LUPÇOJA DHE RAMIZI

Paratë e njerëzve të ndershëm duhen harxhuar me mençuri. Jo për tjetër, por që të shpërblehen të pandershmit.

1 Prokuororia themelore publike për përndjekjen e krimit dhe korrupsionit të organizuar ka ngritur aktakuzë kundër 4 personave për shoqatë kriminele dhe cënim të rendit kriminel të shtetit.

I akuzuari i parë N.N. ka ndërtuar një shtesë të shtëpisë familjare në bazë të miratimit për të ndërtuar të marrë sipas Planit të vlefshëm të detajuar urbanistik në përshtatje me Planin e përgjithshëm urbanistik dhe ka paguar shërbimet komunale me anë të çkaje ka kontribuar në buxhetin komunal që aty të transferohen xxx denarë.

Të akuzuarit të dytë M.M., i cili është kryetar i Komunës, në territorin e së cilës është kryer një vepër penale, i vihet faji i respektimit të rreptë të Ligjit për ndërtim me çka ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat zyrtare dhe ka kryer veprën penale “Punë e ndërgjegjshme e zyrtarit.”

Dy të akuzuarit e tjerë A.A dhe V.V., me investitorët e ndërtimit plotësues dhe kryetarit të qytetit, në një bashkësi të personave përgjegjës – udhëheqës dhe zv. udhëheqës i Sektorit për urbanizëm – kanë formuar shoqatë kriminele, në atë mënyrë që investitorit i kanë lejuar të ndërtojë dhe të paguajë shërbimet komunale me respektim të ligjeve. Kështu, duke i kryer detyrimet e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme, ata e kanë shkelur ashpërsisht Ligjin për legalizim të objekteve të ndërtuara ilegalisht dhe i kanë mundësuar të akuzuarit të parë N.N., që ta marrë këtë objekt legal. Me këto veprime kjo shoqatë kriminele ka insistuar për respektim sistematik të Kushetutës, ligjeve dhe akteve të tjera pozitive, gjë me të cilën ashpërsisht e kanë dëmtuar rendin kriminel të shtetit.

2 Ja, kështu do të duken komunikatat e prokurorive nëse vjen në fuqi Ligji për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme të cilin e votuan në mënyrë të dakorduar deputetët e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
Është mirë që presidenti Stevo Pendarovski refuzoi ta nënshkruajë Ligjin dhe e ktheu në Parlament. Por, madje edhe si një optimist cinik unë nuk shpresoj se deputetët e njëjtë nuk do ta votojnë prapë. Që kur në Parlament nuk është votuar diçka me madje edhe 72 vota “për”? Mos kujtuat se LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja do të merren vesh për vaksinat, për ndihmën e shëndetësisë në mes të pandemisë, për masat paqetë të ekonomisë, për tejkalimin e kovid-krizës, për pajisjet e ushtarëve… Jo bre. Pas çështjes së politikës së përgjithshme “të ndershmit janë budallenj, të pandershmit janë të mençur dhe andaj çdo ndershmëri duhet të dënohet” dhe në bazë të deklaratës historike të kryeministrit Zaev nga viti 2019 të dhënë në Ohër – “Madje edhe nëse do të ishte kundër ligjit, do të gjehet një mënyrë” dhe qeveria dhe opozita do të bien dakord.

Me konsensus sollën ligjin për mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve. Kësaj radhe madje edhe Hristijan Mickoski doli bashkëpunues, e deputetët e tij e pranuan zgjidhjen e propozuar nga qeveria. Madje kanë dhënë dhe kontributin e tyre në debat. Këta të VMRO-DPMNE-së kanë propozuar amandamente, kurse të LSDM-së ua kanë pranuar. Xhanëm, idil parlamentar. Gjithçka në frymën e dialogut politik dhe procesit Zhan Mone në Parlament.

Me amandamentet e pranuara nga VMRO-DPMNE pushojnë të gjitha procedurat gjyqësore kundër atyre që kanë ndërtuar në mënyrë jolegale. Kështu, ata që kanë shkelur ligjin tani mund ta padisin shtetin si një palë e dëmtuar. Shteti do të duhet t’i paguajë dëmshpërblim për shkak se i ka përndjekur me ndërtim joligjor.

Me paratë e kujt do t’i paguajë shteti ata që nuk i kanë respektuar ligjet? Normalisht me paratë e atyre që i kanë respektuar ligjet. Paratë e të njerëzve të ndershëm duhen harxhuar me mençuri. Jo për tjetër, por që të shpërbëlehen të pandershmit.

3 Momenti më emocionues do të jetë ai kur do të duhet që ligji të vihet në zbatim, sidomos nëse ndërtimet e paligjshme janë në parqet nacionale dhe territoret e mbrojtura në afërsi të burimeve të ujit. Qeveria i shoi të gjitha shqetësimet dhe dyshimet. Thonë, “nuk do të legalizohet çdo gjë”, por “në mënyrë që të legalizohet, për shembull një territor i mbrojtur, duhet të merret pajtim nga një organ i autorizuar, ministri ose institucion tjetër, në qoftë se ky ndërtim nuk e rrezikon atë territor”.
Cilat janë ato “institucione të autorizuara”? Janë po ato institucione që deri më tani kanë mundësuar ndërtimin e paligjshëm. Të mos i sillni institucionet nga Norvegjia? Dhe investitorët të mos kenë vetëdije norvegjeze? Përse dikush do të ndërtonte në një zonë të mbrojtur të burimeve të ujit në Maqedoni nëse nuk ka vetëdije norvegjeze? Apo ndoshta, ndonjë ministri norvegjeze do ta kontrollojë implementimin e vetëdijes edhe të investitorëve dhe të pushtetit lokal dhe qendror në Maqedoni, e kështu “nuk do të legalizohet çdo gjë”.

Sa keq që Norvegia nuk është në BE. Përndryshe implementimi i Ligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme do të ishte projekt i shkëlqyer binjakëzimi dhe një hap drejt standardeve të BE-së.

4 Fjala “institucionet e autorizuara” duket shumë bukur në letër, ashtu sikurse bukur tingëllojnë fjalët e zv. kryeministrit për luftën kundër korrupsionit Lupço Nikollovski, kur thotë, për shembull se, me kryetarin e Strugës Ramiz Merko kanë biseduar për “nevojën për të zbatuar masat e Planit të luftës kundër korrupsionit, të cilat kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale”, gjë e cila tingëllon kaq serioze sa të bën të mendosh direkt se nuk ekziston korrupsioni.
Zv. kryeministri dhe kryetari i qytetit “kanë rënë dakord se beteja me korrupsionin duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet shoqërore, ndërsa bashkëpunimi me pushtetin lokal është kyç”. Lupçoja dhe Ramizi do të luftojnë krimin në mënyrë të ndërlikuar. Pasi kryetari i Strugës nuk është po ai “institucion i autorizuar” i cili deklaron se: “Ne do të ndërtojmë, e jo vetëm që do të ndërtojmë por do të përfundojmë së ndërtuari gjithçka. Sa për këto joqeveritaret e Ohrit që sulmojnë në Strugë, për to as nuk më bëhet vonë fare.”

5 Për dallim nga Merko, të cilit “nuk i bëhet vonë fare” për ndërtimet e paligjshme në Strugë, bashkëatdhetari i tij Artan Grubi do të ketë hallet e të tjerëve. E kështu, kur të mos jetë duke larë me zorrë kalldërmën e çarshisë së Shkupit, do të përkujdeset që Gjeorgjia të reformojë gjyqësinë, prokurorinë dhe strukturën e sigurisë sipas modelit tonë. Këtë ia tha Grubi presidentes së Gjeorgjisë Saloma Zurabiçvili, e cila ishte në vizitë zyrtare. Ky është një model sipas të cilit 214 kriminelë të huaj nga MPB kanë marë pasaporta të falsifikuara legale të Maqedonisë dhe modeli sipas të cilit duhej të krijohej një Prokurori speciale, pasi prokuroria normale refuzonte që të bëjë punën e saj. Duke ndjekur këtë model, prokurorja speciale përfundoi në burg për shkak të korrupsionit nga një të dyshuar në rastet e saj.

Në ç’botë jeton Artan Grubi? Në botën e zv. kryeministrit të parë, të cilën vetë e krijoi.

Ashtu sikurse dhe Lupço Nikollovski, që ka ndërtuar vetë botën e antikorrupsionit dhe jeton brenda botës së tij të luftës kundër korrupsionit.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира