1 Apo, anëtarët e Komisionit për antikorrupsion nuk bënin për atë punë? Apo, zv.kryeministri Artan Grubi, para dy muajve thoshte se “ka dyshime në kapacitetet” e njerëzve të Antikorrupsionit? Si tani, ministri Bujar Osmani kërkon prej atyre, për të cilët Artan Grubi thotë se nuk kanë kapacitet, të thonë se ai bën dhe se gjithçka ka qenë sipas ligjit kur ka zgjedhur firmën për ndërhyrje ndërtimore, për të cilën prej mediave ka mësuar se ka qenë donatore e partisë së tij BDI? Si, bashkëpartiaku i tij Artan Grubi thotë se Antikorrupsioni deri më tani nuk ka përpunuar “as edhe një rast”, kurse ai mu nga ata “të paaftët” kërkon për “ngjarjen më të rëndësishme të karrierës së tij të mos ketë as edhe një njollë” urgjentisht të hetojnë se si salla “Boris Trajkovski” për samitin e OSBE-së do të rregullohet nga një firmë, e cila, në mënyra të ndryshme, kush përmes një personi juridik, kush më vete si burrë apo grua shefa, kanë donuar për partinë e tij mbi 100.000 euro?
Osmani thotë se aspak nuk ka qenë i lumtur kur ka lexuar në media se kush e ka fituar tenderin për adaptimin e sallës “Boris Trajkovski”. Por, ç’të bëjë. Ligji i shkretë nuk lejon që tenderin ta fitojë ndonjë firmë tjetër, kur pikërisht donatori i BDI-së ka pasur ofertën më të lirë. Gjithçka sipas ligjit. Për më tepër që, Osmani as që e ka ditur se firma është donatore e partisë. Fat që e ka lexuar, e tani e di. Paramendo mos ta kishte lexuar. Do të jetonte në rrenën se vetëm firmat e maqedonasve fitojnë tenderë të qeverisë.
Për çudi, këtë herë nuk u paraqit me deklaratë ministresha për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska. Prisja t’i jepte Osmanit një vërejtje, por ia kaloi kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili e mbrojti ministrin e punëve të jashtme. Kryeministri nuk sheh asgjë të kontestueshme në zgjedhjen e firmës-donatore për partnerin e koalicionit. Që kur shefi thotë: “Gjithçka sipas ligjit, shef”, atëherë as ministresha për qeverisje të mirë nuk duhet të përzihet në punën e tij.
Kovaçevski thotë se “do të ishte e dyshimtë përderisa dikush është donator i një partie politike dhe fiton tender me çmimin më të lartë, e jo me më të ulët. Dhe se “do të ishte edhe më e dyshimtë nëse dikush fiton tender, është donator i një partie politike, por nuk është regjistruar se është donator”.
E më e dyshimta nga të gjitha është kur kryeministri do ta mbrojë procedurën e tenderit me argumentet që janë ofenduese për inteligjencën.
2 E që kur pa turp e usull normalizojnë vjedhje të parave të shtetit, neve edhe tribinat na mungojnë. Mezi pres të dal në shesh dhe të mësoj nga Bojan Mariçiqi se çfarë është BE-ja. Të gëzohem kur Dimitar Kovaçevski do të më thotë se, vetëm duhet t’i vëmë bullgarët në Kushtetutë dhe në 2023, të parët në rajon do të futemi në BE. Dhe me vëmendje ta dëgjoj Bujar Osmanin, si përkthen me fjalët e tija se çfarë ka thënë Makroni për Evropën me shpejtësi të ndryshme dhe nevoja që “BE-ja të reformohet para se të zgjerohet”.
Viti i dytë shkollor filon pa libra shkollorë. Edhe këtë vit nuk ka asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta. E të mos filloj të numëroj të gjitha gjërat që mungojnë e që më pengojnë. Më besoni që më vjen mërzi më të jap shembuj të gjërave që qeveria duhej të bënte në këtë mandat e që nuk bëri, ndërkohë që mund ta kishte bërë edhe pa paratë e BE-së dhe pa e ndryshuar Kushtetutën. Na e harxhuan kohën duke aktruar para BE-së se kanë arritur bençmarke. E kanë më me rëndësi t’u shkojnë për shtat të huajve dhe të mos e hidhërojnë Bullgarinë, sesa neve këtu të na mundësojnë jetë më cilësore. Çfarë thotë mësuesja, atë do ta bëjmë. Ndërsa mësuesja nuk është shumë e qartë se çfarë kërkon.
3 Isha në Forumin strategjik në Bled dhe po e ndiqja debatin e liderëve për ardhmërinë e BE-së, ku merrnin pjesë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe kryeministrat e Kroacisë dhe Bullgarisë.
Debati u kthye në muhabet barcaletash. Të gjithë tregonin barcaleta për zgjerimin e BE-së. Me thënë të drejtën, të gjitha mbledhitë e tilla të viteve të funidt ngjasojnë me gara në tregimin e barcaletave në të cilat fiton Edi Rama, por edhe të tjerët përpiqen të shkaktojnë të qeshura në publik, sidomos që kur barcaleta më e madhe ishte veoja e Bullgarisë me të cilën u bllokua eurointegrimi në Ballkanin Perëndimor.
Një baracaletë tregoi edhe kryeministri i ri i Bullgarisë Nikollaj Denkov. Ai tha se zgjerimi i BE-së nuk duhet parë vetëm nga aspekti gjeostrategjik si një rajon gjeografik i Evropës, por edhe si një total vlerash.
Është barcaletë e mirë kur një kryeministër bullgar të flet për vlera. Vlerë është kur nuk respekton të drejtën për vetëpërcaktim, të ekzistencës së një populli dhe një gjuhe. Vlerë është kur nuk respekton të drejtën e pakicave brenda shtetit. Vlerë është kur nuk respekton aktgjykimet e Gjykatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Strasburg.
Bullgaria është edhe shembull se si në BE ekzekutohet drejtësia. Në mënyrë shumë efikase. Kriminelët e ndajnë drejtësinë sipas mendjes së tyre. Kriminelët rrahin kriminelët e tjerë. Dhe të gjithë janë të lumtur me rezultatet. Kështu sigurohet sundimi i të drejtës dhe qasja në drejtësi.
Për shkak të këtyre vlerave, Bullgaria tani është në BE. Jo për shkak të gjeografisë dhe interesave gjeostrategjikë të SHBA-së dhe shteteve të mëdha evropiane.
4 Do të doja të kisha dhe unë optimizmin e Kovaçevskit, Osmanit dhe Mariçiqit. Por, si? Deri më tash, pas pyetjes për zgjerimin e BE-së, vlente rregulli: Nuk ju pranojmë deri sa të reformoheni. Tani ka vetëm edhe një rregull me një komplikim tjetër: Nuk jo pranojmë deri sa edhe ne nuk reformohemi.
Të paktën gjenerata ime e harxhoi jetën duke pritur reformat e BE-së që të mund të pranojë anëtare të reja.
BE ka agresion rus dhe një luftë të tmerrshme përgjatë gjithë kufirit lindor, e mban Ballkanin të izoluar dhe jostabil si një vrimë e zezë në mes të Evropës. E në vend të punojnë në kohezion dhe forcim të Bashkimit, të sigurojnë stabilitet, ata tallen – t’ju pranojmë, por mos ju pranojmë, samit formal, e pastaj joformal, forum për reformat tuaja, forum për reformat tona, vetoja është e mundur për gjithçka dhe në çdo kohë, tani kemi zgjedhje këtu, nesër do të kemi zgjedhje atje…Do të debatojmë për reforma të reja eventuale për zgjerim, pas të cilave eventualisht do të mund të zgjerohemi…
Sikur të mos ishin duke e parë se çfarë po ndodh. A thua se nuk kanë kontakt me realitetin. A thua se BE-ja ka ngecur në kohë.
Përktheu: Fjolla Zllatku