MERCEDES I KOLEKSIONIT

Shkupi 1963 ra në Shkupi 

MERCEDES I KOLEKSIONIT

1 Hej, disi shumë jeni rehatuar. Dhe sikur herët po gëzoheni…

Për pesë muaj jo të plotë do të ketë zgjedhje lokale. Ndërkohë Nikolla Gruevski deklaron që e ka vendosur se do të fitojë. Nuk e kuptoj se çfarë ka këtu për t’u gëzuar.

Sa mirë, kjo qeveria e re, ministra të rinj, drejtorë të rinj, BE, NATO, përshëndetje dhe urime…Sa mirë është që Gruevski madje edhe në Bruksel ka thënë se do të bëhet opozitë konstruktive. Ndërkohë VMRO-DPMNE në Parlament nuk po formon grup deputetësh. Që do të thotë se aq konstruktive do të jetë opozita, saqë do të bllokojë gjithçka, me secilën nga 51 votat e deputetëve të saj. Do të bëjë gjithçka që Parlamenti të mos fillojë të funksionojë. Pribe vjen me detyra për reforma të rënda, kurse vmro-vcat duan të bëjnë çështje nga pushimi i lindjes. Ne akoma nuk e dimë nëse DSK na përgjon në mënyrë të paligjshme, kurse deputetët e Gruevskit do të na shitkan demokraci dhe konstruktivizëm me replika, kundër-replika dhe shënime procedurale.

Prandaj, hajde mbushni defterët me dëshirat për zënie të funksioneve nëpër kabinete. Rrethoni emra, bëni atë që keni ndërmend të bëni dhe futjuni punës. Sepse Gruevski premtoi se do të kthehet. Ju kërkoj ndjesë, juve që qeshni, por për mua kjo nuk është për të qeshur. Besoj se ai punon në mënyrë të përkushtuar që të kthehet në pushtet. Për më tepër shohim që VMRO-DPMNE ka edhe fuqinë edhe paratë që ta realizojë atë që mendon.

Në fakt, Gruevski gjithmonë ka lajmëruar se çfarë do të bëjë. Dhe punon sipas planit. Prandaj edhe pas të gjitha zullumeve që i dëgjuam nëpër bomba, duhej të kalonin pothuajse tre vjet që të binte nga qeveria. Dhe prandaj 450.000 njerëz, edhe pas gjithë asaj që dëgjuan, përsëri e votuan atë.

Por, ju që qeshni me të, a keni ndonjë plan se si ta pengoni nga kthimi i tij në qeveri?

Është shumë herët për t’u frikësuar se zaevizmi do të zërë vendin e gruevizmit. Por, pesë muaj para zgjedhjeve lokale, ka rrezik që ç’ke me të që të kthehet gruevizmi dhe atë me Gruevskin në krye.

2 U hap debat rreth asaj se çfarë duhet bërë me përmendoret e Shkupit 2014 dhe me gardhin rreth Qeverisë. Personalisht, mendoj që përderisa fëmijët i shërojmë me sms, më e pakta që mund të themi është se është joadekuate që të vendosim a të harxhojmë për çokollatë apo për bukë.

Por, meqë hapet muhabeti se çfarë duhet bërë me përmendoret, besoj që ka edhe ide kreative, ku do të bjerë në pah përgjegjësia e shoqërisë për artistët, arkitektët dhe kompanitë ndërtimore që i harxhonin paratë e popullit për ndërtimin e Shkupi 2014.

Si, nuk ka para? Po le të paguajnë skulptorët. Apo nga paratë e honorarëve për përmendoret  e tyre dononin përmendore të tjera? Që kur kanë donuar për vendosje, mund të donojnë edhe për zhvendosje. Si lëvdoheshin kompanitë ndërtuese se donokan? Siç dononin për krane të ndryshme, makina për ndërtim, autobusë, furgonë, avionë për transportimin e votuesve në zgjedhje, tani le të donojnë edhe për zhvendosjen e përmendoreve. Mbase nuk kanë mundur t’i thonë “Jo” Gruevskit, por ja ku kanë mundësi tani të tregojnë me donacion të ri se mund ta çlirojnë Shkupin nga “Shkupi 2014”. Pasi, apo, atëherë kanë mundur ta bëjnë. Ja tani, le të duan ta bëjnë.

E pastaj, a nuk premtoi kryeministri Zoran Zaev se Portës Triumfale do t’i vendosë numëratore që do të tregojë se si kthehen paratë e vjedhura? – “Hajt me shëndet”, siç do të thoshte Gordana Jankulloska. Por ama – jo me paratë tona.

3 Edhe pse kryeministri tha se tha që nuk ka leverdi që të shitet mercedesi për 585.000 euro, besoj se edhe për këtë gjë ekzistojnë shumë zgjidhje kreative, madje edhe që kanë leverdi.

Zaevi tha se ajo veturë nuk mund të arrijë çmimin më të lartë se 400.000 euro. Nuk mundet, jo, por kur mercedesi shitet si veturë. Mirëpo, nëse shitet si artefakt – atëherë ky është veçmë një muhabet tjetër.

Pse, për shembull, qeveria nuk e jep mercedesin në ankand. Me gjithë gërvishjet e macave. E atje, Zaevi ta ftojë edhe adhururesit e Gruevskit dhe kompanitë që kanë fituar më së shumti nga paratë tona për Shkupin 2014. Dhe çmimi fillestar për ankandin të jetë 600.000 euro. Mbase mercedesi është më pak i amortizuar në dukje, ndoshta ndonjë televizion është prishur, por kjo gjë akoma më shumë ia rrit vlerën. Ajo veturë nuk është vetëm unikat, siç dëgjuam në bisedat e përgjuara – që diçka të tillë nuk është shitur ndonjëherë në Evropën juglindore. Ajo veturë është më tepër se sa thjesht një veturë. Biznesmenët me paratë tona nuk blejnë veturë të thjeshtë me çmim fillestar prej 600.000 eurove. Ajo veturë ka vlerë historike. Në të ka udhëtuar Gurevski i tyre. Prandaj kushton më shumë se sa çmimi për të cilin e kemi blerë ne. Ajo veturë është artefakt. Simbol i një pjese shumë të rëndësishme të historisë së Maqedonisë ( për të cilën shumica e votuesve shpresojnë se nuk do të përsëritet.)

Por, le të mos i harrojmë edhe syzat “majbah” që kushtojnë disa mijëra euro. Duhet që ta lusin Gruevskin edhe ato t’ua japë në ankand biznesmenëve të njëjtë dhe adhuruesve që do ta blejnë mercedesin. Edhe ato syza kanë vlerë koleksionere. Për to ka ADN nga djersa e ish kryeministrit. Ka dhe fotografi të liderit se si i ka mbajtur në plazh në pushimet jashtë shtetit. Edhe syzat pra, janë pjesë e tërë historisë ( për të cilën shumica e votuesve shpresojnë se nuk do të përsëritet.)

4 Kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, Petar Anvski tha që Marko Zvërlevski është një prokuror publik i përkryer.

E pamë Zvërlevskin se si në mënyrë të përkryer ikte nga gazetarët në parking. Kolegu nga “Makfaks” e pyet se a do të japë dorëheqje, ndërsa ai vrapon me syze të zeza nëpër garazhë, e madje edhe do të rrëzohej apo do të mund të ishte përplasur me derën.

Në qoftë se një prokuror publik që duhet t’i përndjekë kriminelët më të mëdhenj, në këtë mënyrë largohet nga një gazetar fillestar, mund të paramendoni se si do të ishte sjellë nëse do t’i ishte telefonuar Gruevski. Me siguri që do të ngrihej nga karrigia. Por, ama, nga Gruevski nuk iket lehtë.

5 Në djall të venë analizat, debatet, iniciativat, historitë hetimore…Fotografitë ku duket një kamion i NP “Rrugë dhe rrugica” shfaqin se si ka rënë në një gropë në sheshin Maqedonia në Shkup, para festimit të fitores së Vardarit në garën për kampionë të hendbollit. Ndërsa,  kontekstin e rënies së kamionit nuk mund ta imagjinosh as në një skenar filmi.

Kamioni i cili ishte dhuratë i Shkupit pas tërmetit të vitit 1963 bie në fontanën me vlerë prej 2.5 milionë eurosh. Fontanën e ka bërë kompania ndërtuese “Transmet”, shefi i së cilës me 900.000 euro kaucion e bleu lirinë e vet. E tani nuk ka nevojë t’i japë ato 900,000 euro.

Ja se si Shkupi 1963 ra në Shkupi 2014.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира