për Hungarinë. Afera “Spiuni” kishte të bënte me shitjen e sekreteve shtetërore shërbimit të inteligjencës hungareze. “Wizzair” merr subvencione nga Qeveria e Gruevskit që nga viti 2012, të nënshkruara nga Mile Janakieski. Ivanovi e dekoroi Orbanin me urdhërin “8 shtatori” në 2013. Të dënuarit për përgjimet masive, spiunët Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, ishin kapur me pasaporta të rreme para se të hipnin në avion nga Selaniku për Budapest. Në Budapest ndodhej edhe banka, në të cilën, sipas një bombe nga bisedat e përgjuara, ishte paguar provizioni për blerjen e pajisjes së përgjimit nga Izraeli, me vlerë 14 milionë euro. Shumë media që paguheshin nga qeveria e Gruvskit me paratë e mbledhura nga reklamat qeveritare, të cilat ishin prona të kompanive të regjistruara në Belize dhe në parajsa të tjera tatimore, tani janë pronë e kompanive me kapital hungarez. Orbani erdhi që të vizitonte Gruevskin në Ohër, pasi ia kishin marrë pasaportën, kurse Mickoski takohej me Orbanin…

Kështu që, në kategorinë e Monti Pajtonit janë edhe analizat eksperte që tregojnë se tani Orbani do të paska probleme me partnerët ne BE dhe NATO. Mjaft i ka kultivuar Orbani ndjekësit e VMRO-së për vite të tëra. Por as ata nuk i kanë ngelur borxh.

3Të themi të drejtën, Gruevski gjithnjë ia ka mbathur. Vjet, ia mbathi më 27 prill. Ndërsa në Shkup po sulmonin Parlamentin vetëm që ta shpëtonin atë nga burgu, ai rrinte në Vjenë duke pritur që Gjorge Ivanovi të shpallte gjendje lufte. Atëherë i nxiste njerëzit e tij kundër “Platformës tiranike”. Tani u pa se Tirana nuk paskësh qenë pengesë për të, por një platformë që të arratisej nga drejtësia.
Gruevski nuk është fare budalla. Veç i fëlliqur dhe burracak. Nuk e nënshkroi propozimin e Ligjit për faljen e rasteve të Hagës. Ia mbathi. Iku, dhe e la që të nënshkruante zv. kryeministri i atëhershëm Vasko Naumovski. Pranimin e Kosovës, nuk e nënshkroi ai. E rregulloi punën që të nënshkruante Ivica Bocevski, në mënyrë që të mos hidhëroheshin serbët.

Punët e fëlliqura gjithnjë ua delegonte të tjerëve. Nuk ishte vetëm mercedesi “me ekrane te vogla për fëmijë”. Ai porosiste edhe shuplaka. Kërkonte edhe dinamit “që të mos e zgjasim më shumë” dhe blinte parcela në Vodno për shuma qesharake.

Kishte të drejtë kur ju thoshte: “Rrini, rrini me papuçe në shtëpi!”. Ju ndenjët. E tani, kërkojeni nëpër Hungari.

4Ndërkohë që prokurorja speciale publike Katica Janeva po jepte një intervistë për TV, në ekran shfaqet kajron me reklamë për “Pelisterkën”, pronari i së cilës gjendet në paraburgim me kërkesë të PSP-së, i dyshuar për një mori veprash penale.
Ndërsa Katica Janeva flet mbi rastin “Perandoria”, ku i dyshuari i parë është Orce Kamçevi, në ekran shfaqet një reklamë për spital privat, pjesë e perandorisë së Kamçevit dhe reklamohet me emrin e një mjeku, i cili në vitin 2007 u arratis nga shteti, sepse ishte në përndjekje nga gjykata për dy vepra penale gjatë periudhës së tij si ministër i shëndetësisë. I shpëtoi burgut dhe ekstradimit me pasaportë bullgare e më vonë u ankua së kishte qenë i përndjekur politikisht.

Eh, si mos ta duash Maqedoninë? Siç deklaroi vjet në Festivalin e filmit në Sarajevë komiku britanez, ylli i Monti Pajtonit, Xhon Kliz: “Shikoni lajmet, janë më qesharake se komeditë”.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари