LE TA FSHIJMË

E tepruam edhe me antifashizmin.

1 Le të flasim për të ardhmen. Të lirohemi nga shqetësimet e së kaluarës. Largimi i vetos bullgare për fillim të negociatave me BE-në ka çmimin e vet dhe ne do ta paguajmë, se sado që të hidhërohemi tani, çështjet dhe kontestet mbi identietetin do të mbyllen me hyrje në BE.

Por a guxon të kritikojë dikush Zaevin, pa u etiketuar si “i VMRO-së”? Apo brankovist? Apo antievropian? Pse sa herë që gjendemi të ofenduar nga qëndrimet e tij në lidhje me Bullgarinë dhe e shprehim shqetësimin tonë publikisht, përnjëherë fillojnë diskreditimet, urrejtjet nëpër rrjetet sociale me mesazhe si: “Mos harroni se çfarë ka bërë Zaevi”. Ka bërë shumë dhe ka duruar shumë. Super. Por edhe ne, diçka kemi bërë. Edhe paraardhësit tanë kanë bërë e kanë duruar. Halla ime Mare duroi tri vjet në burgun bullgar në Manastir. Edhe pas lirimit, gjithë jetën duroi që të mos na e transmetonte urrejtjen ndaj bullgarëve, se anjëherë nuk na tregoi se çfarë i kishin bërë në burg.

Të kujtuarit se çfarë ka bërë Zaevi nuk duhet të na bëjë të harrojmë se çfarë kanë bërë paraardhësit tanë antifashistë. Na kanë bërë shtetin.

Nuk e besoj se as vetë Zaevi i konsideron kaq shumë ata që i hidhërohen për qëndrimet në intervistën bullgare, saqë u shqetësuan partitë. Nuk është për t’u gjykuar fakti që e mbrojnë dhe e justifikojnë, se paska pasur qëllime të mira, por qenka keqkuptuar. Por, gjatë shprehjes së mbështetjes e besnikërisë shkuan deri aty sa të përqeshin njerëzit që nxorën fotografitë e albumeve të vjetra dhe postonin përmendore me emrat e paraardhësve të tyre që kanë luftuar kundër okupuesit fashist bullgar.

Si na qenka kjo ndryshe nga ata që, për t’i bërë lajka Nikolla Gruvskit, pinin ujë nga Liqeni i Dojranit që të tregojnë se uji është i pastër?

2 Një urtësi popullore thotë: Gjuha eshtra s’ka, por eshtra thyen. Madje edhe kur Bullgaria ta heqë veton dhe Maqedonia t’i fillojë negociatat me BE deri në fund të vitit, do të mbetë përshtypja e hidhur.
Mund edhe të themi: Epo mirë, Zaevi është i tillë. Nuk i pëlqen konfliktet. Problemet i zgjidh duke u marrë vesh, duke bërë tregti, duke mirëkuptuar anën tjetër. Është praktik. Ore, ai i fali edhe organizatorët e sulmit të Kuvendit në 27 prill 2017, ku mezi shpëtoi kokën, e thua se nuk do t’i falë Bullgarët, paraardhësit e të cilëve para tetëdhjetë vjetëve i vrisnin paraardhësit e tij? Nëse mund ta thoshte në gjyq se Trajko Veljanoski dhe Mile Janakieski, për orgnizimin e sulmit më 27 prill kanë qenë të manipuluar nga Nikolla Gurvski, atëherë le t’i arsyetojë edhe bullgarët dhe carin e tyre Boris, se në vitin 1941 kanë qenë të manipuluar nga Hitleri.

A ishte kaq e domosdohsme që t’i ngushëllojë bullgarët dhe t’i shqetësojë maqedonasit? Ne të ndjehemi keq, që bullgarët të ndjehen mirë? Ne të arsyetohemi se tanët kanë luftuar kundër fashistëve.

Vetoja franceze nga viti i kaluar dhe metoologjia e re për përhapje në BE është shpikur pikërisht që në të ardhmen të mos u ndodhë ndonjë gabim, e t’u vijë në skenë ndonjë shteti si Bullgaria.

Është po kjo Bullgari, që edhe pas 13 viteve anëtarësi vazhdon të jetë nën monitoringun e Komisionit evropian për reforma në gjyqësi, luftë kundër korrupsionit dhe krim të organizuar. Kur bëhet fjalë për kornizë negociuese, Gjermania si kryesuese e Bashkimit është me ne. 25 shtetet e tjera janë me Gjermaninë. Bullgaria është e vetme. Fëmija i keq i Evropës është i vetmuar.

Atëherë, kush kërkonte nga Zaevi ta zbardhë historinë e Bugllarëve? Kush kërkoi nga ai të marrë mbi vete fajin për okupimin bullgar të Maqedonisë dhe për bashkëpunimin me fashizmin? Mos ia kërkoi BE, vallë, duke i thënë se ne nuk mund t’iu bashkangjitemi sepse kemi luftuar kundër fashizmit?

Zgjidhja evropiane është atëherë kur kancelari i Gjermanisë së dikurshme Perëndimore Uilli Brand, në vitin 1970 u gjunjëzua në shenjë ndjese për krimet që Gjermania fashiste kreu mbi polakët. Në vitin 2020, na doli se zgjidhje evropiane është që ne të gjunjëzohemi në shenjë ndjese për faktin se bullgarët para 80 vjetëve kanë pasur qeveri fashiste, kurse ne kemi qenë në anën e antifashistëve.

E mirë, atëherë, le t’u kërkojmë falje edhe partizanëve. Sepse, sipas Bullgarisë evropiane, ata nuk kanë luftuar kundër fashizmit. Ata kanë zgjidhur probleme administrative me “ndonjë farë administrate”. Edhe ministri i mbrojtjes së Bullgarisë evropiane Krasimir Karakaçanov nuk duhet të dërgojë ushtrinë që t’i fshijë pllakat e përmendoreve antifashiste. Vetë do t’i fshijmë që të hyjmë në BE. Ndonjë dëshirë tjetër, mos kanë vëllezërit tanë të dashur, fqinj dhe miq nga Bullgaria evropiane? Meqë jemi me leckë në dorë, të fshijmë edhe ndonjë tjetër njollë në historinë e tyre.

3 Por le të mos e teprojmë me antifashizmin, se duam të hymë në BE. Në rregull, nuk do të flasim për të kaluarën dhe për atë se si dhe çfarë paskan qenë bullgarët para 80 vjetëve. Le të flaism për atë se çfarë është politika zyrtare bullgare ndaj Maqedonisë sot. Cilat fjalë guxojmë t’i përdorim, kur një shtet-anëtar i BE, në shekullin 21, të drejtën për vetëpërcaktim, diferencim, përdorim të gjuhës, e vë si kusht për të hyrë në BE, e ndërkohë këto fjalë nuk interpretohen si gjuhë e urrejtjes? Çfarë mund të thuhet për një shtet anëtar i BE-së, i cili haptazi nuk pranon as të flasë për ndonjë minoritet në territorin e tij? Në rregull, ne edhe mund të heqim dorë nga minoriteti maqedonas në Bullgari. Çka nëse ndonjë qytetar në Bullgarinë evropiane do të thotë se është Maqedonas? A do t’ia ndalojnë vallë që të ndjehet kështu? Sa evropiane është kjo gjë?

Para vetëm dy viteve, po kjo BE e lartësonte Marrëvshjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë si një marrëveshje kyç për stabilitetin e Evropës. Nënshkrimi i Marrëveshjes mes kryemsinistrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov u përshëndet nga SHBA dhe Britania e madhe, ndërsa nga shtetet e BE-së në veçanti u dalluan Gjermania dhe Holanda.

Kush e solli në tryezë këtë çështje patetike si kusht për hyrje në BE? Mirë po na ecte puna, duke numëruar kuorumet në Kuvend dhe duke ndërruar ligjet, duke u vënë flamuj evropianë, duke u angazhuar me reforma në gjyqësi, duke u zënë me administratën publike, duke luftuar korrupsionin, ajrin e ndotur, të drejtat e nejriut, me ndalesat e diskrimimit, dhunës familjare, lirisë më të madhe të informimit. Në rrugën tonë drejt BE-së, as nuk e kemi çuar nëpër mend se çfarë kanë qenë Bullgarët para tetëdhjetë vjetësh, e as nuk i quanim disi. Madje, edhe përmendoret që na i kujtuan Karakaçanovi dhe Zaharieva na kishin dalë mendsh.

Ne këtu, naivë, do të besojmë vlerat evropiane, ndërsa ata i shkelin. E ndërkohë Evropa vëzhgon dhe thotë – është puna juaj, zgjidheni mes vete.

E hajde tani, ji kryeministër e zgjidhe problemin.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира