1Ku do të shkojnë paratë e tatimit progresiv që i integron Qeveria e LSDM? Mos do të shkojnë te rroga e Aleksandar Trajanovskit, këshilltarit në Komunën e Gazi Babës dhe i punësuar në Drejtorinë doganore, të cilin e pamë të shoqëruar nga i arratisuri Nikolla Gruevski në Budapest? Çfarë ka për të thënë ministri Dragan Tevdovski për të punësuarin e tij që ka marrë pushim mjekësor që ta vizitojë kryetarin e nderuar dhe liderin e arratisur? Të jetë ky, vallë, tatimi i drejtë për të cilin po flitet vazhdimisht? Pse të harxhosh ditë pushimi, kur mund të marrësh pushim mjekësor? Dhe kur ekzistojnë qytetarë budallenj që do të ta paguajnë pushimin mjekësor.
Edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov tërë marifet kur thërret këshilltaren Svetllana Kollariq të bëjë listë për përjashtim të 1.200 të punësuarve në administratën e qytetit Shkup. Po ne, mos e votuam Kollaqirin për kryetare? Jo. Po Petre, sa të punësuar ka në zyrën e tij të avokatisë? A ka të punësuar shtesë? Jo. Pse nuk ka? Sepse është nikoqir vetë. Vetë, me paratë e veta. Kur ai punon me paratë tona, pse mos të ngrihen të 1.200 -të të punësuarit nëpër barakat e Parkut. Ka plot budallenj që do t’i paguajnë.
Po kryeministri Zaev, a ka në firmat e tij ndonjë drejtor përgjegjës për zbatimin e ndonjë marrëveshjeje për speca, që nuk vjen në punë tashmë për 7 muaj? Ashtu si zëvendës kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes kornizë Hazbi Lika, që nuk vinte në seancat e Qeverisë. Sa investime të huaja ka sjellë këshilltari Ljube Boshkovski? A ju paguan, vallë, rrogën Koço Angjushevi këshilltarëve nëpër firmat e tij, që nuk e kryejnë punën e tyre?
Çështja me administratën publike paska qenë shumë e ndërlikuar. Më falni që po përzihemi në shprehitë e punës së 1.600 mbështetësve të BDI që rrinë në shtëpi ndërkohë që marrin rrogë shtetërore. Dhe le t’i lëmë rehat të gjithë që t’i kalojnë ditët e pushimit mjekësor të futur në institucionet komunale sipas listës partiake. Për ta janë pak 26 ditë pune pushim i garantuar.
Do të ishte shumë e dhimbshme nëse përzihen nga puna. Se mos ju bëhet vonë atyre se ne do të paguajmë më shumë për rrogat e tyre.
Lehtësimi i vetëm për Buxhetin që do të ndjejmë tashmë nga shkurti është që deputetit të arratisur Nikolla Gruevski, do t’i paguajmë pesë përqind rrogë më të ulët.
2Ndonjëherë them me vete se këta të LSDM-së po garohen në sugjerimin e ideve se si t’i largojnë më shumë nga vetja mbështetësit e tyre. Sidomos ata mbështetës, të cilët nuk u kërkojnë asnjë lloj shërbimi partiak, por vetëm një qeverisje të mirë.
Si fillim, thanë t’i ndajmë tenderët sipas njerëzve tanë dhe të mos përjashtojmë dikë nga VMRO, por të punësojmë tanët në administratë. Më pas i humbën besnikët. Tani thonë, do t’i amnistojmë kriminelët. Më pas i humbën të ndershmit. Këtë si do ta kompensojmë? Do t’ua rrisim tatimin atyre që nuk vareshin nga rroga dhe shantazhet e Gruevskit. Atyre që dilnin në protesta pa komandë partiake. Si dhe atyre të papërcaktuarve që nuk kishin guximin t’i kundërvihen haptazi regjimit dhe na ndihmuan të vijmë në pushtet, pasi nuk ia dilnim dot vetëm me tanët. Do të shpikim për ta një tatim progresiv. Kjo është e drejta.
Nuk mundeshkan të heqin dorë nga rritja e tatimeve, pasi kështu e kanë pasur të nënshkruar në program. Këto kanë qenë vlera socialdemokrate. Pa, pa, paa…Nëse tashmë shkojmë sipas programit, aty ishte thënë se do të zgjidhet edhe problemi me ajrin e ndotur. Ja, e zgjodhën. Kurse ndryshimi i emrit kushtetues nuk ishte fare në program. Por ja, ne do ta ndryshojmë. Se mos është bibël programi i LSDM-së.
Qëllimi i tatimit më të madh është të gjithë si qytetarë të kemi dobi nga shteti. Por, kur i shoh prioritetet, nuk shoh se si unë si qytetar mund të kem më shumë dobi se sa ushtarët partiakë për të cilët më duhet të paguaj tatim. Kjo Qeveri, me të gjitha manovrat ekonomike të deritanishme, nuk më ka bindur se ne, qytetarët jopartiakë do të kemi shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, rrugë më të mira, gjykatë të pavarur, polici efikase që nuk mund të gjejë asnjeri, rrugë të reja, ajër më të pastër, qytete dhe fshatra më të pastër…Dhe administratë efikase dhe jopartiake publike, me të punësuar që nuk do të llogarisin mënyrat se si t’i bashkojnë festat me pushimet mjekësore që të mos harxhojnë nga pushimi.
E madje, kur ua thua këto gjëra, dhe ta kthejnë: “Nëse jo, t’jua kthejmë VMRO-në!”. Epo jo, ne nuk do ta kthejmë. Por, ju do ta ktheni.
Urime për guximin, ndërmarrjen e rrezikut dhe lidershipin që treguat në zgjidhen e çështjes së emrit dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s dhe BE-së. Mirëpo, çfarë do të bëjmë nga pranvera, kur juve do t’ju kenë kaluar dy vjet nga mandati? Në fund të fundit, gjithçka do të dalë ndryshe nga programi: për hajdutët tenderë, për kriminelët amnisti, për të nderuarit e lartë tatime.
3Kaluan dy vjet, ndërsa qeveria akoma kërkon lokacion për qendër të re klinike. Pas gjithçkaje që ka ndodhur, akoma habitemi se si u bë një dramë e tërë politike nga një parking spitalor. Të gjitha ligësitë që i dëgjuam në gjykimin për 27 prillin kaluan dytësore për shkak të parkingut të qendrës klinike. Jo kryetari Shilegov paska thënë, jo ministri i shëndetësisë Filipçe paska negociuar, e tani edhe kryeministri Zaev do të përfshihet në zgjidhjen e parkingut.
Qeveria mendon të bëjë parkingje të montuara në kat. M E N D O N. Nuk e di se pse na informojnë për procesin e tyre të të menduarit. Pse, thjesht, nuk i vendosin?
Të duhej ndonjë kafe të ndërtonte taracë në trotuar, nuk do të kishte nevojë për mendim. Sa erdhën në pushtet u bë e qartë se për ta prioritet ishte duhanpirja. Të duhej të shitej tokë shtetërore në Shkup për t’u ndërtuar tridhjetëkatëshe dhe qendër tregtare, nuk do të na kishin informuar për procesin mendor. Do të gjenin zgjidhje menjëherë. Në përputhje me Kushtetutën, me autoritetet ligjore, marrëveshjen kornizë dhe kanunet e KOM.
4Në protestën e ardhshme të VMRO-DPMNE-së, kur Hristijan Mickoski do të flasë për huntën dhe për të këqijat që e kanë kapluar Maqedoninë, si folës do të duhet të paraqitet edhe Aleksandar Trajkovski, shoqëria e Gruevskit për shëtitje nëpër Budapest. Ai personalisht dëshmon se si hunta e maltreton. Edhe i pranuar në punë në Doganë me merita partiake, edhe me rrogë të rregullt të garantuar, edhe me 26 ditë pushimi të garantuara, edhe me ditore për udhëtime zyrtare, edhe me pushim mjekësor sa t’i dojë zemra…Kurse hunta në doganë, kur të kthehet ai nga Budepesti, tek atëherë do të kontrollojë nëse ka përdorur pushimin mjekësor sepse ka qenë me të vërtetë i sëmurë apo jo. Ndërkohë, hunta në Fondin e shëndetësisë, do të presë paraqitje nga dogana.
Në të gjitha këto ligësi me të cilat u mbështoll Mickoski, vëllai i dputetit të pavarur të VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mickoski ka fituar tender për shërbime molerash në objektet shtetërore me vlerë prej 600.000 eurosh. Të mos ishte ajo huntë, ndoshta do të fitonte milionë euro.
Në këto ditë të zeza nën huntën, ata dhjetë pesona që e mbajnë të bllokuar të gjithë Shkupin për rreth dy muaj, kanë më shumë sigurim policor se sa ka udhëheqësi i huntës, Zaevi.
Nëse kjo është huntë e nëse këto janë ligësi, si do ta kishim quajtur gjënë që do të na kishte ndodhur nëse në 27 prill 2017, grushteti i VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin do të kishte pasur sukses?
Përktheu: Fjolla Zllatku