1 Po bëhet situata alarmante kur shohim se sa policë, inspektorë, shefa në ndërrime, doganierë do të dënohen apo përjashtohen nga puna ndërsa këta të Koalicionit “Vlen” jetojnë për funksione. Hajde tani t’i rrisim edhe këta me paratë tona.
Sigurisht që shefi i ndërrimit në kalimin kufitar “Bllacë” është përgjegjës për faktin se për disa minuta nuk ka qenë aktiv sistemi i regjistrimit të udhëtarëve ndërkohë që ka kaluar karvani i dasmës prej gjashtë makinash, nga të cilat katër shtetërore.
Karvanin e ka kryesuar vetë kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Me makinën zyrtare, në shoqërimin e tri makinave të tjera policore dhe plus dy të tjera private, të gjtiha të mbushura me krushq, është nisur të marrë nuse në Kosovë.
Nga Koalicioni “Vlen” thonë se “është zakon, njëlloj si te dasmat maqedonase, të shkohet për të marrë nusen”. Po, është zakon edhe që në kufi të tregosh pasaportën. Ora, çfarë zakoni, është ligj. Ligj, të cilin Gashi nuk e ka respektuar.
Nga parneri qeveritar i koalicionit VMRO-DPMNE thanë se Gashit, si kryetar Kuvendi, i takon shoqërim policor. Dhe veç kësaj, kryeministri Hristijan Mickoski tha se “Gashi është më i mirë se paraardhësi Talat Xhaferi”. Gjë që automatikisht i jep të drejtë që jo vetëm ai të kalojë kufirim pa legjitimim, por të marrë me vete të gjithë krushqit. Mundeshin lirisht mes krushqve të vinin edhe Blerim Ramadanin, të dyshuarin për krime lufte në Kosovë dhe të kërkuar nga Interpoli, i cili iku nga “paraburgimi i gostisë” duke pritur vendimin e gjykatës për ekstradim në Serbi. Atij do t’ia jepnin flamurin shqiptar që ta valojë në dritare, që ta respektojë zakonin.
Kush e di, ndoshta, që të shmangen këso keqkuptimesh në koalicionin qeveritar, Mickoski do të ofrohet që Gashi, herën tjetër kur të shkojë për dasëm në Kosovë, ta marrë edhe atë mes krushqve, po bashkë ta kalojnë kufirin. Njëlloj siç u ofrua për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, që herën tjetër, kur ajo të fluturonte nga Aeroporti i Shkupit, ai ta shoqërojë ndërsa i kapërcen procedurat e sigurisë para se të hipë në avion, që të mos duhet Gashi ta dërgojë sigurimin e tij që të drejtohet me armë.
Në botë, kufijtë nuk kalohen pa pasaportë, përveçse për monarkun britanik dhe carin dhe carica japoneze. Të gjithë monarkët e tjerët kanë pasaporta dhe duhet të legjitimohen. Madje edhe papa ka pasaportë. Vetëm Gashi nuk duhet të legjitimohet. Dhe eventualisht edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Kush e di nëse është regjistruar fare shoqërimi i saj për hyrje në “Bllace” kur ka ardhur që të fluturojë nga Aeroporti i Shkupit. Por le të mos fillojë t’i kontrollojë kamerat ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, e të pësojë edhe ndonjë tjetër shef në ndërrim.
Më mirë, ndërkohë që këta të “Vlenit” ishin me BDI-në të paktën e akuzonin merimangën për incidentet me policinë. Tani kanë përparuar me kërkimin e llogarisë, dhe fajtorë do të kenë policët. Njerëzit janë gjynah.
Si thotë Mickoski. Me këtë Qeveri, nuk ka më agallarë dhe pashallarë.
Prandaj, e kemi Gashin.
Por ama tani, a vlen të shkatërrohet koalicioni për dy kontrolle pasaportash?
2 Nëse Gashi si kryetar i organit ligjvënës ka problem me kuptimin e kontrollit dhe legjitimimit të detyrueshëm, ndërsa Mickoski këtë gjë e arsyeton duke thënë se është “më i mirë se Talat Xhaferi”, atëherë do të vendoset një gjendje e rregullt që politikanët shqiptarë në qeveri të sillen si kaubojë. E pse atëherë politikanët maqedonas të mbeten mbrapa?
Atëherë do ta kemi ngrënë me të vërtetë.
3 Deputetja dhe ministrja e mëparshme për mbrojtje Sllavjanka Petrovska kërkoi mbrojtje nga Ministria e punëve të brenshme (MPB), për atë se ka marrë kërcënime nga rrjetet sociale me postimin e fotografive të saj se si e shëtit qenin në afërsi të shtëpisë së saj, për arsye se ka publikuar se të dyshuarit për vrasjen te “Mavrovka” në Shkup kanë qenë të ikur nga burgu.
Nuk vura re nëse dikush nga LSDM e mbështeti Petrovskën, e cila ishte kandidate për kryetare partie, por hoqi dorë nga akuzat për parregullsi në zgjedhjet partiake. E as nuk tregoi solidaritet. Ku janë kolegët e saj deputetë, miq të partisë? Çfarë mendojnë ata? Se nëse sot heshtin, nëse nuk do t’u ndodhë e njëjta? Pikë së pari, si guxuan t’i harrojnë “vendosjet në ballinë”, “produksionet e pavarura” nëpër televizione në emisionet e të cilave, fytyrave të kundërshtarëve politikë u vënë gozhda, shenjimet me rrathë të kuq në rrjete sociale, gjuetitë e organizuara, thirrjet për dhunë dhe ofendimet nga profilet e fshehura…Ore, ndoshta edhe përgjimet masive i kanë harruar.
Apo ndoshta janë tepërsisht të zënë me përgatitjet për kongresin e llogaridhënies, sa që nuk arritën ta mbanin. Akoma po njoftohen me materialet. Derisa ata të kthjellohen, VMRO-DPMNE-ja dhe “Vleni” do të votojnë edhe ndonjë ligj, si atë për urbanizmin, që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e nënshkroi edhe përkrah kundërshtimit të njëzet organizatave joqeveritare, sepse “opozita nuk kishte amandamente dhe nuk kishte diskutim”. Për më tepër që ndërkohë kanë hall se si ta lidhin Shën Marinë e Madhe me 8 Shtatorin, e kjo të mos reflektohet mbi konstruktivitetin e tyre si opozitë.
4 Për rregullimin e kaosit në Shkup që e bën kryetarja Danella Arsovska, e cila ishte kandidate e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, kryeministri Mickoski tha se si kryetar i partisë do t’i lusë këshilltarët që në seancën e ardhme t’i votojnë programet e saja.
“Nëse mendoni se ka të bëjë me programet, por po ju them që jo”, thotë Micskoski dhe pohon se: “Ja, ta dini, se asgjë nuk do të ndryshojë me plot kuptimin e fjalës”.
Pse këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit për një vit nuk i kanë votuar programet për kandidaten e tyre? Sepse kanë qenë të këqija? Nëse janë të këqija, atëherë pse t’i votojnë tani? Sepse i ka lutur lideri të votojnë? Dhe pse ata do ta kishin dëgjuar liderin kur ajo vetë thotë se asgjë nuk do të ndryshojë? Se ashtu u thotë lideri? Që të vërtetojnë se nuk është e aftë ajo për të cilën i mashtronin shkupjanët se është menaxherja më e mirë.
Është thjesht turp se si e shfaqën veten se si nuk mendojnë me kokën e tyre dhe se janë vetëm makineri të thjeshta vote. E sidomos është turp që e treguan se nuk u intereson fare interesi publik.
5 Në buletinin policor para disa ditësh, doli një informacion se është kapur një burrë 39 vjeçar duke pirë marihuanë në Vodno të Mesme.
Akoma nuk kanë informacion nëse janë gjetur vrasësit e mjekut që para pesë muajsh e gjetën të therur në parking para ambulancës në Shkup, ku ka pasur ordinancën e tij.
Me sa duket vrasësit e mjekut nuk kanë pirë marihuanë . Epo si mund t’i kapin nëse nuk kanë pirë.