LE TË NA FALË PR-I

“E vërteta e vërtetë” është se Mickoskit nuk i konvenon një raport pozitiv i BE-së për Maqedoninë.

LE TË NA FALË PR-I

1Lideri i LSDM-së Zoran Zaevi lajmëroi se nëse fiton para zgjedhjeve, koalicioni i tij shumicë do t’i heqë shpenzimet rrugore në Parlament.
Zaevi është praktik. Edhe për një herë tjetër përballet me realitetin. E realiteti i tij do të jetë se do ta ketë më të lehtë të ndryshojë ligjin se sa të gjejë 120 njerëz sagllam, të cilët t’i kandidojë për deputetë. E më pas, ata që do të bëhen deputetë, t’i ndalojë së keqpërdoruri shpenzimet rrugore.

Deputetët më pas do të luajnë me banesat në Shkup, me metrat katrorë dhe qiratë. Por për këtë gjë – në ciklin e ardhëm zgjedhor.

2Deklaratën mbi heqjen e shpenzimeve rrugore të deputetëve, Zaevi e tha në konferencën e shtypit në zyrat e LSDM-së, ku ishin prezentë edhe anëtarë të partisë. Më habit se si ata duartrokitën një shenjë mosbesimi nga lideri i tyre në lidhje me ta, në rast se bëhen deputetë. Më habit gjithashtu edhe fakti që ai kërkon publik partiak në konferencë shtypi. E, kur ndonjë pyetje gazetareske u pëlqen, fillojnë dhe duartrokasin. Ndërsa, kur nuk u pëlqen, bërtasin: “Uaaa”.

Ky shndërrim i konferencave të shtypit në një reality show në partinë LSDM paska qenë sugjerim i PR-it. Kështu u shpreh Zaevi. U paskan bërë thirrje gazetarëve, por edhe aktivistëve partiakë “që jetojnë afër”. Apo ndoshta edhe punojnë aty afër, e gjatë pauzave bëjnë një xhiro në konferencë shtypi. Por, atëherë kur edhe ai u ndje në siklet kur të pranishmëve nuk u pëlqeu pyetja gazetareske, Zaevi tha: “A…ja ku po i them PR-it që konferencat e ardhme të shtypit të bëhen vetëm me gazetarë”. E tani, çfarë do të bëjnë aktivistët partiakë që jetojnë afër? Do të duhet të kërkojnë një mënyrë tjetër për të kaluar kohën në punë.

Kulminacioni i këtij reality show ishte kur Zaevi i pyeti “aktivistët që jetonin në afërsi” nëse duhet të shkojë në duel me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i TV Alfa. E ata thanë njëzëri: Jooo! E ai tha: Ja, shikoni, njerëzit thonë që të mos shkoj”.

A i pyeti vallë Zaevi aktivistët që shkojnë spontanisht nëpër konferenca shtypi a të shkojë në duel në Kanal 5, te ata që ia fiknin rrymën? A do ta pyesë, vallë, anëtarësinë a të shkojë apo jo në Sitell, te ky televizion ku dy muaj para se t’ia thyenin kokën në Parlament, Gruevski u bëri thirrje qytetarëve që të mos rrinë në shtëpi me papuçe dhe të organizohen vetë? Apo, do t’i pyesë profesionistët e sektorit të PR?

A nuk mundeshin të shpikin diçka më të mençur se sa VMRO-DPMNE-ja për të thënë nga ato që kanë lexuar në fletoret e Martin Protogjerit dhe qendrës së komunkimeve të Ilija Dimovskit mbi temën e marrëdhënieve me publikun? Apo, duheshin marrë absolutisht të gjitha budallallëqet e tyre populiste?!

3Kujt i drejtohet Zaevi në konferencat partiake të shtypit? Publikut, apo mbështetësve të vet? Kë duhet të bindë, vallë, për t’ia votuar politikat? Miqtë e tij partiakë që janë tashmë të servisuar sepse janë në qeveri, apo publikun më të gjerë? Nuk na mjaftonin sharlatanët partiakë të administratës shtetërore, e na u deshën edhe ata të konferencave të shtypit!
Të papërcaktuarve u ka ardhur në majë të hundës që jeta e tyre të varet nga ata që ia bëjnë qejfin partisë apo nga të strehuarit e partisë, që në të shumtën e rasteve nuk janë të profesionalizuar në funksionin që kanë. Ata janë tashmë të blerë dhe do t’i mbështesin politikat partiake. Por, me një reality show të këtillë, zëri i Zaevit nuk ndikon ata që realisht mund të ndikojnë për një fitore zgjedhore.

Le të na falë PR-i.

4Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski tha se “nuk mund të rri i qetë dhe të thotë se kështu është puna, raporti le të dalë si të dalë” dhe se “u kundërvihet lajmeve të tilla të rreme”, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske mbi përparimin e reformave në gjyqësi të vëna në dukje nga raporti i fundmë i Komisionit evropian mbi përparimin e shtetit.
Në ditën e publikimit të raportit, ai tha: “Mund të bie dakord vetëm me një gjë – se ky proces duhet të fillojë. Me asgjë tjetër nuk mund të bie dakord, pasi as së afërmi e as së largu nuk pasqyron të vërtetën e shtetit”.

Çfarë dëshiron të thotë Mickoski? Se Komisioni evropian shpërndan lajme të rreme kur thotë se shteti ka përparuar në krahasim me kohën kur qeveriste VMRO-DPMNE-ja? Raporti nuk “pasqyruaka të vërtetën e vërtetë” të VMRO-DPMNE-së. Në të vërtetë, “e vërteta e vërtetë” është se Mickoskit nuk i konvenon një raport pozitiv i BE-së mbi Maqedoninë.

5Përafërsisht në atë kohë, u konfirmua edhe një “e vërtetë e vërtetë” tjetër – asgjë e re nga BDI-ja. Ministri i arsimit Arbër Ademi u lëvdua se shkollat “Nikolla Vapcarov” dhe “Rajko Zhinzifov” në komunën e Çairit në Shkup kanë marrë emrat e rinj shqiptarë “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”.
Kjo është një sjellje kaq e parashikueshme e BDI-së para zgjedhjeve, sa tashmë nuk ka as efekt provokues. Maqedonasit janë mësuar. Një gjë e tillë është më provokuese për shqiptarët, duke ua nënvlerësuar nevojat dhe pritjet që duhet të kenë për një jetë normale. Ministria e shëndetit blen sapuna për shkollat, kurse Ministria e arsimit ndryshon tabelat e emrave dhe promovon nacionalizëm. Flasim për një shtet-anëtar të NATO-s, para fillimit të negociatave me BE-në, e BDI-ja akoma pretendon t’ua shesë shqiptarëve përrallat e vitit 2001 me UÇK-në.

Nëse kjo është oferta më e mirë e BDI-së, atëherë le të qëndrojnë aty në opozitë me VMRO-DPMNE-në.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира