MILE DHE SPIRE

Nuk jeton vetëm fantazma e Gruevskit, Edhe fantazma e Subrata Rojit është shëndosh e gjallë.  

MILE DHE SPIRE

1Çdo herë kur funksionarët e VMRO-DPMNE-së përballen me drejtësinë, kur përgjigjen për krimet dhe shkeljet që kanë bërë gjatë kohës së Nikolla Gruevskit, shteti përballet me një katastrofë nacionale. E njëjta gjë është edhe me incidentin në burgun e Shutkës, ku ish ministrat, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, të dyshuar si pjesëmarrës në organizimin e sulmit të Parlamentit më 27 prill 2017, janë sulmuar nga të burgosur të tjerë. E për më tepër kur paraqitet edhe lideri i partisë Hristijan Mickoski të cilin, imagjinoni, nuk e kanë lejuar që ta vizitojë Milja në qendrën e urgjencës të spitalit “8 Shtatori”, katastrofa nacionale bëhet tragjedi e përmasave epike. Ashtu sikurse Mickoski i bërtiste atëherë sigurimit: “Do ta bëjmë të madhe!”.

Duhej që doktor Mickoskit t’i lejonin personalisht vetë që ta kontrollonin qendrën e urgjencës. Madje, me gjithë konzilin e VMRO-së të kryesuar nga doktor Igor Janushevi. Si dhe në prezencë të publikut para kamerave. Pasi, siç thotë Mickoski: “Mile dhe Spire as një milingonë nuk kanë shkelur”.

Jo ore, nuk kanë shkelur. Thjesht, kanë qenë duke ndenjur te shtabi i VMRO-DPMNE-së dhe më 27 prill 2017, kanë kontaktuar nëpërmjet një motorolle me të gjithë ata që ishin nisur për të vrarë Zoran Zaevin në Parlament dhe që ishin të sigurt se e kishin vrarë Zijadin Selën. Po në Parlament.

2E shikoni. Nuk paska qenë aq e tmerrshme të japësh dorëheqje. Siç dha dorëheqje drejtori i burgut në Shutkë, Gjoko Kotevski, meqenëse nuk kishte bërë një vlerësim të mirë të sigurisë. Jo ngaqë Spires i kanë dhënë shuplakë, kurse Miles i është kujtuar se ndoshta mund ta kishte dorën e thyer. Por sepse Mile dhe Spire nuk janë në paraburgim për shkak të “britmave dhe piskamave”.  Apo për shkak të dërgimit të inspeksioneve te konkurrentët politikë para zgjedhjeve. Nuk është as për shkak të porositjes së “asaj me M” prej 600.000 eurove. As për “se mos është shumë nga të verdhit”. Por është për kërcënimin terrorist të rendit kushtetues dhe përpjekjes për grusht shtet.

Përndryshe, kush e di se sa shuplaka jepen nëpër burgje. Mirëpo askush nuk krijon nga kjo çështje një  problem të madh aq sa kryeministri të kërkojë dorëheqjen e drejtorit të burgut. Pasi ato shuplaka nuk janë aq të forta.

Si mundet që qeveria të mos mundet të bëjë vlerësimin se me kë ka punë, sidomos që Gruevski, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij për rastet e PSP-së, gjatë gjithë kohës flet për “përndjekje politike”? Ndërsa Hristijan Mickoski e përhapi atë frazë që të ndërtonte mbi të “të zezat” që kanë pushtuar shtetin. Gruevski ka ikur sepse ka pasur frikë për jetën e tij dhe ka porositur intervistë në televizionin e preferuar, nga ku në vitin 2017 i bëri thirrje popullit që të mos rrinte në shtëpi me papuçe. Vetëm para dhjetë ditësh në televizionin e njëjtë na tha se po përgatitej për të shkuar në burg, por i kanë thënë se duan ta vrasin. Kurse Mickoskin, menjëherë pas arrestimit të Janakieskit. Ristovskit dhe ish kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanoski, si organizatorë të sulmit të Parlamentit më 27 prill 2017, ka mbajtur konferencë shtypi, ku Zaevi i  ka thënë se mund të porositë edhe vrasje po të dojë, por ata nuk ia kanë frikën.

Ditën e nesërme, një i dënuar nga Lagjja e Trimave në oborrin e burgut e njohu mu ish ministrin e arsimit dhe më kot ia fërfëlloi një shuplakë. Me siguri ka qenë i pakënaqur nga universiteti i tij, e mezi ka pritur që t’i hakmerret reformës së arsimit të lartë.

Sikur nuk dëgjuam çdo gjë te bombat, gjithçka që qeveria e Gruevskit ishte e gatshme t’u bënte atyre që e kishte vendosur t’i shpinte në burg. Nga porositë për “një dhomë me ndonjë më të talentuar” deri te “fikja e kamerave të sigurisë gjatë vizitave”.

Nuk më besohet se Nikolla Gruevski akoma punon qeverinë e Zaevit si bavçen e vet. I dedikuar, 24/7. Me frymë të bashkuar.

Mile dhe Spire nuk kanë shkelur as edhe një milingonë. Këtë gjë e thotë një lider partie, kryesia e së cilës e sulmoi Parlamentin, gjë edhe kjo që u bë para kamerave. Me transmetim të drejtpërdrejtë.

3Fakti se fantazma e Gruevskit është akoma gjallë dhe na komandon, nuk është meritë e Hristijan Mickoskit, por e qeverisë, për të cilën kisha shpresa se të vetmen gjë që nuk do të kishte ishte kapaciteti. Mirëpo, siç duket, nuk paska as vullnet për t’u përballur me mënyrën e qeverisjes së Gruevskit.
Për shembull, çfarë është kjo demagogji që po na shet ministri i administratës Damjan Mançevski, i cili u bën thirrje edhe familjarëve të qeverisë, por edhe atyre të opozitës që të japin dorëheqje nga vendet në administrate shtetërore, duke dashur të thotë, demek, se “ne i kemi punësuar tanët, ngaqë ju i punësuar tuajt. Andaj tani, nëse tanët japin dorëheqje, do të duhet të japin edhe tuajt.” Sikur shteti të ekzistonte vetëm për ta. Për aparatet partiake dhe familjet e tyre.

Familjarët e BDI-së askush nuk i ka thërritur që të japin dorëheqje. Nëse ata nuk shkojnë në punë, nuk do të dinë as se në cilën adresë ta dorëzojnë dorëheqjen.

4Nuk jeton vetëm fantazma e Gruevskit. Jeton edhe fantazma e Subrata Rojit, është shëndosh e gjallë. Ja ku është. Në sheshin Maqedonia në Shkup.

Qeveria ka vendosur të mos e rrënoje shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, e cila duhej të ishte dhurim nga mashtruesi Indian, por ka vendosur ta ndërtojë objektin deri në fund dhe tani po mbledh ide për ta ndryshuar arsyen për të cilën do të shërbejë.

Mirë, le të jetë njëra prej këtyre ideve që të rrënohet. Mirë ama Qeveria nuk e merr parasysh atë ide pasi është shumë e shtrenjtë.

Shtëpia përkujtimore po ndërtohet në hapësirë këmbësorësh në hyrje të Sheshit, gjë që shkel Kushtetutën dhe Ligjin për planifikim urban. E nëse Qeveria tashmë ka vendosur të bëjë kursime me anë të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit, vetëm që të përfundojë veprën e Nikolla Gruevskit, atëherë le të mos e ndryshojë fare as arsyen se pse do të shërbejë objekti. Le të mbetet një shtëpi përkujtimore Nënë Terezës, me mjete modeste prej 5,5 milionë eurosh dhe një lartësi të patheksuar prej 30 metrash. Mu ashtu siç i shkon për shtat një shenjtoreje dhe një humanitareje.

Arsyeja e shërbimit të objektit nuk është çështje e kontestueshme. E vetmja gjë e kontestueshme është vetë ekzistenca e një objekti në një vend ku nuk lejohet ndërtimi. E Qeveria ose hiqet si e çmendur, ose mendon se jemi budallenj.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари