PAK BUKË E PAK PARA

Një shtet anëtar i NATO-s e ka gjetur veten në një situatë ku jo vetëm stabiliteti politik, por edhe ai energjetik, e rrjedhimisht edhe ai ekonomik të varet nga një kompani, bordi mbikëqyrës i së cilës përbëhet nga biznesmenë rusë.

1 Kur si shtet lejon që furnizimi me ngrohje i kryeqytetit të varet nga një kompani, pronarët e së cilës askush nuk i njeh, nuk është çudi që ata të tallen përballë qeverisë kur u thonë se si një “kompani e përgjegjshme shoqërore”, në një ditë do të ndalojnë furnizimin me ngrohje nëse nuk marrin para nga Buxheti. Kompania që tani shantazhon vendin me shembjen e gjithë sistemit energjetik, sepse nga ajo do të varen 54.000 amvisëri, 95 institucione arsimore dhe 1.027 objekte të tjera në Shkup, në vitin 2012, në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, është regjistruar me emrin “Balkan Energy Group (BEG) me veprimtarinë kryesore “këshillim mbi operacionet dhe menaxhimet e tjera”.

Nëse nesër të gjithë ata që ngrohen me ngrohje me parno në Shkup kalojnë në ngrohje me rrymë, i gjithë sistemi energjetik në mbarë vendin do të bjerë.

Dhe VMRO-DPMNE po gëzohet me fëmijën e saj. Ata e prodhuan BEG-un, e tani thonë “Uaa LSDM, shiko se çfarë ju bën BEG”. E imagjinoj sa të lumtur do të ishin nëse gjatë votimit për Qeverinë e re të Dimitar Kovaçevskit, deputetët vijnë e ulen me pallto në Kuvendin e pangrohur.

E këto janë ato mbeturina që dalin nga koha e marrëveshjeve të mjegullta të Nikolla Gruevskit, të cilat Qeveria e LSDM-së nuk arriti t’i presë.  Prokuroria ka gati tre vite që po zhvillon procedurë para hetimore ndaj anëtarëve të Komisionit rregullativ të atëhershëm, të cilët u jepnin licenca kompanive të BEG.  Deri te hetimi as që ka për të ardhur. Dhe kur flasim për çmontimin e instalimeve të regjimit, nuk është një frazë e thjeshtë politike. Këtu në realitet doli se edhe BEG është pjesë e atij sistemi që duhej çmontuar.

VMRO-DPMNE prodhoi një qeverisje të tmerrshme dhe LSDM-ja nuk arriti ta ndryshojë atë. Të ketë bukë për të gjithë. Të fitohet ndonjë para.  Ja ku i kemi tani, edhe bukën edhe paranë.  Një shtet anëtar i NATO-s është gjendur në një situatë ku jo vetëm stabiliteti politik, por edhe ai energjetik, e rrjedhimisht edhe ai ekonomik, varet nga një kompani, bordi mbikëqyrës i së cilës përbëhet nga biznesmenë rusë.

2 Mandatori i qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se do ta ftojë liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takim kur do të zgjidhet kryeministër. Ky, ende i paftuar, vendosi një kusht – ai do të takohet me Kovaçevskin vetëm nëse bisedojnë për zgjedhje të parakohshme.

Në një krizë kaq të tmerrshme energjetike, në mes të një krize shëndetësore me numër rekord të të infektuarve rishtazi nga Covid-19 dhe përballë shantazhit bullgar për heqjen e vetos për fillimin e negociatave me BE-në, do të ishte jashtëzakonisht joserioze që kryeministri i ri të humbte kohë me VMRO-DPMNE-në. Nuk kemi rrymë, ngrohje, numri i të sëmurëve po rritet, çmimet e energjisë dhe ushqimeve po hipin, ndërsa Kovaçevski dhe Mickoski do të ulen në Klubin e deputetëve për qeverinë e Përzhinos dhe aparatet e votimit. Kurse shërbimet partiake të shtypit do të fajësojnë njëri tjetrin.

Veç se Kovaçevski nuk mund ta mposhtë VMRO-DPMNE-në në fushën e tij. Nuk mund të përdorësh injorancën politike për të mundur atë që ka shpikur vetë injorancën politike. Kurthi i parë i madh në të cilin mund të bjerë kryeministri i ri Kovaçevski është të fillojë të merret me tekat e Mickoskit. Këtu VMRO-DPMNE fitoi pushtetin lokal në shumicën e komunave dhe të qytetit të Shkupit. Për më tepër, ata kanë “kompani të përgjegjshme shoqërore” të cilave duhet t’u kthejnë borxhin.  Le të tregojnë kryetarët dhe këshilltarët bashkiakë se sa të aftë janë.

Nëse nuk dëshiron t’ju takojë – në rregull.

3 Paralajmërimet e zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Nikolla Dimitrov se këmbëngulja për zgjidhje të shpejtë me Bullgarinë mund të jetë në dëm të interesave kombëtare, nuk do t’i reduktoja vetëm me shpjegimin se është ofenduar që nuk do të jetë anëtar i qeverisë së re. Pikërisht ajo që thotë kryeministri aktual Zoran Zaev, se Dimitrov ka qenë i përfshirë në proces deri më tani dhe e di se çfarë është duke u marrë vesh me Bullgarinë, është arsye e mjaftueshme për të pasur kujdes. Sepse Dimitrovi ka qenë brenda dhe e di se çfarë është marrë vesh, e ne që jemi jashtë nuk e dimë.  Edhe ne kemi frikë se mund të bihet dakord për diçka.

Në fakt, Dimitrovi vetëm me zë të lartë shprehu përshtypjen e tij se këmbëngulja për mbylljen e çështjes me Bullgarinë me çdo kusht për fillimin e negociatave me BE-në mund të jetë e dëmshme. Besoj se kjo është përshtypja e shumë njerëzve që nuk janë në politikë. Sepse ne nuk mendojmë se duhet t’i vërtetojmë Bullgarisë se ekzistojmë. Dhe ne mendojmë se me një qëndrim të tillë shantazhues ndaj Bullgarisë, asnjë marrëveshje që do të pranonte ekzistencën tonë nuk do të ishte garanci se ata do të ndalonin së na bllokuari. Dhe ajo që është edhe më frustruese, me këtë mënyrë të vendosjes në BE, ajo zgjidhje nuk do të ishte garanci se ne do të bëhemi ndonjëherë anëtarë të BE-së.

4 Ne do të luftojmë në shtëpi, dhe bullgarët dolën përsëri me të njëjtin shantazh për të hequr veton. Pak para vizitës së paralajmëruar të kryeministrit të ri Kiril Petkov, i cili njoftoi se më 18 janar do të vijë te kryeministri i ri maqedonas Dimitar Kovaçevski për të treguar “vullnet të mirë”.

Çfarë vullneti i mirë, kur pas një mbledhjeje gjashtë orëshe të Këshillit të Sigurisë Bullgare, ku kryesia shtetërore dhe liderët e partive parlamentare diskutuan për Maqedoninë, presidenti Rumen Radev tha se diskriminimi ndaj 120.000 bullgarëve maqedonas po eskalon.

Në zgjedhjet bullgare të nëntorit, në Maqedoni votuan 650 qytetarë bullgarë. Radev ndoshta mendon për qytetarët maqedonas që kanë pasaporta bullgare dhe që janë zhvendosur nëpër vendet e BE-së. Si arrin vetëm shteti maqedonas të diskriminojë bullgarët maqedonas në Gjermani, Suedi, Francë, Spanjë…? Ose në Maqedoni i diskriminojmë duke i zgjedhur deputetë, ministra dhe fshehin pse duan që ne të mendojmë se janë patriotë të mëdhenj maqedonas. Edhe biznesmenët tanë janë të diskriminuar. Edhe ata kanë shtetësi të dyfishtë për të drejtuar biznesin e tyre në BE. Ne i diskriminojmë duke i zgjedhur kryetarë bashkie me letërnjoftime bullgare.

Nuk ka asgjë që Petkov simbolikisht tregon vullnet të mirë. Jemi të lodhur nga simbolika dhe fjalët e mira nga BE. Ai do të tregojë vullnetin më të mirë nëse heq dorë nga vetoja dhe ne fillojmë negociatat. Çdo gjë tjetër është aktrim përpara SHBA-së dhe partnerëve të saj evropianë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира