PANDEVI DHE ELMASI

Sfida më e madhe e 2022 do të jetë që t’i bëjmë ballë urrejtjes me anë të edukatës familjare dhe mirësisë

Shumë dua që 2022 të mos jetë vit historik për Maqedoninë. Kjo kolumnë për një vit do të mbushë 31 vjet, dhe me të vërtetë më ka ardhur në majë të hundës të shkruajë për ngjarje historike, për data historike, për zgjedhje historike, për fatkeqësi historike, për raporte historike, për samite historike, për seanca parlamentare historike…

Dhe o njerëz, pak usull, ju lutem. Pak edukat familjare. A nuk e shihni se politikanët na kanë sjellë në një situatë ku të mos dimë as se si t’i urojmë njëri-tjetrit. Konfrontimet politike nuk duhet të jenë burim i urrejtjes. As kritika nuk duhet të jetë hedhje e helmit. Puna – vdekje apo liri. Është e tmerrshme kur ajo që i lidh njerëzit nuk është ideologjia, por urrejtja toksike e cila buron nga njeriu i parë e deri te ai më i fundit dhe i parëndësishmi në rrjetet sociale dhe kur toni i tillë i komunikimit bëhet diçka normale.

Bëra një përzgjedhje të 12 kolumnave të ngjarjeve për të cilat kam menduar se e kanë shenjuar (sërish historiken) 2021. Titulli është i njëjtë si kolumna e publikuar në 4 prill, e inspiruar nga fotografia e Pandevit dhe Elmasit të përqafuar pas fitores mbi Gjermaninë në mes të Gjermanisë. Kjo është fotografia e Maqedonisë. Sa keq që e harrojmë këtë fotografi dhe e kujtojmë vetëm në momente të suksesit.

Të dashur miq, sa e shihni, ne urrejtja do të na shkatërrojë.

Dhe sfida mëe  madhe në 2022 do të jetë se si t’i bëjmë ballë urrejtjes me mirësi.

Ju uroj festa të hareshme dhe shumë gëzime familjare në vitin 2022.

Le të jemi gjallë e shëndosh e përjetësisht të rinj.

I juaji,

Gorani.

 

15 janar

Sidoqoftë, Bullgaria me anë të vetos ua ka mbaruar punën e ndyrë euroskeptikëve. Dhe atyre shteteve-anëtare të BE-së. Dhe këtyre tanëve. E besa, edhe qeverisë do t’i vijë mirë. Kujt i shkon mendja tani, në luftë kundër korrupsionit, për një administratë efikase publike, qeverisje transparente, plane urbanistike, ajër dhe ujëra të pastër, kur çështja prioritare është se sa herë Buçkovski e ka kapërcyer Deve Bairin. Për më tepër që, gjërat, kështu-ashtu po shkojnë siç duhet. Nëse lexon deklaratat e zëvendës kryeministrit për luftë kundër korrupsionit Ljupço Nikollovski, do të mendosh se jeton në Suedi. E njëkohësisht, kolegu i tij Artan Grubi organizon disko private për miq partiakë në ambientet zyrtare të Ministrisë së asgjësë.

Ndërkohë, kryeministri Zaev lajmëroi se makinat me tabela regjistrimi bullgare do të regjistrohen me 50 përqind tarifa të reduktuara. Ka majmunë që kanë respektuar ligjin dhe që paguajnë çmimin e plotë dhe ka të tillë që nuk e respektojnë ligjin dhe do të paguajnë gjysmën e çmimit. MPB publikoi se kamionë të tërë për përzierjen e betonit të kompanive të personave në pushtet për vite të tëra kanë figuruar si të paregjistruar, ndërsa qytetarët e nderit me zor mbledhin rrogat në kartelat bankare që t’i regjistojnë makinat.

A thua me çfarë dënimi për qytetarët shembullorë do të kompensohet ky çmim për të paftyrët?

Ti ndërton në mënyrë të paligjshme, ata ta legalizojnë. Ti uzurpon trotoar për terrasë kafeneje, ata ta legalizojnë me gjithë ngrohjen që ke vënë. Ti lëshon dërrasat për platformë në liqen, ata ta legalizojnë atëherë kur platforma bëhet kafene. Ti nuk paguan tatimin e pronës, ata do të të luten t’ua paguash me këste. Ti shpërlan para në Belize, e më pas e kthen gjoja në formë investimi, ata ta legalizojnë…

E gjithë lufta me të padisiplinuarit doli se qenka legalizim i mosdisiplinës.

 

26 shkurt

Imagjinoni, të ishit ndonjë i ardhur dhe të shihni nga këndvështrimi i tretë se si policia, gjykata dhe prokuroria, si pulat pa kokë zgjidhin krizën e zhdukjes së Mijallkovit disa ditë para dënimit. Nuk e di se ç’është më qesharake. Sjellja e tyre e atëhershme, apo shpjegimet e tyre që nga momenti kur i arratisuri u shfaq para Prokurorisë për t’u sjellë vendimi për paraburgim shtëpiak. Tërë kjo zhurmë për një izolim të thjeshtë. Për më tepër që MIjallkovi vazhdon të jetë i virtytshëm, ashtu si në vitin 2015, sepse përsëri i kërkoi falje publikut, madje kësaj here edhe Qeverisë, kryeministrit, ministrave dhe organeve gjyqësore për pakënaqësitë që i kanë përjetuar ndërkohë që ai ka pasur temperaturë mbi 40 gradë. E si prisni që ta kontrollojë telefonin apo të ndjekë televizorin duke qenë me grip dhe me frikën e kovid-19 të përsëritur?

Do të doja të besoja se “do të ketë drejtësi – madje edhe më shumë”, siç shprehet Zaevi. Por, këtë drejtësi e prisnim që nga dita e parë kur filluan të shpalleshin bombat.

 

26 mars

Me qindra, nëse jo me mijëra qytetarë dhe qytetare të Maqedonisë këto ditë po shënojnë përvjetorin e pranimit në NATO në korridoret e godinës së panairit të Beogradit, teksa presin të vaksinohen kundër kovid-19 bashkë me qytetarët e Serbisë, të cilët këto ditë shënojnë përvjetorin e bombardimit të NATO-s. Do të ishte interesante të shihej nëse numri i maqedonasve që ka vaksinuar Serbia brenda një fundjave është më i madh se numri i mjekëve që ka vaksinuar Maqedonia brenda një muaj e gjysmë. Dhe atë prapë – me vaksina dhuratë nga Serbia.

Ju duket ironike? E ashpër? E tmerrshme? Po. Por, ja që kështu është. Të paktën për mua, personalisht, si një njeri që beson thellësisht në vlerat e perëndimit, në solidaritetin e parimeve që promovon Bashkimi Evropian në letër, ky është një zhgënjim jashtëzakonisht i madh.

Në një farë forme është sikur vdes ideja evropiane në Maqedoni. Përse? Pasi, kush e di për të satën herë Bashkimi Evropian na braktis, na tradhëton dhe nuk përmbush premtimet e dhëna. Thjesht, nuk u tregua si një partner tek i cili mund të mbështetesh.

Dhe çfarë fituam ne për besnikërinë ndaj BE-së? Veto nga Bullgaria? Të tjerët vetëm sa u trazuan paksa, dhe përveç Çekisë dhe Sllovakisë, nuk thanë as edhe një fjalë. Heshtën edhe Kroacia dhe Sllovenia, nga të cilët pritëm mbështetje në mënyrë të natyrshme, pasi të paktën ata e njohin mirë gjendjen në Maqedoni. E pastaj, ç’vlera evropiane presim në Shkup, kur në Bruksel nuk kalon dot asnjë amandament që të gjykojë dhunimin brutal që po na bën Bullgaria?

E tani na vjen keq se qytetarët maqedonas në Beograd, pas marrjes së vaksinës, fotografohen para afishes ku shkruan “Hvala Srbija”. Ndërsa ne aq shumë do të donim të fotografoheshin para “BE për ty”.

Nga Serbia morëm vaksina. Po nga BE-ja? Karakaçanovin.

 

2 prill

Sado patetike të tingëllojë, fotografia e Pandevit dhe Elmasit të buzëqeshur dhe të përqafuar në fitoren kundër Gjermanisë në zemër të Gjermanisë është fotografia e Maqedonisë së vërtetë. Sa keq që shpejt e harruam atë fotogafi dhe e kujtojmë vetëm në momente suksesi.

Përshkrimi i fotografisë është patetik, por ama fototgrafia është e vëretë. Dy futbollistë të Maqedonisë nga kombësi të ndryshme luajnë për shtetine tyre dhe gëzohen për suksesin e tyre në Duizburg, ndërkohë që në Shkup ambasadorët e huaj inkurajojnë politikanët që të mos e vrasin njeri-tjetrin në Parlament. Por, në këtë reprezentim ku luajnë njerëz të të gjitha kombësive dhe feve, futbollistët zgjidhen sipas cilësisë. Kurse në Parlament deputetët zgjidhen sipas jocilësisë. Në rezrezentim duhet të dinë të shutojnë dhe të mbrojnë. Në Parlament deputetët nuk duhet të dinë asgjë. Duhet vetëm t’i binden shefit të partisë dhe të fotografohen me të.

Ne nuk jemi mësuar me suksese. Vetëm kur rrallëherë do të ndodhë diçka e tillë, kuptojmë se sa jemi helmuar. Çuditemi se si dimë të gëzohemi dhe të krenohemi. Po kur ka qenë hera e fundit që një politikan na ka dhënë një arsye për t’u gëzuar? Kur ka ndodhur që të ndihemi krenarë për shtetin tonë për shkak të një politikani? Vallë a është e mundur të jesh krenar me atë që të thotë të bësh durim për rrogën tënde, ndërkohë që atij i vjen rroga e rregullt në xhep?

Pandevi dhe Emlasi përqafohen – kjo është jeta reale. Ndërsa partitë dhe politikanët janë këtu për të krijuar probleme që më pas të na i zgjidhin. Tragjedia është se nuk kemi më shumë suksese të tilla si fitorja mbi Gjermaninë, jo vetëm në futboll, por as në fusha të tjera. Nëse do të kishim për se të gëzohemi, nuk do të na bëhej vonë për politikën.

 

16 prill

Të na kishte dëgjuar Zaevi para dy vjetësh, kur mediat filluan të publikojnë dokumente për krimet e sekretarit gjeneral të atëhershëm të Qeverisë, e deri pasa disa ditëve, sekretari i çdo gjëje Dragi Rashkovski, më e pakta që mund të bënte ishte ta pushonte nga funksioni. Ndërsa ai e mbronte. Dhe akoma e mbron.
Tani nuk do të digjet vetëm Rashkovski. Tani do të digjet edhe partia.

 

28 maj

Maturanti Toni Sali vdiq në moshën 19 vjeçare. Dhjetë vjet luftoi me shtetin që të merrte numër amë. Drejtoria për udhëheqjen me librat amë nuk i jepte as certifikatë lindjeje. Nuk ia pranonte babanë biologjik dhe e kushtëzonte që t’ia shkruajnë si prind një shtetas të huaj, që nuk e kishte baba. Pastaj i kërkonin që ta shfuqizonte atë kujdestari sepse – ashtu janë ligjet. Dhe Toni, meqë nuk kishte numër anë, nuk mund të kishte as mjek amë. As ndihmë sociale. As llogari bankare. Familjen e kishte të varfër e kështu nuk ka mundur të shfrytëzojë as spitalet private. Tani – Toni vdiq. Nuk e dihet nga se. Ai nuk është më. Dhe është sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë. I mbetën vetëm pesat e dëftesave, për shkak se, megjithatë, dikujt në këtë shtet i është kujtuar se në bazë të Konventës për të drejtat e fëmijës, Toni mund të regjistrohet në shkollë edhe pse nuk ka numër amë. Gjithçka shkon sipas ligjit në këtë shtet ku krijohen numra amë për qytetarë joekzistentë, ku jepen nga disa karta identiteti për adresa të ndryshme për të njëjtët persona që t’i shfrytëzojnë për vjedhje votash në zgjedhje, ku nxiren pasaporta falso për kriminelë vetëm për para, por jo – pikërisht për Tonin e Shutkës i cili ishte një nxënës i shkëlqyer i cili merrte çmime të ndryshme dhe ishte i varfër, askush nuk këtë shtet nuk arriti të gjejë zgjidhje.

Si do të jetojnë, vallë, me vdekjen e Tonit të gjithë ata zyrtarë që për 15 vjet me radhë e kanë maltretuar fëmijën dhe prindërit e tij me imtësira, duke i çuar nga një sportel te tjetri, nga një institucion në një tjetër duke i bindur se – ashtu janë ligjet, e ligjet si të tilla, duhen respektuar?

Në fund, na doli se rasti i Tonit paska qenë një gabim sistemik i institucioneve. Për dy-tri ditë, do ta harrojmë. Institucionet s’kanë shpirt. Por, në ato institucione punojnë njerëz me emër dhe mbiemër. A kanë këta njerëz shpirt? Apo kanë vetëm librezë partiake?

 

11 qershor

Për mua është thjesht e pabesueshme se si LSDM arriti të frikësohet se do t’i humbë zgjedhjet. Sa i pa talentuar duhet të jesh për të qeverisur në mënyrë që të vish në një gjendje që të të mundë ky version i VMRO-DPMNE-së?  Me asgjë.  Duke bërtitur “Ua”.

 

16 korrik

Gjashtë gjykime të rasteve të PSP për krim dhe korrupsion të profilit të lartë janë kthyer në fillim pas katër vjetësh zvarritje.

Kjo po ndodh gjatë kohës së qeverisjes së garniturës politike që i fitoi zgjedhjet duke u bazuar te entuzazmi i qytetarëve dhe qytetareve të etura për ndryshime që i shprehën nëpërmjet sloganit: “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe.” Epo ja që nuk ka drejtësi. Kurse paqja blihet me punësime partiake. Bakshishi nuk është evidentuar, sepse për të nuk paguhet tatim.

 

13 gusht

Le të mos harrojmë tani sigurinë e komunikimit në majën shtetërore dhe të mos i hapim përrallat dedektive rreth asaj se si ka funksionuar ky sistem në Halkidiki. Mirëpo, askush nuk beson se sistemi funksionon madje edhe kur do ta shohë kryeministrin në televizion këtu, e le më kur do të komunikojë se si e koordinon krizën nga një shtet tjetër me telefon dhe internet. Çfarë ka koordinuar? Drejtorët partiakë që gjithashtu kanë qenë në plazh, apo kryetarët e komunave të bindur që paratë që i fitojnë i shpenzojnë për vetura zyrtare dhe rroga për punësime partiake, në vend që t’i investojnë në infrasturkturën e komunës në mënyrë që të jetë e përgatitur për një gjendje krize.

Në Austri dhe në Slloveni, për shembull, ndoshta nuk kanë një sistem që funksionon aq mirë nga plazhi, si ky i yni, por shtetit i është kujtuar të dërgojë avion që t’i marrë zjarrfikësit e lodhur nga Maleshevia dhe të sjellë të zjarrfikës të tjerë të çlodhur.

E pastaj habitemi se si të huajt na janë përzier në politikë. E si të mos na përzihen kur, ata bëjnë çdo gjë – nga marrëveshjet e paqes deri te dialogjet partiake dhe pastrimi i mbeturinave dhe shuarja e zjarrit. Me plot kuptimin e fjalës. Kemi fat që ekzistimi dhe stabiliteti ynë përputhet me interesat e tyre strategjikë, se përndryshe do të na linin të digjeshim.

Neve na lanë vetëm këto: të sjellim ligje, të printojmë letërnjoftime dhe të vendosim rend. Ligje kemi, për dokumentet do të presim tender të ri, ndërsa rend nuk mund të vendosim dot. Në cilin shtet vendosen karrige që të shpëtohen trotuaret dhe rrugicat e biçikletave nga makinat? Dhe përsëri karriget thyhen. E për këtë nuk dënohet askush. E nuk dënohet askush që nuk dënon për këtë mosdënim.

Dhe çfarë bën qeveria. Këtë papërgjegjshmëri të skajshme, duke nisur nga ndërmarrja më e vogël komunale e deri te funksionarët më të lartë në nivel shtetëror, do ta shpërblejë me 30 përqind për “rezultate të jashtëzakonshme në shërbimin e interesit publik”.

 

10 shtator

Pavarësisht gjithë trishtimit, mllefit dhe dëshpërimit që më kaploi pas zjarrit tmerrues të Qendrës së Kovidit në Tetovë ku humbën jetën 14 vetë, nuk kam se çfarë të them. Më erdhi në majë të hundës të kuptoj vazhdimisht se “kjo gjë s’ka fund”.

Si mund të thotë dikush diçka të mençur, kur nuk mbushemi me mend as pas kaq shumë mësimesh të pamarra nga tragjeditë? Si mund të mbushemi me mend, kur refleksi i politikanëve është të kërkojnë justifikim, e jo ta zgjidhim problemin?

Dorëheqja e ministrit Filipçe është problemi më i vogël. Në këtë moment ajo do të ishte një gjest simbolik, që do të nxisë katarzë te të gjithë ata që ia kërkojnë atë dhe zhgënjim te të gjithë që e mbështesin. Ja, dha dorëheqje, e çfarë pastaj?
Personalisht mendoj se mund ta propozonte për shkaqe morale. Pasi, edhe pa e pritur hetimin është e dukshme se kemi pasur të bëjmë me lëshime serioze sistemike. Për më tepër që edhe ai do të lirohet. Nuk është rasti i dikujt që nuk ka një profesion nga i cili mund të jetohet bukur mirë, që të duhet të merret patjetër me politikë. Politikës mund t’i kthehet gjithmonë kur të dojë.

Nga ana tjetër, është e kuptueshme edhe se pse kryeministri Zoran Zaev nuk do t’i pranonte dorëheqjen. Është joprodkutive që në mes të një pandemie të ngelet jofunksional sektori i shëndetit. Edhe kjo u duhet tani – kalkulime të reja partiake, shantazhe të reja nga BDI-a, ndarje të reja partiake…Për më tepër qe, u harxhuan mjekët. Dikush u bë kandidat për kryetar komune, dikush bartës liste, shumë dëshirojnë të hyjnë në politikë…

Dorëheqja e Filipçes nuk do të ishte garanci se lëshime të këtilla tragjike nuk duhen përsëritur. Si  mund të kërkosh garanci kur vetë ministri thotë: “Nuk mund ta pushoj drejtorin përderisa nuk përcaktohet përgjegjësia”. Mijëra njerëz ishin të dënuar për mosmbajtje të maskës në rrugë për shkak të mosrespektimit të protokolleve antikovid, ndërsa ministri nuk mund ta ndërrojë drejtorin i cili nuk ka ditur dhe nuk ka mundur ta menaxhojë spitalin e Kovidit. Pse? Sepse është vendosur nga partia.

Në fund të ditës, as nuk ka rëndësi nëse drejtori apo drejtoresha është vënë nga një parti apo një tjetër dhe se me cilin lider janë ata të afërt. E rëndësishme është nëse janë treguar të aftë apo të paaftë. Më e tmerrshmja është se edhe ata që janë treguar të paaftë, mbrohen nga partia. Ky është lëshim sistemik. Ndërsa Venko e ka pranuar këtë sistem. Andaj, le t’i falenderohet politikës që nga “Dëgjoje Venkon” në fillim të pandemisë erdhi në derexhenë e “Dorëheqje për Venkon”.

 

22 tetor

Do të përsëritet “ligësia”!? Pse, juve tani ju kujtua? Qytetarët që ju sollën në pushtet për katër vite ju paralajmëronin: Kini kujdes, “ligësia do të përsëritet”. E ju ua kthenit: “Shihni punën tuaj.” E dinim të gjithë se VMRO-DPMNE do të kthehet nëse LSDM nuk punon mirë. Po, çfarë bëtë ju në LSDM që ligësia të mos përsëritet?
E tani, qytetarët duhet të frikësohen se do të kthehet një parti keqbërëse që vodhi gjithçka – nga zgjedhjet e gjithçka tjetër dhe udhëheqësia e së cilës as nuk kërkoi falje për gabimet e të arratisurit në Budapest, për sulmin e organizuar të Parlamentit, për përgjimin masiv, për jetën me frkë nga reketimi, për mediat e shkatërruara apo për rrëmbimin partiak të shtetit…Me çfarë vërtetoi LSDM qeverisëse se frikësohet që të mos kthehet VMRO? Qeverisja e tyre nuk ishte luftë kundër ligësisë. Sidomos jo në nivel lokal, ku vlerësohen efekte konkrete.

Kur kujtoj se çfarë presionesh brutale kemi përjetuar ne, mediat, nuk dua as ta kujtoj fare VMRO-në. Vallë tani na ka mbetur të krahasojmë LSDM-në me VRMO-në?

Zaevi premtoi se do të fillojë me pastrim rrënjësor të sistemit që në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në pranverën e 2019, kur Stevo Pendarovski fitoi vetëm 4.000 vota më shumë se sa Gordana Siljanovska-Davkova, kur aktori Dragan Spasov-Dac i dhuroi një fshesë. Dmth, nuk është se votuesit nuk e kanë paralajmëruar. Por, ai me fshesën e tij vetëm ngrinte pluhur. Pasi nuk donte t’ua prishte hesapin bashkëpartiakëve të tij me gjithë interesat e tyre biznesi, familjare e të tjera private.

 

26 nëntor

Mirë, fatkeqësitë mund të ndodhin. Por është shokuese që ne nuk mësojmë prej tyre. Vetë fatkeqësia është një shok. Numri i 45 të vdekurve është një shok. Por është shok edhe të shohësh se si sillen institucionet e shtetit, sa ngadalë funksionon gjyqësia që prej kohësh është bërë normale. Për ne u bë diçka e zakonshme që edhe institucionet më të paafta dhe të korruptuara t’i paguajmë edhe me gjak.

E më e keqja në gjithë këtë është që e gjithë kjo tashmë nuk na pegon. Përveç shkarkimeve të rralla të inatit dhe trishtimit, ne nuk ndërmarrim asgjë. Pajtohemi me jetën e tillë në këtë letargji depresive. Mbijetesë deri në fatkeqësinë e radhës.

Do të futet edhe fatkeqësia e “Besa trans” si ajo e “Durmo turs” në 100 afate gjyqësore me eksportiza, kundërekspertiza dhe superekspertiza e do të vazhdojmë të mbijetojmë deri në fatkeqësinë e ardhshme. Mirë që kemi të paktën Fejsbukun dhe Tuiterin. Duhet kështu, duhet ashtu, duhet ashtu…Çfarë është ajo që duhet? Duhet – vetëm të vdesim. Hidhërohu, komento, fli dhe – harro.

Mirëpo, si të gjitha mrekullitë, fati i zi për 45 jetët e humbura zgjat tre ditë. Dhe menjëherë kalojmë në temat e rëndësishme – dorëheqja e Zaevit, zgjidhjet e shpejta të Mickoskit, shumica e re parlamentare dhe Alterantiva e re, Aleanca, Besa dhe BDI-ja, sigurisht.

Këto çështje esenciale të tipit se sa vende drejtorie dhe për çfarë partie do t’i shpëtojnë eurointegruesit, nuk mund t’i mbulojnë as problemet e mëdha botërore – mutacioni i ri i koronavirusit, rryma e shtrenjtë, gazi i shtrenjtë, mungesa e çipave, mungesa e letrës, shtrenjtim i ushqimit, rritja e inflacionit…

Por për këto as nuk mendojmë. Jeta jonë nuk varet nga ato tema botërore. Neve jeta na është paralizuar në procesin mes dy shumicave dhe dy fatkeqësive.

 

10 dhjetor

Le të mos fantazojmë. Nuk është puna as te car Samoili, as te Goce Dellçevi. E aq më pak për bullgarët që nuk kanë të drejta në Maqedoni, për dallim nga maqedonasit që i kanë të drejtat e tyre në Bullgari. Këto janë vetëm justifikime që të vazhdojë ofanziva bullgare për destabilizimin e Maqedonisë.

Ofanziva kundër Maqedonisë është fuqizuar edhe më shumë me deklarimet e Sofias zyrtare se Shqipëria duhet të ndahet nga procesi dhe se mund të fillojë me negociatat me BE-në. Thua se ne nuk e dimë se çfarë destabilizimi do të ishte ky për Maqedoninë. E ata sigurisht që e dinë.

Këta janë hapa klasikë të një shteti armiqësor. Bullgaria nuk fshihet se ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë dhe se gjithçka që nuk ka arritur ta realizojë me vite të tëra, dëshiron ta realizojë tani. Dhe atë si një shtet anëtar i BE-së.

E nëse me të vërtetë anketa e fundit se 70 përqind e bullgarëve e justifikojnë veton për Maqedoninë, atëherë ne me fqinjët jemi në luftë të akullt. Dhe vështirë që nga kjo luftë Maqedonia të dalë e palënduar.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира