1Në ndeshjen e fundit mes anëtarëve me profil të shquar të BDI-së në udhëkryqin pranë selisë partiake në Reçicë të Vogël, detali më misterioz i historisë ishte se bëhej fjalë për një për një ndeshje mes dy grupeve rivale.
Në ç’aspekt kanë qenë rivalë? Sigurisht nuk janë zënë për hapat e ardhshëm drejt BE-së dhe NATO-s, pasi këtu partia qeverisëse është unike. Ndoshta, mund të jenë zënë për poezi, pasi javën e kaluar u vërtetua se poezia është një prej elementeve kyçe të jetës politike maqedonase. Në të vërtetë, njeriu i vrarë në ndeshje ka shfaqur disa karakteristike poeti, pasi disa ditë para se të gjuhej kishte shkruar në Fejsbuk: “Të gjithë lindin meshkuj, por jo të gjithë vdesin burra”. Megjithatë, vallë, për një çështje rime apo metafore nxirreshkan kallashnikovët? Poetët e BDI-së shkojnë në lexim poezish, me kallashnikovët e tyre të përgatitur në veturë. Një metaforë e gabuar, një rimë e pamjaftueshme dhe – u zbraz kallashnikovi. Vdis aty si një mashkull, rrugës për BE dhe NATO.
Ndonëse gjtihnjë kam përshtypjen se rivaliteti ka qenë në një garë matematike. Këta të partisë qeverisëse kanë zgjedhur detyra me thyesa dhe barazime me një të panjohur. Dhe kur rezultatet nuk u kanë dalë të njëjta, kanë vendosur të bindin njëri tjetrin me kallashnikovë, pasi nuk kanë qenë të kënaqur me pjesën që do t’ju përkiste nga tërësia.
Nga partia lajmëruan se ata nuk mund të jenë përgjegjës për diçka që ka ndodhur jashtë selisë partiake. Kurse, se a mbajnë anëtarët e tyre kallashnikovë, pistoleta apo bomba apo jo, kjo është liri poetike.
Në djall vaftë poezia, e thënë në prozë. Në Reçicë të vogël ndodhi një larje hesapesh në stilin e mafiozëve mes anëtarëve të partisë qeverisëse.
Dhe tani me të vërtetë besoj se policja i ka rënë vetë karrotrecit, me të cilin ka dashur t’ia marrë veturën e Beqir Asanit të BDI-së, e parkuar gabimisht në komunën Çair të Shkupit.
2Komunikata partiake e BDI-së ka pothuajse po të njëjtin stil si dhe shpjegimi i Nikolla Gruevskit se pse roja e sigurisë së tij nga një telefon shtetëror më 27 prill të vitit të kaluar ka telefonuar te vëllai i tij, kur gjatë asaj kohe ky i fundit ka qenë duke ndarë maskat për sulmin e Parlamentit dhe akoma është në arrati. Tha se: “si çdo njeri tjetër, kur shkon për udhëtim jashtë shtetit, ka pasur një bisedë të shkurtër me gruan dhe vëllain, biseda familjare…”
Nuk e di se pse do të prisnim që Gruevski papritmas të fillojë të na e respektojë inteligjencën kur ia lejuam që të qeverisë për 11 vjet pikërisht me këto lloj shpjegimesh. Gjithmonë kur situata ishte kritike, ai nuk ishte këtu. Gjithmonë dikush tjetër ia kishte fajin.
3Të vejë në djall ajo prozë. T’i kthehemi poezisë që e shkundi skenën politike të Maqedonisë javën e fundit. Kështu, me disa pyetje prozaike. Si fillim, pse Agjencia për të rinj dhe sport boton libër me poezi? Së dyti, pse libri me poezi është botuar në 5.000 kopje? Nuk besoj se e gjithë veprimtaria e Bllazhe Koneskit, i cili mes tjerash me të vërtetë ka shkruar dhe poezi, të jetë botuar në 5.000 kopje. Së treti, pse vazhdon praktika e vjetër e të shpenzuarit të parave shtetërore pa karar?
Qeveria e re thotë se kjo praktikë është e trashëguar. Në rregull. Po, pse nuk e ndryshojnë atëherë? A nuk e kanë pushtetin? A nuk luftuan kundër procedurave të vjetra që nxisnin praktika të korruptuara?
Ashtu siç luftonin kundër planeve të detajuara urbanistike me të cilat po uzurpohen hapësirat publike, e tani kur janë kryetarë të qytetit thonë se i kanë trashëguar dhe se nuk mund të ndryshohen. Ashtu siç Ministria e arsimit do të legalizojë një vend pune për masazhier në ministri, pasi në VMRO-DPMNE ai është pranuar si posterngjitës që të mund të marrë rrogë shteti, e tani LSDM ia legalizon punën e shtetit që të mos mbesë i papunë.
Këta të rinj që luftonin për ndryshime, në vend që t’i ndryshojnë procedurat mundësojnë konflikt interesash dhe thithje të parave shtetërore në të gjitha mënyrat, vetëm “tuajave” ua shtuan edhe “tonat”. Dhe në vend që t’i përveshin mëngët e t’i futen punës për ndryshime reale, tani do të na shesin moral.
Siç ndodhi në rastin e poezisë së Agjencisë për të rinj dhe sport. A paska qenë personale apo jo. A qenka e ndershme të shkruhet kornishon apo kastravec. Kështu, biseda bie në nivelin e njëjtë si atëherë kur VMRO-vcat i vunë brekë Prometeut. Gjë që s’ka të bëjë fare as me poezi, as me art. Por me një shpenzim të pamasë dhe të papërgjegjshëm të parave shtetërore. Si dhe me një praktikë të korruptuar që askush nuk ka për qëllim ta ndryshojë.
4Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski shpërtheu me ide të reja. Do të bëjë përmendore të kompanisë amerikane “Kelog, Brajan dhe Ruth”, me të cilat kumanovarët shkojnë në kurbet në Avganistan dhe Irak.
Kumanovarëve u rrejdh nevoja e tyre nëpër fusha, UNDP me vite të tëra ua pastron mbeturinat nga shtrati i Kumanovkës dhe Lipkovkës e nuk arrin ta pastrojë që ta shpëtojë nga përmytjet, por ama rëndësi ka që përmendore do të ketë. Dhe jo vetëm të një firme amerikane. Por të gjithë miqve në Kumanovë. Siç thoshin në kohën e tyre VMRO, rëndësi ka që ndërtohet.
Nëse fillojmë t’ua heqim përmendoret të gjithë atyre që kanë ndihmuar që qytetarët tanë të punojnë dhe të fitojnë jashtë shtetit, atëherë përmendoren më të madhe duhet t’ia dedikojmë pasaportës bullgare. Pasi ajo na i hapi vendet e punës në BE, që t’i paguajmë tatimet atje.
Meqë filluam të flasim për miqtë, jo vetëm në Kumanovë, por në çdo qytet të Maqedonisë do të duhet të ndërtohet përmendore për tatimpaguesin e huaj anonim. T’u tregojmë mirënjohje të gjithë atyre tatimpaguesve nga Amerika, Gjermania, Holanda, Zvicra, Norvegjia, Zvicra, Britania e Madhe, Japonia. Turqia…të cilat në 27 vjetët e fundit kanë ndarë nga buka e tyre dhe harxhuan miliarda euro, dollarë, kruna, jeni, lira… që të na ndërtojnë kanalizimet, të na i mbledhin mbeturinat, të na rregullojnë lumenjtë, të na i mbrojnë freskat, ikonat, kishat dhe xhamitë, të na i pastrojnë liqenet, të na i rregullojnë parqet nacionale…
Provuan edhe gjykatën të na e rregullojnë. Por nuk ia dolën. As e gjithë bota nuk ka aq para sa për ta rregulluar gjykatën e Maqedonisë.
5Në këtë shtet nuk ndërtohen vetëm përmendore për firma që i shpërngulin qytetarët nga Kumanova. Në këtë shtet vidhen edhe semaforët e unazës rreth Manastirit.
Këto janë dy fundet e të njëjtit absurditet. Absurditeti ka emrin Maqedoni. Erga omnes.
Në këtë shtet, Rotvajleri që vrau nëntë njerëz, do të dërgohet për rehabilitim në Itali. Kurse para asaj, majmuni Koko që vuante nga depresioni në kopshtin zoologjik të Shkupit shkoi për shërim në Holandë.
Në Maqedoni mbetën vetëm rastet e pashërueshme. I ashtuquajturi faktor njerëzor.
Përktheu: Fjolla Zllatku