MEKANIZËM VËLLAZËROR

Mund të prisja gjithçka në rrugën tonë drejt BE-së, por asnjëherë nuk mendova se BE-ja vetë do të ishte ajo që do të rrezikonte sigurinë e gjithë rajonit, po edhe sigurinë e saj, vetëm për shkak të nacionalizmit të një shteti të saj anëtar.

1 Edhe atëherë kur presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi në mes të Brukselit se të gjithë duhet ta kenë të qartë se ardhmëria evropiane e Maqedonisë varet vetëm nga ata dhe se nëse maqedonasit nuk i pranojnë kërkesat e Bullgarisë që të thonë se janë bullgarë, atëherë do të vijojnë ta bllokojnë të ardhmen evropiane fqiut, kjo gjë nuk është më shfrytëzim i shtetit të vogël që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, por tashmë është një dhunim para sytë e gjithë Evropës.  Për më tepër që në fund të kërcënimit Radevi do ta vulosë se ata e kanë pasur për detyrë t’u ndihmojnë vëllezërve të tyre.  Po ç’vëlla është ai që të dhunon dhe këtë dhunim ta paraqet si ndihmë?  E ç’familje është ajo ku të gjithë shohin se si njëri nga ta dhunon një më të dobët dhe të pafuqishëm se ai, ndërsa ata ngrenë supet duke thënë:  Ç’të bëjmë, Bullgaria është një prej nesh?

Bullgaria me plot kuptimin e fjalës po e dhunon Maqedoninë e vogël e të brishtë, ndërsa e gjithë BE-ja shikon dhe thotë ‘”s’është fer”, “jemi shumë të zhgënjyer”, “na vjen keq”…Por ç’të bëjmë, i kemi familje dhe mekanizëm të tillë vendimarrjeje kemi.  Me të vërtetë, gjithçka mund të jetë në arsye për veto.

Ata të BE-së paskan qenë shumë të zhgënjyer se nuk kanë arritur të fillojnë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë.  Ne prej kohësh e kemi kaluar pragun e zhgënjimit. Nuk jemi më të zhgënjyer. As të mllefosur. Bullgaria na urren. Dëshiron të na zhdukë nga faqja e dheut. Dhe me të vërtetë refuzoj që të konsideroj si vëlla ose motër dikë që më urren.

2 Na vendosën një mori kushtesh. Detyrash. Na thanë vetë se e kemi shkruar detyrën e shtëpisë. Ndryshuam ligje. Madje edhe emrin. Çfarë duhet të bëjmë më shumë se kaq? Dhe atë, vetëm për t’i filluar negociatat me BE-në.  Jo për të hyrë në BE.  Na munguaka vetëm edhe të bëhemi bullgarë.

Bullgaria nuk e dënon Qeverinë e Zaevit.  E as edhe asnjë lloj qeverie të ardhshme apo elite politike dhe biznesi që lidhet me qeverinë.  I dënon qytetarët dhe qytetaret e këtij shteti që akoma besojnë në Bashkimin Evropian dhe në vlera evropiane.  Politikanët do t’ia dalin të jetojnë bukur mirë edhe pa BE-në.  Shumicës prej tyre madje edhe nuk u konvenojnë rregullat evropiane.

Atëherë, me të vërtetë, ç’na duhen ato raporte të Komisionit Evropian që me padurim i presim çdo gjashtë muaj?  E pse të na interesojë fare se çfarë thuhet në ato raporte?  Pse t’i marrim parasysh rekomandimet e Komisionit evropian se Maqedonia i plotëson kushtet për fillim të negociatave, kur ato kushte me sa duket nuk janë kushti i vërtetë për fillimin e negociatave.  Kushtet e Bullgarisë nuk janë kusht. Kështu tha presidenti i tyre.  Kështu e miratuan deklaratën e tij edhe 26 kryeministrat dhe presidentët e shteteve-anëtare të BE-së.  Me kërkesë të Bullgarisë e larguan pikën nga rendi ditor. Le të dihet se në duar të kujt është fati i Maqedonisë. Shumë herë përgjatë historisë nuk ia kanë dalë, por tani do t’i ndihmojë mekanizmi vëllazëror i BE-së.

3 Presidenti amerikan Xho Bajden dha urdhër ekzekutiv që të sanksionohen të gjithë ata që pengojnë zbatimin e marrëveshjes së Prespës. A nuk duhej që marrëveshja e Prespës një herë e përgjithmonë ta mbyllte çështjen e maqedonasve dhe gjuhës maqedonase? Tani Bullgaria po i hap sërish çështjet e identitetit në Bashkimin Evropian. Epo me siguri Federika Mogerini dhe Johanes Han nuk ishin në shëtitje turistike kur po nënshkruhej Marrëveshja e Prespës. Ishin në emër të BE-së si një nga garantuesit e kësaj marrëveshjeje. Dhe – çfarë ndodhi tre vjet më vonë? Bashkimi Evropian është vetë ai që po rrezikon Marrëveshjen e Prespës.

Mund të prisja gjithçka në rrugën tonë drejt BE-së, por asnjëherë nuk mendova se BE-ja vetë do të ishte ajo që do të rrezikonte sigurinë e gjithë rajonit, po edhe sigurinë e saj, vetëm për shkak të nacionalizmit të një shteti të saj anëtar.

4 Çfarë përjetoi Bashkimi i fuqishëm dhe demokratik Evropian?  Erdhën në atë gjendje që Shqipëria dhe Serbia të tallen për shkak të vetos së Bullgarisë.  Se, të paktën ne të Ballkanit e dimë fort mirë se çfarë është Bullgaria.

Vetëm ne akoma jemi duke imagjinuar të ardhmen në BE, si në reklamën e tyre që na e lëshonin gjatë fushatës pas Marrëveshjes së Prespës. Jemi modest e andaj përmbahemi nga komentet. Sikur të blinim edhe nga një litar për t’u varur. Por nga ai i mëndafshit, që të mos na lëndojë shumë ndërkohë që qëndrojmë varur.

5 Më ka ardhur në majë të hundës nga arsyetimet për atë se kush mban përgjegjësi e kush jo për faktin se në shtet momentalisht nuk ekzistojnë targat e makinave, kartat e identitetit, patentat e shoferit, e deri te dëftesat e nxënësve.  Më ka ardhur në majë të hundës që sa herë që shfaqet një problem të gjithë merren me atë se si të shpallen të paautorizuar për diçka, e jo se si ta zgjidhin problemin.  Më ka ardhur në majë të hundës nga arsyetimet se njerëzve përnjëherë u paska hipur nevoja për të nxjerë dokumentet personave, apo se sistemi duhet përditësuar në mes të verës gjatë ditëve të punës, se procedura e tenderëve paska qenë e ndërlikuar, se dikush është ankuar, se kanë kaluar afatet dhe të tilla paskan qenë rregullat…Po fëmijët dhe dëftesat e tyre? Ata ç’faj kanë?  A nuk i numëruan në shtator se sa fëmijë janë regjistruar?

Mua, si qytetar, nuk më intereson aspak se kush për çfarë është i autorizuar. Unë si qytetar kam problem – nuk mund ta regjistroj makinën, nuk mund të marr kredi nga banka sepse nuk kam kartë identiteti, nuk mund të shkoj jashtë shtetit, nuk mund t’i jap makinës…Dhe nga shteti kërkoj që të paktën ta zgjidhë problemin duke qenë se unë e paguaj këtë shërbim. Ka ministra, kryeministër…Së pari le ta zgjidhin problemin. E pastaj le t’i gjejnë të përgjegjshmit për këtë punë e le t’i dënojnë.  Dhe le të sigurohen se kjo gjë nuk do të përsëritet më.

6 “Vazhdojmë të punojmë për sa më pak valixhe të paketuara, miq të humbur, shtëpi të braktisura dhe drita të fikura”, shkroi në FB zëvendëskryeministri i antikorrupsionit Ljupço Nikollovski.  Ky është interpretimi i të dhënave nga anketa me pyetjen “A ka migruar ndonjë anëtar i familjes tuaj që të jetojë apo të punojë jashtë shtetit?”, sipas së cilës në mars 2021 përqindja e të migruarve është 7% kurse në shkurt 2021 është 16%.

Po edhe sikur të mendojë se do të arrijë t’i japë një kthesë pozitive të dhënave, se – ja, është ulur numri i migrimit – nuk është kështu. Se mos janë pak 7 përqind kur gjatë gjithë vitit qytetarët ishin të mbyllur dhe aeroportet nuk punonin, kurse shumica që humbën punën për shkak të krizës së koronës, u kthyen në shtëpi dhe mbetën të robëruar këtu. Epo këto 7 përqind me të vërtetë paskan qenë të dëshpëruar, që kur kanë arritur të ikin nga shteti në një kohë kur nuk lejohej as dalja nga shtëpia për të bërë pazar.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира