MARRËVESHJE E DOJRANIT

Njet! Dhe mjaft po më shtyni me zor të futem në NATO!

MARRËVESHJE E DOJRANIT

1Nuk u pëlqyeka emri Maqedonia Veriore. Epo, as mua. Fare s’më pëlqen. Dhe s’është aspak e drejtë. Por, tanimë nuk flasim për emrin. Për emrin kemi folur 25 vjet. Tani flasim mbi atë se a na pëlqen apo jo ajo që ndryshimi i emrit sjell me vete. Pasi, ne nuk do ta ndryshojmë emrin ngaqë duam. Por, sepse ky është kusht për anëtarësim në BE dhe NATO.

Kjo vlen sigurisht nëse ne duam të futemi në BE dhe NATO. E nëse nuk duam – nuk do ta ndryshojmë emrin. Më mirë s’mund të thuhet. Këto janë opsionet.

2Ndërsa, sa i përket temës se nuk flasim rreth emrit, këtë gjë më së miri e shpreh partia opozitare. Hristijan Mickoskit nuk i pëlqyeka pyetja e referendumit për të cilën Zaevi tha se mendon që të jetë kështu: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me anë të pranimit të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?” Paska qenë pyetje me shumë kuptime. E nëse Mickoski paska dashur të marrë pjesë te formulimi i pyetjes, atëherë përse iku nga takimi i parë i liderëve të një përbërjeje pak më të gjerë? Mbase sepse nuk i intereson as referendumi, as emri, as NATO dhe BE. Por, e intereson pika e vetme e agjedës së tij. Dhe kjo është – ta shpëtojë Gruevskin dhe shoqërinë e tij kriminele nga burgu. Për këtë arsye ekzistojnë gjithë këto pengesa në shtet. Duke nisur që nga mbrëmja menjëherë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit 2016, thirrja e Gruevskit në intervistë për “Sitel”-in, që të mos rrimë me papuçe në shtëpi, sulmi i organizuar i Parlamentit më 27 prill vjet e deri më tani.

Mickoski, nga njëra anë, duhet t’i bindë partnerët strategjikë, miq të partive motërore evropiane të së djathtës se është pro BE-së dhe NATO-s, pasi përcaktimi partiak i VMRO-DPMNE-së ka qenë gjithmonë intergrimi euroatlantik. Nga ana tjetër, i duhet të punojë kundër BE-së dhe NATO-s që t’i shpëtojë ata që e përcaktuan për lider.

Tani të gjithë po mundohemi ta rregulojmë që VMRO-DPMNE të mos na pengojë për të kapur trenin e fundit për në BE dhe NATO. Të mos hidhërohen, të mos na ofendohen. Të shpikim se si të falim dikë që ka vjedhur, ka përgjuar dhe në fund, që të mos shkojë në burg për krimet që ka bërë përgjatë 11 vjetëve, ka shpikur një sulm të Parlamentit dhe ka organizuar njerëz që të shkojnë dhe të vrasin deputetë në emrin e tij.

Po mirë, bre, ia dhjefsha nanën. Nuk do të shkojnë të gjithë të VMRO-së në burg. Do të shkojnë vetëm fajtorët. Ata që në fillim robëruan partinë e tyre, e më pas na e robëruan të gjithëve shtetin. E madje, na mbajnë peng me paratë tona.

3Mos t’i përziejmë në këtë punë ata të cilët u mashtruan nga udhëheqësia e VMRO-së. Por çfarë të bëjmë me shumicën që referendumin e shohin me inat? Për më tepër, maqedonasi shquhet se vuan nga inati. Jo vetëm për shkak se kanë problem ndryshimin e emrit. As sepse nuk duan të futemi në BE dhe NATO. Por, sepse referendumin e kuptojnë si pikë të qeverisjes së deritanishme të LSDM-së dhe BDI-së.

E nëse tashmë nuk mund të gjendet asnjë lloj justifikimi për ndryshimet e ngadalta për çështjet e mëdha, ku më së qarti duket dëmi i qeverisjes 11 vjeçare të Nikolla Gruevskit, më së shumti nervozohesh nga fakti se LSDM nuk e gjeti forcën për të hequr dorën nga prakitkat dhe privilegjet që i vendosi pikërisht VMRO-DPMNE.

Po sikur të përpiqeshim paksa të kuptonim se pse ekonomia ka rritje vetëm prej 0,1 përqind. Ekonomia është rënuar, kushtet kanë qenë të vështira. Hajde të gjejmë dhe një justifikim se pse në burg ka 0 kriminelë, pasi edhe sistemi i drejtësisë është rënuar dhe rinovimi i tij është i ngadaltë. E pastaj, le të mos ankohemi për punën e kryetarëve të komunave. Le të presim se janë akoma të rinj.

Por, si mund të justifikosh se mbi temën “shpenzime gjigande të rrugës nga deputetët” po mbashtrohemi gjithë  vitin përmes njëqind leximeve të propozim ligjit të Parlamentit, dhe pas një viti të tërë akoma nuk kemi zëvendësim në vend të ndryshimit. Nuk e kemi Sillvana Bonevën në VMRO, por e kemi Mira Dizelin nga LSDM. Nuk janë njësoj. 20.000 euro për shpenzime të rrugës nuk janë njësoj me 19.500 euro.

Për këto detaje mund të humbet një referendum. Për shkak të detajeve të këtilla njerëzit bien në kurthin e historisë se “të gjithë janë të njëjtë”. Për shkak të këtyre detajeve verbërohesh dhe harron se gjatë kohës së Gruevskit u shkatërruan biznese të tëra, karriera e familje…Pasi nga detaje të këtilla e kupton se vetëm ti si qytetar mund ta shndërrosh veten tënde në viktimë. E në fund, për inat, që ta dënosh LSDM-në do të heqësh dorë edhe nga BE dhe NATO. Ndonëse e di shumë mirë se në ekuacionin e stabilizimit të Maqedonisë – një herë e përgjithmonë, BE dhe NATO janë rezultat që hap një të ardhme të ndritur.

4Le t’i kthehemi temës kryesore. Po sikur të mos shkonim në referendum! E në vend që të merremi me marrëveshjen me Greqinë dhe hyrjen në BE dhe NATO, të merremi me kërkesat e Mickoskit. Çfarë do të ndodhë? Do të hapen negocime të reja me Greqinë. Kombet e Bashkuara përsëri do të angazhojnë Methju Nimicin për ndrëmjetësim, Mickoski, si kryeministër i Maqedonisë do të negociojë me Micotakisin si kryemnistër i Greqisë. Dhe në negocimet e tyre do të vijnë të arrijnë në ndonjë zgjidhje me të denjë për emrin se sa Maqedonia Veriore. Do t’u rikthehen propozimeve që dëgjuam nga bisedat e përgjuara – e epërme, e poshtme, kllapa, para Repubikës, pas Repubikës…Dhe ai emër nuk do jetë erga omnes. Opsioni “po luftë, të bëjmë?”, që gjithashtu dëgjuam nga përgjimet, do të jetë gjithnjë i hapur.

Ndonjë kryeministër i ardhshëm britanez përsëri në fluturim nga Sofja për në Londër do të aterojë në Shkup, pasi Maqedonia do të jetë e rëndësishme për Britaninë. Edhe zëvendës presidenti i SHBA-ve do t’i telefonojë Micotakisit e do t’i ofrojë mbshtjetje për zbatim të marrëveshjes së re për emrin. E Amerika do të përmendë Maqedoninë tre herë në javë në komunikatat zyrtare në kontekstin e strategjive gobale të sigurisë. Dhe ndonjë kancelar apo kancelare gjermane do të angazhohet veçanërisht për Maqedoninë, pasi nuk do të ketë punë më të hajrit.

Më e rëndësishmja nga të gjitha është se Gruevski nuk do të shkojë në burg. Dhe paratë që i vodhën njerëzit e tij do t’i mbajnë e do të mund t’i përdorin. Ata që sulmuan Parlamentin do të kenë figura dylli në Muzeun e VMRO-së si dëshmorë të kombit. Vetëm Zaevit do të duhet t’i kthejë paratë që i harxhoi në festë për ftesën në NATO. Nikolla Dimitrovi do të kthehet në Holandë. Katica Janeva do të kthehet në Gjevgjeli. Fatime Fetai nuk do të bëhet presidentja e parë, siç e kishte në plan. Janko Bançev do të bëhet zëvendës kryeministër për eurointegime. Dimitar Apasiev do të bëhet koordinator shtetëror për NATO. Kurse Gjorge Ivanovi do të fitojë mandat të përjetshëm. Pse të jetë vetëm Erdogani, Putini dhe kinezët, e të mos jetë edhe ai.

Marrëveshja e ardhshme mes Maqedonisë dhe Greqisë, në vend të Prespës do të mund të nënshkruhet edhe në Dojran. E ashtu siç i telefonon Ciprasi Zaevit në spot e i thotë “Zoran, du ju nou Prespa?”, Micotakisi do t’i telefonojë Mickosit e do të thotë, “Micko, du ju nou Dojran?”, E Mickoski do t’i përgjigjet “Njet! Dhe mjaft po më shtyni me zor të futem në NATO!

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира