1Në një shtet rrojnë një ministër i punëve të brendshme, një ministër për transport dhe lidhje dhe një kryetar i kryeqytetit. Të tre këta dalin bashkë në televizion dhe kryetari i qytetit u thotë gazetarëve se nuk ka ingerenca të rrënojë ndërtimin e paligjshëm në periferi që është mbrojtur si trashëgimi natyrore. Këtë gjë e dëgjojnë bukur e mirë ministri i punëve të brendshme dhe ministri për transport dhe lidhje dhe nuk reagojnë.
Kështu e ka kjo punë. Kaq mjafton të dimë në lidhje me funksionimin e shtetit tonë.
Ndërtimi i paligjshëm është një platformë e thjeshtë e drurit në liqenin e grykës së Matkës që është një shfaqje e rrallë natyrore dhe gjendet nëpër të gjitha kartolinat e Maqedonisë. Njëri prej ministrave është Oliver Spasovski, i cili udhëheq me policinë dhe dëshiron të jetë president i shtetit. Ministri tjetër është Goran Sugareski, nën kompetencat e të cilit gjendet Inspektorati shtetëror për ndërtimtari. Ndërsa kryetari i kryeqytetit quhet Petre Shilegov, i cili para dy funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit thotë se Matka është në Komunën e Sarajit.
Zonë e lirë metropolitane, nën kontrollin e një kryetari nga BDI-ja me emrin Blerim Bexheti. Ndërkohë BDI-ja është partner koalicioni i partisë qeverisëse LSDM, prej ku vijnë kryetari i qytetit dhe dy ministrat e fuqishëm.
Shkup, Saraj, Matkë – relacion i shkurtër. Të gjithë janë në pushtet dhe atë në vende kyçe, por asnjëri prej tyre, mirë që nuk ka ingerenca, por nuk ka as fuqinë që ta heqë platformën e drurit nga liqeni.
Në historinë e platformës në Matkë gjendet dhe një institucion tjetër shumë të rëndësishëm i cili quhet Këshilli i inspektimit. Në këtë institucion shtetëror ka dhe një njësi për marrëdhënie me publikun. Kush e di se sa kushërinj, baxhanakë, kunata, kunetër janë futur aty që ne t’i ushqejmë. Mirëpo, ata nuk u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve nëse inspektorët kanë dalë në terren për të parë platformën. Vetëm kërkojnë që të dorëzojmë kërkesë për qasje drejt informacioneve të karakterit publik. Të plotësojmë një formular, t’ua dërgojmë, kurse ata do të na përgjigjen në afat prej 30 ditësh. Administratë transparente – s’ka fjalë.
Kjo platforma e Sarajit po duket shumë solide. Më e fortë dhe stabile akoma dhe se platforma e Tiranës. Pasi platforma e Tiranës ishte virtuale, e shpiku VMRO-DPMNE që të kulminonte me sulmin e Parlamentit më 27 prill 2017. Kurse platforma e Matkës është reale. Dhe topi s’e luan.
2Tani, meqenëse qeveria përgatit ligj të ri për legalizim të ndërtimeve të paligjshme, edhe platforma do të bëhet e ligjshme. A e mbani mend bombën që publikoi Zaevi, ku Ali Ahmeti dhe Nikolla Gurevski bisedonin për ndërtimin e paligjshëm te ambasada e Amerikës në Shkup? E kur Gruevski thoshte: “Nëpër komunat tona, ne rrënojmë ku të duam”. Kurse Ahmeti ia kthente se edhe ai vetë ishte kundër ndërtimeve të paligjshme, por në Çair “duhet menaxhuar disi”.
Ashtu pra, në Çair e menaxhoi disi Gruevski. Kurse në Saraj do ta menaxhojë Zaevi.
Mirë ore, a thua për një platformë do të shkatërrojmë koalicionin e qeverisë?
3Qeveria e Zaevit ka vendousr t’i japë fund krimit në një mënyrë origjinale. Duke e legalizuar. Atë që ka vjedhur, do ta falin. Atë që ka ndërtuar jashtë ligjit, do ta legalizojnë. Atë që ka sulmuar Parlamentin, do ta amnistojmë. Atë që nuk ka paguar llogaritë, do t’ia falin borxhet. Atë që ka përgjuar jashtë ligjit, do t’ia largojnë prokurorinë që e përndjek në lidhje me përgjimin.
Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Të gjithë të afërmit dhe të largëtit, shokë e shoqe i punësuar, meqë – a nuk ishte e vërtetë se për 11 vjet ishin diskriminuar nga ata të VMRO-së, e nuk i kanë punësuar “në të shtetit”. Asnjë nga ata të VMRO-së që gjithashtu u futën në kurriz të shtetit deri në rrënjët e trungut familjar, nuk është përzënë nga puna. Kuadrot e BDI-së tradicionalisht nuk guxojnë të ngacmohen, pasi ndryshe iku bashkëjetesa, e besa, iku edhe koalicioni.
O jetë, o bukuri…
Në një situatë të këtillë me të vërtetë duhet të na vijë keq për Gruevskin. Iu desh të ikë në Budapest në vend që të qëndronte këtu dhe të shijonte frytet e farës së sistemit që mbolli vetë, e që e rriti i përkushtuar për 11 vjet.
4Këtu është qeveria e Zaevit që e ndërtoi për 100 hapa më shumë atë që Gruevski e ushqente gjatë kohës së tij.
Gjëja e parë të cilën qeveria e re bëri në plan të brendshëm ishte të legalizonte tarracat e najlonit të kafexhinjve dhe t’i shndërronte në ndërtime të forta, kafe paralele në hapësirë publike. Me deklaratën e tij, kryeministri logjikisht u ndërlidh me këtë punë, duke i thënë “xha Nikollës” nga Ohri se do të përpiqet që vetë t’i mundësonte ndërtimin e “një objekti të vogël për biznes familjar” me 7 dhoma dhe 8 apartamente në katër kate brenda një zone të mbrojtur në më pak se 10 metra larg bregut të Liqenit të Ohrit.
E kështu, hap pas hapi mbërritëm deri te platforma e Matkës. Më thoni, përse t’i pengojnë kryetarit të Sarajit platformat e vogla të paligjshme për biznes familjar, kur vetë kryeministri, për një hotel të paligjshëm shkel 12 ligje bashkë me Kushtetutën e shtetit dhe thotë: “Madje edhe sikur të ekzistonte aspekti ligjoro-formal në njësinë e urbanizmit, nuk mund “të mos bëhet”. Do të gjejnë mënyrën se si “të bëhet!”. Përse t’i pengojë kryetarit të Komunës së Strugës kur dikush djeg tallën e bregut që të ndërtojë paraped betoni për një biznes të vogël familjar? Nuk mund të thuhet se nuk bëhet. Do të gjejnë një mënyrë që të bëhet. Përse ti shkatërrojë ndërtimet e jashtëligjshme në Sharr kryetarja e Tetovës dhe të përndjekë vjedhësit e druve që shkaktojnë vërshime vdekjeprurëse? Do të gjejnë dhe ata një mënyrë që të bëhet!
E vërteta është se duhej ta kishim të qartë të gjithë se ky shtet do të qeverisë sipas ligjit të xha Nikollës që atëherë kur qeveria e re lejoi që të përfundonte ndërtimi i projektit Shkupi 2014. Herët e vonë të gjitha ndërtimet e paligjshme do të inaugurohen me lopata me kordele. Këta nuk i kanë shkëputur lidhjet me praktikat kriminele të VMRO-DPMNE-së. Vetëm i legalizuan.
A kanë fare usull apo jo? Gjithçka që për dy vjet kanë bërë në plan ndërkombëtar, gjë për të cilën u përshëndetën nga e gjithë bota perëndimore, e shkatërruan për një kohë akoma më të shkurtër në shtetin e tyre. Nga një anë, zgjidhën një çështje historike që kryeministrit mund t’i sjellë çmimi Nobel për paqe. Nga ana tjetër, ai që siguron paqen në shtetin e tij, imponon paligjshmëri dhe mosdënim. Çmimi i Nobelit dhe ligji i xha Nikollës.
5Treshja jokompetente, Spasovski, Sugareski dhe Shilegov nga fillimi i tekstit u shfaqën sëbashku në promovimin e parkingjeve speciale për gra shtatzëna. Një ide për t’u përshëndetur. Me siguri ua kanë treguar në ndonjë nga shtetet ku i shpien që të mësojnë si të bëjnë një shtet sagllam.
Këta nuk i heqin dot as veturat nga parku i qytetit të Shkupit e shtatzënave do t’ua mbrojtkan vendet e parkimit.
Përktheu: Fjolla Zllatku