LE TË DIGJET

Fjala e urtë popullore vazhdon të jetë aktuale: Shumë mirë nuk është mirë. A nuk është keq kjo?  

LE TË DIGJET

1Nuk mund të besoj se në vitin e 19-të të shekullit 21 pushteti qendror dhe pushtetet lokale përpiqen të na bindin se arritja më e madhe teknologjike qenka të pastrohet një deponi. Digjen ara, pyje, parqe nacionale, kallama liqenesh e mbi të gjitha digjet deponia e paligjshme pothuajse në qendër të Shkupit, mes tri spitaleve të mëdha, një salle sporti, një hoteli luksoz dhe një lagjeje dendësisht të populluar. Kryetarët e Shkupit dhe të Komunës Karposh, Petre Shilegov dhe Stefan Bogoev, thonë se kjo deponi ekziston qe 50 vjet dhe se ata nuk kanë pasur mekanizima, e as para për ta pastruar. Po, për çfarë kanë para ata, vallë? Për trotinete dhe kartela komunale me lirim, si dhe për qindra këshilltarë dhe referentë të rinj e të moshuar nëpër baraka, që presin të vejë katër e gjysma që të çlajmërohen me kartelat e tyre. E, kjo është një e re. Deponia na qenka e vjetër. Tani që u ndez, pamë se qenka edhe e rrezikshme.

Sidomos që, komandanti i brigadës zjarrfikëse deklaroi se mbeturinat janë ndezur në mënyrë të qëllimshme në pesë-gjashtë vende të ndryshme. Ndërsa ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski ditën e nesërme deklaroi se “kemi indicie serioze se zjarret janë shkaktuar për arsye politike dhe nëse e konfirmojmë këtë gjë atëherë do të thotë se bëhet fjalë për terrorizëm serioz, çfarëdo që të bëjë shteti”.

Si, të lutem!? Çfarë tha ministri i punëve të brendshme? Se shtetit po i bëhet terrorizëm serioz!? Po policia, çfarë bën gjatë gjithë muajit? Pse nuk i kap terroristët? Ata nuk i kapin dot zbatuesit, e do t’i kapkan porositësit. E zjarret tashmë janë porositur. A nuk tha ministri kështu. Vetëm se, nuk e kam të qartë se ndaj cilës polici u ankua. Ndaj asaj që komandon vetë? Dhe kur tashmë ekziston një ndezje e organizuar e shtetit, përse nuk ekziston një parandalim i organizuar i ndezjes? Nga komunat e deri te Qeveria, me gjithë drejtoritë e shpëtimit, të krizave, të katastrofave…Ata nuk bien dot dakord se kush t’i shuajë zjarret, e jo më se kush t’i parandalojë.

2Por, janë zgjedhjet. E në periudhë parazgjedhore, nuk preket asgjë. Le të digjet shteti. Atë fat paska pasur.

Se mos e kanë problem institucionet shtetërore të gjejnë justifikim se pse diçka nuk kanë bërë? Ose janë jokompetente, ose nuk kanë para, ose presin që ligji të kalojë në Qeveri. Ose presin kvorum në Parlament. Ose presin të kalojnë zgjedhjet.

Dhe kështu pra, gjatë fushatës zgjedhore, në vend që të jenë politikanët në funksion të qytetarëve, i gjithë shteti me të gjitha institucionet është vendosur në funksionin e politikanëve. Sa për qytetarët, le të bëjnë një pauzë nga jeta. Por le të vazhdojnë së paguari tatimet, pasi partive u duhen paratë e tyre. E le të presin të përfundojë beteja politike. Deri në zgjedhjet e ardhshme.

Mos lëntë Zoti të kesh nevojë për shtet në kohë zgjedhjeje. E sa për zgjedhjet, s’na kanë munguar kurrë. Gjysma e jetës nëpër zgjedhje na kaloi.

3Tani po na kalojnë ditë të arta pranverore duke dëgjuar se si Gordana Siljanovska-Davkova jo vetëm që nuk kërkon falje, por edhe i jep të drejtë qeverisjes dhjetëvjeçare kriminele të partisë që e kandidon për presidente. Ndërsa kundërkandidati kryesor i saj, Stevo Pendarkovski bën xhentëllmenin dhe amniston përgjegjësinë e saj, që ka pranuar ta shpërlajë partinë e Nikolla Gruevskit. Madje edhe futet në debat kuazishkencor juridik. Të debatojnë për “klauzulën e pandryshueshmërisë së emrit”, që ajo do ta vendoska në Kushtetutë kur të ekzistuaka “parlament i përgjegjshëm dhe gjykatë kushtetuese e përgjegjshme”. Budallallëk.
Në vend që të jetë Pendarovski ai që inicon temat e debatit, ky reagon kundrejt temave të iniciuara nga Siljanovska.

Të tre kandidatët, në vend që të flasin mbi vizionet e tyre për shtetin që duan të drejtojnë, tregojnë përralla popullore, se si do të hiqnin dorë nga standardet e jetesës së një shefi të shtetit, duke përshkruar se ku do të kishin jetuar. Nga njëra anë përgatiten për komandant suprem të ushtrisë së një shteti anëtar të NATO-s, nga ana tjetër shesin përralla se si presidenti nuk paska nevojë për sigurim.

Edhe Nikolla Gruevski shpërndante populizëm se si jetuaka në një banesë me të ëmën. E këtej blinte parcela pa pare në Vodno.

Në bilbordet e Siljanovskës thuhet: “Atdheu thërret!” Kë thërret? Gruevskin, që të kthehet nga Budapesti? Që të përballet me ligjin dhe drejtësinë? Pasi në bilbordet e saja shkruan edhe “Drejtësi për Maqedoninë”.

4Për gjithë të keqen dhe urrejtjen me të cilën na helmoi VMRO-DPMNE-ja, joga nuk ndihmon. Sidomos që jogistja Siljanovska vazhdon me po të njëjtën gjuhë si ajo e Hristijan Mickoskit, por tani gjoja në nivel akademik. Përse kjo nuk është temë për muhabet në publik? Por lajmi kryesor është se si Siljanovska u hutua kur në Negotinë përshëndeti banorë të Kavadarit? E në vend të thoshte Koçan, ka thënë Kërçovë. Them se ajo qëllimisht i ngatërron emrat e qyteteve që të dalë puna se tallet me veten e saj. Me siguri që atyre të VMRO-së që ia drejtojnë fushatën Siljanovskës, tashmë u ka ardhur kjo ide. Kështu, ajo do të vazhdojë me axhendën partiake të menaxherit nga Budapesti.

5Kur kemi nisur të flasim për lapsuse dhe pjesën argëtuese të fushatës, duhet të themi se Siljanovska i paraqet konkurrencë të fortë Zaevit. Kryeministri tha për holokaustin se ishte traditë, në vend të thoshte tragjedi. Kurse për Stevon tha se do jetë një spirancë (maq.сидро), që do të na çojë përpara, kur në realitet ka dashur të thotë se është një velë. (maq.едро). Zaevi duket sikur po ndjek një normë lapsusesh që duhet të realizojë.

6Sa herë në histori Maqedonia është gjendur në faqet e para të shtypit botëror për lajm të mirë? Se sa për të keq, na ka pasur shumë herë gjatë këtyre 28 vjetëve.

Ndodh për herë të parë në histori që në një vizitë bilaterale të vijë kryeministër grek. Dhe atë me gjysmën e qeverisë së tij dhe njëqind biznesmenë. Kryeministër i një shteti i cili deri dje ishte armiku i parë dhe na pengonte nga këngët e Eurovizionit e deri te hyrja në NATO dhe BE.

Për pesimistët e shtëpisë, i papërshtatshëm ishte edhe selfi i Zaevit me Ciprasin, fotografi e cila u shpërnda anembanë botës. Madje me tituj se bëjnë histori dhe se janë ardhmëria e Evropës. Pesimistët thoshin nuk paskemi himn. Nuk paskemi gardë. Nga frika se bëhet më mirë, që kur zgjidhëm problemin tonë kryesor, ne nuk duam të shohim fotografinë e madhe, të kuptojmë se çfarë do të thotë kjo vizitë dhe çfarë mund të sjellë për ardhmërinë e shtetit. Patjetër që duhet të gjendet një e metë. As se si nuk mund të çlirohemi nga kjo frikë se mos vallë dikush na e ka për të keq.

Besa, as Ciprasi s’e ka lehtë. Këtu e përqeshën Zaevin se nuk ka gardë e himn. Kurse në Greqi Ciprasi u sulmua se pse nuk e ka quajtur Maqedonia aeroportin e Selanikut, por Mikra, që është emri i vjetër.

Sa kohë duhet të kalojë, vallë, që të tejkalohet patologjia maqedonase? Kjo patologji që e bën të ketë vazhdimisht frikë nga e mira? Ç’jetë është kjo, të kesh frikë të gëzohesh? E në çdo të mirë, të gjesh diçka të keqe.

Kështu veprohet në një shtet ku fjala e urtë popullore: “Shumë mirë nuk është mirë”,  vazhdon të jetë aktuale.

A nuk është keq kjo?

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира