MINUTA 90

Skadoi afati i ultimatumit që na e dha Bullgaria për t’u bërë bullgarë. Nuk e kuptoj se si duan që t’i duam kur ata po ua shkatërrojnë jetën dy gjeneratave tona?

1 U lumturova shumë për fitoren e kombëtares së Maqedonisë mbi Xhorxhinë dhe shënimin e një suksesi historik me kualifikimin për Kampionatin evropian. Мe të vërtetë kishim nevojë për një shpërthim të tillë pozitiv emocionesh në këtë vit të zymtë kovidi, dhe atë mu para së premtes së datës 13, një ditë para skadimit të ultimatumit që na dha zëvendëskryeministri bullgar Karakaçanovi për t’u bërë bullgarë. Lajmi i suksesit na erdhi si goli në minutën e 90-të.

Në rrethana të këtilla është e kuptueshme euforia e kryeministrit Zoran Zaev, i cili në ora 4.30 të mëngjesit shkoi në Bllacë për të pritur futbollistët. Edhe Artan Grubi e gjeti vendin e vet, jo sepse pa të nuk bëhet gjë në këtë shtet, por sepse është veçanërisht i kualifikuar për ngjarje të këtilla, duke qenë udhëheqës i mëparshëm i grupi të tifozëve Shvercerat.

Një gjë e kam paksa jo të qartë –Si ka rrjedhur diskutimi për madhësinë e çmimit që do t’u jepej futbollistëve? Mos ndoshta, në atë seancë, Venko Filipçe është shkrehur në vaj për faktin se ende nuk i kanë mbërritur paratë nga kredia për spitalet e montueshme për kovid?

Nëse Qeveria shfrytëzon rezerva të buxhetit për çmime për futbollistët që arrijnë shumën deri 10.000 euro, vallë sa para do të na duhen nëse fitojnë ndonjë medalje? Do të duhet të marrim hua me eurobond të ri, sepse rezervat do të jenë harxhuar për kualifikime.

Qeveria është një institucion serioz dhe supozoj se politikën e saj nuk e bazon vetëm mbi statuset e Facebook-ut dhe se vendimet që merr nuk kanë vetëm qëllimin që të mbledhin likes, apo dhe se kur ka marrë vendimin që të përdorë rezervat e buxhetit për çmimin e futbollistëve, ka pasur parasysh të gjitha rrethanat rreth krizës shëndetësore dhe financiare dhe i ka bërë të qarta prioritetet e saj.

Të flasim drejt – futbollistët e meritojnë çmimin. Vitin e ardhëm uroj të gëzohemi edhe më tepër dhe t’i shpërblejmë me çmime edhe më të larta. Mirëpo, para duhet të ketë edhe për: teste, automjete ambulance, laptope, pse jo edhe për gëzime, zbukurime për vitin e ri, çmime për Oskar të dytë, për Evrovizion, për Babagjyshë të Vitit të Ri, dinozaurë, për çmimet e hendbollistëve, basketbollistëve dhe futbollistëve, si dhe për rrogat e rritura të mjekëve dhe infermiereve.

Një problem i vogël është që – para nuk ka.

2 LSDM-ja ka vendosur të sjellë një ligj sipas të cilit pensionimi do të bëhet i detyruar në moshën 64 vjeçe. Nuk kanë guxim, e me sa duket nuk duan ta zvogëlojnë numrin e administratës publike dhe kështu u kërkuan deputetëve të shpikin shpejt e shpejt ndonjë ligj me të cilin do t’i rrezikojnë të punësuarit në firmat private. Krijojnë politikë me Facebook-strategjinë e njëjtë si me futbollistët, automjetet e ambulancës dhe Evrovizionin, me shpjegimin se “po lirojnë vende për të rinjtë”. A thua se shefit i intereson fort nëse ti je i ri apo i vjetër. Nëse do ai të mban edhe 100 vjet, po jetove.
Të mos flasim për atë se Evropa shkon gjithnjë e më tepër drejt rritjes së kufirit të moshës sa i përket pensionit, në mënyrë që ta zvogëlojë presionin që u bëhet sistemeve pensionale. LSDM me improvizimet e saj vazhdon të largojë nga vetja një kategori qytetarësh të papërcaktuar të klasës së mesme, e cila nuk është e vogël në numër, ashtu siç bëri kur prezantoi taksën progresive për një kohë të shkurtër. Nuk luhet kaq kollaj me fatet e njerëzve. Nuk mundesh që dikujt që e ka planifikuar punën e vet deri në 67 vjet, nga e cila varet vetë ai dhe familja, papritmas t’i shkurtosh 3 vjet.

Grupi i deputetëve të LSDM thonë se ky paska qenë premtim i zgjedhjve. A nuk premtuan se do të sillnin drejtësinë, e nuk e sollën. Premtuan gjithashtu se do t’i pastronin punët me projektin “Shkupi 2014” që në mandatin e parë, por ndërtimet vazhdojnë të shëmbëllejnëpër bukuri me tërë shkëlqimin gruevist. Madje premtuan se Gruevskin do ta çojnë në burg, e ndërkohë ai poston kartolina për futbollistët në Facebook e ndonëse pse mbetet kriminel i gjykuar dhe i arratisur prej 2 vjetësh me paratë tona, vazhdon të jetë lajm i rëndësishëm për ballinat e mediave që zotëron. Ne vetëm sa i bëjmë qejfin vetes duke kujtuar se ai është në Budapest. Ai është këtu!

3 Afati që na dha Karakaçanovi për t’u bërë bullgarë kaloi. Me shumë siguri nuk do t’i fillojmë negociatat për hyrje në BE. Qeveria bullgare arriti që vetëm për një muaj të na kthejë në vitin 1941, atëherë kur na paskan vetëdijësuar nacionalisht, dikë me anë të burgut, e dikë tjetër me vdekje.

Ekaterina Zaharieva vazhdon të çuditet se pse në Maqedoni paska 15.000 shprehje të urrejtjes. Dhe nuk pyet veten se pse na qenka kështu. Ndoshta pret që të vendosim zemra në deklaratat e tyre ofenduese apo të gëzohemi se na japin ultimatume që të vendosim nëse ekzistuakemi apo jo? Nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes së miqësisë, ata vunë veto për hyrje në BE. Sado që të duam të sillemi me dashamirësi, ky de fakto është një gjest armiqësor. Në fund të fundit, nuk e kuptoj se si duan që t’i duam kur ata po ua shkatërrojnë jetën dy gjeneratave tona?

4 Gjermania e ka menduar për bukuri procesin e Berlinit, si një mënyrë për ta afruar Ballkanin drejt BE-së. Mu këtë vit qëlloi që Bullgaria dhe Maqedonia të jenë bashkëkryesuese të procesit të Berlinit. Ishte shumë interesante të shikoje Angela Merkelin teksa i tregonte Borisovit dhe Zaevit se sa pozitiv është fakti se shtetet e Ballkanit perëndimor kanë arritur marrëveshje për emetime të reduktuara të dioksidit të karbonit. Ore, procesi i Berlinit është super. Edhe temat, top! Bullgaria na thotë – ju nuk ekzistoni, gjuha juaj nuk ekziston, do të dërgojmë ushtri që t’ju bullgarizojë, kurse për ne, rëndësi kanë ndryshimet klimatike. Të zgjidhim emetimin e dioksidit të karbonit dhe gati: Ballkani do të lulëzojë në BE.

Ku i dihet, ndoshta është ndonjë strategji bullgare kjo me ndryshimet klimatike. Nëse ata nuk na pranojnë, do të thotë se nuk ekzistojmë. Nëse nuk ekzistojmë, do të thotë se nuk frymojmë, që nënkupton më pak emetime të dioksidit të karbonit. Ia dolëm! I arritëm qëllimet e mijëvjeçarit. Më në fund edhe Maqedonia do të jetë para BE-së për diçka.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира