MOSBESIM UNIVERSAL

Pakënaqësia e zëshme dhe mbrojtja e një barake të madhe të vjetruar, e cila nuk është se është ndonjë arritje unike arkitekturore e pa të cilën Shkupi nuk është se do të humbasë imazhin karakteristik, është veçse një thirrje e popullit kundrejt arrogancës së pushtetit.

MOSBESIM UNIVERSAL

1Shumica e deputetëve të rinj nuk u shfaqën në seancën ceremoniale të KSHZ për të marrë vërtetimet dhe gjetën njëqind justifikime për këtë veprim. Dërguan përfaqësues të autorizuar, një njeri që t’i marrë vërtetimet për disa prej tyre. Jo po jemi në pandemi, jo po është shumë vapë, jo po mbajnë inat me Gjykatën administrative dhe me KSHZ, jo po paska qenë fundjavë, jo po paskan qenë pushime…
Nëse do të duhej të merrnin pagesat ditore, me siguri kishin për të ardhur me vrap. Nuk do t’u pengonin as maskat, as asgjë. E pastaj, çfarë do të thotë kjo – BDI-ja dërgon një përfaqësues të autorizuar që t’i marrë vërtetimet e të gjithëve? Mos vallë, edhe votat e qytetarëve i kanë fituar po kështu? Një deputet i autorizuar i partisë ka votuar në emër të shumë qytetarëve?

Mbi 900.000 njerëz dolën për të votuar në zgjedhjet parlamentare, duke treguar se i besojnë shtetit dhe se kanë vendosur të qëndrojnë këtu. Nuk i pengoi as pandemia, as frika nga kovid-19, as maskat, as vapa, as sezoni i pushimeve verore…Dhe – ja, zgjodhën deputetët.
Detyrimi i parë i deputetëve ishte vetëm të shkonin në KSHZ që t’i merrnin vërtetimet dhe as këtë nuk e bënë. Në vend që t’u falënderohen votuesve, ata u thanë: “Shumë na bëhet vonë që na keni zgjedhur.”

Është akt simbolik, një akt ceremonial ku deputetët, të përzgjedhur nga qytetarët tregojnë se sa vlen për ta besimi i tyre. Por atyre nuk u intereson se ç’mendojnë njerëzit e zakonshëm për ta. Për ta është e rëndësishme vetëm partia, ndërsa se sa të rëndësishëm janë ata për partinë, tregon fakti se si personaliteti dhe veprat e tyre janë lehtësisht të zëvendësueshme me një të ashtuquajtur “person të autorizuar”. Ata jo vetëm që nuk turpërohen se nuk kanë ardhur të marrin vërtetimet në seancën ceremoniale për të shënuar momentin e ngritjes në funksionin e ligjvënësve, por as nuk e kuptojnë faktin se kanë bërë gabim që nuk kanë ardhur. Kemi të bëjmë me një shkatërrim të plotë të sistemit të vlerave.

Ky raport injorantësh vetëm sa pasqyron raportin e funksionarëve të shtetit kundrejt qytetarëve. Si mund të presim prej tyre që të punojnë për të mirën e të gjithëve kur ata nuk janë rritur as për vete që ta respektojnë funksionin ku ndodhen?

2Pak a shumë, kjo arrogancë dhe mosrespektim i mendimeve dhe ndjenjave të qytetarëve u reflektua edhe te rasti me Sallën universale në Shkup. Me të vërtetë është budallallëk që pas gjithçka që bëri, kryetari i Shkupit Petre Shilegov, të bjerë pre e sugjerimit për rrënimin e Sallës universale.

Nuk është puna për ndërtesën në vetvete, se në fund të fundit, festivalet e fëmijëve, jazz festivalet, kongreset partiake, festivalet folklorike apo përgjimi masiv i bisedave do të mund të organizohen në mënyrë akoma më profesionale në një sallë më bashkëkohore, që gjithashtu do të jetë universale, siç është kjo origjinalja.

Pakënaqësia e zëshme dhe mbrojtja e një barake të madhe të vjetruar, e cila nuk është se është ndonjë arritje unike arkitekturore e pa të cilën Shkupi nuk është se do të humbasë imazhin karakteristik të tij, është veçse një thirrje e popullit kundrejt arrogancës së pushtetit. Është shumë e thjeshtë: njerëzit u ndezën për rastin e rrënimit të sallës universale nga inati dhe dëshpërimi për faktin se askush nuk e llogarit mendimin e tyre dhe për atë se nuk mund të ndryshojnë asgjë.

Qeveria vetvetiu thekson mosbesimin ndaj saj. Deri para shumë pak kohësh na thoshin se sallën universale do të rinovojnë, fotografoheshin para saj, u mbytën duke  e përmendur në fushatat zgjedhore, premtonin projekte dhe ja – sapo do të fillonin me rinovimin, përnjëherësh vendosën ta rrënojnë.

Mosbesimit, më pas, vetë ia shtuan edhe pafuqinë dhe paaftësinë. Fituan zgjedhjet me premtimet se do t’i pastrojnë krimet e Shkupit 2014, se do t’i largojnë anijet, se do t’i dislokojnë përmendoret dhe…hop –jo vetëm që nuk do ta shkatërrojnë Shkupin 2014, por tani do të rrënojnë edhe simbole të qytetit, qoftë ky edhe një objekt në prag të shkatërrimit që mban erë. Pritën Koce Trajanovskin t’u flasë për shkatërrim të qytetit dhe Jelena Zhugiqin (që kërkonte plumbat e gomës të mbrojtur regjimin e Gruevskit), që tani ta mbrojë Sallën universale.

Për më tepër, e gjetën dhe datën për të lajmëruar rrënimin e sallës – përvjetorin nga tërmeti i Shkupit. Është shumë e dukshme se sa kujdesen për emocionet e qytetarëve. Ja, pra, në vend që qeveria të mbyllë një problem, i hapi vetes pesë probleme të reja. E ndërsa i zgjidhin këto, do të hapin edhe njëqind të tjerë. Sa për sallën universale, sido që të jetë, ajo ka për t’u shkatërruar vetë.

E pastaj le të habiten se pse janë fituar vetëm dy deputetë më shumë e le t’i akuzojnë njerëzit se janë histerikë.

3BDI lajmëroi se ambasadori i Shqipërisë i ka përçuar një mesazh Ali Ahmetit nga kryeministri Edi Rama dhe se i ka uruar fitoren në zgjedhje.
Në cilën garë, vallë, ka fituar Ali Ahmeti? Domethënë LSDM dhe VMRO-DPMNE nuk llogariten? Mos ndoshta ka pasur zgjedhje të veçanta vetëm për shqiptarët në Maqedoni? Apo mos ndoshta ka pasur gara brenda bashkësive fisnore? Apo mos ndoshta Ali Ahmeti ka marrë pjesë në zgjedhje në ndonjë shtet tjetër?

Ndoshta edhe ambasadori shqiptar ka qenë konfuz. Nuk e ka ditur nëse ndodhet në Uashington apo në Tiranë. Ka parë ca njerëz duke protestuar me flamuj shqiptarë dhe amerikanë, duke kërkuar demokraci në Maqedoni.

Sa patetikë që janë me këta flamujt! Hymë në NATO e ata vazhdojnë të maten se shqiponja e cilit është më madhe – e Ali Ahmetit apo e Zijadin Selës. Fakti se nuk ka famuj maqedonas, tregon se atyre nuk u bëhet fare vonë për shtetin. E nga ana tjetër, nuk u bëhet vonë as për shqiptarët. E vetmja gjë që u intereson është interesi partiak me gjithë paratë dhe privilegjet që pushteti mund t’u mundësojë nëpërmjet partisë. Ata fshihen pas këtyre interesave, gjoja se shumë të shqetësuar për interesin kombëtar të shqiptarëve. A thua se interesi kombëtar i shqiptarëve është të rrihemi e të ndahemi apo të jetojmë në tension dhe jostabilitet.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира