MAQEDONIA EKSPRES

Ky është edhe një nga ato raste të cilin po ta vendosësh brenda një filmi, do të duket i pabesueshëm. Maqedonia ekspres.

1 Të mërkurën do të festojmë tridhjetë vjet shtet i pavarur. Dikush që ka lindur në 8 shtator 1991, do të mbushë tridhjetë vjet. Do t’i ketë ardhur koha për t’u bërë kryetar komune, ministër, deputet…Sepse ata nuk njohin shtet tjetër më të organizuar se ky.

Nuk jam jugonostalgjik. E as më vjen keq për socializmin. As për rininë. Unë thjesht po bëj disa krahasime. Për shembull, në mesin e viteve 1970 në Shkup u ndërtuan gjimnazet “Orce Nikollov”, “Rade Jovçevski Korçagin”, “Nikolla Karev”, Posta, Kampusi universitar…Shkolla fillore “Ivan Goran Kovaçiq” në Karposh 4, “Petar Pop Arsov” i tanishëm u hap si një ndër shkollar më bashkëkohore në gjithë Jugosllavinë. Spitali “8 Shtatori”, në atë kohë i njohur si Spitali ushtarak, u ndërtua sipas standardeve më të larta botërore të arkitekturës për objekte shëndetësore. E gjithë kjo u ndërtua në periudhë prej tridhjetë vjetësh pas Luftës së dytë botërore në një republikë të rënuar, tepër të varfër, analfabete dhe minimalisht të elektrifikuar. E të mos harrojmë se kishin kaluar vetëm 10 vjet nga tërmeti katastrofik i Shkupit. Çfarë kemi ndërtuar në Shkup gjatë 30 vjetëve të fundit në krahasim me këto objekte? Shkollën “Kiro Gligorov”, Klinikën e gjinekologjisë, një mori ndërtesash baroku me zyra për administratën e shtetit, fasadat e të cilave tashmë kanë filluar të shkatërrohen.

A keni guximin për një aventurë, të shkojmë bashkë në një “udhëtim me tren”? Nga Shkupi deri në Veles treni pret 2 orë, se në mes të rrugës prishet dhe pret lokomotivë tjetër. Para dhjetë ditësh, një pasagjere është sëmurë, kanë thirrur ndihmën e shpejtë, e deri sa treni ka mbërritur në stacion, mjekja dhe inferimierja janë kalbur nga mërzia, duke e pritur pasagjeren për ta ndihmuar. Treni ka nisur nga Velesi drejt Prilepit, por është ndalur në Bogomillë. Makina ka pasur probleme në tërheqje. Kanë dërguar makinë të re nga Velesi. E kur më në fund treni ka mbërritur para Manastirit, është ndalur në mes të Pellagonisë sepse kallamet e ndezura buzë hekurudhës i kishin nxehur binarët. E pastaj kanë dalë pasagjerët e ujin që u kish mbetur në shishe e kanë hedhur mbi binarë që treni të mund të nisej.

Ky është edhe një nga ato raste të cilin po ta vendosësh brenda një filmi, do të duket i pabesueshëm. Maqedonia ekspres.

Ata të cilët me 8 shtatot festojnë ditëlindjen e tyre të tridhjetë, nuk e dinë se në vitet 1970 nëpërmjet po asaj hekurudhe kalonte treni i quajtur “Pelagonija ekpres”. Tren zyrtar, më i madh madje edhe se ai ekpresi që vinte nga Lubjana. Niste herët në mëngjes nga Manastiri, ndalonte vetëm në Prilep dhe në Veles, njerëzit përfundonin punën e tyre në Shkup e pasdite ktheheshin në shtëpi. Ta quajmë jugonostalgjii? Të themi se na vjen keq për rininë, kur edhe mua më dërgonin me atë tre në pushime verore në Pelister, në kohën e stacionit të vjetër hekurudhor? Apo ta quajmë një rikujtim i gjithë asaj që nuk kemi arritur të mirëbajmë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve në pavarësi?  E kjo vlen si për trenin, si pushimoren në Pelister që po rënohet si gjithë të tjerat.

Sa për teleferikun me të cilin shkonim nga Tetova në Kodër të Diellit – do të flasim në një rast tjetër. Nëse do ta kishim bërë punën siç duhet, për këto tridhjetë vjet nga Tetova në Gostivar do të kishim realizuar qytete olimpike. E për banjat – nuk do ta hap fare temën.

Nuk kam dëgjuar asnjëherë për një shtet i cili e ka shkatërruar vetë Bibliotekën popullore dhe universitare. Biblioteka e Sarajevës u dogj gjatë luftës. E jona po shkatërrohet gjatë paqes.

Është pa kuptim të kërkohet një person fajtor, pasi edhe atë që kemi pasur, tani e kemi shkatërruar. Për tridhjetë vjet u ndryshuan shumë qeveri, shumë ministra, shumë deputetë, shumë kryetarë komunash, shumë drejtorë të institucioneve publike dhe shumë ndërmarrje…Sikush të paktën dikush prej tyre, madje edhe për arsye vetjake, të merrte përsipër rregullimin e rrugës drejt qytetit të vet, ta urbanizonte fshatin e vet, t’u mundësonte kushte më të mira mësimi, mjekimi e sporti të paktën fëmijëve të vet?

Ata janë fajtorë sepse siç duket kur ulen në makinat zyrtare të rrethuar me dhjetra lajkatarë harrojnë se nga kanë ardhur dhe kujtojnë se gjithçka fillon me ta. Po ne? Ne jemi fajtorë sepse kjo nuk na pengon.

2 Kryeministri Zoran Zaev thotë se nëse qytetarët nuk duan të pranojnë regjistrues të pavaksinuar, atëherë shteti do t’u mundësojë regjistrues të vaksinuar.
Nuk e kuptoj se pse shteti e hap fare temën e regjistruesve të vaksinuar apo të pavaksinuar? Ishte ndryshe në prill, kur vraponim që të vaksinoheshin në Serbi sepse nuk kishte vaksina. Tani ka vaksina sa të duash. Nëse Greqia mundej në mes të valës së katërt të pandemisë ta lëshojë në pushim të papaguar mijëra mjekë dhe infermierë që nuk janë vaksinuar, atëherë përse te ne vihet në pyetje tolerimi apo jotolerimi i regjistruesve? I tilli na paska qenë ligji, nuk dashkan të diskriminojnë. E nuk qenka diskriminim nëse na dështon regjistrimi? A nuk është diskriminim fakti se tani shteti është përsëri në listën e zezë të udhëtimeve, sepse shteti lejoi që të kishte kufij krejtësisht të hapur në mesin e pandemisë, lejoi gjithashtu dasma në hapësirë të mbyllur, tolerim të mjekëve kundër vaksinës dhe të drejtorëve të paaftë partiakë nëpër spitale dhe shtëpi të shëndetit.

Nga një anë, qeverie bën fushatë për vaksinim, e nga ana tjetër u jep një shkak të gjithë atyre të pozicionuar kundër vaksinave të shesin mend rreth shëndetësisë, arsimit, dixhitalizimit, virusologjisë, imunologjisë, psikologjisë së fëmijëve dhe psikologjisë së përgjithshme.

Do të më bindin me slogane dhe pankarta që të regjistrohem. “Nuk je vetëm një numër, merr mjesë në regjistrim”. Nuk kemi pse të bindemi. Regjistrimi është detyrim ligjor. Nuk ekziston zgjedhja që të respektohet ligji apo jo. Ligji duhet respektuar nëse jemi një shtet.

Zaevi kishte guximin ta ndryshojë emrin dhe të na çojë në NATO. Nga një populizëm i thjeshtë dhe një demokraci FB, në mes të pandemisë nuk mblodhi fuqinë që ta zbatonte Kushtetutën për ta mbrojtur shëndetin publik.

3 Njëri nga ata që përfitojnë në mënyrën më brutale nga e gjithë tema kundër vaksinave është lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Në fillim të gushtit, vetë kishte shkruar në FB se është vaksinuar. E në fillim të shtatorit në televizion tha  “dje u vaksinova”, se ka qenë i detyruar të vaksinohet për shkak se masat e Qeverisë kanë qenë tejet idioteske.
Çdo radar i kafeneve mund të skanojë kodein dhe ta kontrollojë nëse me të vërtetë Mickoski ka marrë dozën e parë të vaksinës. Nuk e di nëse këtë herë mund t’i besohet. Sepse, nuk është hera e parë që i saboton masat për mbrojtje nga koronavirusi. Vjet gënjente se nuk kishte shkuar në palestër gjjatë kohës së orës policore kur gjithçka ka qenë e mbyllur. E kur e kapën në incizim, thoshte se kishte qenë reflektimi i dritës nga duart, e jo doreza mbrojtëse.  Njëherë bënë rrethim në Debar Maalo, debatonin inspeksione dhe policia e qytetit dhe shtetit se kush është kompetent gjatë kohës së qeverisë teknike, sepse ai rrinte me shoqëri brenda kafes në një kohë kur kishte ndalesë për të bërë këtë.

Le të themi se politka mbetet politikë dhe se përfitimi politik është diçka që e shoqëron domosdo politikën. Mickoski në politikë udhëhiqet nga motoja “Sa më keq për shtetin, aq më mirë për veten.” Por kjo tashmë nuk është politikë. Një mashtrim kaq i paskrupullt nuk është i turpshëm vetëm për Mickoskin si lider i partisë. Kjo është diçka e turpshme për të si njeri. Ky njeri është profesor universitar. Atij ia besojmë fëmijët për të na i edukuar.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира