PAKËNAQËSI E VOGËL

Të jetë vallë drejtësi kozmike? Apo me të vërtetë guri të vjen nga ai që e ke më afër?

1 “Mijallkovi e tha publikisht se ka bërë gabim nga pakujdesia, e këtë mënyrë ai shfaqi një virtyt, gjë që nuk është aspak karakteristikë e LSDM-së, të cilët vazhdimisht bëjnë gabime dhe përpiqen t’i mbulojnë me gënjeshtra dhe manipulime”. Kështu u shpreh Nikolla Gruevski në tetor të 2015 në një intervistë për Kanal 5, ku si kryeministër mbronte kushëririn e zënë me pistoletë në aeroportin e Beogradit ndërkohë që ndryshonte avionin për Zagreb.
Sasho Mijallkov atë kohë nuk ishte më drejtor i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim. Dha dorëheqje pas operacionit tragjik të policisë në Lagjen e trimave të Kumanovës në maj të po atij viti, ku humbën jetën 8 policë. Udhëtarit të thjeshtë të cilit para pesë vjetësh, as sigurimi i Aeropotit të Shkupit nuk guxonte ta kalonte nëpërmjet detektorit të armëve përpara se të hipte në avion, tani në mendje vazhdimisht i rrotullohet kënga “Shutka nuk të ikën, Nikollë.” Është gjykuar me 12 vjet burg për përgjimin masiv të paligjshëm të kryer në institucionin shtetëror, ku ai ishte drejtor. Tashmë po e kalon dënimin në paraburgim në Shutkë.

Në njëfarë mënyre, akoma s’më besohet se rasti me përgjimet që shkaktoi tronditje dhe ndryshime të mëdha politike më në fund ka përfunduar. Më duket sikur jam në shok post-traumatik. Akoma nuk mund të lirohem dhe të shpresoj në mënyrë optimiste për njëfarë fillimi të ri.

Imagjinoni, të ishit ndonjë i ardhur dhe të shihni nga këndvështrimi i tretë se si policia, gjykata dhe prokuroria, si pulat pa kokë zgjidhin krizën e zhdukjes së Mijallkovit disa ditë para dënimit. Nuk e di se ç’është më qesharake. Sjellja e tyre e atëhershme, apo shpjegimet e tyre që nga momenti kur i arratisuri u shfaq para Prokurorisë për t’u sjellë vendimi për paraburgim shtëpiak. Tërë kjo zhurmë për një izolim të thjeshtë. Për më tepër që MIjallkovi vazhdon të jetë i virtytshëm, ashtu si në vitin 2015, sepse përsëri i kërkoi falje publikut, madje kësaj here edhe Qeverisë, kryeministrit, ministrave dhe organeve gjyqësore për pakënaqësitë që i kanë përjetuar ndërkohë që ai ka pasur temperaturë mbi 40 gradë. E si prisni që ta kontrollojë telefonin apo të ndjekë televizorin duke qenë me grip dhe me frikën e kovid-19 të përsëritur?

Do të doja të besoja se “do të ketë drejtësi – madje edhe më shumë”, siç shprehet Zaevi. Por, këtë drejtësi e prisnim që nga dita e parë kur filluan të shpalleshin bombat. Do të doja të besoja se e kanë marrë mësimin nga rasti i arratisjes së Gruevskit, ashtu siç u shpreh Zaevi. Dhe se, nëse sistemi me arratisjen e Mijallkovit ka ngecur një çikë, siç arsyetohej ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, kur kryeministri i inatosur kish përplasur dorën mbi tavolinë, sistemi gjithsesi është funksional.

2 Ore shyqyr, përveç “pakënaqësisë së vogël”, puna ka mbaruar. Ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq tha se “është jashtëzakonisht i kënaqur dhe krenar që ngjarja kishte epilog pozitiv”. Ndonëse para kësaj “ka qenë tejet i shqetësuar nga ngjarjet e fundme të këtyre ditëve që e tronditën publikun dhe për një çast e varrosën besimin ndaj institucioneve”. Për një çast?! A thua Mariçiqi i beson fjalët e veta? Apo na konsideron budallenj. Sikur ne nuk dimë asgjë e ata po na e zbulojnë. Më mirë të kishim ndejtur në injorancën tonë se sa të na jepnin atë shpjegim që na e dhanë. Ja që ky moment mosbesimi ndaj institucioneve po zgjat vetëm tridhjetë vjet.
Mendja e politikanëve funksionon në mënyrë të çuditshme. Diçka shpikin, diçka do ta thonë dhe meqënëse vazhdimisht e përsërisin mendojnë se ne e pranojmë si të vërtetën e vetme. Rënia e çdo pushteti fillon atëherë kur fillon ta konsiderojë popullin budalla.

3Kanal 5 dhe Siteli, të dyja këtu televizione për të cilat dëgjuam se Sasho Mijallkovi ka qenë kryeredaktori i lajmeve dhe për të cilat qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së ka derdhur miliona denarë nga paratë tona, ishin të parët që emituan dërgimin e tij në Shutkë. Të jetë vallë drejtësi kozmike? Apo me të vërtetë guri të vjen nga ai që e ke më afër?

4 Mirë, po pse Bujar Osmani shkon në Bullgari një muaj para zgjedhjeve? Kujt dëshiron t’i shtiret me atë qëndrim bashkëpunues? Pas çdo të shkuare të tij në Sofje, kolegia e tij Ekaterina Zaharieva del në televizion me ofendime. Sapo e kishte përcjellë, direkt të nesërmen herët në mëngjes doli për të thënë se politikanët e këtushëm nuk ditkan se si funksionon BE-ja dhe se kjo nuk është njësoj si Jugosllavia.
Me të vërtetë kisha vendosur që t’i injoroja budallallëqet e Zaharievës, sepse ajo padyshim ka ndonjë frustrim personal me ne. Nuk është normale që kur flet për Maqedoninë njëkohësisht kaq shpesh të përmendë edhe Jugosllavinë, Titon dhe Serbinë. Ajo nuk është e paarsimuar, e as budallaqe. Por ja që i erdhi momenti i duhur për të kanalizuar frustrimet e saj të mbledhura. E për më tepër shtiret duke bërë sikur kjo gjë është diçka e mirë për BE-në dhe për stabilitetin e rajonit.

Nga shpërbërja e Jugosllavisë kanë kaluar tridhjetë vjet. Fëmijët rriten, të rinjtë nuk dinë serbisht, askujt më nuk i duken interesante e as të rëndësishme historitë tinejxhere për “Jugosllavët dhe tre të kuqe”. Ata që luftuan kundër okupuesve fashistë vdiqën, kurse trashëgimtarët e tyre janë në kërkim pune, e disa prej tyre, në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani dhe Suedi morën dhe pasaporta bullgare. U hapën firma nga të dy anët e kufirit, njerëzit skijojnë në Borovec, dehen në Bansko, lahen në Sandanski…E çfarë pastaj? Gjithçka ishte super dhe po shkonte drejt përmirësimit, derisa Zaharieva dhe disa politikanë vendosën të derdhnin frustimet e tyre personale duke përdorur këtë gjë si një xhoker për zgjedhjet e ardhshme. Disa të tjerë në Bullgari, me mendjen e Karakaçanovit u shurrën mbi të gjithë atë çka edhe pa marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, e kishte ndërtuar populli nga të dyja anët e kufirit.

5 E me të vërtetë, siç thotë Zaharieva, BE-ja nuk është njëjtë si Jugosllavia. Fqinjtë e BE-së premtuan vaksina e nuk na i dërguan. Kurse fqinjtë nga Jugosllavia i premtuan dhe i dërguan.

6 Dërgesën e dytë të vaksinave që na i dhuroi Serbia në kalimin kufitar Tabanovcë e mori personalisht ministri Venko Filipçe. Ai literalisht po e çonte kutinë nga bagazhi i veturës serbe drejt furgonit maqedonas, bashkë me kolegun Zllatibor Lonçar.
E shikoj doktor Filipçen dhe kush e di se për të satën herë çuditenm e them me vete – ç’është në gjendje të bëjë një neurokirurg kur bëhet politikan. Kështu habitem edhe me të gjithë mjekët që bëhen politikanë. Pasi, në sytë e mi, të jesh kirurg është shumë më e rëndësishme se sa të jesh politikan.

Nejse. Mirë që fotografohen nëpër pikat kufitare, mirë që i kalojnë paqetat nga njëra makinë te tjetra, a thua se serbët nuk kanë karton jeshil e nuk mund të shkojnë deri në Shkup me makinë, mirë që kontrollojnë nëse dyert e frigoriferit mbyllen mirë…po a ishte kaq e domsdoshme për atë PR politik që edhe kutitë t’i transportojë? Ore, Venko pse nuk iu thua njëherë e mirë atyre që të këshillojnë: Më falni, por unë nuk jam personi që duhet të ngrejë këtë kuti. Më shpikni diçka tjetër për votuesit.

Për më tepër që, Venko mund të na thotë sa të dojë se deri ku është procedura e nënshkrimit të marrëveshjeve, të transportojë vetë edhe dhjetë kuti të tjera, e madje edhe të kontrollojë se mos dikush ka donuar edhe ndonjë birrë bashkë me frigoriferët, por asgjë nga kjo nuk e ndryshon faktin se ne akoma nuk kemi një datë për fillimin e vaksinimit masiv.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира