1 Neve, “antievropianëve”, “histerikëve” dhe “ekspertëve të vetëquajtur”, që jemi shumë budallenj dhe nuk mund ta kuptojmë dimensionin historik të protokollit të nënshkruar me Bullgarinë në kornizën negociuese për fillim të negocimeve me BE-në, qeveria na e çau kokën me “identiteti – beton, gjuha – beton”, “gjuha e pastër maqedonase”, “gjuhën na e pranon e gjithë Evropa”, “maqedonishtja do të ushtojë në Evropë”, “maqedonishtja jehoi në Bruksel”…Dhe – ja ku jehoi gjuha – me një deklaratë të shkruar në formë analfabete në procesverbalin pas mbledhjes në Bruksel, përkundër deklaratës së njëanshme të Bullgarisë se gjuha maqedonase nuk ekziston.
“Gjuhë e pastër maqedonase” – e palektoruar.
Nuk po flasim për atë se nëse duke shkruar deklaratën kyç politike Qeveria është konsultuar apo jo me maqedonistë, sllavistë, historianë…Po flasim për një lektorim të thjeshtë të një teksti që është krijuar nga politikanët. Nuk besoj se në Qeveri ka lektorë. Ky është një detyrim ligjor. Edhe pse, me thënë të drejtën, nuk kanë pasur nevojë as për lektor, sepse mjafton dikush i arsimuar që ka mbaruar klasën e dytë, që të kuptojë se në maqedonisht fjala “maqedonas” shkruhet me “M” të madhe, ndërsa gjuha maqedonase me “m” të vogël, ashtu si dhe populli maqedonas. E tani do të thonë – aman bre, juve asgjë nuk ju pëlqen, tani edhe “M”- ja ju pengon, ndërsa ne kemi nisur për BE. E, sigurisht që na pengon, sepse politika edhe në këtë shembull tregoi përbuzjen e saj ndaj profesionalizmit dhe ekspertizës. Ashtu si Nikolla Gruevski gjithë përbuzjen e tij ndaj profesionistëve dhe ekspertëve e përmblodhi në frazën legjendare “Mile, mu tek” (Mile, mi tekna). duke e bërë veten arkitektin dhe historianin e madh,
VMRO-ja e kohës së Gruevskit thoshte: Ç’ju kanë mësuar nëpër ato fakultete komunale? LSDM-ja thotë: Lërini ata, VMRO-ja i punësoi. Në “M”-në e madhe nga deklarata e njëanshme për gjuhën maqedonase në fillim të procesit të aderimit drejt BE-së mund të shihet thelbi i gjithë çrregullimit partiak të shtetit – edhe analfabetë, edhe bishtpërpjetë, edhe nuk respektojnë ligjin, edhe ekspertët i malltretojnë.
2 Po afrohet 2 gushti, ku do të duhet të festohet Ilindeni i dyfishtë – si ai i kryengritjes së vitit 1903, ashtu dhe ai antifashisti i vitit 1944. Mos guxojë servisi shtetëror të emitojë ndonjë dokumentar të vjetër për kryengritësit e Ilindenit, apo edhe më keq, ndonjë raportim të Luftës së Dytë Botërore, si për shembull të deportimit të hebrenjve në Treblinkë. Teodora Gençovska nga tani do të mbledhë shënime për mbledhjen e ardhshme ndërqeveritare, e Bujar Osmani do të duhet ta fshehë tekstin edhe në Protokollin e tretë bilateral.
Le të mos i nevrikosim bullgarët dhe le të mos e shqetësojmë Uruslla fon der Llajenin, Oliver Varhein dhe burokratët e tjerë të Brukselit. Janë shqetësuar mjaftueshëm nga lufta në Ukrainë. E kështu, ditën kur qeveria na bindte se kishte triumfuar në Bruksel, ministresha e punëve të jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska deklaroi se gjuha maqedonase nuk ekziston. Gjithë botës i duket e shpifur lufta që e nisi Putini me pohimin se Ukraina është një shtet i shpikur, se ukrainasit janë rusë, kurse gjuha ukrainase nuk ekziston pasi është një dialekt i rusishtes. Por kur Bullgaria e thotë të njëjtën gjë për popullin dhe gjuhën maqedonase, kjo bëhet dokument zyrtar i pranuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa tanët janë të lumtur sa s’bën duke u përqafuar nga ngazëllimi.
3 Që kur do ta azhurnojmë Kushteturën me shtimin e bullgarëve, nuk do të më çudiste sikur vetoja e ardhshme e Sofjes zyrtare të ketë të bëjë me një kërkesë për të ndryshuar edhe himnin. E ç’është ky këndim për Goce Dellçevin, Dame Gruevin, Jane Sandanskin…Akoma edhe vargu “Maqedonasit luftojnë për të drejtat e tyre”. Mos po e teprojmë paksa me luftën? Se pastaj edhe himnin do ta shohin si fjalim të urrejtjes.
4 Në Protokollin e dytë bilateral mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, i cili në 17 korrik u nënshkrua nga ministrat Osmani dhe Gençovska në Sofje ka një pikë që i referohet gjuhës së urrejtjes. Shtetet e vërtetojnë përgjegjësinë e tyre për të marrë masa ndaj çdo lloj fjalimi të urrejtjes dhe i përcaktojnë ministritë për punë të jashtme për kontakt dhe informim të institucioneve kompetente për identifikim të përbashkët të fjalimit të tillë në mbishkrime të ndrëtesave publike dhe përmendore, tekste dhe programe shkollore, si dhe në hapësira publike.
Një ditë më vonë, në 18 korrik, Bullgaria me një deklaratë të veçantë në BE konfirmoi se nuk e pranon gjuhën maqedonase.
Të ishim ne qytetarë të mençur, do ta kishim mbytur “pikën tonë të kontaktit” – Ministrinë maqedonase të punëve të jashtme me të paktën një milion ankesa për gjuhë të urrejtjes nga Bullgaria për gjuhën maqedonase. Jo në FB, por në MPJ. Janë bërë ca profesorë të maqedonishtes bashkë e kanë krijuar peticion në FB. E shpërndajnë, e nënshkruajnë e i bëjnë “like”. Punë e madhe. Ore, jeni institucion, jeni doktorë shkence, profesorë, keni emër e mbiemër. Dërgojeni në Qeveri, në Kuvend, në Ministri…Një institucion komunikon me një institucion tjetër, jo me FB.
Të gjithë ne që flasim në maqedonisht, shkruajmë në maqedonisht, këndojmë në maqedonisht, xhirojmë filma në maqedonisht, aktrojmë në teatër në maqedonisht, krijojmë shkencë në maqedonisht, të gjithë ne le t’i shkruajmë MPJ-së se jemi përballur me gjuhë të urrejtjes nga përfaqësues shtetërorë të një shteti-anëtar të BE-së.
Është dokument evropian, po veprojmë në mënyrë evropiane. Na fal Bujar, ama kështu shkojnë punët sipas protokollit.
5 Përse të gjykuarit tanë elitarë Orce Kamçev dhe Sasho Mijallkov, kur veçse kanë zgjedhur të shkojnë në burg në Strugë, kanë zgjedhur të shpërngulen në Ohër, kur kishin mundur të marrin letërnjoftim pikërisht nga Stuga? E nuk do të kishin nevojë të udhëtonin çdo ditë, meqë benzina është shtrenjtuar dhe kafet e Strugës janë më të lira se ato të Ohrit.
Edhe ndryshimi i vendbanimit para shkuarjes në burg, ashtu si dhe zgjedhja e burgut se ku dëshiron ta kalosh dënimin është sipas parimit të njëjtë, siç i bënin dhe krimet për të cilat janë gjykuar – “gjithçka sipas ligjit, shef”. Cikli u mbyll. E plaçkitën buxhetin sipas ligjit, përgjuan sipas ligjit, e rrëmbyen shtetin sipas ligjit e në fund edhe zgjodhën ku dhe në ç’burg do ta kalonin dënimin. Ligji është i pamëshirshëm në Maqedoni.
6 Seanca e Kuvendit për kornizën negociuese na rikujtoi si ishte kur VMRO-DPMNE-ja ishte në pushtet dhe na tregoi se si do të jetë kur të kthehet në pushtet. Kur deputetët e LSDM-së flisnin në foltore, nuk dëgjoheshin dot nga vuvuzelet e VMRO-së. Nëse tani, kur janë në opozitë, VMRO-ja nuk lejon që të dëgjohet një mendim ndryshe, dhe për më tepër në Kuvend, a thua si do të jetë kur të vijnë në pushtet?
E, si do të jetë? E dimë, kemi parë se si mund të jetë. Me gjithë ato mallkime, ofendime, kërcënime dhe urrejtje të fshehur që e derdhën në foltore kundër atyre që kanë një mendim ndryshe sa i përket politikës, do të jetë ashtu siç ka qenë – do të gjykojnë Qosja vëllavrasësi dhe partia.
7 Prapë do të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë. Qeveria nënshkroi marrëveshje me dy firma për ndërtim të fazës së parë dhe të dytë të hekurudhës.
Sipas arkivit të “Sakam Da Kazam”, raportet e para për hekurudhën me Bullgarinë paraqiten në 15 tetor 1994 kur shkrova se “më në fund kemi prerë shiritin për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë”. E pastaj, raportet për hekurudhën përsëriten në mënyrë ciklike çdo tri-katër vjet, në varësi të cikleve zgjedhore.
Të kishte pasur nevojë për një hekurudhë, do të ishte ndërtuar për këto tridhjetë vjet. Vetëm nëse edhe hekurudha ka pritur deklatarën zyrtare bullgarë në BE se gjuha maqedonase nuk ekziston që të fillojë të ndërtohet.
Përktheu: Fjolla Zllatku