1 Nuk e kuptoj se si akoma nuk është dënuar arsimtari që ka paraqitur nxënësin e klasës së nëntë Damjan Davkov në garën e matematikës për nxënës të shkollës së mesme. Arsimtari që ka dalluar potencialin te nxënësi i tij dhe e ka nxitur që të paraqitet në garë deri më sot duhej të ishte suspenduar. Në fund, do të dalë se është më mirë që ministresha e arsimit Milla Carovska ka refuzuar t’i japë çmimin prej shumës së parave Damjanit. Pasi, në rastin e tij janë gjetur shkelje të ligjit në nivel të krimit të organizuar. Nuk është fajtor vetëm arsimtari, por edhe nëna që e ka nxitur nxënësin të shkojë në garë, e për më tepër, pasi ka fituar, ka vazhduar që të shkruajë dhe ankesa. Janë fajtorë edhe arsimtarët që e kanë organizuar garën dhe që i kanë lejuar Damjanit të marrë pjesë. E më së shumti është fajtor vetë Damjani, sepse është shumë i mirë në matematikë, di shumë më tepër se nxënësit e shkollës së mesme, e kështu ka dalë dhe fitues.
Fëmijës i bënë shërbim. Ai mori një mësim jete për sukses në këtë shtet. Ky mësim thotë që shteti yt nuk janë as deputetët, as ministrat, as partitë që i përcakojnë ata, as kryeministrat, as administrata analfabete dhe e partizuar. Shteti yt janë prindërit, shokët dhe të gjithë njerëzit e njohur dhe të panjohur të cilët i gëzohen suksesit tënd. Pasi “nuk ka të bëjë me lekët e çmimit”, siç thotë nëna e Damjanit. Por ka të bëjë me aprovimin e suksesit dhe me motivimin për të qenë edhe më i mirë dhe frymëzimin e të tjerëve që të jenë edhe më të mirë.
Përse Damjani do të donte të mbetej në një shtet i cili nuk gëzohet për suksesin e tij? Do të gjejë një shtet tjetër ku gëzohen. Përse të fillojë të mbledhë mllef që i vogël? Rasti i tij, për herën e një miliontë, bëri të qartë se institucionalisht, ky shtet, nuk i do të suksesshmit.
Institucionet mbajnë qëndrim armiqësor dhe sistemi e ka eliminuar këtë fëmijë që në garën e tij të parë të suksesit.
2 Nuk doja t’i futesha bizaritetit të budallallëkut se pse Damjani është refuzuar së marri çmimin që i takon, ngaqë nuk është nxënës i shkollës së mesme, dhe se pse i dyti në radhë, i cili është nxënës i shkollës së mesme nuk mund ta marrë çmimin në vend të tij. Mirëpo, me provokuan apologjitë parтiake që filluan ta mbrojnë ministreshën Milla Carovska dhe Ministrinë për faktin se e kanë refuzuar Damjanin, ngaqë ligji kështu thotë.
Si ka mundësi, vallë, që atij që e ka shkruar vendimin, të mos i jetë dukur ky rast i çuditshëm? Përse ministresha, para se ta nënshkruajë nuk ka menduar – prit, le të gjejmë një zgjidhje se si ta mbështesim këtë fëmijë. Nuk është Milla nga ato që nuk иu kujtohen idetë. Por nuk ka parë se ç’po nënshkruan. I kanë thënë se kështu është sipas ligjit dhe – e ka bërë.
E, sa i përket rregullit “Çdo gjë sipas ligjit, shef”, jam i sigurt se edhe kur i përgatisin tenderat e mëdhenj, i përmbahen kaq shumë ligjit, njëlloj si me rastin e Damjanit. E sa për punësimet në administratën shtetërore, më mirë të mos flasim fare.
3 Vaksinat kundër konvid-19 do të mbërrijnë në fund të këtij muaji. Nëse jo, atëherë muajin tjetër. Nëse jo muajin tjetër, atëherë në katërmujorin e parë, e nëse jo atëherë, në katërmujorin e ardhëm.
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se shteti nuk ka dështuar me furnizimin me vaksina. “Disponojmë me një nga sistemet më të përgatitura”, deklaroi ai. Listat për vaksinim janë përgatitur, lokacionet e punkteve vaksinuese janë përcaktuar, frigoriferët janë vendosur në funksion, ndërsa ne presim me mëngët e përveshura që të na shpojnë. Gjithçka është gati që sistemi të funksionojë. Mungojnë vetëm vaksinat.
Fakti që po vonohemi me fillimin e vaksinave nuk është për arsye se qeveria nuk dashka që testimi për vaksinat të bëhet te ne, siç tha ministresha Radmilla Sheqerinska. Por ministri Filipçe po na krijon atmosferën që të na rritet niveli i emocionimit për vaksinat, e sa më tepër t’i presim, aq më shumë t’i dëshirojmë. Të kemi mall për to.
4 E ç’të mendojë njeriu për atë Bashkim Evropian kaq të dëshiruar, kur sheh se si sistemi i tyre po ndryshket? Se ata vetë u mbytën në burokracinë e tyre, e i lanë edhe qytetarët e tyre pa vaksina. Dhe se kriza e kovidit me të gjithë ato mbylljet e kufijve, ndalime të lëvizjes, dënimet dhe kontrollet në çdo hap është triumf i ksenofobisë, nacionalizmit dhe teorive të konspiracionit përkundër shkencës. Kam frikë të kujtoj se çfarë fuqish regresive dhe represive do të mund të lindin. Dhe se me kovid-10, po iu vdes dhe miti i Evropës së ndërtuar në themelet e solidaritetit. Andaj, nuk duhet të hidhërohemi me Bashkimin Evropian. Edhe pse për ne zhgënjimi nga BE është i dyfishtë, Se jemi dy herë të tradhëtuar. Një herë na premtuan se pa kushte do t’i fillojnë negociatat për anëtarësim. Nuk na e përmbushën premtimin. Pastaj na thanë se një pjesë të vaksinave do t’i ndajnë për ne. As këtu nuk e përmbushën premtimin. Çfarë marrëdhënie duhet të kesh, vallë, me dikë që premton, por nuk e përmbush atë çka thotë?
Le të mos flasim që, ai Bashkim Evropian që e kishim model suksesi përjetoi një fiasko diplomatke totale me Ballkanin Perëndimor. Serbia u mban leksione për sistem imunizimi dhe i sfidon me katërr lloje vaksinash, Shqipëria të paktën ka aq guxim sa të ngrejë zërin për pakënaqësitë, ndërsa ne nuk guxojmë as të qajmë me veten se mos ndoshta na hidhërohen, e ndihen të fyer. Të them të drejtën, këtu nuk kemi shumë për t’u ankuar. Ishim rehat se mendonim se KOVAKS do të na mbarojë punën, por ne ndërkohë nuk bëmë detyrën e shtëpisë.
Po nuk e kemi dhe aq keq, se të paktën nuk do të na hidhërohen që po marrim vaksina kineze. Kështu tha kryeministri Zaev, e cili është konsultuar me partnerët strategjikë dhe me Uashingtonin. Si nuk pyetëm nëse guxojmë të marrim dhe vaksinat ruse! Puna është kështu, o BE, o vdekje.
5 E meqë po flasim për partnerët tanë strategjikë, vëllezërit, miqtë, fqinjët e mirë dhe të gjitha epitetet e tjera lajkatuese që përdorim, le të kujtojmë edhe një herë arsyen kryesore për zhgënjimin nga BE. Sjellja e Bullgarisë dhe pafuqia e 26 shteteve të tjera që t’i kundërvihen kësaj sjelljeje.
Ne tashmë kemi harruar si BE-në ashtu dhe veton bullgare, e atyre hop – u teket ta përmendin. Na qenka ditëlindja e 149 e Goce Dellçevit e Bojko Borisovi tha se shpreson se ditëindjen e 150-të do ta festojmë sëbashku.
Festoni për Gocen ku të doni e si të doni. Vëllezërit dhe miqtë duhen ndihmuar në fatkeqësi e sëmundje që të mbeten gjallë e shëndoshë, e jo me festime ditëlindjesh të atyre që kanë vdekur.
Përktheu: Fjolla Zllatku