OLMPIADË STRUGANE

Ligji vlen vetëm për ata që duan ta respektojnë dhe vetëm për ata vlejnë dënimet.

OLMPIADË STRUGANE

 

1Hiç nuk më bëhet vonë se ndonjë farë Oliver Spasovski është zhgënjyer nga mbledhja masive fetare në Strugë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë me koronavirus. Edhe unë jam zhgënjyer. Por Oliver Spasovski është kryeministër i një qeverie kalimtare, së cilës i qëlloi të qeverisë në një kohë pandemie, në gjendje të jashtëzakonshme dhe pa kontroll parlamentar. Nga se është zhgënjyer Oliveri? Se në një shtet laik, kisha është më e fuqishme se qeveria? Për këtë për shembull, unë jam zhgënjyer. Dhe atë, shumë. Sepse kështu fillon…njëherë kemi liti nëpër gjithë Strugën, e nesër do të hapen të gjitha xhamitë në një kohë kur në të gjithë botën, janë të ndaluara grupimet e më shumë njerëzve. Pse? Pasi këtë ua lejon shteti liderëve fetarë. E pse? Sepse do të ketë zgjedhje.

Ky flirtim i politikanëve me fenë do të na vrasë të gjithëve, me plot kuptimin e fjalës. Policët e litisë në Strugë i shoqëronin besimtarët ashtu siç i shoqërojnë tifozët në stadium. Kush e di, ndoshta kanë detyrë që të parandalojnë ndonjë incident, si për shembull ndonjë përleshje për atë se kush do ta puthë për here të parë ikonën e priftit. Apo se mos i vjedhë dikush reliktet e shenjtorit. Falë masave të policisë, Struga tani është e bekuar. Struganët do t’i mbajë imuniteti për gjithë vitin. Deri në shëtitjen e ardhshme të relikteve. Ose ndoshta edhe s’do t’i mbajë kaq, por në atë rast punën do ta zgjidhin mjekët dhe infermierët. Pasi priftërinjtë, përveç lutjeve, në atë rast, nuk kanë gjë tjetër për të ofruar.

.2Këtë vit u shty mbajtja e lojërave olimpike. Por, litia strugane nuk guxonte të shtyhej. Kjo traditë ndoshta nuk është më e vjetër se Lojërat olimpike, por është e sigurt se është më e rëndësishme që kur ia vleka dhe të vdesësh për të. Çfarë kujtojnë ata ? Koronën, Zoti e solli e Zoti do ta marrë ? Por edhe sa jetë njerëzish do të marrë me vete. Nëntëdhjetë persona tashmë kanë vdekur si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi i ri. Nuk mund t’u organizohet as një varrim sagllam. Qindra persona kanë të dashurit e tyre jashtë shtetit dhe nuk e dinë se kur do të arrijnë që t’i takojnë. Gjyshërit kanë dy muaj që nuk i kanë përqafuar mbesat e nipërit e tyre. Fëmijët nuk festojnë dot mbrëmjet e maturës, e nuk dihet as se a do të fillojë shkolla nga shtatori. As dasma nuk kemi. Te mjeku mund të mbërrihet vetëm nëse ke koronavirus, as për kontrolle, as për operacione. Njerëzit mbesin pa punë dhe pa rroga. Aeroplanët nuk fluturojnë, futboll nuk luhet, festivalet ndërkombëtare janë anuluar, kufijtë janë mbyllur. E gjithë bota ka ndaluar. Vetëm Timoteji duhet patjetër të shëtisë me ikonat e tij.

Ligji vlen vetëm për ata që duan ta respektojnë dhe vetëm për ata vlejnë dënimet.

3Sinqerisht me të vërtetë më vjen për të vjellë kur hapet muhabeti për Bullgarinë dhe raportin e saj me Maqedoninë. Kush e di se për të satën here bëhen tema parazgjedhore historitë për gjuhën maqedonase, për Goce Dellçevin, për Ilindenin, për VMRO-DPMNE-në, për Titon, për hebrenjtë e Maqedonisë dhe për okupimin fashist. Në fund të fundit, ç’të reje dhe surprize ka në deklaratat që vijnë nga Sofja? Të gjitha i kemi të dëgjuar për dekada me radhë.

Gjëja e re tani është që të paktën kemi një fare lloj Marrëveshje për fqinjësi të mire, me anë të së cilës jemi marrë vesh se do të diskutojmë dhe se me anë të politikës, diplomacisë dhe shkencës, do t’i zgjidhim të gjitha pyetjet e hapura. Dhe – më e rëndësishmja. Gjëja e re është se falë, jo vetëm Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, por edhe marrëveshjes me Bullgarinë, tashmë jemi anëtare e NATO-s. Më mirë se para 30 vjetëve, apo jo?

Tani, Bullgaria thotë se kur të duan do të na bllokojnë rrugën drejt BE-së, Dhe me të vërtetë është kështu. Sepse ata mund t’ia dalin. Janë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm. Ata janë në BE, ne duam të jemi. Nuk na mjaftonte që për 30 vjet ishim të frustruar me Greqinë, e tani gjeti edhe Bullgaria të na pengojë.

Për ta kaluar këtë frustrim nuk mjafton vetëm që Bojko Borisovi të lëshojë muzikë maqedonase në veturë dhe të na quajë “vëllezër dhe motra”. Sepse motrat dhe vëllezërit e vërtetë nuk nënvlerësohen dhe atyre nuk u kërcënohesh. Realisht, Bullgaria neve nuk po na ofendon. Ky mosbesim që kemi ndaj Sofjes oficiale nuk është diçka e rënë nga qielli, por është e bazuar në një përvojë të keqe. Kur kemi pare ne ndonjë gjë të mire nga Bullgaria në gjithë historinë tonë?

E si përfundim, nëse do të kishim qenë fqinj të mire, nuk do të kishte pasur nevojë fare për nënshkrim të një Marrëveshje për fqinjësi.

4Por mua aspak nuk më shqetëson Bullgaria. Më shqetëson se në një kohë parazgjedhore, VMRO-DPMNE-ja hap tema zënke. Si brenda shtetit ashtu dhe me fqinjët. Në mes të krizës më të madhe botërore të shkaktuar nga një pandemi, ne do të shkojmë në zgjedhje me Goce Dellçevin. Dhe me debate për gjuhën maqedonase të shkruar në kartën e identiteti të OKB-së. Çfarë tjetër i mbeti Mickoskit, veçse përsëri t’i kontestojë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Bullgarisë dhe kjo të jetë platforma e tij zgjedhore ?
Në rregull, po përpiqem edhe ta kuptoj liderin e VMRO-DPMNE-së. Por, presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, ç’ju desh që të nisej me mendjen e Mickoskit ?

Stevo Pendarovski si qytetar mund të thotë  “nëse çmimi që duhet të paguajmë është të mos jemi maqedonas dhe gjuha që flasim të mos jetë maqedonase, atëherë nuk na duhet BE“. Por, qytetari Stevo Pendarovski nuk është tashmë vetëm një profesor fakulteti. Është president. Dhe si i tillë, kur thotë se nuk na duhet BE-ja, presim të na thotë edhe se çfarë do të ofrojë ai, nëse nuk ka BE. Mos ndoshta e ka ndërmend Rusinë ? Apo Kinën ?

Qytetari Stevo Pendarovski ka të drejtë që mban inat me Bullgarinë. Ashtu siç e bëj unë. Por, problem nuk largohet duke mbajtur inat. Mund të ankohemi sa të duam, por kjo nuk do të na e zgjidhë problemin.

Në këtë mënyrë problem vetëm mund të thellohet. Nuk pres që Bojko Borisovi të përkujdeset për të ardhmen tonë. Pres që liderët tanë të përkujdesen për të ardhmen tonë. Dhe kjo që më shqetëson është se liderët tanë nuk kanë konsensus se çfarë është interesi ynë shtetëror. Dhe aq më pak se si ky interes duhet të zbatohet.

5LSDM-ja kërkoi që ministri i punëve të brendshme Naqe Çulev të japë dorëheqje sepse policia nuk ka penguar litinë masive strugane dhe se edhe vetë ai ka organizuar festë masive më 7 maj, ditën e policisë.
Si mund të japë Çulevi dorëheqje? Kujt t’ia japë? Parlament nuk ka. Apo, mos ndoshta LSDM-ja pret që ai vetë të tërhiqet. Po pse do të tërhiqej? E pastaj, si të tërhiqet tani, kur sapo ka filmuar videon më të mire reklamuese!?

Policia nuk ka intervenuar në Strugë se ka pasur frikë nga mallkimet e besimtarëve. Filmimi i videove reklamuese nuk është dhe aq gjë e keqe.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира